Prof. Servet Pëllumbi/ “Atë që ndodh, më mirë të mos e dish”…

608
Një porosi morale!

Ndërkaq, nuk është e rastit që po aktivizohen më shpesh forma neomisticiste në trajtën e arsyetimeve, të shoqëruara me porosinë morale për njeriun e sotëm: O njeri, atë që po ndodh në të vërtetë, më mirë të mos e dish! Madje, nëse dikush do të përpiqet ta njohë e ta dijë të vërtetën për misteret që shoqërojnë besimet fetare dhe vetë jetën, të presë të papritura, të presë radhën e fatkeqësive që mund t’i bien mbi kokë! Njohja e së vërtetës nga njerëzit shpallet kështu e rrezikshme, sepse e vërteta është për Zotinl Njeriu sheh jo atë që është, por atë që duhet të shohë, pra atë që duhet të ishte. Nëqoftëse prifti i fut në gojë një copëz naforë, njeriu duhet të besojë se ka marrë nga trupi i Krishtit, se është bërë një me të; fanatiku islamik, që ta presë me gëzim përzgjedhjen e tij që të vdesë në një akt terrorist, duhet të besojë se me këtë ai garanton lumturinë në amshim! Po liberalizmi, tregtia e lirë, laissez faire, i A. Smithit, a mund të jenë zgjidhje ndaj këtij nënshtrimi fatalist? Për plagë të tilla si kriminaliteti në rritje, narkomania, alkoolizmi, prostitucioni, korrupsioni etj., studiuesit e ndryshëm fajësojnë gjithnjë e më tepër marrëdhëniet kapitaliste. Konkluzioni: liberalizmi, si program i përmirësimit të kapitalizmit, pra dhe të botës, doli i pa rezultat. Sociologu i madh i kohës sonë, Immanuel Vallershtajn, mendon se bota është e ndarë në Qendër dhe në Periferi, midis të cilave ekziston një antagonizëm permanent. Sipas këtij autori, “bota kapitaliste ka hyrë në terminalin e vet të krizës së sistemit”. 

Studiuesi tjetër i kapitalizmit të sotëm, Nicolas Luman, e vë theksin tek dy pasoja të zhvillimit të sotëm: Së pari, te pamundësia e sistemit ekonomik për t’u përballur me problemin e shpërndarjes së drejtë të pasurisë së arritur, sepse gjithnjë të përfshirët kanë thuajse gjithçka, kurse të përjashtuarit thuajse asgjë, përveç dëshirave dhe ëndrrave të veta; Së dyti, një situate dhe mundësie të tillë i korrespondon e drejta që individi të mund të përdorë hapësirën bosh që i është lënë atij nga shoqëria, është i lirë të shpallë publikisht kërkesat apo dhe pakënaqësitë e veta. Dhe këtu duket sikur “rrethi demokratik” mbyllet. Në këtë rrafsh është me interes edhe studimi i filozofit slloven Sllava Zhizhek, “Arsyetime mbi ngjyrën e kuqe”, në të cilin tërheq vëmendjen për doktrinën komuniste, për ndarjen faktike të botës në dy pole. 1. Në klasë të re globale të të pasurve, të të fuqishmëve, me botën e tyre jetësore. 2. Në Klasë të shumicës së përjashtuar që nuk ka asnjë lloj shansi për t’u ngritur deri në nivelin e qytetarëve globalë. Kriza globale në të cilën është futur bota përbën një qorrsokak të vërtetë. Është krizë globale e pabarazisë, thotë Xhozef Stigliç, jo vetëm se bankierët u çmendën, por dhe se klasa e mesme nuk ndan rritjen ekonomike, kurse masa e të varfërve në shumë vende rritet vazhdimisht. Sistemi ekonomik dhe politik që nuk kënaq shumicën e qytetarëve, nuk mund të jetë i qëndrueshëm dhe me perspektivë afatgjatë. Në fund të fundit, besimi te demokracia dhe ekonomia e tregut do të shkatërrohet, kurse legjitimiteti i instituteve dhe mekanizmave të tjerë edhe më tej, do të vihen në pikëpyetje. Sipas të dhënave faktike, realisht situata po bëhet me të vërtetë kritike.


