Prof. Dr. Roland Zisi/ Kamel Daoud ose Albert Kamy i ringjallur

1062
shkojë mendja menjëherë tek Albert Kamy. Mërso, rihetim është një rimarrje e romanit të tij I huaji, një version i ri dhe i pavarur i autorit algjerian Kamel Daoud që vjen në gjuhën shqipe nga pena e përkthyesit Nonda Varfi. 
I lindur në vitin 1970, në Algjer, Kamel Daoud është shkolluar në gjuhën arabe. Gjuhën frënge filloi ta mësojë vetë që në moshën nëntë-vjeçare, tek gjyshërit e tij në Mostaganem. Vitet e rinisë i kaloi në kohë lufte e në terror. Në profesion është gazetar por dekadën e fundit i është përkushtuar letërsisë, fillimisht si autor novelash. Letërsia në gjuhën frënge ka qenë për të, që nga fëmijëria, porta e daljes nga një shoqëri vrasëse, nga ku kalonin gruaja, seksi, poezia, mitologjia greke, – gjithçka që nuk ishte as tregim kombëtar dhe as Kuran. Meursault, contre-enquête, është romani i parë i tij që e botoi enti Barzakh (Algjeri) në tetor 2013 dhe në maj 2014, e publikoi edhe Actes Sud (Arles). Që romani Mërso, rihetim të kuptohet në mënyrë shteruese nga lexuesi ynë i nderuar, është e nevojshme të kthehemi pas e të vendosemi në mesin e shekullit të kaluar, kohë kur zë fill filozofia dhe letërsia kamysiane. Pas publikimit të romaneve I huaji (1942), Murtaja (1947), Rënia (1956) si dhe të një vargu veprash të rëndësishme letrare e filozofike, në harkun kohor të viteve ’40 – ’60 të shek. XX, Albert Kamy fitoi famë të menjëhershme e të plotë letrare jo vetëm në Francë e në Algjeri por në mbarë kontinentin europian. Origjinaliteti artistik, stili unik dhe idetë filozofike të tij, që aq shumë ndikuan tek Europa e pasluftës, u bënë shkaqe të mjaftueshme që, në vitin 1957, për romanin I huaji, të vlerësohej e nderohej me çmimin Nobel për Letërsi. Argumenti themelor i jurisë në dhënien e titullit ishte për krijimtarinë e tij të rëndësishme letrare, e cila me seriozitet të qartë dhe të kthjellët ndriçon problemet e ndërgjegjes së njeriut në kohët tonë. Madhështia dhe universaliteti i tyre bënë që I huaji, vepra letrare e filozofike si dhe emri i Albert Kamysë të shndërroheshin shumë shpejt në një trashëgimi kulturore globale dhe sot të jenë një çelës i sigurt për çdo filozof, universitar e njeri i thjeshtë që tenton të shpjegojë cektazi apo me themel ndërgjegjen e njeriut të kohës sonë. 
Albert Kamy është themeluesi i letërsisë së absurdit. Duke përjetuar si intelektual e filozof përvojat sociale e politike negative të kohës, si fashizmi, nazizmi, stalinizmi, lufta civile në Spanjë, (neo)kolonializmi, totalitarizmi, dhuna, racizmi e gjenocidi, ai arriti që, si shkrimtar, të shpjegojë arkitekturën e ndërgjegjes së njeriut të thjeshtë, në mesin e kësaj katrahure globale. Thelbi i letërsisë së tij mbështetet dhe interpretohet me konceptin e absurdit të ndërthurur me ekzistencializmin. Sot koncepti i absurditet është bërë pjesë jo vetëm e letërsisë botërore dhe filozofisë moderne por pjesë edhe e mendësisë dhe filozofisë popullore. Personazhet e Kamysë përjetojnë dhe vuajnë absurdin e jetës së përditshme ku gëzimi është i ndërthurur domosdoshmërisht me dëshpërim. Sipas tij, jeta njerëzore ka në themel disa mosmarrëveshje themelore, papajtueshmëri tragjike, paradokse dhe konfuzion intelektual. Njeriu është i detyruar të rrojë në një botë që është indiferente ndaj dhimbjeve dhe e shurdhët ndaj protestave të tij. Kamy mendon se për këto arsye njeriu është një krijesë që kërkon nga bota drejtësi dhe përsosmëri por ndërkaq ajo i ofron të kundërtat e tyre e si rrjedhim ai rrëshqet në pasivitet, boshllëk, indiferencë, papërgjegjshmëri e kotësi. 
