Prof. Dr. Pirro Miso: Niveli i ulët i shkrimeve të drejtuesit të QSA në media, lë shumë për të dëshiruar

629
Dy nga fushat më të rëndësishme albanologjike, siç është ajo e trashëgimisë muzikore shqiptare që studiohet përmes etnomuzikologjisë dhe etnoorganologjisë u themeluan dhe u konsoliduan për më shumë se 100 vjet duke u bërë të njohura edhe në opinionet shkencore më të përparuara ndërkombëtare. Këto fusha arritën një rekord planetarë në degjenerimin e tyre në një periudhë relativisht të shkurtër
Kohët e fundit shohim një sërë shkrimesh që argumentojnë degjenerimin e fushave studimore të etnomuzikologjisë duke vënë theksin në ngjarjen më kulmore të trashëgimisë muzikore shqiptare me shkrime mjaft kritike. Përse ky aktivizim pikërisht tani?
Dy nga fushat më të rëndësishme albanologjike, siç është ajo e trashëgimisë muzikore shqiptare që studiohet përmes etnomuzikologjisë dhe etnoorganologjisë u themeluan dhe u konsoliduan për më shumë se 100 vjet duke u bërë të njohura edhe në opinionet shkencore më të përparuara ndërkombëtare. Këto fusha arritën një rekord planetarë në degjenerimin e tyre në një periudhë relativisht të shkurtër. Ky regres i dedikohet, për fat të keq, pikërisht institucioneve përgjegjëse albanologjike, pa përjashtuar në këtë kontekst edhe rolin që ka luajtur e po luan Akademia e Shkencave. Prej kohësh, këto institucione përjashtuan qëllimisht specialistët e albanologjisë, veçanërisht ata të trashëgimisë shpirtërore e materiale të fushave të etnomuzikologjisë. Për gati një dekadë e gjysmë strukturat e tyre u uzurpuan nga injorantët e sektorit të etnografisë dhe letërsisë gojore e aktualisht edhe nga drejtuesit e pa aftë të qendrës të cilët luajtën e po luajnë rolin e një sehirxhiu të rëndomtë në degjenerimin, mes të tjerash edhe të dy fushave përkatëse studimore të sipërpërmendura. Historikisht, shthurja e një baze të suksesshme që u krijua me mund në shumë dekada nga themeluesit si dhe nga kontribuuesit shkencorë të etnomuzikologjisë dhe etnoorganologjisë, u rrënua plotësisht në dekadën e fundit. Ky veprim i dënueshëm nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër, duke përfshirë në këtë kontekst edhe ato nga më të prapambeturat. 
Përse deri tani institucionet përgjegjëse, të prekura në këto shkrime, nuk po japin qoftë edhe një përgjigje të vetme rreth kritikave mjaft të ashpra që ju u a drejtoni atyre?
Është e vërtetë. Deri tani nuk është parë as edhe një shkrim i vetëm, qoftë nga Ministria e Kulturës, duke përfshirë edhe seksionin e kësaj ministrie atë të QKVK, nga QSA por edhe nga IAKSA. Kjo tregon qartë paaftësinë e pamundësinë e këtyre institucioneve për t’i u përgjigjur kritikave të kësaj shthurjeje ekstreme, si nga institucionet drejtuese kulturore ashtu edhe nga ato studimore.
