Qemal Kazaferi nuk iu nda asnjëherë Poliçanit, sepse ai u rrit bashkë me atë qytet…

710
Ishte pragfillimi i vitit ‘60 të shekulli XX , ku gjeopolitika që po zhvillohej në Europë e më gjerë, solli ngjarje të rëndësishme politike e ekonomike edhe për vendin tonë. Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me B.S., por edhe ato ekonomike etj, e vunë vendin tonë para vështirësive të shumta, midis tyre edhe në sigurimin dhe mbrojtjen e vendit. Në kushtet e krijuara, drejtuesit e shtetit të asaj kohe, siguruan një ndihmë të konsiderueshme nga Republika Popullore e Kinës. Ndërtimi i disa objekteve ushtarake, ishte edhe ndërtimi i një uzine për prodhimin e municioneve në Poliçan. Objekti u projektua edhe u ndërtua shumë shpejt. Kështu, objekti filloi punimet në fund të vitit 1961 dhe mbaroj në tre mujorin e parë të vitit 1965. Për këtë objekt të rëndësishëm në funksion të mbrojtjes së vendit, u krijua një ndërmarrje e veçantë ndërtimi (NSHN2) me qendër në Berat. Më vonë ajo u zhvendos nga Berati e u vendos në Poliçan. Si rrjedhojë e kësaj, në këtë ndërmarrje të re u vendosën kuadro të rinj e të aftë, duke i zgjedhur ata edhe nga rrethet e tjera. U grumbulluan specialistë të aftë e me përvojë pune, si brenda rrethit Skrapar e Berat, por edhe nga rrethet e tjera, sidomos nga Dibra. Përveç këtyre, në këtë ndërmarrje erdhën për të punuar në Poliçan kuadro të rinj e specialistë, si inxhinierë e teknikë ndërtimi për të dhënë frytet e tyre të dijes, të marra në bankat e shkollës apo në universitet.
Një nga kuadrot e parë
Në fillim të vitit 1962, një nga kuadrot e parë që erdhi nga bankat e shkollës për të punuar në këtë objekt të një rëndësie të veçantë ishte një djalë i ri e energjik që kishte vizione të qarta në fushën e ndërtimit. Qemal Kazaferi sapo kishte mbaruar Teknikumin e Ndërtimit në Tiranë. Ai ka lindur në fshatin Stërnec të Skraparit në vitin 1937, nga një familje të madhe e patriotike. Kur morën lajmin, se djali i tyre ishte zgjedhur e emëruar në atë objekt për të punuar, u gëzuan shumë, sepse ai objekt kishte të veçantat e tij, mbi të gjitha karakter kombëtar. Qemali u paraqit në degën e kuadrit të ndërmarrjes , i cili u prit me kënaqësi, si dhe nxorën urdhrin e emërimit dërguar nga Ministria e Ndërtimit, i kërkuan diplomën, certifikatën e notave të cilat Qemali i kishte me vete; bënë vendimin e emërimit, e me këto dokumente u hap dosja personale e teknikut të ri, që e kishte emrin Qemal Kazaferi. Në fillim të punës së re, Qemali u emërua si përgjegjës teknik i sektorit të ndërtimit të rrugëve. Në atë kohë bëhej rruga Pronovik-Tërpan me një gjatësi prej 19 km. Filloi punën i bindur, se do realizonte qëllimet e tij dhe dituria e fituar në shkollë do jepte rezultatet e para në shërbim të komunitetit. Projektet filluan të merrnin jetë…kjo e gëzonte Qemalin. Në sektorin ku ishte caktuar, nga punëtorët u prit me kënaqësi. Dita e parë e punës mes punëtorëve, njohja me projektin e zbatimin e tij në terrenin e vështirë, i jepnin kurajo. Ishte dimri i vitit 1962. Kushtet e punimeve ishin të vështira, sepse lagështia e ngricat bënin të vetat. Si punëtorët, ashtu dhe Qemali dinin të përballonin kapriçot e motit dimërak. Përveç anës teorike që kishte marrë në shkollë, Qemali kishte kryer dhe praktikën teknike të objekteve ndërtimore, si rrjedhojë kishte përvojën e dokumentacionit e të njohurive mbi zbatimin e objekt-projektit që po kryheshin punimet. Dokumentacioni i parë teknik që u paraqet në ndërmarrje nga Qemal Kazaferi, ra në sy për korrektësi e saktësi teknike. Por jo vetëm ana teknike, ai dallohej edhe për anën organizative të punëve në ndërmarrje, realizimin e detyrave, marrëdhënieve të mira me punëtorët e eprorët, kjo i rriti reputacionin dita-ditës dhe po i jepte vendin e caktuar e të nderohej nga shoqëria e gjithë komuniteti i banorëve të qytetit të Poliçanit. Muaj pas muaji ndërmarrja rritej në rezultate e në fuqi punëtore. Po shtoheshin sektorë të tjerë, rritej kërkesa për specialistë e kuadro. Dega e planit së ndërmarrjes kishte vetëm një inxhinier. Rritja e vëllimit të punimeve, i projekteve etj, kërkonin domosdomërisht kuadro të tjerë. Në këto kushte të krijuara, Drejtoria e Ndërmarrjes gjeti si të përshtatshëm për të punuar në degën e planit teknikun e ri Qemal Kazaferi. Këtë vendim të drejtorisë, ai se priti mirë, por specialiteti e përvoja e thërriste atje në zyrën e planit për të dhënë kontributin e tij. 
