Promovohet libri ‘Gurë trashëgimie’, i autorit Sejmen Gjokoli

649
Promovohet libri ‘Gurë trashëgimie’, i autorit Sejmen Gjokoli 
Pak ditë më parë në ambientet e hotel “Bolonja” në Vlorë u organizua paraqitja e librit “ Gurë Trashëgimie” të autorit Sejmen Gjokoli, një libër ky me “publicistikë, portrete, gjendje”. Në ceremoninë e organizuar morën pjesë, si rrallëherë në aktivitete të tjera, shkrimtarë, gazetarë, intelektualë e njerëz të kulturës jo vetëm nga Vlora por edhe nga Tirana, Fieri, Gjirokastra, etj. Mënyra e veçantë e përurimit ishte një vlerë e shtuar e kësaj veprimtarie duke përbërë edhe një risi. Aktivitetit i parapriu një shfaqje e koncentruar e materialeve të librit në monitor dhe pastaj vijuan oratorët e rastit. Veprimtaria u moderua nga z. Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve, i cili bëri edhe një analizë të hollësishme rreth vlerave të këtij botimi. Folën gjithashtu Ahmet Demo, kryetar i shoqatës “Labëria”, dega Vlorë, Myrteza Mara, ,kryetar i Klubit të shkrimtarëve “ P. Marko”, Harila Koçi, gazetar, Petrit Brokaj publicist si dhe gazetari e poeti Arben Bllaci, i cili përshëndeti edhe në emër të bashkëredaktorit tjetër të librit Avdulla Kënaçi. Në takim foli edhe Kryetarja e këshillit bashkiak të Vlorës, znj. Vojsava Shkurtaj. Në mbyllje të takimit përshëndeti me një këngë të improvizuar polifonike, “Mjeshtri i Madh” Tomorr Lelo.
Një libër me “minerale” të pasura shpirtërore
Myrteza MARA
Shkrimtar-kryetar i klubit “P.Marko” Vlorë
Këtë radhë autori Sejmen Gjokoli na vjen si “inxhinier minierash” i cili ka vite e vite që gërmon nëpër galeritë e artit të vërtet për të nxjerr në dritë vlerat e “mineraleve kulturore” të krahinës së Labërisë por edhe të gjithë trevave shqiptare. Në të njëjtën kohë pena e tij si intelektual nuk e ka lënë të qetë, por e ka rrëmbyer për të thënë mendimet dhe opinionet e veta, për ngjarjet e ditës e të kohës, për zhvillimet politike dhe për situata të ndryshme, ndaj të cilave ai nuk ka bërë e nuk bën indiferentin. Çdo krijim ka vlerat e veta, por kur niveli i tyre ngjitet mbi themelet e së vërtetës, mbi kolonat e kulturës dhe vihet në shërbim të komunitetit atëherë nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një pasion letrar, por me një mision fisnik, qytetar e patriotik.
Të gjithë e kanë për detyrë të vënë nga një tullë në kështjellën e demokracisë, por krijuesit janë të prirur dhe të aftë të ndihmojnë në forcimin e themeleve dhe kolonave të kësaj kështjelle! Ndaj dhe autori e shpallë këtë që në titullin e vëllimit me “Gurë Trashëgimie”. I inetgruar në jetën kulturore e artistike dhe në ruajtjen e zhvillimin e traditës më të mirë të vlerave të kulturës tonë kombëtare, Sejmen Gjokoli përcjell mesazhe të forta tek bashkëkohësit dhe brezat. Të gjithë jemi dëshmitarë se si ndizet Vlora , rrugët e sheshet e saj, nga këngët e vallet popullore të vendeve të Europës. Dhe kjo falë përkushtimit, pasionit dhe këmbënguljes së këtij njeriu. Kujdesi dhe kujtesa, në këtë vëllim, janë mbjellë si fidanë të blertë që admirohen jo vetëm nga forma, por më tepër nga përmbajtja dhe funksioni. Gjeografia, ose atlasi i veprimtarive jepen në shumë plane, si në atë të organizatorit, drejtuesit, vëzhguesit, vizitorit por edhe krijuesit e analistit. Gërshetimi i emocioneve të veprimtarive të shumta me ato të mbresave, gjatë takimeve me figura e personalitet te shquara të kulturës nga të gjitha trevat të ngazëllen. Si në një ekran të madh në libër na vijnë plot kureshtje figura të tilla që vërtet qëndrojnë si gurë trashëgimie në kulturën tonë kombëtare si Nexhmie Pagarusha, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli, Sabit Brokaj, Shkurte Fejzaj, Ismet Elezi, Agron Fico,Agim Shehu, Lefter Çipa, Vaso Tole,Petrit Ruka, Laver Bariu, Frrok Haxhia, Viktor Paloka,Muhamet Tartari, Golik Jaupi etj, etj. Një nga gjetjet interesante në këtë libër është dhe bashkëbisedimi i autorit nëpërmjet vargut të poezisë të cilën Gjokoli e ka jo pak për zemër dhe bashkudhëtare të krijimtarisë së tij. Dhe në fund dëshiroj të citoj në këtë rast vargjet e një poeti nga Kurveleshi që Sejmenin e uron për ditëlindje: Dhe njëqind mot të bardhë/ Për mikun time me halle/ Kur t’i qaset vdekja pranë/ Ta përzërë me këngë e valle/ T’i thotë : ik se s’ta kam ngenë/ Rrotullohu nja njëqind vjet/ Se si burrë Labërie/ Vij tek ti kur dua vetë.
