Prof. Hektor Veshi: Sterjo Spasse, në madhështinë e shumanëshme

599

Sterjo Spasse, në madhështinë e shumanëshme, tashmë i kompletuar, në dorë të lexuesve 

“Më në fund e mbarova bibliografinë e krijimtarisë së babait…”- më tha këto ditë (korrik 2019) Prof. Dr. Ilindeni, djali i vetëm i tij ose “hija mbi tokë e Sterjos” siç e ka quajtur një matjan i mençur pasi lexoi me ëndje librin tashmë mjaft të njohur në rrethet e lexuesve shqiptarë “Im atë Sterjo”. Të dy këta libra, monografia dhe bibliografia, plotësojnë njëri-tjetrin apo mbushin një thes me dije rreth figurës së madhe e vlerashumë të Sterjo Spasses, jo vetëm si shkrimtar. Me hollësi krijimtaria e tij shtrihet në mbi gjashtëdhjetë vjet, nga fundvitet njëzet të shekullit të njëzet deri në fundvitet ’80 (1989) kur u nda nga jeta. E tani, rastisin disa tridhjetë-vjetorë, derisa u arrit t’i mbeten fondit të dijeve e kulturës shqiptare,- e plotë, figura e sidomos krijimtaria e tij: Kështu, në vitet tridhjetë u bë i njohur, i dashur dhe model i ëndërruar i rinisë me romanin social- filozofik “Pse?!”; në tridhjetë-vjetorin pasues, autor i dashur i teksteve mësimore dhe romaneve frymëzues për shndërrimet dhe arritjet e jetës kudo, sidomos në fshat; në tridhjetë-vjetorin e tretë, iu fut me rrënjë luftës së popullit për liri, dije e kulturë dhe e pasqyroi në disa romane rresht, që edhe e lodhën! Kjo ishte dhe arsyeja kryesore që e mbylli jetën në gjysmën e atij tridhjetë-vjetori, kur ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç, më 1989-n. Tridhjetë vitet pasues u shndërruan nga i biri, “djalë për kokë të djalit!”, siç thotë populli ynë, në vite përpjekjesh sistematike të pandërprera, derisa, sot, gusht 2019, tridhjetë vjet pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit e njeriut të madh Sterjo, kemi në dorë edhe bibliografinë e plotë! Kjo bibliografi e ka fillesën në fundvitet 1920 kur shkrimtari ishte nxënës shkolle të mesme dhe sapo kishte filluar të cicërinte si krijues i ri…I takon urim e përgëzim Prof. Dr Ilindenit për veprën aq shumë të vyer në dobi të brezave, të kulturës së mbarë popullit tonë. Por, le te përqendrohemi në dy rrafshe të krijimtarisë së Sterjo Spasses, në atë si shkrimtar dhe sidomos në atë si mësues dhe edukator në kuptimin e gjerë.

