Punonjësit e ZVRPP Lezhë në prokurori, KLSH tregon abuzimet e tyre

614
KLSH kallëzon në prokurori, 2 ish arkiviste, 1 juriste, 3 ish juriste dhe 2 hartograf specialistë të drejtorisë rajonale të ZRPP Lezhë
Dëmi ekonomik i shkaktuar është në vlerën 18,664 mijë lekë në regjistrimin e pallateve me shmangie pagesa detyrimesh financiare, janë regjistruar prona në zonën e Ishull Lezhë, të cilat kane qenë këneta, kanale, ranishte me sipërfaqe 537926 m2 (53.79 ha), duke i tjetërsuar në kundërshtim me ligjin tek persona privatë nga forma “shtet”. Regjistruar vendime gjykate në Malin e Renxit, duke regjistruar rrugë, shkëmb dhe rezervuar me sipërfaqe 295 ha, si dhe në 74 raste mbivendosje, nuk janë zbatuar rregullat e caktuara, por janë lejuar të kryejnë transaksione e krijuar konflikte sociale, janë regjistruar objekte të legalizuara pa u kryer pagesat sipas ligjit, etj. Nuk është administruar dokumentacioni dhe në arkivin e institucionit nuk gjenden 1045 praktika (referenca pronash), si dhe nuk është nxjerrë përgjegjësia ndaj personave përgjegjës, apo ndjekur ky problem në organet kompetente. Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 1330/2, datë 30.12.2016, ka përfunduar auditimin në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë, me objekt:“Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për vitin 2014-2016”. Me Vendimin nr. 43, datë 30.04.2017 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresën nr. 1330/7 datë 30.04.2017, i janë rekomanduar Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë, masa me karakter organizativ, teknik (kufizimin e pasurive të trajtuara në këtë auditim), me qëllim parandalimin e veprimeve të kundraligjshme dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën 18,664 mijë lekë. Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të dispozitave ligjore në fuqi, duke cenuar interesin publik , që konsistojnë në regjistrime e tjetërsime të pronave nga shteti në persona privatë në mënyrë të paligjshme, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për : E K, me detyrë ish-arkivist, E.L me detyrë ish-arkivist, F. Z, me detyrë specialist jurist, E.J me detyrë jurist, E.Z me detyrë hartograf, K.M ish-juriste, B. RR ish-juriste dhe N.N me detyrë hartograf, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për shkeljet: ZVRPP Lezhë nuk ka marrë masat e nevojshme për ndjekjen e problemit në rrugë administrative e ligjore deri në kallëzim penal, për përcaktimin e përgjegjësisë ndaj personave përgjegjës, për mungesën e 1045 praktikave dokumentare (referenca), pasi nuk janë zbatuar kërkesat ligjore të marrjes dhe dorëzimit të detyrës nga punonjësit e arkivit, në kundërshtim me ligjin nr. 9154, datë 06.11.2003 “Për Arkivat”, Rregulloren nr. 184, datë 8.4.1999 “Për Punën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme” me ndryshime dhe Rregulloren e ZQRPP nr. 2079, datë 11.06.2007.

KLSH, duke i konsideruar të paligjshme veprimet e kryera nga drejtuesit dhe specialistët e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, konkretisht, E. K, me detyrë ish-arkivist, E. L me detyrë ish-arkivist, F. Z, me detyrë specialist jurist, E. J detyrë jurist, E.Z me detyrë hartograf, K.M ish juriste, B.RR ish juriste, dhe N.N me detyrë hartograf, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe akteve të tjera nënligjore dalë në zbatim të tij, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë me shkresën nr. 1330/11, datë 02.05.217, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Lezhë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 18.664 milionë lekë dhe shkelje të ligjit në regjistrimet e paligjshme të pronave, tjetërsimin e tyre në kundërshtim me ligjin, etj., për pasojë kanë konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke dërguar të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse. I është kërkuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë që në materialin e paraqitur të vlerësohet dhe përgjegjësia e personave të tjerë dhe ish punonjës të tjerë të ZVRPP Lezhë, që kanë kryer shkelje ligjore dhe që janë trajtuar nga ana jonë në pjesë të materialit, që është objekt i hetimit.
KLSH zbardh skandalin me ujin e pijshëm në Lushnjë, në 2016 nuk u kontrollua dhe as u klorinua
KLSH kallëzon në prokurori administratorin e shoqërisë ujësjellës kanalizime sh.a. Lushnjë. Dëmi ekonomik për Shoqërinë dhe Buxhetin e Shtetit arrin në vlerën totale prej 334,854 Euro, ndërsa efekti negativ financiar për shoqërinë është 1,810,943 Euro (244 milion lekë).

