Prof. Thanas L. Gjika: Sami Repishti, një institucion i mëvetësishëm. Vlerësimet e intelektualëve dhe kontributi i tij në krijimin e shtetit të Kosovës dhe themelimin e shoqatave atdhetare

609
Sigal

(Portret-biografi kushtuar veprimtarit të shquar, Profesor Sami Repishtit)

Thanas L. Gjika

Sami Repishti është një nga ata të përvojtur, të cilët pasi duruan torturat në hetuesi, vuajtjet e burgut, rrezikun e arratisjes dhe punën këmbëngulëse për t’u kualifikuar e shërbyer ardheut si kundërkomunistë, meritojnë të quhen që më të gjallë, heronj të botës shqiptare. Ai bashkë me Arshi Pipën e Martin Camajn përbëjnë një treshe elitare shkodranësh, të cilët me jetën dhe veprën e tyre e shpunë më tej misionin atdhetar dhe intelektual të Rilindjes Kombëtare dhe të atdhetarëve të Luftës së Dytë Botërore dhe të pas saj. Profesor Repishti ka më shumë se gjysmë shekulli që me punën e tij të shumanshme në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve kudo ku jetojnë, me memorandumet, artikujt politikë, analizat, esetë, krijimet letrare, fjalimet nëpër konferenca, intervistat në Radio “Zëri i Amerikës” (VOA), me punën si bashkëthemelues i disa organizatave e shoqatave atdhetare, si dhe me veprimet konkrete në atdhe dhe në Kosovë për të ndihmuar nga afër proceset e demokratizimit dhe të krijimit të shtetit ligjor, meriton të quhet Institucion i mëvetësishëm.

Për të hartuar këtë portret nuk u nisa nga mendimi se kam për të thënë mendime e vlerësime të pathëna për të, sepse në këtë drejtim mund të ndihmoj shumë pak. Them shumë pak, sepse vlerat e tij të shumanshme i vunë në dukje intelektualë të mirëformuar si; Agron Alibali, Anton Çefa, Prof. Asc. Dr. Eleni Karamitri, Ph. D. Elez Biberaj, Fotaq Andrea, Frank Gj. Shkreli, Ph.D. Grid Rroji, Dr. Lumira Rroji, Ph.D. Niko Qafoku, Ramadan Gashi etj., gjatë Simpoziumit të organizuar, më 18 korrik 2015, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij, në International House, NY. Prof. Peter Prifti para tyre pati shkruar:

Prof. Dr. Sami Repishti qendron në krye të intelektualëve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindësve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta.

Shtysa kryesore për ta shkruar këtë portret-biografi ka qenë dëshira ime që, për të tillë njerëz me vlera të veçanta duhet shkruar vazhdimisht, derisa vlerat e tyre të përvetësohen nga shumë e shumë shqiptarë kudo ku jetojnë, që të arrijmë edhe ne të krijojmë një shoqëri të iluminuar si e kanë vendet e Bashkimit Europian, ku synojmë të arrijmë…

 