Së pari, përsa kam shkruar, përgjigjet u takojnë këtyre institucioneve të cilat mendoj se unë i përmend qartë. Mund tu drejtoheni këtyre institucione e t’i përgjigjen vetë këtyre pyetjeve se pse heshtin e pse janë strukur. Unë nuk përtoj të japë gjykimin tim edhe rreth kësaj situate duke gjykuar se, mbi të gjitha, heshtja ka të bëjë me peshën specifike të “personaliteteve” shkencore që unë përmend përmes argumentimeve në shkrimet e mia. Niveli i ulët p.sh. i shkrimeve të drejtuesit të QSA në media, lënë shumë për të dëshiruar. Çdo perifrazë e tij tregon qartazi se edhe pas shumë vitesh në drejtimin e kësaj qendre ky drejtues ende nuk është familjarizuar me problemet e specifikat albanologjisë e si i tillë nuk mund të jetë në gjendje të japë qofte edhe një përgjigje të thjeshtë për sa është shkruar rreth situatës në QSA e veçanërisht edhe personalitetit të tij. Po kjo gjendje ekziston edhe më e theksuar në IAKSA, ku në këto artikuj, u shkrua bollshëm për bëmat degjeneruese të tre profesorëve në fushën e trashëgimisë muzikore. Në këtë kontekst nuk do përjashtoja edhe autoritetin e Akademisë së Shkencave për qëndrimet regresive që ka mbajtur e po mban në trajtimin e problemeve madhore të trashëgimisë kulturore si dhe për bërrylat e hapur me qëllim ruajtjen e strukturave të tyre të fosilizuara e të pa plotësuara me fushat përkatëse albanologjike. Për të gjithë të përmendurit heshtja është më e favorshme. Së dyti, mendoj se, shkrimet e deritanishme nuk janë hartuar mbi baza emocionale, por në fakte, të cilat mendoj se kanë qenë e janë të pa kundërshtueshme. Një përgjigje, nga cilido, individ apo institucion, kam bindjen se do t’i hapte mjaft probleme të tjera, një çjerrje e mëtejshme e maskave duke i vënë në një pozicion edhe më të vështirë të gjithë protagonistët e përmendur në artikujt e shkruar pasi, jo të gjitha veprimet e tyre regresive janë thënë, si për institucionet përkatëse ashtu edhe për individët e caktuar. Mbase mendojnë se këto kritika, mund të harrohen e më vonë do jenë të qetë. Por, mendoj se kjo nuk besoj se ka për të ndodhur. Sa do të pa vëmendshëm të jenë autoritetet qeveritare, situatat janë mjaft alarmante. Ajo që duhet të ndodhë, është zëvendësimi i kësaj plejade drejtuesish e studiuesish përmes një reforme strukturore, e bazuar mbi meritat e drejtuesve të rinj, për të rikthyer normalitetin në tërësinë e instituteve specifike albanologjike. Përsa i përket kontributit tim personal, mendoj se do jem edhe në të ardhmen po aq i vendosur, të jap gjithë kontributin personal, me gjithë energjitë e mia në përmirësimin e kësaj gjendjeje kaotike të krijuar nga kjo plejadë drejtuesish të pa përgjegjshëm që kanë uzurpuar institucionet albanologjike të trashëgimisë kulturore. 
Përse kritikat më të shumta ju i drejtoni pikërisht rezultateve negative të FFK të Gj-ës që tashmë konsiderohet si një ngjarje e kaluar? 
Edhe pse ngjarja më kulmore e traditës muzikore ka më shumë se pesë muaj që ka përfunduar, rezultatet e shthurjes organizative të kësaj ngjarjeje po shikohen vazhdimisht në ekranet e televizioneve shqiptare, madje rëndom edhe në transmetimet jashtë territoreve të vendit. Duke mos ripërmendur dukuritë degjeneruese si dhe paaftësisë për t’i filtruar këto dukuri në proceset përgatitore nga injorantët e vendosur në formacionet e parakontrollit, ishin parashikuar një sërë aktivitetesh të rëndësishme shkencore. As njëra prej tyre nuk u realizua. Kjo tregon qartë shkallën e lartë të degjenerimit të institucionit të QSA-së si dhe atij të IAKSA që duhet të përgjigjeshin drejt për drejtë për këto aktivitete. Si rrjedhojë e këtij degjenerimi, ajo që shihet qartë çdo ditë, lidhet me devijimet e skajshme të traditave muzikore të grupeve folklorike. Shohim integrime të elementeve eklektikë që po ndotin pikërisht elementët më themelorë të traditës. Po shthuren pikërisht dukuritë që kanë pasqyruar e që normalisht duhet të pasqyrojnë tiparet më përfaqësuese kombëtare të kësaj trashëgimie shumëshekullore shqiptare. Folklori ka karakter oral. Kjo do të thotë për bartësit e rinj, të trashëgohet ajo që është parë e që shihet nga bartësit e mëhershëm. Pikërisht këto dukuri folklorike që paraqiten në ekranet televizive, do përhapen e merren si modele nga brezat e mëvonshëm. Këto dukuri po përligjin këtë degjenerim, madje edhe duke e konsoliduar e përjetësuar atë. Këto ngjarje flasin pikërisht për shkallën e ulët profesionale të organizimeve rajonale të grupeve folklorike të përvitshme që kulmuan më tej në FFK të Gjirokastrës. Këto rezultate fatkeqësisht i dedikohen institucioneve organizative ashtu edhe atyre studimore të traditës të cilët paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, jo për t’i rrënuar, por, për t’i ruajtur e zhvilluar më tej. Kritikat mendoj, në një situatë të tillë, duhet luajnë një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e autoriteteve qeveritare në qofte se ato vlerësohen seriozisht. 