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 23/1, datë 09.01.2017, ka ushtruar auditim në Ujësjellës Kanalizime sh.a. Lushnjë, për periudhën 01.09.2015 deri më 31.12.2016. Në përfundim të auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat janë rekomanduar masat përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive, të miratuara me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së me nr. 48, datë 30.04.2017, të cilat janë përcjellë në subjekt me shkresën Nr. 23/12, datë 02.05.2017. Nga auditimi i dokumentacionit të vënë dispozicion në lidhje me aktivitetin e shoqërisë Ujësjellës Kanalizime sh.a. Lushnjë, u konstatuan një sërë shkeljesh, ndër të cilat më kryesoret janë: 

1. Shoqëria “Ujësjellës Kanalizime” sh.a Lushnjë, përfaqësuar nga Administratori, ka lidhur kontratë kredie (për lëshim letër garancie bankare), me një bankë të nivelit të dytë në vlerën 1,070,000 euro. Lidhja e kontratës për lëshimin e letër garancisë nga Administratori i Shoqërisë UK Lushnjë, është bërë pa testuar tregun financiar për normën mesatare të interesit të kredisë. Nga Administratori është pranuar apriori norma e interesit 12% nga banka e nivelit të dytë, ose rreth 5% interes në vit më shumë se tregu bankar, duke shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 192,691 euro. 

2. Nuk janë instaluar 500 matës elektronikë wireless, duke i lënë në ruajtje, në kundërshtim me kontratën e nënshkruar me kontraktorin, duke shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 60,000 Euro. 3. Nuk janë arkëtuar 11,092,000 lekë (82,163 Euro), si detyrim financiar i subjekteve pronarë të pallateve apo apartamenteve të reja, për lidhjen me ujin e pijshëm. 

4. Me qëllim uljen e humbjeve, janë vendosur nga ana e Administratorit norma amortizimi menaxheriale shumë të vogla, pa miratim të Këshillit Mbikëqyrës dhe të Asamblesë së Aksionarëve, duke krijuar një efekt negativ financiar në vlerën 220,827 mijë lekë (1,635,760 Euro). 

5. Nga kjo shoqëri nuk janë llogaritur kamatë vonesat për mos likuidimin e faturave të ujit, duke shkaktuar të ardhura të munguara për shoqërinë në vlerën 23,650,348 lekë (175,188 Euro). 

6. UK Lushnjë ka faturuar nga familjarët, biznesi dhe institucionet publike, 3562466 m3 ujë të ndotur me vlerë 53,462,911 lekë, e cila nuk është investuar për grumbullimin dhe largimin e ujërave të ndotur edhe pse është paguar nga qytetarët dhe biznesi, duke vënë në rrezik shëndetin e popullatës. 

7. Prodhimi dhe furnizimi me ujë i popullatës, biznesit, institucioneve dhe industrisë, nuk është kryer në zbatim të standardeve shtetërore, pasi nuk janë kryer analizat e përbërjes fiziko-kimike të ujit të pijshëm dhe për periudhën e auditimit nuk është kryer klorinimi i ujit të pijshëm.

Duke marrë në konsideratë të gjitha shkeljet e konstatuara rezulton dëm ekonomik për Shoqërinë dhe Buxhetin e Shtetit në vlerën totale prej 334,854 Euro, për shkak të lidhjes në kushte të disfavorshme për shoqërinë të një kontratë kredie, për mos arkëtimin e detyrimeve financiare nga lidhja e banesave të reja me ujin e pijshëm dhe moszbatimit të kontratës për vendosjen e matësve të ujit. Efekti negativ financiar shkaktuar shoqërisë Ujësjellës Kanalizime sh.a. Lushnjë është në vlerën 1,810,943 Euro (244 milion lekë), për shkak të vendosjes së normave të ulëta të amortizimit dhe mos llogaritjes së kamatë-vonesave për mos likuidimin e faturave të ujit. KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga A.D., në cilësinë e Administratorit të Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Lushnjë si veprime apo mosveprime me pasoja për interesat e shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” me ndryshimet përkatëse, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale si dhe nenit 15 germa “gj” të ligjit nr. 154/2014 datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” ka bërë kallëzim penal për A.D., pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Lushnjë.
Sigal