Njohja nga afër me Profesor Repishtin

Takimi i parë

Leximi i disa shkrimeve të Profesor Repishtit nëpër gazeta më ngjalli një ndjenjë respekti të thellë për këtë analist që shquhej për thellësi mendimi, kritika konstruktive ndaj regjimit komunist dhe qeverive të tranzicionit, si dhe për gjuhën e kulturuar e dinjitoze pa sharje e fyerje ndaj kundërshtarëve të ideve të tij. Të tilla tipare më sollën në mendje Vaclav Havel-in (1936 – 2011) dhe Karl Popper-in (1902 – 1994). Mora kurajë dhe iu luta të më dërgonte dy librat e tij letrarë “Pika Loti” dhe “Nën hijen e Rozafës”. Mbas leximit të tyre shkrova artikullin vlerësues “Komunizmi vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre lart inferiorët|, të cilin e botova në “Dielli” NY, 21 mars 2013. Nuk e kisha parë asnjëherë nga afër. Njohja e jetës së tij përmes leximit të këtyre veprave më shtyu, që ta takoja e njihja personalisht këtë veprimtar të përkorë të kombit tonë. Në maj të atij viti, iu luta të më jepte rastin për t’u takuar diku. Ai e la takimin tek sheshi para Public Library, tek 42-nd Street, New York. Unë nuk mund të orientohesha në New York-un e madh, prandaj shkova një ditë më parë mysafir tek kushëriri im Mondi Thimio, që jetonte në Ridgewood Queens NY. Ai më shpuri te vendi i takimit, ku u ulëm në karriget e një tavoline dhe pritëm ardhjen e profesorit. Pasi u takuam e u prezantuam, Mondi u largua. Profesor Samiun e kishte shpënë me makinë vajza e tij nga shtëpia ku jetonte deri tek stacioni më i afërt i trenit e pastaj ai kishte udhëtuar me tren e kishte dalë pranë librarisë (bibliotekës). Prej aty ai kishte ardhur në këmbë. Kishte veshur një kostum të errët, këmishë të bardhë, por pa kravatë. Kishte një trup elegant dhe të drejtë, si malësorët e Alpeve tona. Ishte më i gjatë se unë, nuk kishte thinja, flokët, ndonëse të rralluar ishin ngjyrë gështenje. Në fotot e tij që kisha parë në shtyp, më kishte rënë në sy fytyra e tij ovale, balli i madh dhe një ëmbëlsi karakteristike e intelektualëve zemërmirë. Këto tipare më kujtonin portretin e profesorit tim të latinishtes, të të paharrueshmit Henrik Lacaj (1909 – 1991). Gjatë pirjes së kafes, më dukej sikur isha në takim me Henrikun dhe Samiun, dy shkodranët që admiroja, njëri katolik e tjetri mysliman, të dy e kishin pamjen e qeshur dhe flisnin një shkodranishte të ëmbël. Ishin formuar në shkolla jashtë Shqipërisë. Kultura e tyre binte në sy në të folur, në të shkruar dhe në mirëmbajtjen e trupit të tyre prej atleti edhe mbas të tetëdhjetave. Biseda u zhvillua për gjëra të zakonshme pa ndonjë rëndësi, pastaj profesori më ftoi të shkonim për drekë tek restoranti TONY’S DI NAPOLI, ku e kishte zakon të drekonte kur ishte në New York. Pronari ishte një dibran, mik i tij. Deri aty ecëm në këmbë nja 300 metra. Pronari u ndodh aty dhe na priti me respekt e dashuri. Pas pak, ai kërkoi një nga kamerierët dhe i bëri me shënjë që të na bënte një foto të treve. U renditëm të tre duke vendosur profesorin në mes. M’u kujtua përvoja e z. Antony Athanas, i cili gjatë pritjeve në Restorantin Pier 4 Boston MA, nuk linte personalitet e mik të tij pa e fotografuar, gjë që ka qenë dhe natyrisht është një pasuri e madhe e komunitetit tonë, por nuk e di a e ruajnë djemtë e tij këtë pasuri? Do të ishte mirë që shumica e atyre fotografive të botoheshin në disa albume shoqëruar me emrat e personave, datat e momentit të fiksuar dhe disa shënime sqaruese… Pasi u ulëm në një nga tavolinat anësore, profesori tha: “Sot je i ftuem prej meje.” I thashë se të dy jemi larg shtëpive tona dhe, meqenëse ftesën për takim e bëra unë, mua më binte të paguaj. Mirëpo ai ma preu, duke theksuar se nuk mund ta thyente rregullin e tij, sipas të cilit në takimin e parë me një mik, nuk lejonte të paguante askush veç tij. Pasi hëngrëm ushqimin, profesori më lexoi një artikull të ri që kishte shkruar ato ditë. Nuk e kishte dërguar ende për botim. Më ra në sy forca e mendimit dhe pasuria e ideve, merakosja e tij për ecurinë e demokracisë në Shqipëri. Qëllime e qëndrime përparimtare, humane e demokratike. Forca e shprehjes, gjallëria e mendimeve dhe gjuha e këndshme më krijuan idenë se autori ishte shumë i ri në moshë e jo një afër të 90-tave. Thashë me vete: Ja një mendje që nuk plaket. Pikërisht rininë e të menduarit të Profesor Repishtit e vuri në dukje studiuesi Fotaq Andrea në kumtesën e tij që u lexua në Simpoziumin e 90-vjetorit:

