Prof. Dr. Pirro Miso/ Isopolifonia, isomania apo isoakademia?

128
Duke qenë të pa suksesshëm në përpjekjet për të kundërshtuar termin “isopolifoni” nga Departamenti i Etnomuzikologjidë pranë IK Popullore, por edhe përmes argumentimeve personale, në cilësinë e sekretarit shkencorë të Redaksisë Kultura Popullore në procesin e përgatitjes të Fjalorit Enciklopedik, botim i ri, 2008, pas një dekade kundërshtish e diskutimesh të zjarrta në mjediset intelektuale, i rikthehem përsëri çështjes së mundësisë së rivendosjes të termit që lidhet me shumëzërëshin polifonik, në standardet shkencore, të formësuara gjysmë shekulli më parë mbi baza analitike e shkencore.
Jemi lodhur së tepërmi duke dëgjuar, për gati një dekadë, termin “isopolifoni”. Një term pa sendërtimin e duhur, i shpjeguar në mënyrën më qesharake, që teprohet duke u përsëritur me ankth në trajtën e një huqi të tepruar e që ka lënduar e po lëndon, jo vetëm specialistët e fushave disiplinare, standardet e gjuhës por veçanërisht të gjithë bartësit e trashëgimisë të këtij zhanri. Përsëritja ekstreme, në mënyrë hemoragjike, vetëm për të kundërshtuar një ndër sendërtimet më profesionale e dinjitoze linguistike në fushën e etnomuzikologjise dhe etnoorganologjisë, në më shumë se gjysmë shekulli më parë nga Prof. Ramadan Sokoli, nuk tregon gjë tjetër veçse moskorrektesën shkencore si dhe një ves të tepruar që akademiku Tole e përsërit rëndom në botimet e tija.
Gjatë kësaj dekade janë shkruar një varg artikujsh studimorë, broshurash, promemoriesh, reagime zemërake nga një mori shoqatash të polifonisë shqiptare, nga bartës të shquar të polifonisë, drejtuar institucioneve shtetërore kulturore e albanologjike, madje edhe kryeministrit, për të kundërshtuar termin “isopolifoni”. Janë shkruar edhe artikuj analitikë e studimorë rreth këtij emërtimi pa përmbajtje kuptimore e të pa pranueshëm, nga profesorë e botues të shquar të folklorit e veçanërisht studiues të mirëfilltë të polifonisë shqiptare, në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj si: S. Shupo, Shqipëri, K. Loli, Greqi, A. Daja, Austri, B. Kondi, Gjermani, E. Koco, Angli, S. Shetuni, Amerikë, etj. Për hir të së vërtetës, lufta e ashpër mes manisë së akademikut për të kundërshtuar termin shkencor të sendërtuar profesionalisht, vetëm për t’u dukur dhe nga ana tjetër, kjo luftë e studiuesve të mirëfilltë të polifonisë shqiptare të lartpërmendur, e të tjerëve, për të rikthyer termin shkencor në standardet e gjuhës, fatkeqësisht deri tani, ka përfunduar me fitoren e të parit.
Që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, sendërtuesi i termit, Prof. Ramadan Sokoli, gjykoi në mënyrën më analitike, të gjithë kuadrin strukturor të zhanreve muzikore shqiptare, veçanërisht, një ndër zhanret muzikore vokale e instrumentale shumëzërëshe, me shoqërim dhe pa shoqërim, më të përhapurat e më të dashurat e një mase të konsiderueshme të hapësirave shqiptare duke e emërtuar, Polifonia Jonë Popullore. Togfjalëshi, i mirëmenduar e i strukturuar përfshin tre këndvështrime themelore përcaktuese:
Së pari, polifoninë, si strukturë me dy e më shumë zëra të individualizuara mes tyre. 
Së dyti, me fjalën Jonë, nënkuptoi polifoninë shqiptare e jo një polifoni të një vëndi tjetër, e, 
së treti, me fjalën Popullore, autori përfshiu konceptin e kohës dhe të hapësirës së shtrirjes së këtij zhanri. 
