Pse shteti hesht ndaj artistëve?!

842
Sigal

 FORUM/ Flasin: Fadil Fadil Kujofca, Luiza Xhuvani, Ilir Bezhani, Luftar Paja, Bashkim Kozeli, Baxhul Merkaj

Para dy ditësh, një grup  regjisorësh, aktorësh, dramaturgësh, kritikësh arti, miq dhe njerëz të thjeshtë artdashës, me nismën e regjisorit Kiço Londo, përkujtuan 3 vjetorin e ndarjes nga jeta, të aktorit dhe regjisorit Agim Qirjaqi. Në këtë takim përkujtimor, secili nga pjesëmarrësit solli kujtime nga jeta dhe loja aktoriale që kanë pasur me të. Gjithë takimi kaloi në një atmosferë ndjesish, ku u shpreh dhimbja, por dhe mesazhi që ka lënë Agimi me veprën e vet. Të gjithë artistët shprehën indinjatën e tyre ndaj heshtjes që tregon politika ndaj këtyre personaliteteve që janë pjesë e ndërgjegjes së kombit,  që i kanë dhënë shumë kulturës shqiptare.

Agim Qirjaqi aktor dhe regjisor, u lind në Kolonjë në vitin 1950 dhe vdiq më 28 mars të vitit 2010. Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës (Profesori), “Lulëkuqet mbi mure” i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës) etj. Me këtë të fundit fiton çmimin e parë në Festivalin II të Filmit, më 1977. Më pas punon si regjisor në TVSH, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma, mes të cilëve edhe filmin artistik “Dorina” (1980). Gjatë kësaj kohe vazhdon të punojë intensivisht në filma, duke qenë i preferuar nga shumica e regjisorëve tanë. Gjithashtu fillon të japë mësim, mjeshtërinë e aktorit, në Akademinë e Arteve, përvojë të cilën e vazhdon edhe pas rikthimit në Teatrin Kombëtar, më 1981. Në vitet ’80 interpreton rregullisht në teatër dhe në filma, duke qenë njësoj i suksesshëm, si në role dramatikë, ashtu edhe në ata komikë. Më 1989 largohet për herë të dytë nga Teatri Kombëtar, këtë herë për një trajnim 2- vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. Rikthehet në Teatrin Kombëtar më 1991, këtë herë më i dhënë pas regjisë. Ndonëse vazhdon të interpretojë në teatër dhe në film, të mbajë herë pas herë kurse me studentët e regjisë në Akademinë e Arteve, është gjithmonë e më aktiv në regji. Lista fillon me “Rikardi III” të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos dhe mbaron me “Armiku i popullit” të Ibsenit. Krahas krijimtarisë, angazhohet edhe në veprimtaritë ‘jashtë skene’, si përkthyes dramash (“Fando e Lis” dhe “Këngëtarja tullace”), bashkëpunëtor dhe anëtar i Këshillit Botues të buletinit Teatër, anëtar i bordeve të Studios Alba Film dhe Akademisë së Arteve, bashkëthemelues dhe kryetari i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit (1992). Më 1996 fiton titullin “Asistent Profesor”. Në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar. Vdiq më 28 mars 2010 në moshën 60-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