Rinia e mendimit tek Prof. Repishti nuk ka moshë në tërë atë udhë të gjatë jete plot mund, përpjekje, paepuri e përkushtim, kur vuajtjet e shpirtit për dinjitet njerëzor në botën e errësirës dhe të diktatit ia kalitën që herët karakterin e lartë, shndërruar në rrjedhë të kohës në personalitet shqiptar me peshë, tek kuptoi mes krimit, vrasjeve dhe torturave çnjerëzore çdo të thotë Liri, Vlerë njerëzore, Humanizëm e Tolerancë.

Tek Prof. Repishti mishërohet në një të vetme viktima e pafajshme dhe fitimtari, demokrati dhe atdhetari, humanisti dhe intelektuali vizionar, plot urtësi të përkorë, ndershmëri e guxim, si bir i denjë i Kombit Kastriot, si bir i denjë i Shkodrës Loce…

 

Takimi i dytë

Në fillim të pranverës 2018, dy vëllezërit Sergio dhe John Bitici më kërkuan që t’u redaktoja librin e tyre biografik “SHKOJMË TE BYTYÇËT – Jeta dhe aktiviteti i familjes Bytyçi / Bitici.” Gjatë leximit dhe sidomos gjatë redaktimit të këtij libri, u njoha nga afër me veprimtarinë e shoqërisë “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë” (RShKBL). Kjo shoqëri gjatë viteve 1968 – 1992 dhe më vonë, derisa u shpall Kosova shtet i pavarur, luajti rol të madh në luftën për njohjen e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, sidomos në Kosovë dhe për nevojën e lirisë së shqiptarëve.