Themeluesi, në shpjegimet e demonstrimet, me shembuj të notizuar, përcaktoi për çdo strukturë, edhe hapësirat përkatëse shqiptare. Përfshiu gjithashtu edhe muzikën shumëzërëshe instrumentale, madje edhe vokale instrumentale duke e përcaktuar si: “polifoni vokale të përcjellun me vegla”. Ky term shkencorë, i thënë shkurt e qartë, nënkuptonte polifoninë e shoqëruar me instrumente tradicionalë e botuar në: “Folklori Muzikor Shqiptar, Morfologjia, fq.127~138, Tiranë, që në vitin 1965”. Edhe për këtë term, akademiku u përpoq e po përpiqet me vendosmëri ta quajë: “isopolifoni e veglave muzikore”. Kjo mospërfillje e akademikut, është mospërfillje, moscitim i arritjeve, një tjetër tregues i nivelit shkencor të “studimeve “ që ai boton. 
Duhet të rikujtojmë se bartësit popullorë përdorin edhe sot për këtë zhanër një mori termash si: “labçe”, “vënçe”, “myzeqarçe”, “kolonjarçe”, “gjirokastriçe”, “himarjoçe”, “vlonjaçe”, madje edhe përcaktime të tjera metaforike si : “këngë kokë më kokë”; “fosforina shqiptare”, etj., etj.. Përse profesori themelues e mënjanoi terminologjinë popullore? A nuk ishte ky leksik i bartësve popullorë i trashëguar, i saktë për të përcaktuar me emërtimet e duhura strukturat e zhanreve: një dhe shumëzërëshe, vokale, instrumentale, instrumentale – vokale, të repertorit të muzikës tradicionale popullore? Përgjigjen e kësaj pyetje mund ta gjejmë në marrëdhënien e ngushtë që kanë dy disiplinat shkencore mes linguistikës dhe etnomuzikologjisë, të gjykuara në dy këndvështrime:
Së pari, terminilogjia popullore, rreth një apo shumëzërëshit, bazohet në një polisemi, pra në shumëkuptimësinë e fjalëve të mësipërme. Me terminologjinë popullore nënkuptohen të gjitha strukturat e hierarkisë së zhanreve të muzikës popullore e si të tilla kjo terminologji nuk mund të përdoret në studimet shkencore pasi nuk përmban elementin përcaktues e individualizues. P.sh., një këngë labçe, apo vënçe, myzeqarçe, kolonjarçe etj., etj., mund të jetë njëzërëshe por edhe dy zërëshe, mund të jetë tre ose katër zërëshe të cilët këndojnë në mënyrë të barabartë (të gjithë një melodi), por mund të këndojnë edhe me individualitete ndaj njëri tjetrit (me zëra kontrastues), e kështu me radhë mund të përmenden edhe specifika të tjera individualizuese të zhanreve të shumta muzikore që përfshihen në shumëzërëshin. Pra ky varg i gjatë termash tradicionalë i bartësve popullorë, asnjëri prej tyre, nuk individualizon saktësisht strukturat e një apo shumëzërëshit e t’i përcaktojë me termat përkatëse. 
Së dyti, për të mënjanuar pikërisht këtë polisemi, e cila nuk i individualizon strukturat e muzikës tradicionale, del e domosdoshme ndërhyrja e terminologjisë shkencore bazuar mbi normat e një prej fushave të linguistikës, siç është ajo e terminologjisë, e cila, në mardhënie të ndërsjellët, në rastin konkret, mes linguistikës dhe etnomuzikologjisë, të përcaktohet shkencërisht termi i duhur, nisur nga strukturat dhe funksionin e zërit apo zërave, duke shmangur në këtë rrugë poliseminë që në terren, tek bartësit popullorë, shpesh herë është edhe kakofonike. Kështu që terminologjia shkencore bazohet në rezultatet dhe terminologjinë botërore. Pikërisht kjo terminologji përcakton hierarkinë strukturore të zhanreve muzikore mes një metodologjie shkencore që në mijëravjeçarët e hershëm duke treguar rrugët se si mundet të individualizohen, në mënyrë të pa cenueshme, strukturat muzikore një ose shumë zërëshe, vokale apo instrumentale dhe vokale me shoqërim instrumental, nisur nga përmbajtja funksionale e tyre, me terma të tillë si: monofonia ose monodia, homofonia, heterofonia, antifonia, dhe në fund diafonia dhe polifonia. Kjo terminologji përcaktuese e një dhe shumëzërëshit vokal e instrumental, nuk cenon aspak identitetin e specifikat tradicionale të hapësirave të ndryshme gjeografike botërore e veçanërisht ato të trashëgimisë sonë muzikore të cilat janë të dallueshme për çdo hapësirë gjeografike. Pikërisht, këtë bëri themeluesi i Polifonisë tonë Popullore. 