Një njeri i tillë është edhe i famshmi Mërso, personazhi kryesor i romanit I huaji, një kolon francez në Algjeri, që sillet çuditshëm, shumicën e kohës i pakuptueshëm, i distancuar plotësisht nga normat e jetës dhe indiferent ndaj veprimeve të veta. Kryen një krim në plazh, vret një arab (thjesht arab, pa emër) dhe në hetuesi pranon krimin por jo fajin. Sepse hetuesi e pyet se përse nuk qau në varrimin e nënës dhe jo pse e bëri vrasjen!!! Pra një rrjet i tërë absurd nga ku nuk mund të dilet. Si tip dhe karakter Mërso ka udhëtuar i tillë deri në ditët tona si modeli i njeriut që jeton mes absurdit, ndërgjegjja e të cilit nuk ia del kurrë t’u japë vlerë qëndrimeve e veprimeve të veta. Për të s’ka kuptim asgjë; as vdekja e nënës, as përqafimi i së dashurës, as miqësia njerëzore, as familja, madje dhe plazhi, rëra apo deti nuk kanë kurrfarë vlere e bukurie. Vetëm dielli ka rol të madh tek ai sepse, sipas tij, atë të diel të zjarrtë, në orën 2, kur arabi i doli përpara në plazh, mund të mos ta kishte kryer krimin surreal, nëse djersa nuk do t’i kish mbuluar qerpikun dhe pika e diellit nuk do t’i kishte verbuar sytë. Kjo është ndërgjegjja e njeriut të Kamysë. Ky është Mërso: një personazh i ri europian, pa lidhje me motivet tradicionale, një (anti) hero, një kolon europian që “ngaqë, atë të diel, nuk kishte gjë tjetër për të bërë”, (K. Daoud), vendosë të vrasë një arab, të cilin Kamy e përmend në roman 25 herë, thjesht arabi, por pa emër mbiemër, pra pa gjendje civile. Dhe absurdi u pasua me të tjera absurditete. Për shkak se Kamy përtoi që arabi-t t’i vendoste një emër, pas disa dekadash ai u harrua fare edhe si personazh edhe si viktimë. Të gjithë kemi ruajtur e vërtitur në ndërgjegjet tona vetëm vrasësin e famshëm me emrin Mërso dhe Albert Kamynë, shkrimtarin filozof që e krijoi.
Por askujt nuk do t’i kishte shkuar ndërmend, (as studiuesit më mendjendritur, as ndonjërit prej jurisë së Nobelit, as ndonjë lexuesi model) se 70 vjet më vonë, shkrimtari algjerian Kamel Daoud do të shkruante në gjuhën frënge romanin Mërso, rihetim, (origjinal: Meursault, contre-enquête), në të cilin merr përsipër rihetimin, investigimin, korrigjimin dhe (ri)rrëfimin e të vërtetave rreth çiftit Mërso-Musa e gjithçkaje tjetër e zhytur në mjegullën e absurdit kamusian. Në planin filozofik Mërso, rihetim, i Kamel Daoud nuk është një kundërpërgjigje cinike ndaj ish kolonit të dikurshëm por evidentim brilant i anës tjetër të medaljes. Qëllimi final nuk është t’i kundërvihet por, përmes Kamysë, të gjejë rrugën e tij. Vepra e shkrimtarit algjerian, nga njëra anë transmeton me fanatizëm intelektual po atë pacifizëm të egër e këmbëngulës të Kamysë, e ndërkaq, nga ana tjetër i shton fabulës së dikurshme pak më shumë humanizëm, përmes një stili narrativ novator dhe nëpërmjet një zemërimi të bukur e të përmbajtur njerëzor. 