Kështu, Qemali lë sektorin e rrugëve dhe kthehet në zyrën e planit të ndërmarrjes së ndërtimit 
Aty ai do zbërthente planet, do të planifikonte planet e punës nëpër sektorë, do bëhej evidenca e realizimeve të planit, e furnizimit të sektorëve me bazë materiale, e shumë të tjera që i kërkonte detyra e re në këtë ndërmarrje. Kur punon me përkushtim, edhe detyrat më të vështira përballohen. Qemali e kishte kulturën e punës, ndaj i dilte ballë çdo pune. Sjellja njerëzore ndaj punëtorëve e eprorëve, ja bënin më të lehtë punën për të realizuar detyrat ndaj vetes e ndërmarrjes. Si teknik në zyrën e planit, e ndihmoj në aftësimin e mëtejshëm në profesionin e tij, si kuadër e organizator të detyrave, në marrëdhëniet me njerëzit, me njohjen e problematikave të ndërtimit etj. Ndërmarrja qe zgjeruar shumë në këtë kohë, e përbërja e saj kishte 5 sektorë dhe 2 kantiere me rreth 1.800 punëtorë. Me krijimin e sektorëve e të vendeve të reja të punës, ishte e nevojshme edhe lëvizja e kuadrove, por edhe kërkesa të reja kuadrosh e specialistë në varësi të rrethanave të krijuara. Në varësi të kësaj ndërmarrjeje, ishte edhe një repart xhenier me 480 ushtarë. Kështu, në këto rrethana të krijuara, intensiteti i punëve qe i madh e kërkonte organizim më të kualifikuar. Që të kapej afati i caktuar në punime, ku punohej me kohë të zgjatur, edhe administrata duhej t’i përgjigjej rrethanave të krijuara që të realizoheshin detyrat e caktuara në afatet e kërkuara. Në këto rrethana, drejtoria e ndërmarrjes zgjodhi si kandidaturë të përshtatshme për t’u përgjigjur kushteve afatshkurtër të detyrave, si kandidaturë të devotshme brenda gjirit të saj teknikun Qemal Kazaferi në cilësinë e Kryetarit të degës së Planit të kësaj ndërmarrje. Kjo i rriti më shumë përgjegjësin profesionale e si drejtues të teknikut Qemal Kazaferi, deri në përfundimin e ndërtimit të objektit në vitin 1965 e në montimin e makinerive. Me përfundimin e objektit, në këtë kohë edhe (NSHN2) e Poliçanit shkrihet si ndërmarrje. Në Poliçan mbeti vetëm një kantier që vazhdonte përfundimin e disa objekteve e dorëzimin e tyre për shfrytëzim nga drejtoria e uzinës, që në atë kohë varej nga Ministria e Industrisë dhe ajo e Mbrojtjes. Kuadrot e kësaj ndërmarrje u sistemuan në sektorë të tjerë në Berat e dikastere të ndryshme. Po Qemali!? Atij nuk i ndahej shpirti novator nga themelet e reja të qytetit të ri të lindur aty nën malin Tomor. Në këto themele të qytetit pulson edhe zemra e këtij njeriu shpirtbardhë. Vetë Qemali ishte ‘’dashuruar’’ me këtë qytet mes malesh skraparase, sepse edhe qyteti me njerëzit e tij që mban në gji, e kishte rrokur pas vetes e s’donte ta largonte nga gjiri i tij, sa dhe sot kur shkel mbi gurët e rrugicave të qytetit ata e “falënderojnë’’ për punën intelektuale dhe djersën e derdhur të qindrave punëtorëve të cilët janë bërë gjyshër e gjyshe e u gëzohen nipave e mbesave….!! Flokët e bardha në kokë kanë shumë kujtime, por edhe zërat e ëmbla të vogëlushëve që lindin në këtë qytet i rinojnë këta njerëz, e rinojnë edhe xha Qemal Kazaferin. 
