Punimet e përsëritura të ndërtimit të objekteve në qendër të Tiranës kapin vlera të konsiderueshme

1174
Inxh. Niko Naska
Në të gjitha punimet e ndërtimit, të rehabilitimit të ndërtimeve, rikonstruksioneve, adoptimeve të të gjitha llojeve të objekteve dhe veprave të ndryshme është e rëndësishme që projektet të bëhen të plota, të studiuara, në përputhje me kërkesat teknike të standardeve, të kushteve të projektimit e të zbatimit, të llogaritjeve tekniko-ekonomike (vlerësime) të shoqëruara me plan-organizimin e plotë të punimeve sipas radhës teknologjike të proceseve dhe operacioneve të punës. Këto projekte hartohen në disa variante dhe përzgjidhet variant me i mirë, i cili rrit jetëgjatësinë, qëndrueshmërinë, ul kohën dhe vlerën (koston) e ndërtimit, plotëson kërkesat funksionale, arkitektonike, eliminon punimet e përsëritura të ndërtimit etj. Këto kërkesa nuk plotësohen në ndërtimin e objekteve në qendër të Tiranës dhe në objektet e tjera të këtij qyteti e konkretisht: Ndërtimi i unazës së vogël. Pjesa më e madhe e punimeve të ndërtimit të kësaj unaze u realizua para vitit 1990, mbeti pa u ndërtuar segmenti mbrapa Hotel “Tiranës”. Punimet e ndërtimit u ndërprenë si rezultat i ndryshimit në sistemin politik. Më vonë rreth viteve 2003-2004 në sheshin e liruar për ndërtimin e këtij segmenti rrugor u vendos Nënstacioni Elektrik. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore në këtë pjesë të unazës së vogël nuk u punua por, përkundrazi edhe ato pjesë që u liruan para vitit 1990 u zunë nga pronarët me ndërtime të ndryshme (lavazhe, dyqani i xhamit, lokale tregtie etj). Punimet e ndërtimit filluan nga Bashkia aktuale me premtimin se do të përfundonte brenda afatit kohor të përcaktuar në grafik. Punimet nuk përfunduan në afat me justifikimin se janë penguar nga Nënstacioni Elektrik, ndërtesa e ish INSIG-ut etj. Këto probleme diheshin, aty ishin, përpara se të fillonin punimet e ndërtimit. Në sektorin e ndërtimit, rregulli i parë është lirimi i sheshit të ndërtimit dhe mbi bazën e projektit të miratuar dhe sipas radhës teknologjike të përcaktuar në plan-organizimin e punimeve kryhen punimet përkatëse. Menjëherë pas inaugurimit të punimeve, në periudhë të shkurtër kohore filloi prishja e punimeve kryesore në pjesën nga Hotel “Tirana”, mbrapa Muzeut Historik, deri tek godina e Bankës Kombëtare, si rezultat i fillimit të rehabilitimit të sheshit në qendër të Tiranës. U prishën punimet e reja të porsa ndërtuara për segmentin e unazës së vogël si trotuaret, infrastruktura nëntokësore (linjat elektrike të fuqisë së lartë e të ndriçimit, telefonisë, KUZ, ujësjellësi), sinjalistika, objektet higjieno-mjedisore, gjelbërimi, sipërfaqe të konsiderueshme asfalti etj. Këto punime që u prishën nuk kishte arsye që të ndërtoheshin në një kohë që ishte bërë e ditur fillimi i punimeve (vazhdimi i lënë në mes) të rehabilitimit të sheshit në qendër të Tiranës, rehabilitim i cili ka përfshirë në projekt rikryerjen (përsëritjen) e këtyre punimeve. Në studimin e qendrës së Tiranës janë parashikuar edhe ndërtime të tjera (godina të larta), ndërtimi i të cilave do të ishte mirë që të mos prekte (prishte) ndërtimet e reja që po kryhen për rehabilitimin e sheshit në qendër të Tiranës, punime për të cilat kam shumë rezerva.

Rehabilitimi i sheshit pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Përpara se sa të prishej stadiumi “Qemal Stafa” u kryen punime në sheshin pranë stadiumit, punime të rehabilitimit të rrugëve, trotuareve, sinjalistikës etj. Me fillimin e ndërtimit të stadiumit të ri këto punime të porsa ndërtuara u prishën në pjesën më të madhe të tyre për t’u ribërë me përfundimin e punimeve të këtij stadiumi. Punime ndërtimi të përsëritura bëhen në shumë objekte e vepra që realizohen nga Bashkia e Tiranës. Këto punime kapin vlera të konsiderueshme, vlera të cilat mund të përdoren për qëllime të tjera sipas nevojave të qytetarëve dhe jo për të rritur në mënyrë fiktive vlerën e investimeve, duke shumëfishuar çmimin për njësi (lek/m2, lek/m3, lek/ml, lek/ton, etj), duke ndryshuar moton e ndërtimit nga moto “Shpejt-mirë-lirë-me forcat tona” në moton “Përsërit punimet (ndërto-prish-ndërto)-shtrenjtë-me forcat e të tjerëve
Sigal