Pse rakia dhe mishi në Skrapar kanë emër tjetër?

1632
Sigal

Çdo rreth ka specifikat dhe traditat e veta, me të cilat i vë emër vetes. Skrapari ka të veçantat e tij, rakinë dhe mishin. Ndokush do të thotë, se mish e raki kanë të gjitha rrethet, por në Skrapar kanë tjetër shije. Kur erdhi një herë në Skrapar një gazetar, në darkën që i shtruan shokët e tij ai u tha, të pranishmëve: “Kur zbrita në Çorovodë pashë një parullë me përmbajtjen: “Në një dorë kazmën në tjetrën pushkën.” Atë parullë duhet ta ndryshoni. Kazmën duhet t’ia jepni Myzeqesë dhe në të dyja duart mbani pushkën.” Atëherë rakia nuk kishte marrë vlerat që ka sot. Por gazetari kishte të drejtë, sepse Skrapari nuk shquhet për bujqësi. Por këto vitet e fundit ka marrë vlera të veçanta edhe mishi. Përse ky mishi i Skraparit veçon nga ai i rretheve të tjera? Mos kujtoni se të gjitha zonat e Skraparit kanë të njëjtën cilësi mishi. Skrapasit e zgjedhin mishin nga zonat shkëmbore, ku kullota është e kripur. Mishi dhe rakia janë dy produkte me të cilat skraparasit nderojnë miqtë, ushqejnë dhe veten. Tjetërsimi i rakisë dhe mishit do të zbehë traditën e bukur të mikpritjes skraparase. Tani që Skrapari po merr drejtim turistik dhe gostit miqtë me shijet e veçanta të këtyre produkteve, ka diçka që nuk shkon në rritjen e shërbimit publik nëpër lokale. Turistët, por edhe skraparasit e larguar vijnë në Skrapar për shijen e mishit dhe rakisë. Mirëpo disa lokale nuk po u përgjigjen me atë mish e raki që mburret Skrapari. Disa prej tyre abuzojnë duke tregtuar raki me sheqer dhe mish të marrë nga rrethe të tjerë. Madje ka disa muaj, që në Skrapar është prishur edhe shitja e lirë dhe e kontrolluar e mishit, sepse është mbyllur thertorja shtetërore. Synohet që Skrapari të furnizohet me mish të ardhur nga jashtë. Një ditë dëgjova punonjësen e bashkisë në Çorovodë, që debatonte me një zyrtar të Ministrisë së Bujqësisë, e cila këmbëngulte që të mos dërgonin mish nga jashtë, se nuk pranohet nga banorët. Madje ajo jepte dhe zgjidhje, që për t’u bërë mishi i vendit i kontrollueshëm, të lajmëroheshin shitësit dhe të grumbulloheshin bagëtitë në një vend, ku të thereshin, të merrnin vulën veterinare dhe t’u shpërndahej mishi shitësve. Në Skrapar ka dhe një problem tjetër lidhur me kullotat. Ato duhen administruar e përmirësuar dhe të mos mbeten si musha pa zot. Kompetencat e shumta s’duhet të shoqërohen me financime të kufizuara. Dikur kullotat nëpër male plehëroheshin nga shteti. Mbase tani nuk janë mundësitë, por pastrimi i tyre nuk kërkon shpenzime. Tani pyjet dhe kullotat u kanë kaluar bashkive për t’i administruar, por financimi për t’i administruar ato është minimal, aq sa nuk mjafton as për të paguar punonjësit e pyjeve. Skraparit i janë caktuar dy fshatra turistikë dhe nga rrethi janë kërkuar të jenë Bogova dhe Gjerbësi, që i kanë të gjitha mundësitë për të pritur turistët. Mirëpo nga qendra është hequr Gjerbësi dhe është vënë Blezëncka, që nuk ka asgjë turistike, kur kjo është në kompetencë të rrethit. Këto fshatra do të tregojnë fytyrën e rrethit jo të qendrës, prandaj le t’i lënë mënjanë shijet e ndonjë ndërhyrësi dhe të respektohet propozimi i bazës.

Në Skrapar janë krijuar disa tufa të mëdha bagëtish, që shkojnë deri në 1000 krerë. Por këta pronarë vihen shpesh në vështirësi për punonjës se të rinjtë nuk pranojnë të bëhen barinj edhe pse s’kanë asnjë zanat tjetër. Pranojnë të rrinë rrugëve duke u ankuar për punë dhe në punë nuk venë. Kjo ka qenë një sëmundje e hershme në Skrapar. Në ish-kooperativën bujqësore të Potomit nuk pranonte të vinte me bagëti asnjë njeri. Madje një ditë të tërë lopët nuk u lëshuan nga stalla e as morën ushqim. Atëherë u mblodh organizata e partisë dhe vendosi që të shkonin me bagëti komunistët. Merreni me mend se çfarë vlere kishte ajo organizatë kur nuk bindte dot njerëzit. Vlerën e bagëtive e dinë ata që venë me to dhe dinë t’i mbarështojnë. Në fshatin Radësh të Skraparit janë tre vëllezër, Behar, Besim dhe Hysen Hysenbelliu, që kanë krijuar tufën me 1000 dele dhe ndihen krenarë. Jemi në një sistem tjetër, që qibra për punë s’duhet të jetë e pranishme tek asnjë njeri. Dikur në Çorovodë ishte ofezë të vije pastruese e qytetit, kurse tani kërkesat janë pa fund. Po është për të ardhur keq, që në të gjithë zonën e Çepanit nuk ka një baxho për grumbullimin dhe përpunimin e qumështit dhe bagëtitë milen sa për nevojat e familjeve dhe tjetri u mbetet t’i pine kecërit! Këto ditë në Bogovë të Skraparit do të kemi një festë të re, festa e rakisë. Nuk është thjesht argëtim, por një nxitje, që Skrapari ta pastrojë rakinë dhe të ruajë traditën e saj. Ku ta dish ndonjë ditë mund të kemi edhe festën e mishit. Për këtë punë është krijuar dhe shoqata “Vizion Gruaje”, e cila ka një projekt për të monitoruar produktet ushqimore. Veprore Xhaja, drejtore e projektit organizoi këto ditë një takim, ku parashtroi synimet e shoqatës. Jeni të lutur, mos na i prishni rakinë dhe mishin që i kemi sajuar sipas shijeve tona!