 Nga gjashtë miliardë njerëz që jetojnë në planet, vetëm fare pak prej tyre kanë të drejtën për individualitet. Të tjerët janë të dënuar për t’u zhytur në masën inpersonale që përdoret si mish për top. Pra kemi të bëjmë me një lloj skllavërie të civilizuar në veprim, nën parullën tingëlluese të lirisë! Dhe besimtarët që çmenden pas shpërthimeve të neomisticizmit! Gjithsesi, lidhja midis fesë dhe shkencës ka qenë e mbetet një lidhje papajtueshmërie. Në shkencë, në kuptimin e sotëm të këtij koncepti, s’ka vend për çudira, për mrekulli e mistere, por besim të spikatur te forca e dijes, e arsyes. Tradicionalja, në rastin e dhënë feja, mbështetet mbi konceptin e mrekullive, të çudirave që shpjegohen vetëm me burime hyjnore dhe që duhen besuar sido që të jenë. Kjo e bën fenë një formë ideologjie të papajtueshme me shkencën. Zoti, thotë Mishel Fuko, nuk mund të jetë as objekt as subjekt, e kjo do të thotë se përjashtohet nga skena e kërkimeve shkencore, nga ajo e raporteve objekt-subjekt, shkak-pasojë. Kurse Zoti, sipas besimtarëve është gjithçka, është absolut, diçka unike, i vetëm, i pakrahasueshëm me asgjë! Nëse shkenca do të lejonte hyjnoren, misteriozen në radhët e veta, koncepti i shkencës do të fluturonte si një kështjellë prej letre. A pritet të sjellë diçka krejt tjetër Postmodemia kur gatuhen ide të “çmendura”, forma nga më absurdet të mendimit politik dhe filozofik? 

Në përputhje me një zhvillim të tillë, forcat që e bëjnë platformë të tyre postmodernizmin radikal, hedhin poshtë në bloc jo vetëm disiplinat shkencore e filozofike të së kaluarës, por dhe vetë realitetin, objektivitetin e dukurive e proceseve, duke shkatërruar çdo kufi të arsyeshëm midis historikes dhe proceseve shkencore, duke mohuar çdo paradigmë e sistem të njohur vlerash. Brajson e quan këtë “Filozofia e re”, e aftë që të përdorë proceset globale të bashkimit dhe të rënies, të përpunojë modele të reja të ndërtimit dhe të zhvillimit të rendit të ri botëror. Por e kam të vështirë të pajtohem me një rol të tillë “të ri” të filozofisë, e cila historikisht ka qenë kreative dhe mbështetëse e sistemit të ideve e normave, e arritjeve pozitive në fushën e njohjes e të ndryshimit të botës nga paraardhësit e shquar. Jo, kurrsesi nuk mund të përligjet funksioni disintegrues i një filozofie, sado moderne e postmoderne që të quhet nga idhtarët e saj! Qëllimi është që të arrihet deri te konstruktimi i “njeriut-objekt”, i Zombëve, i Frankenshtajnëve, i fanatikëve primitivë e infatilë me “vetëdijë” roboti, të çliruar nga e drejta e subjektivitetit, nga aftësitë për të qenë i lirë, i aftë që të programojë veprimtarinë e vet, që të shtrojë para vetes qëllime të caktuara dhe që mund t’i korrigjojë, t’i plotësojë e t’i vlerësojë ato. Që njeriu të njohë dhe të luftojë papërsosmërinë e vet dhe të bëhet më i mirë dhe më i aftë, kjo është një dëshirë e natyrshme, e kahershme dhe pikërisht këtu dhe duhet ndihma e filozofisë dhe jo që t’i thotë: “Ti je programuar gabim, prano robotizimin”! Ndryshe, kaosi që e pret botën postmoderne nuk mund të kontrollohet, nuk mund të drejtohet e të sigurohet mbijetesa! Gjithsesi, një devijim i tillë i skajshëm që nuk meriton të quhet “Filozofi e re”, nuk mund të shërbejë as si ushqim për misticizmin e ri për ata që presin një zbulim të ri të Zotit apo ardhjen e një Mesie tjetër për epokën postmoderne.
Sigal