Lindi me l4 gusht l9l4 në fshatin Gllomboç të Prespës në rrethin e Korçës. Për arsimimin, me dorën e vet ka shkruar: “Pasi kreva tre klasë fillore shkollë greke në fshatin tonë Gllomboç e në Nivicë (që sot është nën Greqi ) mbarova shkollën plotore në Korçë l925-27; pastaj kreva shkollën “Normale” të Elbasanit l927-32; pas dy vitesh dhashë provimet dhe mora stazhin, një Certifikatë Pjekurie për mësues, l934. Në vitin l939 bëra kursin e gjuhës italiane ne Universitetin e të huajve në Peruxhia të Italisë ku mora Certifikatën e kursit të dytë “I aftë për të dhënë italishten në shkollat jashtë Italisë”;në l939-43 vazhdova me korrespondencë të jepja provimet në Magjistraturën e Firences d.m.th., Universitetin në degën e Pedagogjisë. Nga vazhdimi i Luftës më mbetën pa dhënë provimet e fundit. Midis viteve l954-57 dhashë provimet gjer në vitin e tretë për letërsi në Universitetin e Tiranës. Në vitet l958-60 kreva kursin e lartë të letërsisë pranë Institutit “Gorki” në Moskë. Nga shkollimi i tij deri ne moshën 45 vjeç kuptojmë veç te tjerash, se ai zotëronte jo me pak se 5-6 gjuhe te huaja; shqip, maqedonisht e bullgarisht, greqisht, italisht, rusisht, frengjisht. Në punë e sipër i përdori dijet e asimiluara prej tyre për ndriçimin e mendjes se shqiptarëve deri në diasporë, u bë i njohur në shumë vende me veprat letrare të përkthyera dhe u ngrit lart si figurë e artit-shkrimtar, i kulturës në tërësi dhe jo më pak edhe i pedagogjisë e didaktikës; gjuhet e huaja i dhanë mundësi të sillte të përkthyera ne shqip shumë vepra me vlerë nga kultura e historia botërore. Në vitin l980 u botua në Shqipëri “Vepra letrare” e Sterjo Spasses në 9 vëllime, ku secili vëllim përmbante: I-Prozë e shkurtër e para e pasçlirimit deri në vitet ’70; II-romanet “Afërdita” dhe “Afërdita përsëri në fshat”; III-romani “Ata nuk ishin vetëm”; IV-Tregime për të rinj e pionierë “Të fala nga fshati” dhe “Sokolesha”; V-romani “Buzë liqenit”; VI-romani “Zjarre”; VII-romani “Zgjimi”; VIII-romani “Pishtarë”’; IX-romani “Ja vdekje, ja liri”. Në këtë renditje siç shihet mungon romani i tij i parë e me shumë jehonë edhe në ditët tona, romani “Pse?!”, i cili zinte vendin qe i takon në serinë e botuar më parë në Kosovë si dhe dy romanet e botuara më vonë kushtuar ideve të rilindësve, “Kryengritësit”, l983 dhe “O sot o kurrë” l989. Në tërësi ato kanë dalë nga shpirti i mësuesit edukator, nga thellimi i vazhdueshëm e me përgjegjësi në problematikën e zhvillimeve historike të kohës, nga dëshira për t’ia bërë të njohur artistikisht historinë e viteve vendimtare për fatet e Shqipërisë, brezave që erdhën e do të vijnë. E denjë të thuhet, se si askush ky personalitet jetoi e luftoi dhe vdiq me penë në dorë dhe nuk ka se si të mos i përulet kujtimit te tij çdo njeri që i përkushtohet mbarësisë së popullit të vet! Edhe sikur vetëm kaq të kishte shkruar, Sterjo Spassja do të meritonte te nderohej si njeri i madh i kombit tonë. Por kjo përbën afro gjysmën e krijimtarisë. E krahasueshme me të për nga sasia, përbën edhe krijimtaria pedagogjike, didaktike e konkrete praktike për shkollën, në dobi të ngritjes së saj në nivelin e kërkesave të kohës. Kjo fillon që në bankat e shkollës “Normale” ku ishte njëri nga redaktorët e parë të revistës “Normalisti”. Akoma nxënës, ishte nismëtar i shëtitjes nëpër Shqipëri te klasës së tij në vitin 1932 me moton “Që ta duash vendin tënd duhet ta njohësh atë”. Këtë shëtitje e përshkroi dhe e botoi po vetë si libër me titullin “Normalisti shëtitës”. Kur filloi