Pse Vendimi Unifikues Nr. 3/2016 i Gjykatës së Lartë për pensionet e ushtarakëve është antikushtetues

1208
Gjykata e Lartë, nën pretekstin e shmangies të praktikave dhe qëndrimeve të ndryshme ligjore për pensionin e parakohshëm të ushtarakëve, ka marrë vendimin unifikues Nr.3, datë 24.11.2016. Ky vendim nuk është bazuar në situatën ligjore e faktike të aplikueshme dhe bie ndesh me nenin 39, pika 1 të ligjit Nr. 49/2012 “ Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative”, ku theksohet se: “1. Gjykata shqyrton ligjshmërinë e veprimit administrativ që kundërshtohet, në bazë të provave të paraqitura nga palët dhe të situatës ligjore dhe faktike që ekzistonte në kohën e kryerjes së veprimit konkret administrativ.” Gjykata e Lartë, ju është referuar në mënyrë selektive dhe të një anshme ligjeve: Nr. 7496, dt. 3.7.1991; Nr. 8087, dt. 11.3.1996; Nr. 9210, dt. 23.3.2004; Nr. 9418, dt. 20.5.2005 dhe Nr. 9481, dt.16.2.2006, të cilat kanë përcaktuar kushtet, kriteret,skemën dhe mënyrën e llogaritjes të pensionit të parakohshëm të ushtarakëve.

Kolegjet e Bashkuara pas shqyrtimit dhe analizës gjyqësore kanë dalë në këto përfundime njësuese:

1. Pika 47: Në gjykimin e mosmarrëveshjeve për pensionet e parakohshme, për periudhën nga data 01.01.1999 deri më hyrjen në fuqi të ligjit Nr. 10142/2009, pensioni i parakohshëm do të përllogaritet sipas Ligjit Nr. 8087/1996, të ndryshuar me Ligjin Nr. 8521/1999. Skema për llogaritjen e pensionit të parakohshëm, e parashikuar nga Ligji Nr. 9418/2005 të ndryshuar me Ligjin Nr. 9481/2006, nuk zbatohet, pavarësisht nëse masa e pensionit rritet apo ulet në raport me skemën e parashikuar nga Ligji Nr. 8087/1996, të ndryshuar.

2. Pika 51: Caktimi i pensionit të parakohshëm, sipas nenit 11 të Ligjit Nr. 8087/1996, i ndryshuar me Ligjin Nr. 8521/1999, bëhet duke u llogaritur sipas skemës: a) 50% e pagës referuese mbi të cilën është derdhur kontributi; dhe b) për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese. Por masa e përgjithshme e pensionit të parakohshëm nuk mund të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi.

Gjykata e Lartë duke tentuar të japë një zgjidhje unifikuese ligjore, për ti hequr kuadratit ligjor kaotik, fijet antiligjore dhe antikushtetuese, ka bërë të kundërtën. Ka përzgjedhur këto fije antikushtetuese dhe bazuar në to kanë marrë një vendim unifikues antikushtetues dhe skandaloz që i ngjan një “qelesheje ligjore” që gjykatat më të ulëta janë të detyruara ta venë në kokë, me hir ose me pahir edhe po të mos jenë në një mëndje dhe mund të mos e kenë numrin e kokës të barabartë me atë të Zaganjorit. Këtë e vërteton fakti që Gjykata e Lartë pa asnjë shkak, në bazën ligjore të dispozitivit të vendimit iu referohet neneve 32 dhe 33 të ligjit Nr. 98/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Ky fakt është një presion publik që ju bëhet Gjykatave Administrative të Apelit, duke ju kujtuar masat disiplinore. Sipas nenit 32, mos zbatimi i vendimit unifikues vlerësohet “shkelje e rëndë” dhe sipas nenit 33 kjo shkelje ndëshkohet me “shkarkim nga detyra”. Gjyqtarët e Gjykatës të Lartë, janë në të drejtën e tyre të marrin vendime unifikuese, por ata nuk kanë të drejtë: të ushtrojnë detyrën e tyre sikur janë në xhungël dhe jo në një shtet juridik të së drejtës ku ka hierarki ligjore, ku ligjet dhe vendimet gjyqësore nuk mund të bien ndesh me Kushtetutën; të mos respektojnë parimin e ndarjes të pushteteve dhe të hynë në kompetencat e Kuvendit; të mos respektojnë piramidën e hierarkisë dhe normave juridike; ti japin fuqi ligjore ligjit të shfuqizuar Nr. 8087/1996 dhe të mos zbatojnë ligjet që kanë qenë në fuqi; të shkelin parimet e sigurisë juridike, të drejtës të fituar dhe të gjykuar më parë etj.