Në kontekstin e degjenerimit të fushave studimore albanologjike, deri tani, nuk jeni ndalur në rolin e funksionin e Akademisë së Shkencave, autoriteti kryesorë që mbulon fushat studimore albanologjike?
Në këtë kontekst, nuk do të doja të ndalesha në shkallën e ulët të studimeve albanologjike edhe në strukturat e larta të Akademisë së Shkencave. Gjithashtu nuk po ndalem edhe në sistemin e lartë të kualifikimit që u krijua si në universitetet private ashtu edhe në institucionet albanologjike ku edhe mospërfshirja e Akademisë së Shkencave në në kurimin e këtij degjenerimi ka qenë mjaft e ndjeshme madje, në disa raste specifike, pjesëmarrëse e drejt për drejt e kualifikimeve shkencore, jashtë normave shkencore më elementare të fushave specifike albanologjike të udhëhequr edhe nga pjesëtarë të kësaj akademie, e për këtë dukuri mendoj të ketë edhe rubrika të tjera që i faktojnë këto ngjarje regresive e korruptive. 
Le të ndalemi konkretisht, p.sh. në aktivitetet shkencore e artistike që i përkasin fushave specifike albanologjike të trashëgimisë muzikore. Cili ka qenë roli dhe funksioni i kësaj akademie? 
Pikërisht në nenin 2. në statutin e M. së Kulturës rreth FFK të Gjirokastrës thuhet se: “FFK i Gj-ës organizohet në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, …..”. Vetëkuptohet në këtë rast se, autoriteti i Akademisë së Shkencave kishte për detyrë të luante një rol themelor në mbikëqyrjen tërësore të këtij eventi, të ngrinte alarmin kur, përpara zhvillimit të këtij aktiviteti, u konstatua se QSA e veçanërisht IAKSA eliminoi tërësisht këtë radhë, aktivitetet shkencore në këtë ngjarje madhore të trashëgimisë muzikore; I takonte autoritetit të Akademisë së Shkencave që me autoritetin e duhur të ndikonte në mënyrën e konceptimit shkencorë në një prej fushave të rëndësishme albanologjike të traditës kulturore muzikore; I takonte përsëri kësaj akademie, të ndërhynte kur ajo konstatoi dukuri që cenonin rëndom devijimet shkencore të elementeve të këtij eventi e të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e performancës së kësaj ngjarjeje madhore të traditës muzikore mijëravjeçare; Kur kjo akademi, në dritë të diellit, konstatoi se këtë festival kombëtar po e organizonin përsëri injorantët dhe spekulatorët e muzikës të instituteve shkencore albanologjike (IAKSA), në kuadrin e të cilit munguan tërësisht kuadrot e specializuar e të profilizuar në disiplinat përkatëse, heshti plotësisht; Kur edhe ato pak nene pozitive të statutit të FFK të GJ-ës që lidheshin me aktivitetet shkencore në profilin e muzikës tradicionale u shkelën me të dyja këmbët, përsëri mendoj se ky institucion i lartë, veç të tjerash, i ngarkuar edhe në nenin e cituar të statutit të Ministrisë së Kulturës, përsëri edhe këtë radhë qëndroi në rolin e një të pa dituri apo të një vëzhguesi të përgjumur. Edhe në raste të tjera, ky institucion, më i larti albanologjik, duhet të ndiqte e të vendoste autoritetin e tij, qoftë edhe statutorë për format degjeneruese të këtij organizimi në këtë disiplinë studimore akademike të rëndësishme albanologjike por, asnjëherë nuk e ka bërë. Edhe këtë radhë nuk e bëri. Kjo akademi, prej kohësh, nuk ka vepruar as edhe me një nga instrumentet e saj shkencorë e ligjorë në eliminimin e dukurive që janë shfaqur si sëmundjet e pa shërueshme në dy apo tre festivalet e fundit por edhe në degjenerimin e vazhdueshëm të institucioneve albanologjike që mbulojnë fushat studimore të traditave kulturore muzikore në 15 vjeçarin e fundit. 