Qemal Kazaferi, tekniku duarartë që s’u lodh kurrë nga puna
Dhe kujtimet rendin nëpër vite…!
Poliçani po vazhdonte të rritej me shpejtësi. Ndërtohej gjithandej: Apartamente banimi, fjetore, mensa, shkolla, spitali, etj. Por rritej edhe personaliteti i vetë Qemalit, të cilin e prisnin detyra të tjera në shërbim të njerëzve e të qytetit…! Kështu në vitin 1971, Qemali emërohet shef i sektorit ekonomik në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Skrapar. Më vonë, në vitin 1973 zgjidhet Kryetar i Këshillit Popullor të qytetit Poliçan. Tek banorët e Poliçanit, Qemali kishte fituar simpatinë e një njeriu, që jepte progres, ndaj e mirëpritën me entuziazëm pasi ai dinte t’u shërbente me devotshmëri banorëve të atij qyteti. 
Detyra e kryetarit të Këshillit Popullor
Detyra e kryetarit të Këshillit Popullor të Qytetit kërkonte impenjime edhe më të mëdha, sepse duheshin ndjekur më nga afër gjithë sektorët e tjerë të çdo fushe në shërbim të qytetarëve. Një nga kërkesat e qytetarëve ishte ajo e strehimit. Vështirësitë ishin të shumta në atë kohë, sepse u krijuan familje të reja e kërkonin strehim si banorë të rinj sa vetë qyteti i ri. Në këtë këndvështrim, situata kërkonte zgjidhje. Qemal Kazaferi i hyri punës vetë sepse e ndihmonte profesioni si teknik ndërtimi, por edhe përvoja organizative e punës së tij. Kështu, me punë vullnetare filloi puna për ndërtimin e banesave të strehimit. Në një sektor të uzinës u mor angazhim që me punë vullnetare të ndërtohej një pallat me 5 kate e 20 apartamente. Menjëherë u dha sheshi i ndërtimit, projekti teknik që e mori vetë përsipër ndjekjen e punimeve Qemali, ngaqë vështirësitë ishin të shumta duke filluar që nga baza materiale etj. Me ndërhyrjen e përkrahjen e Qemalit objekti u ndërtua në një kohë rekord, për 11 muaj pune e sakrifice ku u strehuan 20 familje të reja. Në mesin e viteve ‘70-të u rritën investimet, si rrjedhojë e këtyre, uzina u kthye në Kombinat. Koha diktoi nevojat e saj edhe për një drejtues të aftë në ndjekjen e realizimeve të investimeve që ishin gjithnjë në rritje në Kombinat. Edhe në këtë rast, si kandidaturë më e përshtatshme u zgjodh Qemal Kazaferi, i cili u dallua për ndjekje sistematike të këtyre investimeve. U rrit prodhimi, po kështu fuqia punëtore e me specialist të kualifikuar, ku gjiganti industrial plotësonte nevojat e mbrojtjes së vendit. Ndërsa sot ky gjigant industrial ka rënë në heshtje të plotë. Vitet kaloni njëri pas tjetrit, Qemali bëhej edhe më i pjekur jo vetëm si moshë, por edhe në profesionin e tij e një organizator i zoti të punëve. Kështu në vitin 1979, atë e gjen përgjegjës teknik të brigadave të ndërtimit në zhdukjen e pasojave të tërmetit në rrethin e Lezhës. Dhe aty ai nderohet me Urdhrin e Punës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Në qytetin e Poliçanit krijoi edhe familjen e tij Qemali, me një vajzë nga fshati Krastë, Trëndelinën. Nga martesa lindën dy fëmijë, të cilët kanë krijuar familjet e tyre, sot banojnë në Tiranë. 
Aksidenti fatal
Kur po bëhej një shtesë te Pallati i Kulturës së qytetit, punëtorët kishin ngritur armaturën e soletës. Mirëpo, aty diçka nuk shkonte, sepse nuk ishte në parametrat teknikë dhe Qemali ndalon e bën vërejtje duke hipur sipër në armaturën e soletës. Por…në këto momente kur po u jepte këshilla punëtorëve, armaturës i shembet një pjesë, e si rrjedhojë aksidentohet Qemali. Menjëherë e nisin në spitalin e Beratit për ndihmë të shpejtë! I madh e i vogël u alarmua e iu gjendën afër te spitali, Qemal Kazaferit, si nga qyteti i Poliçanit ashtu edhe nga Berati. Të gjithë interesoheshin për mbarëvajtjen e shëndetit të atij njeriu me zemër të madhe e intelektuale. Gjendja u vështirësua shumë, aksidenti ishte fatal, saqë njërën këmbë doktorët ja prenë teknikut duarartë të ndërtimit, Qemal Kazaferit. Megjithatë, ai nuk u ligështua, gjente kurajo e prapë ishte aktiv në punët e ditës, një profesion që i jepte guxim për të mos u ndalur para vështirësive të jetës. Qyteti të Poliçanit s’iu nda asnjëherë, sepse ai u rrit bashkë me atë qytet.
