Prof. Selman Sheme: Arkitektura urbane e Çamërisë në fillim të shek XX

174
Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX vendbanimet e Çamërisë në aspektin e kompozimit urban dhe arkitetkonik kishin po ato tipare si gjithë vendbanimet e tjera të Shqipërisë. Nga llogaritjet e bëra mbi bazën e të dhënave statistikore që jep Sami Frashëri në veprën “Kamas-ul alam” rezulton se rreth 38% e popullsisë së Çamërisë është përqendruar në vendbanime urbane. Lokacioni i popullsisë sipas vendbanimeve dëshmon për karakterin bujqësor të strukturës ekonomike. Pjesa më e madhe e popullsisë aktive merrej me bujqësi dhe blegtori. Megjithatë qytetet kryesore kishin hyrë ne rrugën e një zhvillimi të dukshëm ekonomiko -shoqëror. Krijimi i një rrjeti të gjerë dyqanesh e punishtesh nga më të ndryshme, marrëdhëniet ekonomike me krahinat e tjera të Shqipërisë dhe me botën e jashtme, si dhe ngritja e tyre politiko-shoqërore në krahasim me të kaluarën, i kishin kthyer Filatin, Gumenicën, Paramithinë, Margelliçin, Prevezën, e tjerë, në qendra të rëndësishme të jetës ekonomike dhe në vatra të fuqishme të luftës për emancipim shoqërisë, politik e kulturor të krahinës dhe gjithë vendit. Funksionin e qendrës gravituese ekonomike e shoqërore për gjithë Shqipërinë e Poshtme e luante Janina, e cila rrezatonte në jetën ekonomike të gjithë vendit. 

Njësitë administrative dhe qytetet kryesore të Çamërisë në fillim të shek. XX ishin:
Kazaja e Filatit 
– Kjo kaza në veri kufizohej me sanxhakun e Gjirokastrës, në lindje me kazanë e Janinës, në jug me sanxhakun e Prevetës, kurse në perëndim kishte dalje në detin Jon. Kazaja përbëhej nga 68 fshatra dhe kishte një popullsi prej 24.179 banorë.[6]Kazaja e Filatit shtrihej në një hapësirë gjeografike kryesisht fushore e kodrinore të kultivuar me drithëra, farogjere e kulturë te ndryshme bujqësore. Në peizazhin antropogjen të kësaj kazaje dalloheshin brezaret e ullishtave, vreshtave, blloqet e kulturave drusore e tjerë. Klima tipike mesdhetare subtropikale kishte favorizuar zhvillimin e formcjonit bimor te shkurreve mesdhetare dhe kullotave gjithë vjetore ku dimëronin me bagëtitë e tyre blegtore ardhur nga Kolonja, Kurveleshi dhe zonat e tjera malore të Shqipërisë së Poshtme. Popullsia e kazasë ishte e gjitha Shqiptare dhe shumica e besimit mysliman… Filaqotet janë të njohura për zgjuarsi, trimëri, fisnikëri dhe pasuri. Kryeqendra e kazasë ishte qyteti i Filatit, i cili në fund të shek. XIX kishte 5000 banorë. ( pothuajse të gjithë myslimanë.) Në periudhën antike ka qenë një nga qytetet më të rëndësishme të Tespratëve. Në shek. XIX ishte qendër kazaje në Sanxhakun e Janinës dhe kishte 2000 shtëpi të shpërndara në një sipërfaqe të gjerë mbi tri kodra ku ishin ndërtuar dhe dalloheshin sarajet e familjeve të mëdha, disa xhami , dy banja ( hamame) publike, hane e tjerë. Në qendër të qytetit shtrihej pazari me rreth 150 dyqane.[7]Sipas studimit Anglez U.M.Lik me përjashtim të një numri fare të vogël artizanesh e bakejsh të krishterë Filati banohej tërësisht prej Shqiptarësh mysliman”. [8]Filati përbëhej nga këto lagje: – Dematë, Gjillatë, Kasimatë, Sejkatë, Sarandatë, Zejnelatë, e tjerë. Filati në kohën e Rilindjes ka qenë vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare Shqiptare. Aty me 1908 u krijua klubi “Vëllazëria” i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e shkollës Shqipe dhe formimin e ndërgjegjes kombëtare. Kazaja e Ajdonatit ( Paramithisë ) – Shtrihej në juglindje të Çamërisë dhe varej nga sanxhaku i Janinës. Kazaja kishte 64 fshatra nga të cilat 40 shtriheshin në veri të qytetit të Ajdonatit dhe 24 në jug të tij. Kazaja e Ajdonatit (Paramithisë) kishte një popullsi prej 16.000 banorësh, shumica e të cilëve ishin Shqiptarë dhe afro gjysma myslimanë. Brenda kazasë kishte 22 xhami e mesxhide, një shkollë plotore, një medrese, katër (4) shkolla fillore turanike, tre punishte për regjen e lëkurëve, 13 ura e tjerë. Veprimtaritë kryesore ekonomike kanë qenë: bujqësia, blegtoria, kultivimi dhe prodhimi i vajit të ullirit dhe tregtia. [9]