Në këtë shkrim do të trajtojmë vetëm faktet që vërtetojnë se njësimet e mësipërme dhe vendimi unifikues Nr.3/2016 në tërësi janë antiligjore dhe antikushtetuese. Ditët në vijim do të trajtojmë problematikën që lidhet me ligjin Nr. 10142/2009 dhe aktin famëkeq normativ Nr. 5/2010.

Sipas përcaktimeve ligjore, del se pensioni i parakohshëm ka tre elementë kryesorë. Për të qenë më të kuptueshëm, do të shqyrtojmë se si është parashikuar zbatimi këtyre tre elementëve, në çdo nen dhe ligj.

Elementi i parë (pika”a” apo 1): Përcakton bazën e masës të pensionit të parakohshëm dhe detyron që kjo bazë të jetë sa 50% të pagës referuese mujore. Këtë detyrim ligjor e kanë të njëjtë të gjitha ligjet që përcaktojnë kushtet dhe kriteret e pensionit të parakohshëm: Neni 16 i ligjit organik Nr. 7496/1991; Neni 11 i ligjit Nr. 8087/1996; Neni 35 i ligjit organik Nr. 9210/2004; Neni 14 i ligjit Nr. 9418/2005, të ndryshuar dhe neni 2 i ligjit Nr. 9481/2006. Ky përcaktim dhe detyrim ligjor vërteton faktin se ligjvënësi ka njësuar, unifikuar dhe i ka dhënë zgjidhje ligjore përfundimtare masës bazë të pensionit të parakohshëm, duke e caktuar atë 50% të pagës referuese mujore. Ky detyrim ligjor është unik dhe përfundimtar dhe nuk mund të ulet, të preket apo të ndryshohet nga Gjykata e Lartë me masa kufizuese antikushtetuese.

Elementi i dytë (pika”b”apo 2): Detyron llogaritjen e shtesës prej 2%, mbi pensionin bazë, për çdo vit shërbimi mbi 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë. Ky detyrim ligjor është i njëjtë dhe i unifikuar në të gjitha ligjet e përmendura më sipër. Pra ligjvënësi ka njësuar,unifikuar dhe i ka dhënë zgjidhje ligjore përfundimtare dhe masës të shtesës prej 2%, mbi pensionin bazë dhe nuk i ka lënë asnjë hapësirë Gjykatës të Lartë të marrë një vendim unifikues për ta cenuar masën e shtesës sepse edhe ajo është detyruese, dhe përfundimtare.

Elementi i tretë, ka të bëjë me masën e kufizimit të pensionit të parakohshëm. Nuk është i vërtetë konkluzioni që Gjykata e Lartë ka nxjerrë në pikën 50 ku thuhet: “ Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vënë në dukje se, në të gjitha ligjet në fushën e sigurimeve shoqërore suplementare të ushtarakëve, kufizimi në shumën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është parashikuar mbi të gjithë shumën e tij ”.

Ky vlerësim i pa vërtetë është bërë me qëllim që të justifikohet vendosja e kufizimit mbi të gjithë masën e pensionit të parakohshëm. Ja si trajtohet, masa e kufizimit të pensionit të parakohëshëm:

Ligji Nr. 7496/1991, që është ligj organik dhe ka prevalencë ndaj ligjit Nr. 8076/1996 që ka dalë në zbatim të tij, në nenin 16 të tij nuk ka asnjë masë kufizuese.

