Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Skënderbeu lehtësoi frymëmarrjen Rilindjes Evropiane

Lufta legjendare shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut në shek. XV mbetet periudhë e lavdishme në historinë kombëtare shqiptare. Skënderbeu është rreshtuar me meritë në panteonin e figurave të ndritura të historisë botërore. Shekujt që vijnë e shkojnë, i rezervojnë atij përherë kurorën e luftëtarit për liri. Si çdo kujtim e evokim edhe në 550 vjetori e vdekjes ka zërin e tij. Dhe kjo se Skënderbeu i detyroi shekujt të flasin për të dhe çdo shekull e epokë shikon te Skënderbeu diçka të re. Skënderbeu jetoi e veproi në epokën e Rilindjes Evropiane, në një epokë të tillë që kishte nevojë për titanë dhe lindi titanë. Atë që humanistët e shquar të rilindjes e predikonin me zjarr, lirinë e njeriut e të atdheut, besimin në forcat krijuese të popullit, zgjimin e vetëdijes kombëtare etj. Skënderbeu jo vetëm i predikoi por i vuri në jetë. Për këto ide të mëdha ai ngriti në këmbë një popull të tërë dhe ia lehtësoi frymëmarrjen Rilindjes Evropiane. Ai u bë kështu një titan shqiptar i rilindjes, që vërtetë nuk la trakte të shkruara latinisht, por shkroi me gjak një vepër të gjallë madhështore, tek e cila kërkuan e gjetën frymëzim jo vetëm shekulli i tij por edhe shekujt e ardhshëm. Skënderbeu është një nga ato figura të rralla historike tek të cilat jeta vetjake kalon në plan të dytë përpara veprës. Historia, shkruan Sami Frashëri, për vetitë e kryetrimit tonë, si tregon shok e shembull në trimëri, në të diturit e luftës, në forcë e në dijet, në mendime të drejta me njerëzit, në ëmbëlsi të zemrës e në madhështi të shpirtit. Skënderbeu kuptoi, më shumë se kushdo tjetër, se pa kapërcyer përçarjen e vendit, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa koordinimin e mjeteve e të burimeve njerëzore ekonomike ushtarake, pa koordinimin e të gjithë veprimtarisë në plan të brendshëm me atë në plan ndërkombëtar, për shqiptarët nuk do të kishte perspektive për fitore.

Skënderbeu ishte edukator

Me Skënderbeu lidhet fenomeni historik që ka marrë emrin “Epoka Skënderbeiane”. Siç del dhe nga veprat e M. Barletit, Skënderbeu ishte dhe një edukator i shkëlqyer dhe gjeneral i ushtrive të veta. Energjia e tij e pashtershme, “gjithnjë në lëvizje e kurrë në prehje”, luante me ushtarët, flinte i armatosur në kampin me gunën dhe mbi rrogoz. Shumë të rralla kanë qenë në mesjetë rastet kur një bujar fisnik vizitonte kasollet e fshatarëve, bisedonte me ta përzemërsisht dhe kërkonte pjesëmarrjen e tyre të ndërgjegjshme në luftë kundër armikut të fuqishëm. Kurrë ndonjë princ si ai pati ushtarët kaq besnik e të disiplinuar si ushtria e tij. Skënderbeu ka meritën e edukimit e të përgatitjes të një brezi të tërë komandantësh të shquar që jo vetëm në trimëri por edhe në shkallë dijesh e kalitjesh të lartë thyen disa gjeneralë më në zë të Turqisë. Të tillë ai përgatiti Tanush Topinë e Kont Uranin, Andrean e Gjinin, Pjetër Perlatin e deri tek motra Mamica. Si edukator i rrallë ai ishte një mjeshtër i të mësuarit të artit ushtarak. Ushtarët e tij, mbrojtësit e kështjellave, mbrojtësit e kufirit, xhenierët, kasnecët, armëtarët, komandantit e tij merrnin udhëzime të qarta për detyrat e tyre. Cilësitë morale të luftëtarëve shqiptar dhe aftësitë e tyre tekniko-taktike në përdorimin e armëve, mënyrat e të vepruarit të komandantëve dhe prijësve ushtarak, para dhe pas betejave, motivet patriotike që i shtynin ata në luftë, llojet e stërvitjeve me karakter aftësimi dhe kalitjeve të rinise shqiptare që Barleti e anëtar të tjerë na i përshkruajnë në veprat e tyre, na bëjnë të formulojmë tezën mbi ekzistencën e një pune edukative ushtarake të organizuar në periudhën e Skënderbeut, në tokën e Arbërit.