Qendra kryesore urbane e kazasë ishte qyteti i Ajdonatit (Paramithia)
Shtrihet në shpatet perëndimore të malit të Kurrillës (1658 m), në lindje të rrjedhës së lumit Vuvo. Emri zyrtar i qendrës së Kazasë siç përmendet në fermanët e “ Portës së Lartë “ ishte “Ajdonat kalasi,” kalaja e Ajdonatit d.m.th. e Shën Donatit që është dhe mbrojtësi i qytetit. Nga popullsia Shqiptare vendase qyteti njihet me emrin Paramithi. –Ky qytet i rrethuar me vreshta dhe ullishte mbante si kurorë keshtjellën mesjetare, të vendosur mbi një kodër të rrëpirë dhe të lartë. Në qendër të qytetit ndodhen rrënojat e qytetit të vjetër antik Uria. Paramithia në shek. XIX numëronte 550 – 600 shtëpi me një popullsi prej rreth 2500 – 3000 banorë. [10] Shumica e popullsisë ka qenë Shqiptare. Në një numër te kufizuar ka pasur edhe familje te etnisë greke, çifute, egjiptiane, e tjerë. Qyteti kishte një Pazar mjaft të gjallë nga pikëpamja tregtare me dyqane, hane, por edhe me punishte të përpunimit industrial të lëkurave. Në Paramithi çdo vit në fund te muajit shtator dhe në fillim të tetorit organizohej panairi tregtar “LABOVA” që ishte themeluar që në kohën e Justinianit të Madh. 

Nahija e Sulit
– Kjo nahije shtrihej në juglindje të kazasë së Paramithisë dhe përfshihej në juridiksionin e saj. Suli është i vendosur (ndodhet) në zemër të malësisë së Çamërisë i rrethuar nga malet e Kurrilës. Murgos, Zevrukos, Dhëmbasit, Malit të Flamurit e tjerë. Fshatrat e Sulit ndodheshin në lartësitë 600 – 700 m mbi nivelin e detit. Në këto hapësira ishin vendosur fshatrat: Suli, Samonika, Qafa, Avariko, Mamako, Papazafiri e Zavruko, ku banonin rreth 450 familje të besimit të krishterë. Veçoritë gjuhësore, zakonet dhe traditat folklorike popullore të kësaj zone malore janë të njëjta me popullsinë tjetër të Çamërisë që banonte në zonat bregdetare, fushore dhe kodrinore. Në vitin 1506 Perandoria Osmane bëri një regjistrim të përgjithshëm të tokave Shqiptare. Ato u përfshinë në dy zona të mëdha. Në njërën zonë bënin pjesë tokat, ku u zbatua sistemi i Timarit, e cila quhesh ndryshe zona e së dhjetës (yshyret). Kurse zona tjetër përfshinte krahinat malore të vetëqeverisura, ku nuk u zbatua sistemi i Timarit. Zona e Timarit përfshinte pjesën më të madhe të viseve të Çamërisë ( zonat fushore e kodrinore ) ku toka ishte shpallur “ tokë shtetërore” (erazi mirie). Në malësinë e Sulit nuk u vendos prona shtetërore mbi tokën dhe ajo u përfshi në krahinat e vetëqeverisura me organizim autonom. Përfaqësuesi i shtetit Osman në malësitë e lira të jugut mbanin titullin Kapedan: [11]Viset malore të Sulit qysh para pushtimit turk kanë pasur një kanun të tyren “kanunin e Papa Zhulit” i cili ishte shumë i ngjashëm me komunën e Labërisë. Po të analizosh normat e së drejtës zakoneve veçanërisht në fushën e së drejtës, të familjes, të trashëgimisë e tjerë, vërehet se në përgjithësi ato janë të njëjta si në Çamëri ashtu dhe në Labëri. Studiuesit kanë arritur në deduksioni se një kanun i përbashkët vepronte nga gjiri i Vlorës e deri në gjirin e Artës. Suli ka qenë vatër e qëndresës Shqiptare antiosmane për liri e pavarësi. Si rezultat i kësaj qëndrese kjo malësi kishte fituar të drejtën e venomit (vetëqeverisjes). Pas konfliktit të ashpër me Ali pash Tepelenën, malësia e Sulit e humbi autonominë dhe për pasojë filloi rrënimi dhe braktisja e fshatrave. Suljotët dhanë një ndihmë të madhe në Revolucionin grek për pavarësi, në të cilin u shquan Marko Boçari, (heroi Mesollongjit) Foto Xhavella e të tjerë. Ky kontribut i Shqiptarëve në revolucionin grek për pavarësi shprehet qartë në vargjet popullore:
Trima qenë Sulitë/ Kapedanë himarjotë/ Dhe ata që bënë Morinë/ Të gjithë Shqiptarë qenë… Trimëria dhe krenaria e banorëve të Sulit përmendet ende si shembull i qëndresës ndaj armikut për të mbrojtur vendin. Në një bëhej kur Ali Pashë rrethoi Sulin në shtëpi ishin vetëm gratë, të cilat për një kohë bënë qëndresë të fortë: Por kur qene të detyruara të dorëzoheshin të kërcënuara nga armiku, ata kryen një akt të guximshëm vetëflijimi. Duke vallëzuar në një shesh që gjendej mbi një shkëmb të lartë, të kapura dorë për dore, u hodhën së bashku në humnerë dhe vdiqën. 