Ligjit Nr. 8087/1996, të ndryshuar, që ka dalë në zbatim të ligjit organik Nr. 7496/1991, në pikën “b”, i është shtuar masa e kufizimit “ por jo më shumë se pensioni i pleqërisë në shkallë vendi”. Kjo shtesë është antikushtetuese sepse bie në kundërshtim me përcaktimet e bëra në nenin 16 të ligjit organik Nr. 7496/1991, që nuk ka përcaktuar masë kufizimi. Neni 49, i ligjit Nr. 9210/2004 “ Për Statusin e Ushtarakut” e ka shfuqizuar përfundimisht shprehjen: “por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi “, gjë që detyronte Gjykatën e Lartë që të njësonte zbatimin e nenin 11, pa asnjë masë apo tavan kufizues.

Ligji Nr. 9210/2004, që është ligj organik dhe ka prevalencë ndaj ligjeve Nr. 9418/2005; Nr. 9481/2006 dhe Nr. 10142/2009 që kanë dalë në zbatim të tij, në nenin 35 nuk ka asnjë tavan apo masë kufizimi dhe me nenin 49 ka shfuqizuar përfundimisht shprehjen ”por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi.”, të pikës “b” të nenit 11, të ligjit Nr. 8087/1996, i cili, pas hyrjes në fuqi të ligjit Nr.9210/2004, nuk ka më as tavan dhe asnjë masë kufizuese. Pra shtesa që Gjykata e Lartë ka bërë për masën e re të kufizimit: “Por masa e përgjithshme e pensionit të parakohshëm nuk mund të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi”, në nenin 11,është një shkelje e rëndë ligjore dhe kushtetuese. 

Gjykata për të argumentuar se neni 49 që ka shfuqizuar masën e kufizimit, është i “pa zbatueshëm” keqinterpreton qëllimisht nenin 48 dhe del në përfundimin e gabuar se – Ligji Nr. 9210/2004 hoqi kufizimin në masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të parashikuar, por zbatimi i parashikimit ligjor të këtij ligji ishte i kushtëzuar me nxjerrjen e rregullimeve ligjore në fushën e sigurimeve shoqërore suplementare te ushtarakëve në zbatim të këtij ndryshimi – . Ky përfundim nuk qëndron sepse Kuvendi në pikën 2 të nenit 48, ka detyruar Këshillin e Ministrave, të nxjerë vetëm aktet për zbatimin e neneve 35 pikat 1 dhe 2 , 36, 40 dhe 41 të këtij ligji dhe të paraqesë ndryshimet përkatëse në ligjin Nr. 8087, datë 13.3.1996 dhe nuk përcakton asnjë detyrim të nxirret ndonjë akt për zbatimin e nenit 49. Kuvendi me nenin 49 ka ndërhyrë dhe ka ndryshuar direkt pikën “b” të nenit 11 duke shfuqizuar shprehjen: “ … por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi” dhe nuk ja ka lënë këtë ndryshim(heqjen e kufizimit), Këshillit të Ministrave. Gjykata nuk e ka tagrin ligjor të rikthejë në nenin 11 masën e kufizimit për pensionin e parakohshëm që është shfuqizuar nga Kuvendi dhe për më keq ta riformulojë, ta ndryshojë masën e kufizimit të shfuqizuar dhe t’ia bashkëngjitë si bisht antikushtetues nenit 11 të ligjit Nr.8087/1996 si ka vepruar me vendimin unifikues.

Ligji Nr. 9418/2005, në nenin 14 të tij ka rikthyer kufizimin e pensionit të parakohshëm në masën e katërfishit të pensionit bazë, ndryshe nga ligji organik Nr. 9210/2004 në zbatim të të cilit ka dalë. Ky ligj e ka shfuqizuar dhe e ka përjashtuar nga zbatimi ligjin Nr. 8087/1996, me nenin 33 ku theksohet – Ligji Nr. 8087, datë 13.3.1996, i ndryshuar, dhe aktet e dala në zbatim të tij, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk do të zbatohen për ushtarakët e Forcave të Armatosura, që përfitojnë sipas këtij ligji – . Nga sa më sipër del se Gjykata e Lartë ka humbur ekuilibrat ligjorë(ndoshta nga frika e vetingut) dhe pas 21 vitesh njëson praktikën ligjore të ligjit Nr. 8087/1996 që është shfuqizuar dhe nuk ekziston më si ligj.