Vëllezërit Bitici para se ta botojnë këtë libër po i bëjnë dhe disa përmirësime e shtesa. Unë me nisiativën time shkrova një portret për ta, për ta bërë të njohur, si ndihmën financiare bujare e shumëvjeçare të këtyre vëllezërve dhe veprimtarinë e tyre si restoratorë (pronarë restorantesh) në shërbim të çështjes sonë kombëtare dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në New York. Këtë portret e botova në librin tim të ri “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm” KUMI 2018, në faqet 337 – 352. Mirëpo ideja se vlerësimi i punës së shoqërisë RShKBL meriton edhe shumë shkrime të tjerë vlerësues, për ta sensibilizuar qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që ta vlerësojnë si duhet veprimtarinë e kësaj shoqërie, e cila u bë nismëtare e arritjes madhore – krijimit të shtetit shqiptar të pavarur të Kosovës. Kjo ide më bën të ndjehem i detyruar për të shkruar edhe më për këtë shoqëri ende pak të njohur dhe pak të vlerësuar. Për të mësuar më shumë rreth aktivitetit të kësaj shoqërie, ishte e nevojshme që ta dëgjoja dhe Profesor Repishtin, veprimtarin më aktiv të kësaj shoqërie. U lidha me e-mail dhe i propozova që të organizonim këtu në Worcester MA një takim me disa intelektualë, ku ai të na fliste për jetën e tij dhe shoqërinë RShKBL. Ai më shkroi se nuk delte më nga shtëpia, dhe se mund të më priste te apartamenti i tij në Ridgefield CT. Me makinën time të vjetër nuk guxoja të shkoja vetë në një distancë aq të gjatë, prandaj u lidha me z. John Lito, kryetar i degës së Federatës “Vatra” Worcestër MA. Ky më kishte thënë dikur se kishte qejf të dëgjonte prej Profesor Repishtit ndonjë kujtim nga koha kur ai dhe babai i tij, Milto Lito, kishin qenë të dënuar në kampet e punës gjatë viteve 1950-të. U morëm vesh që, më 3 nëntor 2018, unë me z. John Lito të shkonim tek apartamenti Repishti në ora 1:00 PM. U thamë se do të rrinim vetëm dy- tre orë dhe që të mos humbnim kohë me ngrënie dreke, ne do ta kishim ngrënë drekën rrugës. Dita e udhëtimit ishte e bukur me diell, prandaj mbërritëm 20 minuta para parashikimit. Ndalëm te një klub prej ku lajmëruam se jemi 10 minuta larg. Pastaj shkuam e trokitëm te dera. Derën na e hapi zonja Diana, bashkëshortja e Profesorit, një grua elegante me pamje të ëmbël e fytyrëbukur, pa asnjë rudhë. Ishte bijë e familjes Çipi, emigrantë gjinokastritë. Ajo kishte lindur në Amerikë, por shqipen e fliste rrjedhshëm. Bashkëshorti i saj, Profesori u ngrit nga kolltuku dhe na u afrua duke u mbështetur në bastun. Ishte po ashtu i gjatë, i pakrrusur dhe elegant, por hapësira pa flokë e kokës i ishte zmadhuar, dhe m’u duk se kishte humbur mjaft peshë… Mbasi u përshëndetëm, zonja e shtëpisë na tregoi një divan nga e majta, ku ishte livingroom-i. Na ra në sy lartësia e tavanit dhe dritaret e mëdha prej nga vinte drita e diellit. Te divani u ulëm unë me Johnin, kurse Profesori u ul karshi nesh në një kolltuk. Midis nesh ishte tavolina e mesit, ku zonja Repishti pas pak vendosi tre gota të vogla, një shishe me raki dhe një enë kristali me disa çokolata. Ajo mbushi gotat me raki dhe na zgjati çokolatat dhe gotat e rakisë. Pas urimeve, ne burrat u ulëm, kurse zonja e shtëpisë u tërhoq dhe kaloi në ambientet e kuzhinës. Në fillim iu lutëm profesorit të na tregonte diçka për familjen e tij dhe arratisjen nga Shqipëria. Mësuam se familja Repishti ishte vendosur në qytetin e Shkodrës nga katundi Repisht i Malësisë së Madhe që në vitet 1750-të; se kishte jetuar në shtëpinë e vet që nga viti 1803; se gjyshi i tij, Jusuf Repishti, kishte qenë ndër veprimtarët më aktivë të Lidhjes së Prizrenit dega e Shkodrës; se ai kishte firmosur Memorandumin e Qershorit 1878, drejtuar kryeministrit të Anglisë, Lord Dizraeli, për të mbrojtur tërësinë e tokave shqiptare në Kongresin e Berlinit; se babai i tij, Hafëz Ibrahim Repishti, ishte diplomuar në Universitetin e Stambollit, më 1912 për teologji islame dhe drejtësi, se kishte luftuar me forcat shqiptare vullnetare kundër ushtërisë së Malit të Zi gjatë rrethimit të Shkodrës, nga nëntori 1912 deri në mars 1913; se po ky intelektual kishte marrë pjesë në lëvizjen politike të viteve 1921 – 1924 si pjesëtar i grupit politik “Ora e Maleve” të Atë Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit etj., se ishte zgjedhur deputet i Shkodrës në vitet 1923 – 1924 dhe se në janar 1925 kaloi në ilegalitet, sepse si fanolist u dënua me vdekje prej Ahmet Zogut, të sapoardhur në pushtet. U kthye në shtëpi në nëntor të atij viti, sepse u përfshi në listën e të falurve nga amnistia që shpalli presidenti Zog. Hafëz Ibrahimi vdiq nga keqtrajtimi i policisë fashiste italiane, në shtator 1943, duke lënë të ve bashkëshorten, Havanë, bijën e fisit Bushati, të rrethuar nga gjashtë fëmijë jetimë. Djali i madh, Samiu, sa i kishte mbushur të 18-at, i cili sapo kishte ndërprerë studimet universitare që ndiqte në Firence për histori bashëkohore.