Sanxhaku i Prevezës
– Ky sanxhak shtrihej ne pjesën jugore të gjeohapësirës së Çamërisë dhe ishte më i vogli ndër katër sanxhakët, që formonin Vilajetin e Janinës. Sanxhaku i Prevezës zinte skajin më jugor të trojeve të banuara nga Shqiptarët. Në veri kufizohej me sanxhakun e Janinës, nga lindja me kufirin grek, në jug me gjirin e Nartës dhe me grykën e Prevezës ,ndërsa në perëndim dhe jugperëndim lagej nga ujërat e detit Jon. Pjesa më e madhe e relievit përbëhej nga fusha dhe kodra të ulëta të veshur me kullota natyrore dhe bimësi antropogjene si ullishte, portokallë, limonë e tjerë. Në lindje të sanxhakut si kufi natyror dhe etnik me Greqinë ishte lumi i Artës (Araktos). Popullsia e sanxhakut llogaritej në rreth 55.000 banorë, shumica ishin myslimanë ndërsa një pjesë e popullsisë ishin të krishterë. E gjithë popullsia myslimane dhe shumica e të krishterëve ishin Shqiptarë. Në qytetin e Prevezës dhe gjatë kufirit me Greqinë banonte një pakice grekfolësish, vllehsh, çifutësh e të tjerë. Sanxhaku përbëhej nga 175 fshatra, ku aktiviteti kryesor ekonomik ishte bujqësia dhe blegtoria. Në Prevezë e në disa vendbanime ishte zhvilluar edhe zejtaria, tregtia dhe shërbime të ndryshme për popullsinë. Ne qytete punonin 50 mullinj bloje, mjaft punishte e fabrika të prodhimit të vajit të ullirit, rreth 450 dyqane shërbimesh, etj. Sanxhaku përbëhej nga tre Kaza (Preveza, Lorosi, e Margelliçi) dhe dy nahije (Parga e Xhemernik).

