Prof. Zyhdi DERVISHI: Parapëlqehen më shumë drejtuesit pragmatikë, sesa të aftët idealistë

629
Në rrjedhën e zhvillimeve demokratike, që nga viti 1999 edhe në Republikën e Shqipërisë strukturat drejtuese të universiteteve dhe të institucioneve kërkimore – shkencore janë zgjedhur. Në fillim zgjedhjet u realizuan me dy shkallë, gati sipas përvojave mesjetare: zgjidhej këshilli i fakultetit dhe senati i universitetit, të cilët kishin të drejtë të zgjidhnin përkatësisht dekanin e fakultetit dhe rektorin e universitetit. Ndodhte shpesh që pedagogët më të aftë, më të kualifikuar të mos zgjidheshin në këshillin e fakultetit. Në rrethana të tilla, në mjaft raste profesorët me më shumë kontribute në veprimtarinë mësimore dhe kërkimore-shkencore nuk kishin të drejtë të zgjidhnin dekanin e fakultetit. Pra, profesori me titullin më të lartë shkencor nuk votonte drejtpërdrejtë për dekanin, i cili në disa raste kishte titull shkencor më të ulët se ai i profesorit. Mungesa e përvojës dhe pasaktësitë në bazën ligjore dhe sidomos në aktet nënligjore, që rregulluan procesin e zgjedhjeve, kanë ndikuar që në strukturat drejtuese të vinin më shumë jo të zgjedhurit për merita në veprimtarinë kërkimore e pedagogjike, por njerëz të parapëlqyer nga drejtuesit kryesorë të jetës politike dhe në mjaft raste, pothuajse të emëruar prej tyre nëpërmjet levave të manipulimeve të shumëllojshme, deri të skajshme. Ndaj shpesh thuhej “se këshillat drejtuese të fakulteteve, të institucioneve kërkimore, senatet e universiteteve kanë hijen ose, më saktësisht, fytyrën e shefit të qeverisë ose të shtetit”. Kur zgjedhjet e drejtuesve kalonin nëpër dy shkallë në mjediset universitare ishin mjaft të përhapura mendësitë se “rektorët e universiteteve më të rëndësishme i emëron kryeministri”, se “rektorët e universiteteve më të rëndësishme janë pjesë e marrëveshjes ndërmjet pozitës dhe opozitës”, se “edhe zgjedhja e drejtuesve në universitete është pjesë e pazareve të mëdha ose të vogla të politikës” etj. Në vitin 2007 për herë të parë zgjedhja e autoriteteve drejtuese të universiteteve u realizua me votim të drejtpërdrejtë. Edhe këto zgjedhje u vunë nën trysninë e politikës, e cila përgjithësisht është e interesuar të ketë në krye të organeve drejtuese jo pedagogët më të aftë, më të përkushtuar në punë, më parimorë, por pedagogët që janë më të lakuar, të cilët duhet t’u jenë borxhlinj partive politike, politikanëve kryesorë për zgjedhjen në këto poste drejtuese. Vetëkuptohet, drejtues të tillë janë më të prirur të plotësojnë kërkesat vetjake të politikanëve edhe nëse kërkesa të tilla vijnë në kundërshtim me interesat e zhvillimit të universiteteve, të kërkimit shkencor në to etj.
Në mjaft raste kriteri kryesor i përzgjedhjeve në struktura të tilla nuk ka qenë dhe nuk është personaliteti shkencor ose shoqëror i pedagogut ose i punonjësit shkencor, por shkalla e “lakueshmërisë së tij ndaj vullnetit të shefit”, “gatishmëria e tij për të çuar kurdoherë në vend vullnetin e shefit që qëndron më lart në shkallët e hierarkisë”, “aftësia e tij për të mos menduar asgjë ndryshe ose në kundërshtim me mendimet e shefit” etj.
Përvoja tregon se përgjithësisht pedagogëve ose punonjësve shkencorë më të aftë, me personalitet më të afirmuar u mungon një profil i tillë lakueshmërie dhe përshtatshmërie ndaj interesave të ngushta vetjake joshkencore, joprofesionale të drejtuesve politikë e partiakë të niveleve të larta. Prandaj, në mjaft raste pedagogë e punonjës shkencorë të tillë kanë qenë jashtë strukturave drejtuese. Në mjedise të ndryshme të universiteteve dhe të instituteve kërkimore të specializuara qarkullojnë mendësitë, se “pedagogët ose punonjësit shkencorë të aftë janë më idealistë se ç’duhet, prandaj janë të papërshtatshëm për detyra drejtuese, të cilat kërkojnë frymë pragmatike”, se “pedagogët ose punonjësit shkencor më të aftë nuk mund t’i përshtaten kërkesave joparimore, mizerabël të organeve politike të shtetit ose të partive politike”, se “edhe në organet drejtuese të universiteteve dhe të institucioneve kërkimore është e vështirë, ose gati e pamundur t’i shpëtosh përbaltjes, çka nuk e durojnë dot drejtuesit e aftë” etj. Kjo tablo problematike e përbërjes së strukturave drejtuese të fakulteteve dhe e institucioneve kërkimore të specializuara është toleruar ose ndoshta është nxitur edhe nga formulimet djallëzore të akteve nënligjore përkatëse. Për shembull, në vendimin nr. 786 të datës 17.12.1998, të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për kualifikimin shkencor pasuniversitar dhe klasifikimin e punonjësve pedagogjikë e kërkimorë” strukturat drejtuese të fakulteteve dhe të institucioneve kërkimore përcaktohen edhe si “këshill shkencor”, edhe si “këshill administrativ” (Qendra e Publikimeve Zyrtare, 1998:16). Këshilli shkencor dhe ai administrativ nuk mund të jenë e njëjta gjë. Tjetër përbërje dhe të tjera kompetenca ka në çdo vend të përparuar të Perëndimit këshilli shkencor dhe të tjera funksione realizon këshilli administrativ.