Por, si e justifikon akademiku Vasil S. Tole ndryshimin e termit shkencorë në “isopolifoni”, që sipas tij, nënkupton shumëzërëshin polifonik me zëra kontrastues e të individualizuar? 
Së pari, edhe pse ky term është i pa gjetshëm në literaturën botërore, i pagjetshëm edhe në literaturën e botuar rreth origjinës së polifonisë të shpjeguar nga akademiku. Autori i termit hedhë shashka të tilla se UNESKU nuk e pranoi termin Polifonia Jone Popullore, pasi dëshironte një term që të përfaqësonte më denjesisht polifoninë shqiptare dhe për këtë, akademiku na qenkërka menduar shumë për të sajuar termin “isopolifoni”, që sipas tij, ky term e justifikokërka më mirë origjinalitetin e autoktoninë e polifonisë shqiptare. 
Së dyti, akademiku, në literaturën e tij të botuar, trajton vetëm termin “iso”. Për termin “isopolifoni” nuk jep asnjë shpjegim. Termin “iso” mund ta gjesh vetëm duke naviguar në website, të titulluar nwsleter, përmes një përshkrimi të tillë të rëndomtë: 
“9.2. Përshkrimi i shprehjes kulturore :Termi “iso” i referohet tingullit që shoqëron të kënduarin polifonik. Tingulli realizohet në dy mënyra: tek Toskët ai është i pandërprerë dhe këndohet gjithmonë me zanoren ‘e’, duke nxjerrë frymën në mënyrë jo të njëtrajtshme, ndërsa tek Lebërit, tingulli ndonjëherë këndohet si ton ritmik, i përfshirë në tekstin e këngës”. 
Të trondit fakti se si një profesor, madje akademik edhe mbas vërejtjeve të shumta që i janë bërë, vite me radhë nga kritika shkencore, në përdorimin amatoresk e të gabuar të strukturave në mjaft botime të hartuara nga ai vetë, në shpjegimin e një dhe shumëzërëshit, të cilat mësohen që në ciklin e mesëm të shkollave muzikore, i përsërit rëndom këto gabime edhe në botimet aktuale, madje edhe në botimet e fundit akademike. Me sa duket: 1. Akademiku ose nuk i kupton hierarkitë strukturore të një apo shumëzërëshit, 2. Ose tregon arrogancën e tij duke menduar se të tjerët nuk kanë se ç’ti bëjnë broçkullave që shkruan, 3. Ose tregon maninë, që sipas FGJ Shqipe, ky term përfshin: “gjendjen psikike të sëmurë të një njeriu, të cilit i ngulet mëndja te diçka pa ndonjë arsye”. Ajo që po ndodh me të deri tani, nga stoicizmi i tij, të treja mund të qëndrojnë. 