Kazaja e Prevezës 
-Kazaja e Prevezës shtrihej në skajin jugor të Sanxhakut. Në veri kufizohej me Kazanë e Margelliçit, në verilindje me Kazanë e Lorosit, ndërsa në perëndim lagej nga ujërat e detit Jon dhe në jug nga gjiri i Artës (Prevezës). Kazaja kishte 38 fshatra dhe një popullsi prej 13.000 banorë. Pjesa më e madhe e popullsisë që banonin në fshatra ishin Shqiptarë të krishterë. Në këtë Kaza ndodheshin kullotat dhe plantacionet më të mëdha të ullishtave të Sanxhakut. Qendra administrative e Kazasë dhe gjithë Sanxhakut deri në vitin 1912 ishte qyteti i Prevezës. Ky qytet shtrihej në skajin më jugor të trevave etnike të banuara nga Shqiptarët, në fundin e një gadishulli që mbyll anën perëndimore të gjirit të Artës. Pozicioni gjeografik i saj ishte shumë i bukur që në miniaturë të kujton peizazhin urban të Stambollit. Qyteti kishte 10.000 banorë të krishterë e myslimanë Shqiptarë si dhe një pakice familjesh turke, greke, vllahe e çifute. Preveza ishte një qytet me rrugë të gjëra, me një pazar që kishte rreth 180-200 dyqane dhe një liman natyror të mbrojtur nga të gjitha erërat e forta që rrihnin dimrit këtë zonë bregdetare. Preveza ishte qendër e rëndësishme artizanale. Ajo kishte në këtë periudhë një fabrike mielli, dy fabrika për përpunimin e lëkurëve, disa fabrika për prodhimin e pëlhurave të pambukta, të mëndafshtave, çorapëve, sapunit, e tjerë. Në kapërcyell të shek. XIX dhe X Preveza ishte një nga portet më të mëdha të Shqipërisë së Jugut. Limani realizonte të ardhura të mëdha nga tregtia me Triesten, Korfuzin dhe qendra të tjera tregtare të Greqisë dhe Italisë. Në qytet kishte dy xhami, njëra e ndërtuar prej Ali Pashës dhe tjetra prej Ahmet Aga Dinos, kisha, dy teqe, disa tyrbe, një shkollë fetare, disa shkolla fillore e tjerë. Në vitin 1878 Preveza u bë një nga qendrat kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prevezës në jug të Shqipërisë.

Kazaja e Margelliçit 
– Kjo kaza së bashku me nahijen e Pargës e të Fanarit kishte 71 fshatra, me një popullsi afro 25.000 banorë. E gjithë popullsia ishte e etnisë Shqiptare, ku pjesa më e madhe i përkiste religjionit mysliman. Baseni i Margelliçit kishte mjaftë toka pjellore ku prodhoheshin drithëra, oriz, ullinj e tjerë. Kazaja e Margelliçit dallohej për kullota dimërore që favorizonin zhvillimin e blegtorisë. Qendra administrative e Kazasë ishte qyteti i Margelliçit, i cili shtrihej në rrëzë të malit të Bozhurit, në një lëndinë të rrethuar nga kodra. Rrëzë kodrave kishte mjaft shtëpi me çardak, të vendosura në mes të një peizazhi të gjelbëruar. Nga larg dalloheshin siluetat e minareve të larta të xhamive. Në vitin 1815 qyteti i Margelliçit kishte 10.000 banorë. Gjatë shek. XIX si rrjedhoje e sëmundjeve dhe epidemisë së kolerës 2/3 e popullsisë vdiqën, dhe popullsia u reduktua në 3000 banorë në fillim të shek. XX. Pjesa më e madhe e popullsisë ishin Shqiptarë të besimit mysliman dhe të krishterë. Veprimtaria kryesore ekonomike e margëlliçiotëve ka qenë blegtoria, bujqësia dhe tregtia. Kullotat natyrore gjithëvjetore kishin furnizuar zhvillimin e blegtorisë, kryesisht rritjen e bagëtive të imtë. Në tokat pjellore te bazenit të Margelliçit kultivoheshin orizi, ullinjtë, vreshtat, pemët frutore, e tjerë. Margelliçi dallohej në gjithë Çamërinë për prodhimin e bostanit të një varieteti të mirë, i cili vlerësohej dhe preferohej shumë dhe nga grekët. Rol të rëndësishëm në ekonominë e kazasë e më gjerë luanin artizanati dhe tregtia. Qyteti i Margelliçit ka patur rreth 50 dyqane, dy fabrika mielli, dy fabrika vaji, 5 (pesë) hane, 6 (gjashtë) luturvi ( punishte vaji) e të tjerë. 

