Prof. Dr. Fatos Klosi: Mallakastra dhe “Polifonia Shqiptare”

101
22-vjetori i Shoqatës “Polifonia Shqiptare” dhe Festivali VIII Ndërkombëtar “Bylispolifonia-2018” 
Ky 22-vjetor i Shoqatës “Polifonia Shqiptare” përkon dhe me realizimin e Festivalit VIII që do zhvillohet më 8 qershor, 2018. Ky Festival Ndërkombëtar i Polifonisë Shqiptare, do të kurorëzohet si përherë në Bylisin e lashtë të krahinës tradicionale të Mallakastrës. Dhe është e natyrshme që në të tillë Jubile të hidhet dhe një vështrim retrospektiv mbi veprimtarinë e kësaj shoqate kaq aktive dhe kaq të përkushtuar për misionin që ka marrë përsipër. Janë mbi dy dekada jetë të shoqatës që kanë shkruar historinë e vet, që kanë lënë gjurmët në jetën sociale e kulturore të vendit, pasi kjo shoqatë ka pasur një rezonancë dhe jehonë të tillë, sa ka prekur dhe ka përfshirë në veprimtaritë e saj, jo vetëm krahinat dhe trevat ku lëvrohet polifonia shqiptare, por ka hedhur vështrimin edhe përtej kufijve shtetërorë, në trevat tradicionale të polifonisë në Ballkan, por edhe më gjerë, përtej Adriatikut. Misioni i kësaj shoqate për hulumtimin historik, zhvillimin, ruajtjen nga huazimet, përkrahjen e talenteve të reja, gjetjet në qëmtimin krahinor dhe mbarëshqiptar, si dhe organizimin e festivaleve kombëtare e ndërkombëtare, konkurrimet, anketimet për ruajtjen dhe ecurinë e polifonisë shqiptare, të kësaj vlere të pamatë dhe unike të gjeniut popull, është jo vetëm një gjest fisnik, por në radhë të parë një gjest me karakter thellësisht kombëtar. Kush merr përsipër një mision të tillë, përjetëson një amanet popullor të përcjellë në shekuj e që mbetet përherë aktual. E ky mision kërkon jo vetëm guxim, kurajë, fantazi, përkushtim, punë sistematike, por edhe talent, shumë punë e edhe më shumë ndërgjegjësim kombëtar. Të tillë siç e gjejmë tek “punëtorët” e kësaj shoqate, e veçanërisht tek kryetari historik i saj, zoti Yzeir Llanaj, i cili me përkushtim të gjithëmbarshëm për ruajtjen dhe zhvillimin e polifonisë, edhe përmes shkrimit të këtij historiku duket se grish bartësit, vjershëtarët, këngëtarët, por edhe institucionet e shtetit e të kulturës që ta ruajnë e t’ua përcjellin brezave këtë thesar, këtë trashëgimi unike e autentike të popullit shqiptar, si pjesë e rëndësishme e identitetit shqiptar. Me energjinë e tij të pashtershme, me zellin e paepur për të realizuar projektet e tij dhe të shoqatës në funksion të kësaj vlere të qenësishme kombëtare, ai ia ka kushtuar jetën polifonisë qysh në fëmijëri të tij, si bartës, si interpretues, si aktivist në aktivitete të ndryshme, e në moshë të pjekur, pikërisht kur polifonia rrezikonte prej humbjes së institucioneve kulturore kapilare e kur organizimet lokale ishin tkurrur deri në zhbërje, ai mori përsipër të themelojë e të drejtojë për dy dekada shoqatën që mbron e kultivon këtë vlerë. Me këtë këmbëngulje të pashoqe, ai ka organizuar deri më tani VII Festivale, dhe deri në 22- vjetorin e shoqatës, do arrihen VIII, të zhvilluara, kryesisht në qytetin antik të Bylisit. Shoqata ka mbrojtur institucionalisht, duke u përballur me vështirësi dhe barriera të institucioneve të shtetit, edhe problematikat në rrjedhë që cenojnë polifoninë. Kur merr ndër historinë e Shoqatës, kur vështron veprimtaritë e dendura e të spikatura, sipërmarrjet e mëdha që ka realizuar kjo shoqatë, me të vërtetë befasohesh, pasi është një aktivitet i kryer në kushtet më të pamenduara, pa asnjë mbështetje institucionale, e madje duke “iu vënë dhe gurë ndër rrota”. Por kjo tregon se çfarë bën dashuria për vlerat kombëtare, çfarë bën përkushtimi i jetës një misioni, një çështjeje, një pasioni. E kjo pasqyrohet qartë dhe në mënyrë kronologjike, edhe në historinë e kësaj shoqate.