Prof.Dr. Klara Kodra/ Unë Gruaja

1118
Sigal

Mbi vëllimin poetik të Reshida Çobës 

Në ditët e sotme  përjetojmë  një krizë  të letërsisë  e cila  çuditërisht  shoqërohet  me një inflacion  librash. Ka shumë  shkrues dhe pak  shkrimtarë. Ka shumë  vargëzues dhe pak poetë.

Kritikës – e cila  është gjithashtu  në krizë  – i bie  detyra e vështirë të zbulojë  midis shumë guackave  boshe  guaskën që fsheh margaritarin.

Vëllimi i dalë kohët e fundit nga shtypi “Unë  gruaja R” e  poeteshës  Reshida Çoba  u takon  atyre perlave  të pakta të poezisë. Titulli  është si  një kredo poetike e autores që shpall identitetin e saj si grua dhe feminilitetin e saj.

Në rrafsh  ngushtësisht estetik, mendojmë se s’ka  poezi mashkullore  dhe poezi femërore, po ka vetëm  poezi. Megjithatë mund të thuhet se gruaja  ka një  botë më të pasur se burri  meqenëse zotëron  dy kontinente të paeksploruara nga  burri,  atë të dashurisë si e kupton një grua  dhe veçanërisht  atë të amësisë. Pra nuk  është fjala  për një  palitër poetike  më të varfër  në ngjyra siç  pretendojnë  disa poetë  burra maskilistë që do të donin  ta reduktonin  gamën e poezisë së saj, në dy  tema: dashurinë  dhe fëmijët.

Një poeteshë mund  dhe duhet të trajtojë në  krijimtarinë e saj të gjitha  temat, po ka  mundësi  t’i ngjyrosë me një ultra-ngjyrë të panjohur  për  burrat, një lloj  lirizmi më fin, më  spontan  që i ka  rrënjët në thellësi të së  pavetëdijshmes, të asaj  që Gëteja  e quante  “femërorja e përjetshme” që e  lartëson  gruan  në  mënyrë  të veçantë.

Ky është rasti i Reshidës që shpreh  në poezinë e vet  një ëmbëlsi  dhe finesë  të veçantë, një natyrshmëri dhe vetvetishmëri befasuese. Ajo trajton  në poezinë e saj  një problematikë  të gjerë edhe filozofike edhe ekzistenciale  edhe intime.

Në  vargjet  e saj plot  çiltërsi  dhe lirizëm, pa problematikë  dhe pa poza, s’ka  kufij  midis së ashtuquajturës “temë  të vogël” dhe “temës së madhe” se tema  “e vogël” ngrihet në lartësinë e temës  së madhe dhe tema “e madhe” liricizohet.

Një vend të veçantë  ka në  poezinë e Reshidës  figura e nënës së cilës  ajo i këndon në mënyrën e vet.

Në vjershën “Mërgimi” ndërthuret  tema  dramatike e mërgimit me temën  e mallit për  nënën  që shkrihet  në mallin për atdheun dhe mishërohet në një metaforë kuptimplote “Këtu  jetoj e ndarë me trupin  tim”. Sa e veçantë  është vjersha “Kafja  dhe nëna” ku një  send i vogël si kafeja  tingëllon  si leitmotiv, ky leitmotiv shndërrohet në simbol malli  dhe  poetja shprehet  me hiperbolën “Jam prapë duke  t’i dërguar avujt  e kafesë/ që  nga Los Angelos/ e deri  në Korçë”.

Sa koncize, e thellë  dhe origjinale është vjersha “Vdekja e nënës” : “Kur nëna vdiq/ mëngjesi i  nesërm/ më  dhuroi një  botë/ me  errësirë”.

Tema e përjetshme  e nënës në vëllim  personalizohet, zbulohet  në një mënyrë  të papërsëritshme.

Edhe dashurisë  Reshida  i kërkon  në mënyrën e vet  me guximin e  gruas  së emancipuar që do të  shprehë  lirisht  ndjenjat e saj siç  bën  konkretisht  në vjershën  “Mundi të tilla s’kam”.

Shumë  të veçanta  janë edhe  vjershat  “Gjiri i gruas” dhe “Dekolteja e buzës” ku vihen në qendër  disa pjesë  të trupit  femëror për t’i lartësuar në bukurinë e tyre më tepër  shpirtërore sesa  sensuale.

Metafora  “Dekolteja e buzës” është  sa origjinale  aq  edhe befasuese.

Me vështrimin e vet të veçantë Reshida rizbulon  botën  dhe e shpreh atë nëpërmjet detajeve dhe më  pak  nëpërmjet  metaforave.

Lirisë së  mendimeve  i përshtatet  vargu i lirë  i mjaft  vjershave, po  poetesha  guxon  gjithashtu  të përdorë  në poezinë e vet  një lloj  të vjershëruari të huazuar nga poezia japoneze, haikun  që ka filluar  të lëvrohet  sot  në  poezinë  moderniste  dhe pasmoderniste  shqiptare  nga disa autorë midis të cilëve edhe Nasho Jorgaqi dhe Milianov  Kallulli. Ky është një lloj që stimulon  meditimin dhe  koncentrimin e mendimit.

Në haiku-t  e Reshides vëmë re një  risi: krahas  haikut  tipik  trevargësh  ajo  lëvron  haikun  dyvargësh  madje  edhe njëvargësh. Mund të citojmë  disa nga  më të goditurat:  “Pagjumësia  e natës/  Ul këmishën e mëndafshtë,/ Pyet: “Pse nuk flenë  gjinjtë?”

“Një plak i vjetër/ grindet me diellin/ Pse  nuk ngrihet më herët”; Asnjë  kokërr  shege / Nuk  del dot jashtë/ Pa  prishur  virgjërinë”.

“Syri  ende nuk e kupton / Vonesën e tij / Në përcjelljen e dritës”;  Prisja perëndimin  jashtë,/ Kishte  perënduar  nga dhoma ime”.

“Një dallgë u përplas  mbi statujën/ Dhe  ajo hapi  sytë …. blu!”

“Në  çeljen e luleve, asgjë  nuk ndodh  gabim”. “Si fle  kaq  qetë  ky liqen që sapo u nda  me mua?”

Haiku-t e Reshidës, siç  vumë re edhe nga  shembujt e zgjedhur, përbëjnë  disa nga  faqet  më të  bukura  të vëllimit për  konçizitetin dhe  thellësinë filozofike, për  forcën befasuese dhe lirizmin si rrymë  të nëndheshme.

Vëllimi i Reshidës është i pari i saj,  po nuk është  thjesht  një pikënisje, po një  arritje.

Ky vëllim dëshmon se Reshida në mes  të dinamizmit të jetës  amerikane  ku jeton  ruan  ngrohtësinë  lirike e frymës shqiptare.