Prof. Selman Sheme: Çështja çame është një problem i madh kulturor dhe albanologjik

511
Sigal

 Kultura është thelbi i
paqes dhe i zhvillimit të qëndrueshëm, është baza e demokracisë


Nga pikëpamja e së
drejtës ndërkombëtare, sikundër edhe nga pikëpamja pragmatiste, dimensioni i
mbrojtjes kulturore albanologjike të Çamërisë, do të duhej të ishte në
avangardë të sensibilizimit ndërkombëtar. Kjo për faktin se trashëgimia
kulturore e popujve, madje edhe atyre indigjenë dhe shumë periferikë, në
regjionet fluide të botës, çmohen si thesare kulturore të mbarë njerëzimit. Kjo
është arsyeja që shumë studiues, brenda dhe jashtë vendit po sensibilizojnë
opinionin dhe organizmat vendimmarrëse se me shkatërrimin e trashëgimisë
kulturore çame në Greqi, ku jo vetëm albanologjia do të humbasë vlerat e një
regjioni kulturor shqiptar me rendësi kombëtare dhe Evropa, vlerat e mëdha të
qytetërimit iliro-epirot, romak, osman, venecian etj. Kultura është thelbi i
paqes dhe i zhvillimit të qëndrueshëm, është baza e demokracisë. Hapësirat
kulturore janë krijuar mijëra vjet përpara shteteve modernë, pra para lindjes
së nacionalizmave dhe shtetformimit (shek  XIX). Kufijtë politik të
shteteve nuk përputhen asnjëherë me ato kulturorë. E njëjta sfidë ndeshet edhe
me hapësirën kulturore të Çamërisë që është një prej vlerave të mëdha të
albanologjisë.  Strategjia e qeverisë greke në këto 72 vitet  e
fundit ka qenë lejimi i procesit të ngadalshëm të degradimit të tyre dhe zëvendësimi
i trashëgimisë kulturore çame me modernizmin grek. Gjendja  e turpshme e
ruajtjes së shumicës së kësaj trashëgimie shqiptare duhet të bëhet një çështje
e shqetësim ndërkombëtar. Një rrugë e mundshme dhe e domosdoshme për ruajtjen e
kësaj trashëgimie është përfshirja e institucioneve ndërkombëtare si “UNESKO”,
“Monumentet në Rrezik”, apo organizata britanike “Shpëtoni Trashëgiminë e Evropës”,
për ta detyruar Greqinë të njohë problemin dhe të marrë hapat e duhura për ta
zgjidhur atë.  Institucionet kërkimore-shkencore duhet të bëjnë një
inventar të hollësishëm të monumenteve dhe trashëgimisë kulturore çame në
tërësi. Në këtë kuadër një regjistër kadastral mbi pronësinë e shtëpive, para
masakrës së vitit 1944, duhet bërë me urgjencë. Mbi bazën e këtij regjistri
duhet hartuar e prodhuar harta te detajuara dhe Atllasi demografik dhe
arkeologjik i Çamërisë, ku të evidentohen emrat e vendbanimeve  shqiptare
dhe paralelisht me to emrat, e konvertuar grek, të këtyre vendbanimeve.
Mbi të gjitha Qeveria Shqiptare, organizatat
kulturore  dhe universitetet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo në
Ballkan e diasporë, duhet të ndërgjegjësohen se, – “çështja e trashëgimisë çame
nuk i përket vetëm një grupi. Ligjshmëria e zotërimeve çame në Greqinë
Veri-Perëndimore–shkruan studiuesja angleze Miranda Vikers – duhet
konsideruar si thelbësore për të fituar  njohjen ndërkombëtare të kulturës
shqiptare, sikurse lufta për pavarësinë e Kosovës dhe përmirësimin e të
drejtave njerëzore të shqiptarëve në mbarë botën”.