Si është e mundur të ndodhë kjo gjendje kur, në gjirin e saj, akademia ka edhe një specialist, etnomuzikologë madje, kur ky akademik mbulon tërësinë e fushave albanologjike në funksionin e sekretarit shkencorë?
Është e vërtetë që sekretari aktual i Akademisë së Shkencave, si autoritet, mbulon drejtpërdrejt disa prej fushave që i përkasin trashëgimisë muzikore. Kur në fushat e profilit të këtij akademiku po ndodhë e ndodhin shthurje madhore, a mund të mendohet se si ky akademik, në rolin e sekretarit të saj, të mund të mbulojë tërësisht edhe fushat e tjera albanologjike që janë jashtë profilit të tij? Konformimi i këtij akademiku me këtë gjendje alarmante është tërësisht i pa pranueshëm, madje i dënueshëm për qëndrimet e tija miopike e indiferente.
Atëherë, si mund të shpjegohen që këto ngjarje të njëpasnjëshme të ndodhin në institucionin më të lartë të albanologjisë?
Ose “specialisti” i fushës së kësaj akademie nuk po kupton asgjë se ç’po ndodh, nga mosnjohja e treguar edhe në raste të tjera të trajtimeve profesionale në fushën e etnomuzikologjisë; Ose, kemi të drejtë të mendojmë se, kjo heshtje ndaj këtyre veprimeve abuzuese të institucioneve përgjegjëse, konformohet nga ky akademik, për interesa të veçanta klienteliste; Ose, të dyja së bashku. 
Nuk është rasti të zgjatemi në gabimet jo të pakta, apo në injorimin jo të vogël të kësaj akademie të “reformuar” ndaj përjashtimit të dy disiplinave shkencore albanologjike, të etnomuzikologjisë dhe etnoorganologjisë, të themeluara e konsoliduara që prej dy shekujsh si disiplina të pa varura akademike, rrjedhojë e mënyrës së ristrukturimit të saj në periudhën e reformimit në vitin 2005. 
Duke mos i u larguar argumentit themelorë. Amullia ekstreme që po i ndodh muzikës tradicionale si dhe dy fushave shkencore albanologjike, ndodh pikërisht për faktin e mungesës së plotë të autoritetit të Akademisë së Shkencave, e mungesës të specialistëve të mirëfilltë e të profilizuar me albanologë të shquar që kanë dhënë prova me botimet e tyre por fatkeqësisht, të pa përfillur e të lënë jashtë strukturave të kësaj akademie. 
E kemi dëgjuar akademikun Vaso Tole në disa ndërhyrje e diskutime para FFK të Gj-ës. A mund të informohemi më konkretisht se si ju i gjykoni këto ndërhyrje të Akademikut në fjalë? 