Të paaftët në drejtim: shumëfishim i metastazave të mediokritetit
Këshillat e fakulteteve, duke pasur në përbërjen e tyre në mjaft raste jo specialistët më të aftë, por ata mediokër e nën nivelin e mediokritetit, përgjithësisht ishin dhe në mjaft raste edhe në ditët tona, janë të prirur të përkrahin të paaftët, t’u akordojnë atyre edhe grada e tituj shkencorë të pamerituar, si kapar për t’i mbajtur të lidhur pas vetes ose, siç thuhet, për të “gatuar specialistë që nuk hapnin telashe”. Kësisoj zgjeroheshin dhe zgjerohen përmasat e mediokritetit, ulej dhe ulet shkallë-shkallë rendimenti dhe cilësia e veprimtarisë shkencore edhe për faktin se mediokriteti i shumëfishuar priret të rriste trysninë për të frenuar më të aftët të përparojnë në fushën e kërkimit.
Nga shqyrtimi i mjaft fakteve dhe mendësive rezulton se këshillat e fakulteteve dhe të instituteve kërkimore të specializuara që kanë funksionuar gjatë viteve të zhvillimeve demokratike paskomuniste (1992-2012), më shumë se gjithçka tjetër kanë trashëguar nga strukturat përkatëse të regjimit socialist totalitar frymën mbytëse të mediokritetit. Në vitin 1984 kam intervistuar një nga studiuesit dhe drejtuesit më të aftë të 17 instituteve dhe 5 qendrave kërkimore të angazhuara në sektorin e bujqësisë e të blegtorisë. Në intervistë ai, ndër të tjera, theksoi: “Pas plenumit të 4-ërt të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë (qershor 1973 – Z. D.) u dha porosi partie të luftoheshin shkaqet e liberalizimit edhe në punën e instituteve. Mendova ta shfrytëzoj këtë situatë për të mënjanuar të paktën më të paaftët nga drejtimi i sektorëve të institutit. Si për shumë çështje të tjera të vështira, edhe për këtë problem u konsultova me punonjësin më të kualifikuar të institutit. Kishte përfunduar në Shqipëri me rezultate shumë të mira një shkollë të mesme amerikane dhe ishte diplomuar për agronomi në Moskë me rezultate të shkëlqyera. Duke qenë se rridhte nga një familje e pasur, nuk vihej në poste drejtuese. Ai ishte një burrë i fisëm, atdhetar dhe me intuitë e zgjuarsi brilante. Gjithmonë kam menduar se, po të mos trajtohej si me kleçka në biografi, ai duhej të ishte këshilltari i parë i qeverisë shqiptare jo vetëm për punët e bujqësisë, por edhe për shumë çështje të tjera. Konsultuat me të për çështje të rëndësishme i bënim jashtë zyrave, duke ecur me këmbë në tokat që administronte instituti. Mënjanimin e të paaftëve, të blinduar nga lidhjet miqësore dhe mbështetja politike e konsideroja çështje shumë delikate, për të mos thënë shumë të rrezikshme. Ishte fillim qershori 1974. Ecnim anash një parcele me grurë. Ishim të sigurt se fëshfërima e grurit neutralizonte çdo aparat përgjimi. Ia parashtrova në mënyrë të detajuar projektin që po bluaja në kokë për të kufizuar forcën vendimmarrëse të specialistëve të paaftë. Ai më dëgjoi me vëmendje dhe, pasi unë mbarova, më pyeti:
– Cili organ i institutit do të marrë zyrtarisht përgjegjësinë për lëvizjen e të paaftëve?
– Këshilli i institutit – i përgjigjem unë.
Duke buzëqeshur hidhur ai më tha:
– Ju keni ide shumë të mirë, por është ose e parealizueshme ose më e rrezikshmja, sepse mund të çojë në shkatërrimin e institutit. Në institut ju keni 3-4 specialistë të aftë. Këshilli i institutit ka 15 vetë, domethënë shumica janë të paaftë. Sapo ta kuptojnë idenë tuaj, të paaftët në shumicë do të bëhen bashkë dhe do të largojnë të aftët në pakicë, jo vetëm nga këshilli i institutit, por edhe nga drejtimi i sektorëve. Edhe ne të dy do të bëhemi viktimë e këtyre lëvizjeve. Paaftësia, mediokriteti janë tumore malinje, ato i shtrijnë metastazat edhe te të aftët, të cilët i pengojnë të punojnë. Ende nuk është gjendur ilaçi që shëron kancerin e paaftësisë, të mediokritetit.
Puna shumëvjeçare në drejtim të institutit dhe në ministri më ka bindur për këtë përfundim, që bashkëpunëtori më i kualifikuar në veprimtarinë kërkimore e artikuloi me natyrshmëri dhe bindje të palëkundur”.
Përvoja e afro tre çerekë shekulli të funksionimit të veprimtarisë së institucioneve kërkimore në shtetin shqiptar (1940-2013) provojnë se punonjësit e paaftë, mediokër, që nuk janë të aftë të kryejnë studime shkencore cilësore, kanë kapacitete të shumëfishuara, për të luftuar dhe penguar punën e studiuesve të aftë, për të intriguar sistematikisht kundër tyre, për të zhvleftësuar arritjet e tyre. Madje, përgjithësisht sa më i paaftë të jetë punonjësi shkencor për të krye veprimtari kërkimore, aq më shumë energji negative “prodhuan” ai në luftë kundër të aftëve.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 04.12.2015
Sigal