Filmografia

Regjisor

Fadil Kujofca-aktor

Unë isha në një tavolinë me disa shokë ku mora vesh se regjisori Kiço Londo na ftonte, për të përkujtuar 3-vjetorin e ndarjes nga jeta të regjisorit dhe aktorit të madhe Agim Qirjaqi. Unë jam partizan i kujtimit të ditës së lindjes, por me thënë të drejtën ky lloj takimi për Agimin më pëlqeu, pasi askush nga institucionet nuk u kujtua për këtë ditë. Nuk ishte takim zyrtar, as protokollar, por një takim mes miqsh për të nderuar një figurë të madhe të aktrimit shqiptar. Nga ky takim, në mora një mesazh, që ne aktorët duhet  të kemi një dashuri të madhe për njeri tjetrin. Po shoh se aktorët ikin nga kjo jetë shumë të rinj. Agimi Vdiq 59 vjeç, Roland Trebicka 66, po ashtu dhe shumë të tjerë.  Të gjithë këta që kanë ikur, kanë lenë nj emër dhe kanë patur barrën në krijimin e këtij Institucioni të Kulturës që mban  emrin Teatri Kombëtar. Ne kemi më shumë  nevojë, për afri, për dashuri, për mirëkuptim, ku të gjithë Institucionet shqiptare të artit duhet ti respektojnë figura të tilla. Unë kam lozur shumë role me Agimin, por do të veçoj një kujtim shumë të bukur tek “:Nata e dymbëdhjetë”, që kishim role kryesorë (ku dublues i Agimit ishte Roland Trebicka), ku ai shkëlqeu dhe ajo shfaqje vazhdoi vite të tëra në repertor.  Rolin  e fundit me të dy këta aktorë të shkëlqyer e kam patur në  me Dramaturgun dhe regjisorin Aqif Mulliqi nga Kosova, ku vumë në skenë dramën  “Kush e mposhti Musolinin” shfaqje të cilën e dhamë në Tiranë, Kosovë dhe Maqedoni. Të dy aktorë ishin  ata që e mbajtën peshë dramën, dhe aktorë të tillë i mungojnë teatrit dhe duhen vite që të zëvendësohen. Kishin potencial njerëzor dhe artistik.

 Luftar Paja (Artist i Popullit)

Kjo përkujtimore na solli dhimbje. Për mua Agimi mbetet një artist  i madh dhe me një përkushtim të jashtëzakonshëm, një njeri me inteligjencë të rrallë. Kam pasur fatin të luaj disa role me të  dhe në fund mbaj mend se dhe pse po luftonte me sëmundjen, ai se jepte veten dhe mundohej ta jepte çdo gjë në maksimum. Ai kishte një sedër profesionale shumë të madhe dhe e ndjente që do i largohej skenës.  Disa momente ngërçi ne  ndiheshim keq pasi e shikonim  se po jepte sërish maksimumin. Sot po të shohësh veprat, rolet e tij, janë të shumtë dhe njeri më i bukur se tjetri. Do kisha dëshirë që këtë përkujtim që bëmë ne sot, do të duhej ta bënte shteti, apo vetë Teatri Kombëtar, pasi njerëz si Gimi janë vlera të pallogaritshme që nuk kthehen më. Për vlera të tilla duhet të kujtohemi, pasi janë vlera në historinë e kulturës sonë dhe brezat që vijnë harresën nuk do na e falin. Roli i fundit tim me të ka qenë në dramën “Pjata prej druri” një dramë që la shumë gjurmë tek spektatori.

  Bashkim Kozeli-dramaturg

 Ky përkujtim ishte shumë i dhimbshëm, por dhe me shumë respekt. Këto tre vjet që ai s’është më duket se na mungon shumë. Në dramat e mia ai ka luajtur, për herë të parë në Teatrin Kombëtar në rolin e Borisit, togeri rus elegant tek drama ime “Sinjali i kuq”. Në këtë rol Agimi ishte tepër i heshtur dhe duke qenë roli i parë dukej paksa i fjetur si natyrë. Dhe  në provat e tavolinës ku unë u ndiqja Agimi dukej po kështu. Regjisori i madh Pirro Mani,  vuri re një lloj dyshimi tek loja e tij, pasi ishte një nga rolet kryesor. Por kur Agimi hypi në skenë dhe e zbërtheu rolin dhe e individualizoi atë, të gjithë ngelën të habitur. Ai shkëlqeu duke sjell nj rol të bukur, plot finesë, që i bëri të gjithë të duartrokisnin dhe ai u bë protagonist që ën shfaqjen e parë. Pra ky ishte roli i parë në Teatrin Kombëtar i Agim Qirjaqit. Së dyti kaluajtur tek drama “Renegatët”  një rrol me dy fytyra që zor të realizohej dhe ai quhet një nga rolet më brilantë të tij. Kjo dramë pas pesë shfaqjesh nuk u dha më. Disa ditë para ndarjes nga jeta më ftoi në shtëpinë e tij dhe më dha një fotografi me rolin e Borisit që unë nuk e kam pasur në arkiv të cilën sot e mbaj në kornizë në shtëpi si një nga kujtimet më të bukura.