Ligji Nr. 9481/2006, përsëri bie ndesh me ligjin organik Nr. 9210/2004, në zbatim të të cilit ka dalë dhe në nenin 2 ka parashikuar kufizimin e pensionit të parakohshëm sipas nivelit të gradave. Nga sa më sipër del se ligjet organikë të viteve 1991 dhe 2004 nuk kanë fare masë apo tavan kufizues. Ligjit Nr.8087/1996 i është shfuqizuar tavani kufizues me nenin 49 të ligjit Nr.9210/2004. Kurse ligjet Nr.9418/2005 dhe Nr.9481/2006, gjykata i ka injoruar dhe me një të rënë të lapsit i ka vlerësuar si të pa zbatueshëm. Atëhere del se vlerësimi i Gjykatës të Lartë – se të gjitha ligjet e sigurimeve shoqërore suplementare të ushtarakëve kufizojnë gjithë masën e pensionit -, është një mashtrim dhe blof i sajuar juridik. Në kushtet kur neni 49, i ligjit organik Nr. 9210/2004 “ Për Statusin e Ushtarakut” e ka shfuqizuar përfundimisht masën e kufizimit e pikës “b” dhe neni 33 i ligjit Nr. 9418/2005 i ndryshuar e ka shfuqizuar ligjin Nr. 8087/1996, Gjykata e Lartë edhe nëse ka rënë në “dashuri”me ligjin Nr. 8087/1996, nuk mund të rikthejnë në zbatim masën kufizuese të shfuqizuar nga neni 11 gërma “b” të Ligjit 8087/1996, nuk mund ta ndryshojnë këtë masë kufizimi, nuk mund të rikthejnë në fuqi ligjin Nr. 8087/1996 dhe për më keq të njësojnë praktikën gjyqësore të një ligji të shfuqizuar. Këtë të drejtë e ka vetëm organi ligjvënës dhe Gjykata Kushtetuese. Gjyqtarët e Gjykatës të Lartë me njësimet e bëra në vendimin unifikues Nr/3/2016, nuk janë bazuar në praktikën e tyre ligjore të mëparëshme, në Kushtetutë dhe në ligjet materiale të kohës. Ata kanë unifikuar një praktikë të re,që përputhet me praktikën antiligjore dhe antikushtetuese që kanë zbatuar dikur Sigurimet Shoqërore. Themi dikur, se ka kohë që Sigurimet Shoqërore zbatojnë vendimet gjyqësore dhe japin lekët pa ndërhyrjen e zyrave të përmbarimit deri në datën 30.06.2009. Pra kur shteti tërhiqet,gjyqtarët e Gjykatës të Lartë venë në kokë “qeleshen e Xhezairit”dhe i rikthejnë ushtarakët në pazarin e vjetër të “borxheve” dhe ”debitorëve“. Për konkretizim po ju referohemi tre vendimeve të Gjykatës të Lartë, që në thelb janë si gjithë vendimet e marra para daljes të vendimit unifikues Nr.3/2016.