Vetëm tre nga problemet e shumta i tërhoqën vëmendjen sekretarit të akademisë para organizimit të këtij eventi: 
Së pari, me një miopi të theksuar, ky sekretar shkencor krijoi përshtypjen sikur në këtë sipërmarrje, të gllabëruar nga injorantët e muzikës, çdo gjë po ecte normalisht. Vëmendjen e tij ky akademik e fokusoi vetëm në frekuencën e zhvillimit të këtij festivali kombëtarë duke thënë: “ FFK i Gj-ës duhet të ishte më i shpeshtë, vetëm njëherë në tre vjet….”: (shih Shqiptarja.com, 04 – 02 – 2015) dhe se për këtë çështje akademiku tha se: “qenkan zhvilluar edhe anketime të posaçme” (emisioni telev. i Xhaxhiut, dt. 6 maj, 2015). Para së gjithash mendoj të bëhet e qartë se, periudhat kohore të zhvillimeve të festivaleve kombëtare nuk janë, e kurrsesi nuk mund të jenë çështje kërkesash e dëshirash emocionale të të anketuarve apo të amatorëve të muzikës tradicionale por, të ekspertëve të mirëfilltë të fushës, çështje të cilat rimerren e përcaktohen shkencërisht nga qëllime e synime të mirpërcaktuara profesionale me karakter zhvillimi. Janë pikërisht festivalet rajonale të përvitshme ato që duhet të ndiqen rigorozisht nga specialistët e fushës të cilët projektojnë profesionalisht elementet më tregues të traditave të cilat stimulohen e kontrollohen në mënyrë periodike deri në epilogun e tyre që finalizohen ose kulmohen në festivalin kombëtar siç është psh., në rastin konkret, një herë në katër ose pesë vjet ai i FFK i Gj-ës. Pikërisht për këtë mendoj se akademiku në fjalë duhet të ishte më i preokupuar se përse këto festivale rajonale nuk kanë qenë në nivelet e kërkuara profesionale dhe cilat kanë qenë arsyet që ato, në një dekadë e gjysmë, nuk kanë akumuluar asgjë. Së dyti, në artikullin e dytë, dy muaj më vonë, vëmendjen e tij ky akademik e fokuson vetëm në mënjanimin e disa bartësve popullorë nga komisionet përzgjedhëse, ku edhe në këtë konstatim nuk ishte tërësisht i saktë, i pa informuar aq sa duhet duke përmendur vetëm disa prej emrave të cilët nuk janë përjashtuar e të tjerë, më kryesorët, unikalët e kësaj tradite u përjashtuan nga grupi i injorantëve të kontrollit (shih interv. e Fatmira Nikolli-t, art. 17 – 04 – 2015). 
Së treti, gjykimi i akademikut se : “platforma shkencore na paska vetëm disa rreshta që duhen korrigjuar” në një platformë, të ashtuquajtur “kritere shkencore”, e hartuar vetëm në tre faqe, e ripërsëritur për të disadën herë e që nuk gjen qoftë edhe një rresht të vetëm me karakter e synime etnomuzikologjike që të jetë e vlefshme për t’u zbatuar, tregon miopinë e theksuar si dhe përgjumjen e këtij akademiku të cilit i janë vënë në dispozicion të gjitha instrumentet autoritative shtetërorë e ligjorë, për të ndërhyrë e rregulluar këtë gjendje amullie. Në mënyrën më urgjente ky akademik, me autoritetin shkencorë e autoritativ duhet të orientonte paraprakisht, apo të ngarkonte me përgjegjësi të drejtpërdrejtë Institucionet përkatëse studimore e organizative të IAKSA, pranë QSA, Ministrinë e Kulturës por edhe vetë Akademinë e Shkencave, e t’i thoshte: NDAL !!!, në qoftë se do ishte i ndërgjegjshëm për atë se çfarë po ndodhte. Përndryshe, Akademia e Shkencave, në gjykimin e tij, si specialist e si sekretar shkencorë që përfaqësonte institucionin e pavarur, zyrtarisht duhej të jepte dorëheqjen nga ky organizim për mos konfirmimin me këto nivele. 
Pa dyshim që edhe kjo sjellje kënetore, përveç këndvështrimeve, të përmendura më lart të këtij akademiku, bëhet edhe për protagonizëm, me qëllimin e vetëm për të mbajtur raporte konformiste e përfituese klienteliste më të shpeshta, si nga institucionet qendrore që administruan këtë event, nga ato studimore ashtu edhe nga vetë kjo akademi, pa përfillur plagosjen e rëndë, thikën që i është ngulur etnomuzikologjisë edhe nga ky akademik, në organin më jetësor kësaj tradite kulturore mijëravjeçare. 
Vetëm këto janë tre ndërhyrjet që u bënë nga akademiku në fjalë para organizimit të ngjarjes më të madhe të trashëgimisë muzikore.
Hedhja, prapa shpinës këtë katrahurë organizimi të mbrapshtë me një qëndrim tërësisht indiferent, e thelloi më tej rrokullisjen e traditës mijëravjeçare të muzikës tradicionale shqiptare në greminë në mjaft drejtime, jo vetëm nga injorantët e instituteve studimore por edhe nga vetë kjo akademi.
Sigal