punën si mësues në Gjirokastër mori nismën dhe mblodhi ndihma nga mësuesit për ndërtimin e varrit të Koto Hoxhit, njërit nga të parët mësues te masakruar të shqipes. Në vitin 1936 filloi punën pranë Inspektoratit të Arsimit në Korçë, ku mori nismën për krijimin e bibliotekës pedagogjike, e cila më vonë shërbeu si bërthamë e kabineteve pedagogjike. Atë bibliotekë e krijoi, e drejtoi vetë dhe e pasuroi me libra shqip e në gjuhë të huaja. Që këtu lindi iniciativa për konferenca pedagogjike dhe filloi hartimi i ditarëve ne mënyrë sistematike që u quajtën “Fleta e punës e ditës”. Për krijimin e kësaj biblioteke pedagogjike e nismave të tjera këshillohej, merrte rekomandime e literaturë nga profesori i tij i adhuruar me kulturë perëndimore Aleksandër Xhuvani. Në ato vite fillon të botojë mjaft artikuj si shënime kritike e letrare me karakter pedagogjik në revistën “Rilindja” “Bota e re” në gazetën e Korçës e “Zëri i Korçës”. Në vitin 1940 u transferua në Tiranë, Drejtor didaktik ne Ministrinë e Arsimit. Nga raportet e tij të asaj kohe si inspektor dalin përpjekjet për mbarëvajtjen e shkollës në Mat e Shëngjergj, për shtimin e numrit të shkollave, ngritjen e sa më shumë ndërtesave shkollore dhe lehtësimin e nxënësve të varfër me mjete mësimore e ushqim. Në këto vite organizoi, shkroi e drejtoi udhëzuesin “Puna në shkollë”, vëllim prej 1016 faqe lënde praktike për mësuesit. Vetë ai hartoi udhëzuesin metodik për klasën IV e V dhe redaktoi materialet e përgatitura nga mësuesit e tjerë. Mori pjesë si delegat i Tiranës në Kongresin I të Arsimtarëve Antifashiste (Korçë 25-27 nëntor 1944) ku foli për metodën e punës së mësuesve partizanë dhe ngriti mjaft probleme për organizimin e shtypit e krijimin e letërsisë pedagogjike, për detyrat e të drejtat e arsimtarëve, njohjen e vendlindjes e forcimin e dashurisë për çdo gjë shqiptare. U zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit të Arsimtarëve Antifashistë. Këtej e tutje veprimtaria e tij u inkuadrua në zbatimin e planit perspektiv të zhvillimit të arsimit të ri shqiptar. Në dhjetor 1945, ishte një nder nismëtarët kryesore për hapjen e revistës së parë pedagogjike pas çlirimit “Shkolla e re” (më vonë “Arsimi popullor”).

Në vitin 1946 u emërua anëtar i Këshillit të Arsimit, i krijuar për zbatimin e Reformës Arsimore dhe anëtar i Komisionit Pedagogjik pranë Ministrisë së Arsimit për drejtimin dhe hartimin e programeve e teksteve të shkollave unike dhe të shkollave të mesme të çdo kategorie. Në këtë komision ku punoi deri në vitin 1954 Sterjo Spasse drejtoi, organizoi dhe hartoi, në bashkëpunim edhe me arsimtarët më të mirë, programet dhe udhëzimet e lëndës gjuhë e letërsi për shkollat unike dhe të mesme të çdo kategorie dhe për kurset e arsimtarëve me variante të ndryshme që kërkonte reforma. Puna e një grupi të vogël arsimtarësh në atë periudhë, barazohet me punën e një institucioni të tërë arsimor të sotëm. Për ta pasur të qartë këtë veprimtari, po citojmë titujt e teksteve dhe vitet e botimit: Antologji për kl.I të shkollës unike (1946), Antologji për kl.II,III të shkollës unike (l946), Literatura e huaj, për shkollat e mesme (1947), Folklori shqiptar, dispencë për shkollat e mesme (1948), Elementet e parë të teorisë së letërsisë për shkollat e mesme (1951), Letërsia e huaj, vëllimi I me bashkautor Mahir Domin (1951), Gramatika e gjuhës shqipe për shkollat 7-vjeçare me bashkautor L.Dodbiba (1951) Letërsia e huaj, vëllimi II me bashkautor M. Domi (1953), Antologji e letërsisë shqipe në