Ky është edhe urimi ynë !
********
“Gurë Trashëgimie”, një kontribut me vlerë në fushën e gazetarisë
Harilla Koçi – gazetar
“Gurë trashëgimie”(Publicistikë, portrete, gjendje), është një kontribut me vlerë i Sejmen Gjokolit në fushën e publicistikës dhe të gazetarisë në përgjithësi. Përmes faqeve të këtij botimi, ne e spikasim atëherë si gazetar e herë si qytetar, por me një element të përbashkët, atë të njohësit të thellë të kulturës e trashëgimisë popullore, të specialistit që kontribuon në këtë drejtim për dekada të tëra. Me këtë cilësi, që, për mendimin tim, rrallë e ndeshim sot në atë masë dhe në me këto dimensione sa tek Sejmeni, ai ndërton këtë libër, si një korrelacion dhe transgresion vlerash që bashkojnë vite e vite të ndihmesës së tij në realitetin shqiptar, në atë pjesë të rëndësishme dhe të prekshme, siç është trashëgimia shpirtërore, kultura e popullit tonë. Në këtë këndvështrim, kontributi i tij, nuk limitohet në kufij gjeografikë e njerëzorë. Me mendimin e vet, ai shtrihet në një hapësirë të gjerë, atje ku shpesh është i pranishëm edhe fizikisht. Përmes gjinive të ndryshme të gazetarisë, ai ndërton një raport efektiv mes vetes dhe mjedisit, mes asaj që sheh e përjeton, me atë që duhet të jetë, sot e në të ardhmen. Në brendinë e këtij libri, Gjokoli shfaqet sa i thjeshtë, por po aq edhe këmbëngulës. Atë e shohim, jo si Sejmenin që e takojmë çdo ditë, por si një gazetar të mirëfilltë, si një qytetar që nuk mund të pajtohet me dukuri që cenojnë e frenojnë, por ai kërkon dhe ngulmon që të kapërcehen ato. Në këtë këndvështrim, gazetaria e tij përcjell mesazhe, mesazhe të fuqishme, duke e ngritur në piedestal trashëgiminë tonë të pasur shpirtërore, e cila është thesari ynë më i vyer, ai thesar me të cilin duhet dhe krenohemi përballë botës dhe të cilin, sikundër thotë autori, duhet ta kemi si një element identifikues, si një moment referues, pse jo, edhe si një “Koncert Vjene”, në çdo fillim viti. Mjafton ky shembull për të perceptuar dimensionin e gazetarisë së Gjokolit, në staturën e krijimtarisë së të cilit, përmblidhen së bashku, siç e thashë ajo e qytetarit, e gazetarit, e specialistit, në një harmoni optimale me njëra tjetrën. Sepse, Sejmeni nuk mund të jetë njeri prej tyre. Ai di të selektojë, di të kapë e të veçojë ngjarje e njerëz, në funksion të idesë së tij. Dhe nuk është aspak përsëritës. Izmiri, qyteti i madh me 4 milionë banorë, na vjen në përshkrimin e Sejmenit, i ndryshëm në dy përshkrime jo shumë të largëta, si një vend ku bashkëkombësit tanë kanë një kontribut të vyer dhe si një hapësirë, që përcjell një përvojë të jashtëzakonshme në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë, me 5 festivalet ndërkombëtare që organizon çdo vit. Në faqet e këtij libri, këngëtarja Shkurte Fejzaj, këngëtarja e lirisë dhe e pavarësisë së kombit, apo këngëtarja më e madhe e shqiptarisë dhe patriotizmës, siç e emërton. Gjokoli, ravijëzohet me portretin e vet të plotë, brenda një hapësire modeste, por të fuqishme përshkrimi. Sepse për të, nuk mund të jesh një gazetar i mirë, nuk mund të jesh një specialist dhe njohës i thellë i kulturës popullore, nëse nuk e dashuron këtë dimension të historisë së popullit tonë, nëse nuk njeh njerëzit kontribuues në këtë fushë, nëse nuk je një patriot i mirë në kuptimin e plotë të këtij termi. Prandaj dhe, gazetaria e Sejmenit, kërkon e kërkon. Kërkon njerëzit e thjeshtë, artistët që gjenden e krijojnë në të gjithë hapësirën shqiptare, por jo vetëm. Ai e realizon këtë përmes portretit, ku dallon për thjeshtësinë dhe njëkohësisht dashurinë me të cilën e përshkruan