Mërso, rihetim është një remakes apo metatekst dhe për këtë shkak konceptual Kamel Daoud i është dashur ta ringjallë Kamynë e ta vendosë në periudhë postkoloniale. Romani Mërso, rihetim, pas Uliksit të Xhojsit, është paradigma më e qartë e parashikimit të Zhenetit se tani s’do të kemi më krijues por vetëm rikrijues. Kamel Daoud nuk krijon fabul të re por rimerr dhe aktivizon pikë pikë fabulën e romanit I huaji. E reja e qenësishme e romancierit algjerian është se më në fund arabi ka një emër, ai quhet Musa (Moussa) dhe ka një gjendje civile: emër, mbiemër, nënë, baba, vëlla, origjinë, një jetë të dhënë nga perëndia, si edhe Mërso i Kamysë. Prandaj Kamel Daoud këmbëngul në faktin se përderisa arabi është personazhi i dytë më i rëndësishëm tek I huaji, detyrimisht duhet të ketë emrin, fytyrën, fjalën dhe historinë e tij: 
“Dua të them se kjo histori ka më tepër se gjysmë shekulli që ka ndodhur. Dhe për të u fol shumë. Njerëzit flasin ende, por përmendin vetëm një të vdekur – dhe pa pikë turpi, kupton – , ndërkohë që ishin dy. Po, dy. Përse kjo harresë? I pari dinte të rrëfente, andaj ia doli mbanë që të harrohej krimi që bëri, ndërkohë që i dyti ishte fukara, analfabet dhe, me sa duket, Zoti e krijoi vetëm për të ngrënë një plumb në ballë e për t’u bërë pluhur, njeri anonim, që s’pati kohë as për të marrë një emër. Po ta them shkoqur: i vdekuri i dytë, ai që u vra, është im vëlla”.
E vërteta e vrasjes së arabit tregohet nga vëllai i tij i mbetur gjallë, Haruni dhe në këtë aspekt Mërso, rihetim është një histori e ritreguar përmes korrigjimeve saktësimeve dhe rivlerësimeve. Ky roman ka saktësisht të njëjtin numër shenjash sa I huaji. Ai përkon me tekstin e Kamysë nga citimet, vendosjet në thonjëza në tekst dhe nga rimarrja e elementëve të origjinalit të dhëna me racionalitet, vërtetësi dhe me humor. I vetmi ndryshim mes tij dhe nobelistit konsiston tek ndjesitë njerëzore. Kamy përdor stil neutral, shkallën e shkrimit zero; është i ftohtë, indiferent dhe i zhveshur nga emocionet, ndërsa stili i Daoud gërsheton problemin me ndjenjën, përvojën me lirizmin, historinë me komizmin, pra stili i tij dëshmon pasion, ndjeshmëri e zemërim të justifikuar.
Romani fillon me zemërimin e Harunit kundër Mërsosë po duket se nuk është ky qëllimi kryesor i romancierit. Kamel Daoud synon tjetër gjë. Ai kujdeset që përmes kësaj porte intriguese të hyjë në thelbin e çështjes: të rrëfejë fatin personal të Harunit dhe atë të mamasë së tij në statusin e të të mbijetuarve të krimit për të dhënë mesazhin kryesor; një vrasje nuk është thjesht një krim i mbyllur dhe i përfunduar. Një vrasje mund të ndryshojë jo vetëm fatin e dy apo tri njerëzve të veçuar por, me gjasë, rrjedhën e gjithë shoqërisë njerëzore.
Mërso, rihetim, edhe pse është romani i parë i autorit Kamel Daoud i ka dhënë atij famë të menjëhershme letrare, gati të njëjtin popullaritet që I huaji i dha Kamysë, pothuaj 70 vjet më parë. Duket se kjo rimarrje është një profeci e përmbushur në çdo aspekt. Mërso, rihetim, brenda dy-tre vjetëve ka marrë vlerësime maksimale nga opinioni letrar europian, kritika e specializuar dhe publicistika letrare e kulturore. Më i larti vlerësim i deritanishëm për të është Çmimi Gonkur, 2015. 