Këtu filloi lufta ime me sigurue bukën e gojës për vete e familjen, vijoi Samiu të rrëfente me zërin e tij të ulët e me një shprehje dhimsurie në fytyrë e mandej rifilloi: Në Liceun ‘Atë Gjergj Fishta’ kisha pasë shokë klase Androkli Kostallarin, Vasil Katin, Jorgji Sota, Koli Bozo, Rako Naço et.j, të cilët ishin lidhur me grupin komunist të PKSh-së, kurse Injac Toni, Luigj Toni, Hamdi Sokoli etj., ishin lidhur me Ballin Kombëtar. Unë me Eqrem Rusin merrnim pjesë në aktivitetet antifashiste pa qenë të lidhun me asnji grup partiak. Mbas janarit 1945, sapo u formue Drejtoria e Punëve Botore në Shkodër u punësova aty deri më 22 tetor 1946, kur më arrestuan “për veprimtari kundër pushtetit”. Quajtën veprimtari kundër pushtetit kërkesën që bana me disa shokë bashkmoshatarë që votimet të ishin votime të lira e shumëpartiake. Në qelitë e Hetuesisë së Shkodrës m’u banë tortura shnjerëzore. Harrojsha gjithë njerëzit dhe nga dhimbjet e shumta i lutesha Zotit të ma merrte shpirtin për me shpëtue. Mbas 14 muej torturash u dërgova në burg. Vitet e burgut i kalova në kampet e punëve të detyrueme, në Beden, Maliq, Myzeqe, aeroporti pranë Urës Vajgurore dhe aeroporti i Rinasit. Në prill të vitit 1949, internuen nanën, motrën 14 vjeç dhe vëllain 11 vjeç në Berat e ma tej i çuen në kampin famëkeq Veliqot, Tepelenë. Të tilla rrethana familjare shumë shqetësuese më shkaktonin dhimbje dhe mërzi të madhe. Dita më dukej e gjatë sa nji javë e java sa nji muej e mueji sa nji vit. Kësaj radhe, si viktimë e diktaturës komuniste, vuejta shumë ma tepër sesa kisha vuejt ma parë si viktimë e diktatorës fashiste edhe sesa vojta më vonë në Jugosllavinë titiste. John-i e pyeti se si mundi të largohej nga Jugosllavia për në Perëndim, kur midis shtetit shqiptar e atij jugosllav zbatohej marrëveshja për dorëzimin e të arratisurve. Samiu sqaroi se gjatë kohës që ishte në burgun incommunicado në Jugosllavi, dëgjoi se e kthyen në Shqipëri një të dënuar, i cili kur u pyet pse ishte arratisur nga Shqipëria, kishte thënë se ishte arratisë sepse donte të shkonte në Amerikë.

Kur e kishin marrë Samiun në pyetje disa herë, ai gjithnjë kishte ngulur këmbë dhe u kishte thënë se ishte arratisur mbasi donte të vazhdonte studimet e larta në Zagreb. I thanë se mund ta dërgonin për të vijuar studimet në Beograd, por ai u thoshte se në Zgreb gjuha sërbo-kroate mësohet me alfabetin latin dhe se ai e kishte vështirë të mësonte alfabetin cirilik, që zbatohej në Serbi. Kështu, mbas një viti e dërguan në Zagreb për të vijuar studimet. Këtu vijoi një kurs për mësimin e gjuhës dhe më tej gjeti mundësinë të arratisej në Itali ku jetoi në disa kampe refugjatësh derisa fitoi të drejtën për të shkuar në ShBA si refugjat politik.

