Promovimi i shkrimit – botimit është promovim i njerëzimit

772
Nga Don Lush GJERGJI 
Prishtinë
“Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI – Albani”, në Suedi sot paraqet dhe promovon në Bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë edhe dy vëllime dhe botime të rëndësishme, fryt i punës dhe bashkëpunimit, vëllazërisë gjithëshqiptare, për ta dëshmuar praninë dhe veprimtarinë tonë të larmishme kulturore dhe shpirtërore, në kohë dhe në hapësirë, si mërgatë shqiptare e gjallë dhe vepruese, gjithnjë në kërkim të rrënjve tona ilire, arbërore dhe shqiptare, por e hapur dhe begatuar për të tashmen dhe të ardhmen tonë, kuptohet, së bashku me të tjerët. 
Titulli i këtyre dy vëllimeve flet dhe dëshmon vetvetiu: “Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, vëllimi 7 dhe 8.
Këtu paraqiten dhe promovohen thesaret tona kombëtare, nga ana e mërgatës sonë, e cila përpos mallit, mallëngjimit për Atdhe, gjuhë, vendlindje, punës së rëndë dhe të vazhdueshme për mirëmbajtjen e familjes, merret edhe me kultivim, ruajtje, vazhdimësi të vlerave dhe të virtyteve tona, si thesar pa të cilin nuk do të ishim më vetvetja, Shqiptarë, dhe nuk do ta kishim në mend dhe në zemër parimin e madhe dhe të shenjtë: të Vërtetën dhe Dashurinë.
Këtë vlerësim tim për ju dhe bashkëpunëtorët, për këto botime dhe shkrime, që të krijohen dhe mbahen urat e komunikimit ndërshqiptar në informim, formim dhe krijimtari, si parakusht për komunikim të mirëfilltë me të tjerët, botën e sotme, unë e përmblodha dhe sintetizova kështu: “Promovimi i shkrimit – botimit është promovim i njerëzimit”, që domethënë se ju jeni thesar i çmuar dhe i dalluar për vetveten dhe për ne.
Me këto vëllime dhe botime ju po leni gjurma për të tashmen dhe të ardhmen, po dëshmoni se në mend dhe në zemër keni shumë çështje tona kombëtare, mbi të gjitha vlerat tona historike dhe aktuale, pa të cilat do të ishim shumë të mangët dhe të zbrazët, në rrezik të shkatërrimit, asgjësimit dhe shkrijes apo asimilimit.
Sivjet, në 20 vjetorin e vdekjes së Nënës tonë, të botës mbarë, Shën Nënës Tereze, në një vjetorin e shenjtërimit të saj, me 5 shtator 2017 është festa kulmore e shugurimit të Katedrales dhe Shenjtërores “Nëna Tereze” në Prishtinë. Për dhjetë vite e kemi ndërtuar, jo me dollarë apo euro, por me jetë dhe zemra tona, pa asnjë dallim dhe përjashtim. 
Mërgata jonë shqiptare tash e tutje ka një Shenjtëreshë, Ndërmjetëse dhe Përfaqësuese të denjë dhe të jashtëzakonshme, sepse ajo, Nëna Tereze, përpos 18 vitet e para të jetës, 68 vite i ka kaluar në dhe të huaj, në mall dhe mallëngjim për familje, rreth, miq dhe dashamirë, për Kishën dhe Popullin tonë. 
Çfarë është kontributi i saj për ne Shqiptarët, dëshmon bota mbarë, ne, e tashmja dhe historia.Ta keni edhe ju Nënën tonë Tereze si frymëzim dhe orientim, për të qenë gjithnjë dhe gjithkund vetvetja, për ta paraqitur historinë, traditën shekullore ilire, arbërore dhe shqiptare, me kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, për të qenë “ambasadorët kulturorë” të Popullit tonë.
Urime dhe përgëzime për këtë punë të palodhshme, të nevojshme dhe të domosdoshme, si për ju, ashtu edhe për ne. Ju lumtë!


Sigal