1. Kolegji Civil i Gjykatës të Lartë(A.Dvorani kryesues, F. Lulo, E. Qirjako, A. Çeliku dhe M. Bici, anëtarë), në vendimin Nr. 00-2012-1509, datë 21.02.2012, kanë vlerësuar dhe janë shprehur :

Gjykatat e Faktit dhe Apelit, kanë arsyetuar gabim në lidhje me ligjin Nr. 9481/2006, duke theksuar se nenet 4 e 32 të tij, parashikojnë si “rezervë ligjore”nxjerrjen e akteve nënligjore dhe për shkak të mos nxjerrjes të tyre,kanë gjykuar që ligji i ri nuk mund të gjejë zbatim, sepse ai nuk është i “vetëzbatueshëm”. Qëndrimi i të dy gjykatave, është i njëjtë me atë të DRSSH Tiranë. Gjykatat më të ulëta shkojnë shumë larg sepse, duke çmuar të pazbatueshëm ligjin e ri Nr. 9418/2005 (që është në fuqi !) i japin fuqi ligjit të shfuqizuar Nr. 8087/1996, i cili përmbante kufizim e caktimit e masës të pensionit ”. Ky vlerësim dhe qëndrim është i njëjtë me atë që kanë sot Kolegjet e Bashkuar të Gjykatës të Lartë dhe e shprehin gjatë arsyetimit të vendimit unifikues.

Këta gjyqtarë që kanë firmosur vendimin unifikues, dje ndryshe nga sot, vlerësonin se: “ Në optikën e misionit dhe detyrës së gjykatës nuk ka ligje “të pazbatueshme” apo ligje “të vetë zbatueshme”. Nëse një ligj hyn në fuqi apo është në fuqi, për gjykatën ai është në çdo rast e rrethanë ligji i zbatueshëm për të në zgjidhjen e mosmarrëveshjes në gjykim. Pra nuk janë gjykatat që vlerësojnë nëse një ligj është i zbatueshëm apo jo sepse ai bëhet i tillë në ditën e hyrjes në fuqi ”.

2. Kolegji Civil i Gjykatës të Lartë, në vendimin Nr. 00-2013-875, datë 26.04.2013, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës të Apelit, për të paguar pensionin e parakohshëm dhe diferencat sipas nenit 35 pika “1” të ligjit Nr. 9210/2004, me argumentin bazë se: – Gjykata e ka zgjidhur konfliktin mbi bazën e ligjeve që kanë qenë në fuqi në kohën, në të cilën paditësit i ka lindur e drejta për përfitim të pensionit të parakohshëm dhe pala e paditur pavarësisht hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 10142/2009, nuk mund të kufizonte një të drejtë të fituar më parë me ligj të paditësit- . Gjykata Kushtetuese me vendim Nr. 19 datë 21.01.2014 nuk ka pranuar kërkesën e sigurimeve shoqërore për shfuqizimin si antikushtetues të vendimit Nr. 875, datë 26.04.2013, me pretekstin se nuk ishin marrë në shqyrtim faktet e reja juridike, si akti normativ Nr. 5/2010 dhe vendimi Nr. 2/2013 i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi këtë kërkesë me argumentin bazë: – se këto fakte të reja juridike, nuk ndikojnë në të drejtën e fituar më parë, sepse ato kanë dalë pas hyrjes në fuqi të akteve juridike mbi bazën e të cilave është fituar e drejta e pensionit – dhe në përfundim la në fuqi vendimin Nr. 3655, datë 04.05.2009 i cili ka vendosur: “Detyrimin e palës së paditur Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë ti paguajë paditësit pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50% të pagës referuese për 15 vjet vjetërsi shërbimi duke e shtuar masën e pensionit me 2% të pagës referuese dhe pagimin e diferencave prej datës 01.02.2008(data e lindjes të së drejtës, shënimi im)”.

3. Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë, i kryesuar nga relatori anti ushtarak, Xh. Zaganjori, në vendimin e tij Nr/00-2015-2735 datë 14.05.2015 pasi i është referuar nenit 11 të ligjit Nr. 8087/1996, në pikën 17 ka dalë në përfundimin se:” … formula e përcaktimit të masës së pensionit të parakohshëm për paditësin pasqyrohet qartësisht në paragrafin e dytë të këtij neni, nga i cili rezulton se, pensioni i parakohshëm i ushtarakut përbëhet nga dy pjesë: a) nga pjesa e parë që përbën 50% të pagës referuese dhe b) pjesa e dytë që nënkupton një shtesë prej 2% të pagës referuese për çdo vit vjetërsie në shërbim mbi 15 vjet, shumë e cila nuk duhet të kalojë vlerën e pensionit maksimal të pleqërisë. Pra, në kuptim të kësaj dispozite, vetëm pjesa e dytë shtesë e pensionit të parakohshëm nuk mund të kalonte vlerën maksimale të pensionit të pleqërisë në shkallë vendi.” Dhe në pikën 24 ka vlerësuar se: “ Është parim i gjithë pranuar se, ligji i zbatueshëm material për zgjidhjen e një mosmarrëveshje, është ligji i kohës kur ka lindur konflikti ”.

