Protokolli nr. 13 i Kongresit të Berlinit, ditë zie për Çamërinë

1298
Sigal

INTERVISTA: Flet studiuesja  Blerina Sadiku: Ja çamët në periudhën e Lidhjes shqiptare të Prizrenit (18778-1881)

Kongresi i Berlinit vendosi për nevojën e një marrëveshjeje paraprake greko-turke për ndryshimin e kufijve. U vendos  që takimi i  parë të bëhej  në Prevezë në fillim të vjeshtës së vitit 1878. Lajmi i takimit të komisionit turko-grek i dha hov veprimtarisë së  Komiteteve të Lidhjes Shqiptare të  Shqipërisë së Poshtme, të cilët  e zhvendosën edhe ata në Prevezë qendrën e veprimtarisë në mbrojtje të  tokave shqiptare, më  11  janar 1879. Ishin momentet më deçizive për krahinën martire të Çamërisë. Një nga njohëset e kësaj periudhe historike është dhe studiuesja Blerina Sadiku, e cila mbajti një kumtesë në Konferencën që mbajti Instituti i Kërkimeve mbi Çamërinë në kuadër të 100-vjetorit mbi këtë problem kaq të rëndësishëm.

Çfarë përmbante kërkesa e delegacionit grek në Kongresin e Berlinit?

Ashtu si për Shqipërinë e Veriut, edhe në Çamëri rreziku i aneksimit të saj  nga Greqia, i dha hov  lëvizjes  patriotike shqiptare. Si rrjedhojë, Kongresi i Berlinit u bë vendi në të cilin u përqendrua  vëmendja  dhe shqetësimi i rretheve patriotike.

Delegacioni grek, i ftuar në Kongresin e Berlinit, bëri një  deklaratë më 29 qershor të vitit 1878, në të cilën  kërkonte që në hartën  e re të Greqisë përveç shumë krahinave të tjera, të përfshihej edhe Epiri me kazatë e Ajdonatit (Paramithisë), Margëlliçit, Pargës, Prevezës.

Si vendosën Fuqitë e mëdha?

Fuqitë e Mëdha me propozimin e Francës dhe pëlqimin e Italisë, vendosën  që me anë të Protokollit  nr. 13 të Kongresit të Berlinit  të plotësonin kërkesat e Athinës duke i dhënë mundësi për të aneksuar edhe Epirin. Ky protokoll  dhe vija e re e kufirit  që propozohej  ishte  ideja e  Vadingtonit, ministrit të  Punëve të Jashtme  të Francës.

Kongresi i Berlinit vendosi për nevojën e një marrëveshjeje paraprake greko-turke për ndryshimin e kufijve. U vendos  që takimi i  parë të bëhej  në Prevezë në fillim të vjeshtës së vitit 1878. Lajmi i takimit të komisionit turko-grek i dha hov veprimtarisë së  Komiteteve të Lidhjes Shqiptare të  Shqipërisë së Poshtme, të cilët  e zhvendosën edhe ata në Prevezë qendrën e veprimtarisë në mbrojtje të  tokave shqiptare, më  11  janar 1879.

Prezenca e delegatëve  dhe i një  numri të madh shqiptarësh të armatosur nëpër rrugët e Prevezës  krijoi shqetësime  serioze  tek  konsulli i Francës  në Janinë, i cili nuk vonoi  të informojë Vadingtonin në Paris lidhur me këtë  demonstrim  të forcës  shqiptare.

Kur u mblodh Komisioni greko-turk?

Në këtë situatë të tensionuar Komisioni greko-turk u mblodh në Prevezë për fillimin e bisedimeve (shkurt 1879). Në  përbërjen e delegacionit turk ishte edhe  Abedin Pashë Dino,  ish  komisari i Bursës  në  Stamboll dhe bir i njërës  prej familjeve më të shquara të Çamërisë. Prezenca  e Abedin Dinos  në komisionin turk nga njëra anë  ishte një  inkurajim për shqiptarët manifestues në Prevezë dhe nga ana tjetër,  shenjë e vullnetit të Portës së Lartë për të mos  i bërë asnjë lëshim  territorial në Çamëri  shtetit grek. Bisedimet  greko-turke, që  u zhvilluan në tre seanca, nuk sollën  asnjë  rezultat. Në këto kushte, komisioni u shpërnda pa arritur në ndonjë marrëveshje. Kjo ishte fitorja e parë e shqiptarëve.

Të  bindur se problemi i kufijve  do të ishte edhe  në të ardhmen  objekt diskutimi nga Fuqitë e Mëdha, rrethet patriotike të Shqipërisë së Poshtme, nisën një varg memorandumesh. Me rëndësi të veçantë është edhe takimi i delegacionit shqiptar i  kryesuar nga Abdyl  Frashëri  me Vadingtonin, më 3 maj 1879, i cili pasi dëgjoi argumentet e palës shqiptare u zotua  se do t’i jepte udhëzime  ambasadorit të Francës në Stamboll të kujdesej që të mos u bëhej padrejtësi  asnjërës prej palëve. Ndërkohe, tensionet midis palës greke dhe asaj shqiptare vazhdonin.

Çfarë solli në Shqipëri kjo mbështetje që i dhanë fuqitë e mëdha Greqisë?