Nahija e Pargës
– Nahija e Pargës ishte një njësi administrative që varej nga Kazaja e Margelliçit. Qendra administrative e nahijes ishte qyteti i Pargës, qendra e dyte urbane e Kazasë pas Margelliçit. Parga ishte një qytet antik me dy skela që zotërohej nga një fortesë mesjetare, e cila në fillim të shek. XIX kishte 400 shtëpi të banuara dhe gjithashtu 400 shtëpi të tjera në rrethinat e saj, jashtë. – Në vitin 1401 Parga ra nën sundimin e Venedikut. Admirali i flotës Osmane Piri Reis, i cili kaloi pran kësaj qendre në fillim të shek. XVI, thotë se Parga kishte një kështjellë dhe një gji deti ranor mjaft të rehatshëm. Mali i ndodhur për mbi kështjellë quhej Mëshrak (Mazrek) që do të thotë “ Mali i Shtizës”. Popullsia e këtij vendi, shkruante ky i huaj, ishte Shqiptare.[18] Venedikasit e mbajtën Pargen te pushtuar deri në vitin 1797. Pastaj kaloi nën sundimin e Francës deri në shkatërrimin e kësaj perandorie më 1814. Më vonë atë e pushtuan anglezët, të cilët pas katër vjetësh ( viti 1819) u detyruan t’ia dorëzojnë Ali Pash Tepelenës. Kur turqit në vitin 1820 ia morën Ali Pashë Tepelenës këtë qytet pjesa më e madhe e banorëve të kësaj qendre, rreth 5000 Shqiptarë të krishterë migruan në ishujt e detit Jon. Kështu u shkatërrua dhe u zbeh gati krejtësisht ky qytet fatkeq siç e quan piktori anglez Eduard Lir. Megjithëse qyteti u shkatërrua në afërsi të bregut të detit fillon hap pas hapi përsëri të ndërtohet qendra e re urbane nga banorët që kishin mbetur në qytet. Në fillim të shek. XX Parga kishte 8000 banorë Shqiptarë të dy besimeve dhe 120 dyqane shërbimesh tregtare. Popullsia merrej kryesisht me detari, peshkim e tregti. Megjithëse anijet e mëdha nuk mund të arrinin në breg, Parga ka qenë liman i rëndësishëm i Çamërisë dhe i gjithë Shqipërisë së Poshtme. Anijet me vela lidhnin skelën e Pargës me Korfuzin, me Triesten dhe skela të tjera të detit Adriatik e Mesdheut. Parga dominohej nga një kështjellë e vjetër e ndërtuar mbi një shkëmb të futur në det dhe përreth e qarkonin kopshtet me portokall e limon si dhe ullishtat që zbukuronin peizazhin periurban. Qyteza prodhonte një lloje sapuni të veçantë me ngjyrë gështenjë. Në veri të qytetit shtrihej bregdeti i famshëm i Karavastarit ( Arpicës)ndërsa në jug estuari i lumit Akeron.

Qyteti i Artës 
– Qyteti i Artës shtrihej në skajin më jugor të trojeve të banuara nga Shqiptarët etnikë, në kufi më botën helene. Hapësira urbane shtrihej me fusha dhe kodra të vogla, e në gadishullin që formon meandri i lumit të Artës, në rrjedhën e poshtme të tij. Qyteti në antikitet ishte një koloni e korinthasve. Më vonë u pushtua nga romaket dhe në kohën e sundimit të Augustit, Arta u zgjerua dhe u urbanizua. Mbi një kodër të rrumbullakët e rrethuar nga lumi, u ndërtua një kështjellë, e cila shikonte e dominonte tërë qytetin rrëzë kodrës, si dhe rrjedhën e lumit të Artës në të dy anët e tij. Hyrja në qytetin e Artës ishte shumë piktoreske dhe e këndshme. “Pak vende në Shqipëri, – shkruante piktori anglez E. Lir në 1848- janë më të madhërishme, sesa Arta në drejtim të ndërtimit dhe të vendosjes”. 27 Ashtu si dhe qendrat e tjera urbane të Çamërisë edhe Arta ishte një qytet me rrugë të ngushtë, pjesërisht të shtruara, me oborre dhe kopshte plotë pemë, me portokalle e perime që tregtoheshin në një pjesë të mirë në tregun e madh të Janinës. Në rrugën që të çonte në Janinë e Filipiadhë ndodhet ura mesjetare e Artës, një vepër monumentale, me vlera të spikatura arkitektonike. Në vitin 1880, qyteti i Artës dhe rrethinat e tij u pushtuan nga grekët. Kjo ngjarje shënon fillimin e aneksimit të krahinës shqiptare të Çamërisë nga Greqia.