Në vitin 1991 Qemali del në pension pleqërie
Edhe sot, së bashku me të shoqen Trëndelinën, jetojnë në Poliçan. Në Poliçan i shkojnë për t’i parë, por edhe interesohen për shëndetin e tyre jo vetëm fëmijët e tij, por dhe nipërit e mbesat që nga Tirana, si Xheni e Ermali që i duan fort gjyshërit e tyre. Kur shkojnë për drekë familjare në Bogovë, bisedat merrnin rrjedhën e tyre nëpër vite të shkuara. –Ja, – u thotë fëmijëve e nipave Qemali, këtu kam projektuar e ndërtuar ujësjellësin e Bogovës nga ku merr ujë të pijshëm Poliçani e Berati…! Sytë i lotojnë, por edhe ndihet krenar për kontributin e tij, që i ka dhënë shoqërisë e njerëzve në nevojë. Për Qemalin flitet edhe sot kudo nëpër qytet, veç fjalë të mira. Por, edhe Qemali i do njerëzit e bashkëqytetarët e këtij qyteti malor, që shtrihet nën këmbët e malit Tomor! Ndërsa oshtima e lumit Osum dëgjohet deri lart, në qendër të qytetit. Hesht uzina, heshtin edhe njerëzit, sepse gumëzhitja e djeshme kur punonin në repartet e asaj uzine “qajnë’’ e s’dihet kur do buzëqeshi ai qytet, si dje! Sa paradoksale e djeshmja me të sotmen e trishtuar të këtij qyteti industrial! Çdo ditë Qemalin e gjen me shokët, tek ecën krenar rrugicave të qytetit. Pi një kafe me ta, e sjellin kujtimet e tyre nga e kaluara. Në lokalin e Fatmir Krastës marrin udhë kujtimet, teksa bisedojnë edhe me veteranin Xhemal Ismaili, që po i afrohet shekullit. Në këto biseda gjendet edhe bashkëmoshatari Jashar Syla, banor i vjetër i qytetit. Qemali është një arkiv i gjallë i këtij qyteti. Në telefonin e Qemalit nuk mungojnë edhe sot përshëndetjet apo urimet nga qytetet e fshatrat e Shqipërisë, por edhe nga jashtë shtetit, sepse koha i shpërndau si zogjtë e korbit shqiptarët nëpër botë. Qemali ka plot 53 vjet që ka punuar dhe jeton në Poliçan. Qemali kujton edhe shokët, me të cilët ka punuar apo bashkëpunuar në mirëqenien e qytetarëve, siç ishte Mustafa Lavdari e të tjerë, të cilët nuk jetojnë më sot, por lanë gjurmë me punën e tyre. Sot janë të shumtë ata njerëz qofshin flokëbardhë apo të rinj, që flasin me respekt e dashuri për bashkëqytetarin e tyre, Qemal Kazaferi që mban mbi supe 79 vite jete. Çdo mëngjes tek pinë kafe, kujtojnë të djeshmen, flasin për të sotmen e të nesërmen….dhe kujtimet s’kanë të ndalur. Ato shpalosen si një mozaik para kohës së sotme dhe bëjnë apel për të nesërmen e qytetit të tyre. Ata janë: Bardhi Xhamallati, Fatmir Lulaj, Ylli Lavdari, Abedin Zyla, Kristaq Mjeshtri apo Arif Dehari nga Golloborda etj. Në këto rrëfenja zë vendin e vet edhe emri i Qemal Kazaferit. Xhevrie Alizoti, ish-specialiste në uzinë, që më vonë u zgjodh Kryetare e Këshillit Popullor të Qytetit Poliçan, na thotë se Qemal Kazaferi e donte me shpirt profesionin dhe punën, por mbi të gjitha ai donte njerëzit e bashkëqytetarët ku punonte e jetonte. Ndaj ai nderohet edhe sot nga të gjithë grup-moshat e njerëzve në Poliçan. Në këtë moshë madhore që ka Qemali, si invalid i punës, ai meriton edhe diçka më shumë nga organet e pushtetit! 

Sigal

Nga Xhevahir
Cirongu & Dake Tusha