Nga referencat e mësipërme, del qartë se sot, Zaganjori, Dvorani, Qirjako, Çeliku dhe Bici në vendimin unifikues kanë arsyetime,vlerësime dhe përfundime ndryshe nga tre vendimet e përmendura më lart. Para datës 24.11.2016, kanë vlerësuar: se ligji Nr. 8087/1996 ishte shfuqizuar, sot e rikthejnë atë në fuqi; se ligjet Nr. 9210/2004, Nr,9418/2005 dhe Nr. 9481/2006 ishin në fuqi por sot sipas tyre nuk janë në fuqi dhe nuk duhet të zbatohen. Kjo gjykatë që ju ka dhënë deri dje të drejtë gjykatave të niveleve më të ulëta dhe ka lënë në fuqi vendimet e tyre për pagesën e pensionin të parakohshëm me skemën 50% (baza) dhe 2% (shtesa) pa asnjë kufizim, kurse sot i urdhëron të rrëzojnë standardin e vendimeve të tyre,duke diskriminuar e vendosur në kushte pabarazie, të gjithë ushtarakët që janë ende në procese gjyqësore, në raport me ata kolegë që e kanë mbyllur procesin gjyqësor në Gjykatën e Lartë. Ky vendim është në shkelje të parimit të barazisë e mos diskriminimit sepse bien ndesh me nenin 14 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe me nenin 18 të Kushtetutës. 