personazhin e vet gazetaresk. Shfrytëzon dhe përdor elementë që ai dallon tek njeriu që ka përballë, duke na e dhënë atë ashtu siç edhe është. Mes të tjerash, Princi i vjershërimit, Lefter Çipa, identifikohet veç të tjerash në përshkrimin e Sejmenit, përmes një termi, “fosforinë”. Ky term për polifoninë, apo iso-polifoninë, në portretin e Çipës merr një ngarkesë të rrallë, ashtu sikundër nuk do të kishte në artikulimin e asnjë artisti tjetër të përmasave të tij. “Historia e lindjes dhe zhvillimit të një kombi, rruga e bërë prej tij në shekuj, nuk mund të konceptohet pa vlerat që mbart trashëgimia kulturore, si ajo shpirtërore edhe materiale. Krahas vlerave dhe misionit tashmë të njohur, duket se ka ardhur koha që trashëgimia kulturore të konsiderohet edhe si një përmasë e rëndësishme e kohezionit social të shoqërisë dhe e zhvillimit kulturor e ekonomik të saj”, shkruan Gjokoli, në “Trashëgimia kulturore dhe përmasa e munguar”, që për mua mund të cilësohet një nga shkrimet e tij analizë, më të arrira dhe ku ai nuk qëndron vetëm në rolin e konstatuesit, pavarësisht gjuhës së pasur, por edhe të gazetarit, të specialistit që jep zgjidhje.
**********
Sejmen Gjokoli dhe libri i tij “Gurë Trashëgimie”
Petrit Brokaj – publicist
Emrin e Sejmen Gjokolit e kemi parë shpesh në faqet e gazetës “Telegraf” ku ai prej vitesh shkruan analiza letrare e politike, kronika,portrete, ese, poezi , përshkrime e mbresa të ndryshme udhëtimesh. Duke pasur dhunti letrare dhe i njohur si poet e tregimtar, ishte ideja e tij e bukur që gjithë këta artikuj si dhe mendime e përjetime të tjera të pa botuar, t’i përmblidhte në një libër, që e ka titulluar “Gurë Trashëgimie”. Në këtë libër nëpërmjet përmbajtjes shumë interesante dhe tërheqëse, autori shpërfaq një botë të pasur shpirtërore dhe një kulturë të gjerë në temat që pasqyron. Përshkrimet mbresëlënëse të vendeve e skenave ku grupi “Bilbili” ka përcjellë meloditë e bukura të polifonisë dhe vezullimin e valleve tona, në sajë të talentit të tij letrar, të futin në përfytyrime emocionuese sikur je edhe ti bashkë me ta. Është aftësia e Sejmenit që të gjitha këto i ka marr përsipër ti realizojë me iniciativën dhe këmbënguljen e tij prandaj për mua ai përbën një institucion kulturor. Ka shumë njerëz që shkruajnë se kanë dëshirë të shkruajnë, pa menduar se sa përshtypje lënë te të tjerët. Kurse Sejmeni shkruan se di të shkruaj dhe di të zgjedh për çfarë do që të shkruaj. Ato janë tema të mëdha siç është polifonia, kryevepër botërore, ose shqetësimet prekëse të shoqërisë siç janë ato të politikës së ditës. Me formimin e tij kulturor, me prodhimet e tij në krijimtarinë publicistike e letrare, me aksionet e tij konkrete në dobi të shoqërisë, e bëjnë penën e tij autoritare dhe të denjë të shkruaj e të pëlqehet për figura të tilla kombëtare si Dritero Agolli e Rexhep Qosja por edhe për shumë emra të mëdhenj në fushat e artit, kulturës e politikës, pa folur për bartës, krijues e interpretues të njohur në sofrën e trashëgimisë shpirtërore. Te ky libër ne shohim edhe profilin e autorit. Kur shkruan për ngjarje me ditë e data të caktuara, të duket se ke të bësh me një kronikan dhe në fakt unë mendoj se në këtë libër ai del edhe si i tillë, kur mban qëndrim analitik për probleme shqetësuese si qëndrimi i TVSH për hapësirën që nuk i lë folklorit, ose ndjesitë që i shkakton koncerti i Vjenës, ai është një publicist i vërtetë dhe tërheqës, kur futet në hapësirat e trashëgimisë kulturore dhe në veçanti të polifonisë labe, ai të paraqitet një studiues pasionant që duhet ta dëgjosh kur bën vlerësime dhe hedh ide.
Sigal