Pasi mori frymë disi thellë, tha, duke parë nga John-i: Para se me folë për babën tuej, të ndjerin Milto Lito, due me ju tregue nji episod të nji heroi, ndihmën e sakrificën e të cilit nuk mund ta harroj sa të jem gjallë.Mbas 10 vjet burgimi, kur po më afrohej koha e lirimit, bashkvuejtësi Muho Seit Toshi prej Vithgare të Anës së Malit, më tha në intimitet: ‘Edhe unë shumë shpejt kam me u lirue. Po deshe me kalue kufinin për me shkue jashtë, eja më tako çdo ditë pazari te pazari i Shodrës’. Unë nuk e mora seriozisht propozimin e tij, mbasi midis nesh nuk kishim shumë miqsi. Mirëpo mbasi dola nga burgu në korrik 1956, gjendja e familjes sime ishte e mjerueshme. Nana dhe motra punojshin në punë të randa krahu. Edhe mue m’u dha punë me hap kanale, me ba llaç, e punë tjera pak të pagueme. Nji ditë erdhi për vizitë te shtëpia jonë nji kushrini ynë e më tha: ‘Dëgjova se Sigurimi, ata që dalin prej burgut dhe nuk martohen menjiherë, do t’i arrestojë përsëri, sepse dyshon se ata duen të arratisen, ose të bajnë punë sabotuese’. Këto fjalë më sollën në mendje propozimin e Muho Toshit. U lidha me të dhe me ndihmën e tij munda të realizoja arratisjen time. Mirëpo në këtë histori ka dy momente shumë prekëse që nuk mund t’i harroj, dhe sa herë i kujtoj më shtohet respekti për atë burrë trim e të besës, por edhe për popullin tonë që ka nxjerrë nga gjiri i vet të tillë heronj. Kur shkuem te vendi afër lumit Buna, Muhua më sqaroi se si do të takoheshim ditën e nesërme për të realizue arratisjen. Unë e pyeta a kishte dhe ai një revolver si unë. Kur më tha se kishte dhe ai, i thashë se ato që kisha heqë në hetuesi e në burg nuk doja t’i jetoja dhe nji herë, prandaj isha i vendosë mos me ra gjallë në duert e rojeve tanë. Në rast se rojet na diktojnë unë do të vras veten, por në qoftë se revolveri im nuk më mbaron punë, ti duhet të më vrasësh pa tjetër. Betomu! Muhua u mendue pak dhe me kokën e ulun tha solemnisht: ‘As unë, as ti nuk do të dorëzohemi gjallë’. Dhe tue më shtri dorën, shtoi: ‘Të jap besën!’ E shtrëngova atë dorë që pranonte me më vra për të më shpëtue nga torturat që mund të pësoja në hetuesi e burg… Ky solidaritet i njerëzve të shtypun më bani të ndjehesha i çliruem. Ky solidaritet m’u duk si vula e fisnikërisë së kombit tonë.. .Momenti i dytë ndodhi të nesërmen pasi e kaluem gardhin e kufinit. Muhua më tha: ‘Shko tani e dorëzohu te posta jugosllave, kurse unë po kthehem, sepse më duhet të rregulloj prindërit dhe disa punë. Edhe unë do të vij në Amerikë, por mbas dy vjetësh. Gjatë atyne dy vjetve, Muho Toshi ndihmoi dhe nandë shkodranë të tjerë me kalue kufinin, por kur tentoi me kalue vetë më 1961, rojet e diktuen dhe e vranë. Këtë hero të heshtun që rrezikoi jetën e vet për mue dhe nandë shkodranë të tjerë nuk mund ta harroj kurrë. Ai la gruen dhe dy jetimë…

 

Vijon…