Ushtarakët me të drejtë pyesin: Cili standard i Gjykatës të Lartë, është kushtetues, ai para datës 24.11.2016, apo ky i vendimit unifikues Nr. 3/2016?! Cila është fytyra e vërtetë ligjore e gjyqtarëve, ajo e para origjinale apo kjo e reja me qeleshen e Zaganjorit në kokë?! Ku e gjeni të drejtën të riktheni në fuqi ligjin Nr. 8087/1996 që e ka shfuqizuar Kuvendi dhe të mos zbatoni ligjet Nr. 9210.2004; Nr. 9418/2005 dhe Nr. 9481/2006 që janë në fuqi?! Mos ka ndryshuar balanca e pushteteve, që në shkelje të Kushtetutës sfidoni dhe dilni mbi Kuvendin dhe Gjykatën Kushtetuese?! Mos ka ndryshuar zbatimi i piramidës dhe hierarkisë të normave juridike?! Pse çështja e pensioneve të parakohëshëm të ushtarakëve, relatohet gjithmonë nga Zaganjori i cili ishte relator dhe në Gjykatës Kushtetuese kur u gjykua akti normativ Nr.5/2010 dhe ka deklaruar me shkrim qëndrimin e tij kundër ushtarakëve, a duhet të ishte përsëri relator i i vendimit unifikues Nr. 3/2016?! Pse gjykata kujtohet tani dhe e bën këtë unifikim pas 21 vjetësh?! Këtë veprim e bëni për të penalizuar ushtarakët apo dhe për t’ju kundërvënë Kuvendit dhe Qeverisë, që po ju prish gjumin me reformën në drejtësi?! etj. Me vendimin unifikues Nr.3/2016 Gjykata e Lartë ka dalë nga shinat e pushtetit gjyqësor dhe me vetëdije të plotë është futur në shinat e pushtetit legjislativ. E themi këtë sepse: Gjykata e Lartë ka sfiduar dhe ka dalë mbi Kuvendin duke rikthyer në fuqi ligjin e shfuqizuar Nr.8087/1996; me vendimin unifikues detyrojnë gjykatat e tjera më të ulta të mos zbatojnë ligjin Nr. 9210/2004,që është në fuqi dhe sot; detyrojnë gjykatat e tjera që dhe ligjin Nr. 9418/2005, të ndryshuar me ligjin Nr .9481/2006 që janë në fuqi(deri në hyrjen në fuqi të ligjit Nr. 10142/2009), të mos i zbatojnë; njësojnë qëndrimin antikushtetues se ligji i zbatueshëm deri në hyrjen në fuqi të ligjit Nr. 10142/2009 do të jetë ligji i shfuqizuar Nr. 8087/1996 dhe më skandaloz është fakti që nenit 11 të këtij ligji,i bëjnë një ndryshim esencial për masën e kufizimit të pensionit të parakohëshëm, duke ndryshuar formulën e kufizimit që bie ndesh me të gjithë kuadratin ligjor të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Shtesa “ Por masa e përgjithshme e pensionit të parakohshëm nuk mund të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi.” që Gjykata e Lartë ka bërë në fjalinë e fundit të nenit 11, duke marrë kompetencat e Kuvendit, zeron kriteret dhe kushtet që përcaktohen në pikat “a” dhe “b” që janë të pa prekshme. Në kushtet e këtij ndryshimi antikushtetues, pika “a” që është baza e pensionit dhe pika “b” që ka të bëjë me shtesën shndërrohen në kritere apo kushte pa asnjë vlerë, sepse shtesa antikushtetuese e bërë nga Kolegjet e Bashkuara është në thelb masa reale e pensionit. “Burrave” dhe “grave” të Gjykatës të Lartë, ndoshta nga tronditja që ju ka shkaktuar reforma në drejtësi, ju ka humbur filli i arsyetimit, ju ka humbur gjykimi, ju janë prishur ekuilibrat ligjorë në atë masë, sa ju duket vetja si pushtet ekzekutiv dhe pushtet legjislativ dhe kanë harruar se janë pjesë e pushtetit gjyqësor, që vetëm interpretojnë ligje,japin rekomandime për përmirësimin e tyre dhe i zbatojnë ata me korrektësi dhe drejtësi. Ata nuk mund të ndryshojnë, amendojnë apo riformulojnë nene, të kthejnë fuqinë ligjit të shfuqizuar Nr. 8087/1996 apo të mos marrin në konsideratë ligjet që janë në fuqi duke sfiduar dhe dalë mbi parlamentin, si në rastin e nenit 11 të ligjit Nr.8087/1996. Shoqatat e Ushtarakëve kanë filluar nga puna për kundërshtimin e vendimit unifikues Nr.3/2016 në Gjykatën Kushtetuese dhe po bashkëpunojnë dhe me shoqatën e Policisë të Shtetit, për të kundërshtuar menjëherë këtë vendim unifikues, për ta bërë objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar që ky vendim të shpallet antikushtetues. Nëse dhe Gjykata Kushtetuese nuk e shpall antikushtetues, atëherë hapet rruga për t’ju drejtuar Gjykatës të Strasburgut. Paralel me çuarjen e këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese do ta denoncojmë publikisht këtë vendim antikushtetues, do të njoftojmë Avokatin e Popullit, Ministrinë e Drejtësisë, Kryeministrin, Kuvendin dhe Organizmat Ndërkombëtare, sepse ky vendim unifikues është antikushtetues, bie ndesh me Konventën e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe ka në esencë të gjitha shkeljet ligjore që janë bërë në trajtimin e ushtarakëve në pension të parakohshëm. Në ditët në vijim do të trajtojmë dhe pjesën e dytë të këtij materiali, për të vënë në dispozicion të ushtarakëve dhe shoqatave një material orientues të plotë për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për ta shpallur antikushtetues vendimin Nr. 3/2006 dhe vendimet e individuale të marra në zbatim të këtij vendimi. 

Shoqata e Ushtarakëve të Bashkuar të Tiranës
Sigal