Mbështetja që po i jepej Greqisë solli tensione jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Portën e Lartë, e cila  gjeti të nevojshme realizimin e disa ndryshimeve në  kabinetin  qeveritar. Me ndryshimet e reja qeveria e re osmane do të  kryesohej nga Kadri Pasha dhe në postin e ministrit të Punëve të jashtme u caktua  Abedin  Pashë Dino, personaliteti i shquar i Lëvizjes Kombëtare, një drejtues  shumë aktiv  i komiteteve të Lidhjes së Shqipërisë së Poshtme dhe anëtar i  Komitetit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Abedin Dinos iu komunikua  detyra e re më 10 qershor 1880 .

Çfarë ndikimi pati për Shqipërinë vendosja e Abedin Dinos në krye  të diplomacisë  osmane?

Vendosja e Abedin Dinos në krye  të diplomacisë  osmane  pikërisht në atë  moment donte të thoshte se Porta e Lartë  nuk do t’i  bënte lëshime Greqisë në Çamëri. Më 11 qershor  ai porosiste Sejfulla  bej Efendiun,  ambasadorin e Turqisë në Berlin, që t’i transmetonte qeverisë gjermane  qëndrimin e Portës së Lartë për  çështjen e kufijve, të cilët  në çdo rast  duhet  të  linin Çamërinë dhe Janinën brenda kuadrit të Perandorisë .

Pikërisht atë kohë, njëri ndër krerët e Komitetit të Prevezës, Vejsel Dino, në një takim që kishte patur me Krajevskin, drejtuesin e konsullatës franceze në Selanik, i kishte deklaruar  atij se në rast se kufiri që do të  caktohej në Konferencën e Berlinit do të dëmtonte  interesat e shqiptarëve,  ata do ta  kundërshtonin me armë çdo cenim  të tokës së tyre gjer tek njeriu i fundit.

Ndërkohë në Çamëri, Komitete të Lidhjes Shqiptare  zhvillonin takime të veçanta me popullin  e Filatit, Paramithisë e Margëlliçit, duke  bërë thirrje  për mobilizim. Për t’u njohur me situatën në vend  dhe masat që kishte marrë Komiteti i  Lidhjes së Prevezës në Çamëri  shkoi edhe Abdyl Frashëri.  Ai  përshkoi  qendrat kryesore Filatin, Paramithinë e Margëlliçin, ku zhvilloi mbledhje të përbashkëta të tri kazave.

Përfundimisht çfarë vendosën fuqitë e mëdha?

Fuqitë e  Mëdha vendosën t’i jepnin Greqisë një pjesë të Shqipërisë së Poshtme që nga Preveza deri në lumin  Kalama, në përshtatje  me Traktatin e Berlinit. Më 15 korrik përfaqësuesit e fuqive pjesëmarrëse në Konferencë  me anën  e një note  njoftonin Portën për vendimet  që kishin marrë dhe e ftonin në  emër të qeverive të tyre të pranonte vijën e  kufirit që kishin caktuar . Në përgjigje të notës së përbashkët  të gjashtë Fuqive,  Abedin Dino, ministër i Jashtëm,  ndër të tjera  shprehte  keqardhjen që fuqitë ndërmjetësuese  padrejtësisht kishin vendosur t’i lëshonin Greqisë Janinën dhe  Çamërinë që i përkisnin Shqipërisë . Për Portën,  deklaronte Abedin Dino, vija e kufirit e propozuar  ishte e  papranueshme  por për hir të respektit  të fuqive mike, pavarësisht nga të gjitha, ishte jo më pak  e gatshme t’i bënte  mbretërisë  helenike  disa lëshime për territore të tjera, dhe  të merrej vesh me këto fuqi  për të shpejtuar  zgjidhjen e kënaqshme dhe  përfundimtare të kësaj çështjeje .

Fuqitë e Mëdha, që i  ndiqnin me vëmendje  përgatitjet e Portës e të Lidhjes  në Shqipërinë e Poshtme, u detyruan  që të bëjnë  lëshime  në rregullimin  e vijës së kufirit greko-turk.  Propozimi që kishte bërë kohë më parë  qeveria turke u miratua nga të gjitha Fuqitë .  Nga një raport  që i  dërgonte princi  Hohenlohe, ambasador i Gjermanisë  në Paris, ministrit  të jashtëm të  Francës më 11 shkurt 1881 mësojmë se Princi  Bismark udhëzonte kontin  Hacteld, ambasador i Gjermanisë në Stamboll, se Greqia  duhet të përfshijë sa më pak  troje shqiptare  brenda kufijve të saj, “në rast  se ajo kërkon  të sigurojë  qetësinë e saj” .

Konferenca që u mbajt  në disa seanca  në maj 1881  në Stamboll, doli  në një  Konventë që i dha  çështjes së kufirit  një zgjidhje përfundimtare. Fuqitë  e Mëdha  pranuan  kompromisin që Greqia  të merrte një pjesë e  të rajonit të  Artës dhe Thesalisë , ndërsa krahina e Çamërisë së bashku  me rrethinat e Janinës, falë  qëndresës  ushtarake  dhe diplomatike të Lidhjes  Shqiptare, mbeten përsëri brenda kufirit të Perandorisë Osmane, duke  mos iu prekur kështu  asnjë  pëllëmbë tokë  truallit  shqiptar.