Duket se përkthyesi Nonda Varfi ka pasur të gjitha arsyet e mundshme kur ka vendosur të sjellë në gjuhën shqipe këtë roman që shkëlqen nga inteligjenca e shkrimit, teknikat e rrëfimit, kërkimet jetësore dhe mesazhet filozofike e universale. Në rastin e variantit shqip të Mërso, rihetim, janë shkrirë në një nyje të vetme: mjeshtëria e (ri)krijimit letrar, madhështia e gjuhës shqipe dhe kultura e lartë e përkthimit. Rrallë ndodh një gjë e tillë dhe merita në këtë rast i takon prof. Varfit. Mërso, rihetim në shqip, është një tekst letrar monolog dhe monofon. Kjo linjë e njëtrajtshme rrëfimi paraqet, përpara çdo përkthyesi, një varg vështirësish e rreziqesh të cilat Nonda Varfi, falë përvojës dhe talentit tashmë të konfirmuara, i ka shmangur me sukses. Në saj të tij dhe të shtëpisë botuese Bota Shqiptare lexuesi shqiptar do të ketë në bibliotekën e tij një roman të madh, romanin Mërso, rihetim të shkrimtarit algjerian Kamel Daoud i cili e ringjall Albert Kamynë jo për të marrë sadopak nga shkëlqimi i tij por për të shprehur individualitetin dhe zërin e tij origjinal. 
Botime
Raïna raïkoum, (Opinioni im, opinioni juaj), Dar El Gharb, (përmbledhje kronikash të botuara në të Përditshmen e Oranit), Oran, 2002. 
Përralla e xhuxhit, Dar El Gharb, Oran, 2003.
O Faraon, Dar El Gharb, Oran 2005.
Arabi dhe vendi i madh i Ô-ve… (tregime), Barzakh, Algjer, 2008, çmimi Mohammed Dib.
Parathënia e negrit, Barzakh, Algjer, 2008, (përmbledhje tregimesh të botuara në Francë nga Sabine Wespieser me titullin Minotauri, 2011). 
Çmime :
Finalist i çmimit Goncourt 2014, vendi i dytë, me Mërso, rihetim, roman i frymëzuar nga i Huaji i Albert Kamys; Barzakh, 2013 dhe Actes Sud, 2014.
Çmimi François-Mauriac, 2014.
Çmimi i frankofonisë i pesë kontinenteve, 2014.
Çmimi Goncourt për romanin e parë, Mërso, rihetim, 2015.
(…) A besoj në Zot? Tani po më bën për të qeshur! Pas kaq orëve që kemi ndenjur bashkë… nuk e di përse dikush që më bën një pyetje për ekzistencën e Zotit, kthehet gjithnjë nga burri për të pritur përgjigjen. Bëja atij pyetjen, drejtpërdrejt! Shpesh kam vërtet përshtypjen se gjendem në atë minare dhe i dëgjoj, atje, tek duan të thyejnë portën që e kam mbyllur mirë, duke britur vdekje për vdekjen time. Ata janë atje, pikërisht pas dere, të tërbuar. E dëgjon portën që kërcet! Më thuaj, e dëgjon? Unë e dëgjoj. Ajo do të epet. Po unë? Po unë përse ulëras? Kjo është një pyetje që askush nuk e kupton : “Këtu nuk ka njeri! Nuk ka pasur kurrë njeri! Xhamia është bosh, minarja është bosh. Gjithçka është bosh!” Është e sigurt se do të ketë shumë spektatorë ditën e ekzekutimit tim dhe se ata do të më presin me klithma urrejtjeje. Heroi yt mbase kishte të drejtë që në fillim: nuk ka pasur kurrë asnjë të mbijetuar në këtë histori. Të gjithë kanë vdekur menjëherë, aty për aty.
(…) O Zot, sa të pëlqen të tallesh me krijesat e tua !…
Sigal