frëngjisht dispencë, me bashkautor Nonda Bulka (196O) Janë gjithsej 10 tekste, natyrisht të hartuar për herë të parë, sipas programeve të reja të kohës. Të gjitha këto tekste u ribotuan disa herë me përmirësimet e nevojshme. Kurse tekstet “Elementet e para të teorisë së letërsise” dhe “Letërsia e huaj “ në Kosovë u ribotuan disa herë. Deviza e veprimtarisë së mësuesit, e formuluar prej tij qysh kur ishte 18 vjeç, nxënës i të madhit Aleksandër Xhuvani në Normalen e Elbasanit në vitin 1932, e zbatuar në lartësi shembullore, frymëzuese për çdo mësues të të gjitha kohëve ishte, citoj: “MËSUESI, me ane të dijes së vet do të përgatisë njerëz të ditur;/ me anë të vullnetit njerëz të vullnetshëm;/ me anë të punës njerëz punëtorë;/ me anë të sjelljes njerëz të ndershëm”. Vend të veçantë në shkrimet e tij i jep edukatës së punës, nëpërmjet punës, praktikës. Duke i zbërthyer më tej këto ide, ai thekson në një artikull se pasqyra e mësuesit janë nxënësit e tij. Disa nga artikujt më të rëndësishëm problematikë, pedagogjikë, psikologjikë e metodikë të Sterjo Spasses janë përmbledhur në botimin me titull “Reflekse pedagogjike”, botim i Institutit te Studimeve Pedagogjike l987, me rastin e l00-vjetorit të shkollës së parë shqipe të Korçës. Në përmbledhjen paraprirëse vlerësuese, sistematizuese të këtij libri në ndihmë të lexuesve, Prof. Dr. Shefik Osmani, me dashuri e skrupulozitet të lartë shkencor përvijon idetë kryesore, duke filluar me të dhëna të shkurtra nga jeta e autorit, kontributi i tij në formimin e arsimtarëve antifashistë, ndihmesa në fushën e pedagogjisë ku tregohen botimet me karakter didaktik ne truallin e teknikes mësimore, publicistika socialpedagogjike, tregimet e shkurtra nga jeta e shkollës, nxënësi e mësuesi dhe zgjerohet më shumë te idetë në veprat artistike “Afërdita” e “Afërdita përsëri në fshat”, “Zgjimi” etj. Se fundi, nuk mund të mos përmendim se nga arkivi i pasur personal i Sterjo Spasses që ndodhet pranë familjes, i biri Prof. Dr. Ilinden Spasse ka përgatitur në 1995 monografinë vlerëshumë e me jehone si brenda edhe jashtë shtetit me titull “Im Atë, Sterjo” një monografi konkurruese për llojin e vet, e cila pasuron dijen e cilitdo që do të mësojë edhe më shumë për jetën dhe figurën e Sterjo Spasses, natyrisht pa asnjë zbukurim por me vërtetësi prekëse. Ky libër u pasua nga një tjetër, po aq i bukur me titull “Kuvendim me nipin”, botuar ne vitin 2000, ku përmblidhen letra të shkruara nga shkrimtari gjatë vizitës në Maqedoni e Kosovë, ne vitin 1975. I përmendëm dy botimet e fundit për të treguar se “ara” e krijimtarisë së Sterjo Spasses, tani nëpër arkiva apo në bibliografi, ka akoma shumë thesare që vlejnë të përpunohen e të publikohen si pasuri e popullit, e njerëzve që do të punojnë për një të ardhme të lumtur të tij. E kjo ishte arsyeja që mendoj të ngre një problem, atë se është e dobishme të ruhen shtëpitë muze dhe vlerat brenda tyre. Një objekt i tillë i çmuar është edhe shtëpia e shkrimtarit, pedagogut e mësuesit të palodhur, shtëpia e mikpritjes së ngrohtë të shumë shqiptarëve që e kanë vizituar e janë frymëzuar nga puna e tij, por edhe janë habitur nga kushtet me të vërtetë modeste që ka pasur në dispozicion; një dhome të ftohtë dhe një makinë shkrimi e sekretar daktilografist, të birin. A mos meriton më pak ai, se shumë shkrimtarë në botë, shtëpitë e të cilëve janë bërë muze? Nuk mund të mos kujtojmë se muzetë dhe shtëpitë-muze janë piketat e përjetshme me dritë të ndërgjegjes historike të kombit.

-Tiranë, 2019