 Baxhul  Merkaj –Kritikë Arti

Agimi ishte një aktor, i madh i Teatrit Kombëtar, por dhe i gjithë kombit, pasi ai kishte profesionalizëm në rolet si aktor, lojës së aktorit. Njëkohësisht kishte  një inteligjencë të paparë në drejtim të perceptimit të mjeshtërisë së aktorit. Veç një aktor i madhe ai ka qenë një pedagog i shkëlqyer, në Akademinë e arteve. Unë mund të kujtoj disa, role të tilla, si tek drama “Pjata e drunjtë”, ku ai spikati si një baba plot virtuozitet. Kjo shfaqje u prit me shumë interes ku Agimi kishte vendin e vet të padiskutueshëm. Por mund të kujtojmë dhe rolin e mësuesit tek filmi “Lulëkuqet mbi mure”. Pra mbetet  një aktor i spikatur ku mund të quhet shkollë e aktrimit,  ashtu si: Kadri Roshi, Naim Frashëri, Prokop Mima, edhe Agimi radhitet ndër ta.

  Ilir Bezhani-aktor, regjisor, komedian

 Agim Qirjaqi ka qenë nj aktor me një aftësi të jashtëzakonshme, psikologjike dhe plastike. Eleganca  e tij në lojë ka qenë  e një lloji tjetër pasi e çoi lojën aktoreske shqiptare shumë përpara.  ishte një lojë të veçantë, një lojë shumë konkrete, kishte  një ligjërim aktoresk shumë të bukur me partnerët.  Gjithmonë ai godiste në shenjë, me karakterin e tij dhe ishte shumë i qartë në diksion. Qetësia e tij, largimi i emocioneve të tepruara, bënte që ai të ishte shumë konkret, shumë i qartë. Atij i kanë shkuar shumë rolet e karaktereve dhe të tipave, intelektualë, pasi ai ishte një intelektual i nivelit të lartë. Ose ka lozur rolet e studentëve të llastuar, që kanë shumë të zhvilluar anën poetike. Ka  qenë shumë psikologjik në lojë dhe shumë goditës.  Spektatori e ndjente këtë lloj psikologjie. Agimi ishte lindur për aktor, ai kishte një logjikë shumë të fortë në frazë dhe e kapte rolin menjëherë. Zëri i tij ishte me timbër ku ai ka luajtur disa lloj karakteresh ku veçohet roli i tij i parë tek “Sinjali i kuq”. Unë me të kam luajtur tek drama “Prometeu”, me regji të Pirro Manit, ku ai ishte shumë virtuoz, shumë elegant dhe e ndiqte me shumë vëmendje partnerin e dëgjonte atë. Unë e kam shumë të domosdoshme dëgjimin nga partneri gjë të cilën ai e bënte në mënyrë perfekte.

 Luiza Xhuvani-aktore

  E para dua të falënderoj organizatorët që na mblodhën për ta kujtuar veprën e Agim Qirjaqit, pasi ai realisht nuk më mungon vetëm mua, por gjithë teatrit Kombëtar. Ishte nj  aktor me përmasa të jashtëzakonshme. Unë kam pas partner  e kam pas regjisor dhe ka qenë një ndër eksperiencat e mia më të mira si një bashkëpunim nga më të bukurit për jetën time profesionale. Agimi mbetet shuamë i veçantë dhe mbetet në memorien regjisoriale timen, si artist, njeri me potenciale të jashtëzakonshme. Ai ishte një format krejt tjetër, krejt i ndryshëm ndaj mungesa e tij ndihet. Ishte në kulmin e tij dhe u nda kaq shpejt duke lënë një vend bosh.