Në median e shkruar ka edhe shkrime që, duke menduar se e favorizojnë akademikun, i dalin për krah, paraqesin gjykime e përfundime nga më qesharaket. Këta autorë, që me sa kam parë, janë vetëm dy. I pari, i afërt i familjes, i dyti, përvetësues abuziv i një shkalle kualifikuese në rangun e doktoraturës në fushën e etnomuzikologjisë, i udhëhequr nga akademiku në fjalë, pa çka se profili i tij, para kualifikimit, ishte gjeolog e nuk njihte as pentagramin se sa viza e fusha ka. Po ndalemi vetëm tek i pari pasi me të dytin, gjeolog, nuk i a vlen të merresh. I pari (A. Cipa,1 gusht 2014) mendon se termi “isopolifoni” tashmë është zyrtarizuar dhe se përpjekjet për të rivendosur termin shkencor i krahason si “kofini pas të vjeli” dhe vazhdon të shkruaj se: “Asnjë prej vendeve kandidate dhe pretenduese për të certifikuar pasuritë e tyre prej UNESCO-s, nuk ka pasur dhe nuk ka çelur debate të tilla emërtuese për kryeveprat e tyre”. Kjo që përmend shkruesi Cipa është e vërtetë por, përse autori del nga konteksti e nuk përmend faktin se operën e Pekinit, autorët kinezë të përgatitjes së dosjes, nuk e quajtën “Pekinopera” por “Opera e Pekinit”? Edhe për makamet e Irakut, përse studiuesit irakianë nuk i quajtën “Makamirak” por Makamet e Irakut? 
Edhe pse i pari mund të jetë i profilit të linguistikës, duhet të mësojë se, pikërisht, termi “isopolifonia”, është si “kofini pas të vjeli” (viti 2005) e jo termi i konsoliduar për më shumë se gjysmë shekulli nga një prej autoriteteve më të njohura të fushës së etnomuzikologjisë shqiptare. Madje, autori i këtij artikulli duhet të mësojë se terminologjia nuk është e nuk mund të jetë çështje administrative që të zhgarravitet si e tillë nga cilido, qoftë edhe akademik por, vetëm e vetëm ajo mund të zyrtarizohet nga institucionet shkencore e veçanërisht nga specialistët e fushës së albanologjisë, nga ata të sendërtimeve shkencore terminologjike. Po këtë do të thoshja edhe për FESH, botim i ri, 2008. Që në faqet e para, kjo enciklopedi përcakton kriterin shkencor mbi bazën e të cilit është hartuar. Aty thuhet : “Dy kanë qenë kriteret udhëheqëse në hartimin e kësaj vepre: kriteri kombëtar dhe kriteri i objektivitetit shkencor e i vërtetësisë shkencore”. Nga ana tjetër, termi “isopolifoni” u vendos me arrogancë, nga redaksia e këtij botimi madhor, në kundërshtim me vendimin e argumentimin shkencor të redaksisë përkatëse e veçanërisht nga shkruesi i këtij artikulli.
Në këtë këndvështrim edhe Akademia e Shkencave, në mjaft raste po i mban “ison”, në kuptimin e konformizmit formal, të pa argumentuar, dëmsjellës për standardet e gjuhës, duke heshtur rreth kësaj çështjeje. Rëndom dëgjojmë nga goja e akademikëve të përmendin botime të Akademikut V.S. Tole si: “enciklopeditë” e pa fundme, origjinës së polifonisë apo broshurave, si ai i kohëve të fundit rreth këngëve partizane të cilat, për nga standardet se si janë hartuar, ngjajnë me ato të dikurshmet që botoheshin pranë “Shtëpisë së Krijimtarisë Popullore” në periudhën e diktaturës. Botimet e akademikut cilësohen nga kritika shkencore përgjithësisht pa standarde, shumë prej të cilave të botuara pa miratimin e redaksive e institucioneve shkencore duke mos përfshirë vetëm disa të fundit të cilat kanë gjetur strehën e duhur pranë kësaj akademie edhe pse janë paralajmëruar përmes recensioneve për standardet më të ulëta e të pa pranueshme. Ky konformizëm e hiperbolizim që i bëhet personalitetit të këtij akademiku nga akademikët profanë që marrin përsipër të mbrojnë këto botime në fushën e etnomuzikologjisë, akademikë që nuk kanë lexuar e nuk lexojnë kritikën e socialistëve të njohur nga autoritetet e njohura vendorë e ndërkombëtarë, apo “isoja” që i mbahet botimeve pa standarde të këtij akademiku nga kjo akademi, ka dëmtuar e po dëmton rendë jo vetëm autoritetin e saj, standardet e studimeve albanologjike por edhe vetë fushat albanologjike në tërësinë e tyre.