Studiues dhe historian ushtarak për Skënderbeun

Trajtimi tërësor i figurës së Skënderbeut është detyrë e çdo studimi. Atë nuk e kanë rrokur dot qindra e qindra veprimtari studimore e mijëra botime. Ajo fton e josh gjithashtu studiues të shumtë, midis të cilëve dhe historianë ushtarakë. Gjithsesi mendoj se është ende me vlerë dhe sfidë për studiuesit tanë e më gjërë të sqarojnë para së gjithash se si psikologjia shoqërore e shqiptarëve të shek. XV i lejoi Skënderbeut të shfrytëzonte me përsosmëri vlerat e shtetarëve të vendit të tij, në beteja të tejzgjatura e të shumta fitimtare me një kundërshtar superior e të armatosur me armët më moderne të kohës, si u bë i mundur mbajtja lartë e moralit, frymës luftarake, furnizimi i pandërprerë të luftës, drejtimi i saj, ruajtja e aftësive luftarake të ushtrisë, funksionimi i përsosur i zbulimit strategjik etj. Studim të veçantë meriton akoma ndërtimi i aparatit ushtarak e vetë ushtrisë, gjurmimi dhe përcaktimi e precizimi më mirë i fushë betejave, i kohës së zhvillimit të tyre etj; i kalave, rrugëve të ndjekura nga ushtritë ndërluftuese, gjeografinë e luftimeve, zbulimi i veprave fortifikuese. Studim më të vëmendshëm e të hollësishëm kërkon arti ushtarak modern dhe ushtria osmane dhe në ndeshjet me të, përcaktimi më objektiv i humbjeve të të dy anëve dhe i pjesëmarrjes së forcave, duke përdorur metodologji bashkëkohore për studimin e llogaritjen e humbjeve. Historisë sonë ushtarake, në një të ardhme jo të largët, duhet t’i shtojmë monografi të studiuesve tanë për dukuri të veçanta të artit ushtarak skënderbeian e deri trajtesa për beteja të veçanta etj. Studim të veçantë meriton faktori evropian kësaj lufte dhe sidomos bashkërendimi dhe ndihma reciproke me ushtrinë e Huniadit, aleati më i qëndrueshëm dhe efektiv i luftës, ndihma morale, materiale, monetare e njerëzore e shteteve italiane e të tjera evropiane etj. Realizim i këtyre studimeve, njëherazi, mendoj se kërkon rivlerësime e plotësime të kësaj periudhe në luftë me politizimet, subjektivizmi e spekulimi me parimet e mbështetjes në forcat e veta, lufta e gjatë popullore etj., në përligjje të politikës izoluese nga shteti totalitar, ndikimi i ateizmit ekstrem për vlerësimin e ndihmës së Papatit etj. Në këtë kuadër, njëherazi, rëndësi merr denoncimi i shkrimeve, megjithëse të rralla, të publikuara vitet e fundit nga intelektualë arrivistë, që synojnë të denigrojnë e marrin nëpër këmbë heronjtë kombëtar, duke mbërritur deri te miti i shqiptarëve – Skënderbeu, duke hedhur baltë mbi referencat morale e politike të popullit shqiptar. Dhe ndodh kjo, kur në çdo shtet serioz, për raste të tilla, ngrihet në këmbë gjithë opinioni i vendit dhe një gjë e tillë është e ndaluar me ligj.

Qëndresë dhe ndjenjë kombëtare e shqiptarëve

Qëndresa e fuqishme e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut kundër sulmeve osmane, përbën ngjarjen më të rëndësishme e më kulmore të popullit shqiptar, që la gjurmë në vetëdijen kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Ajo u dha atyre traditën historike të luftës kundër pushtuesve osmanë dhe mbi këtë bazë ndjenjat e fuqishme kombëtare. Ndjenja kombëtare, që i ka mbrojtur popujt nga asimilimi, bëri që gjatë gjithë periudhës së gjatë pesë shekullore të pushtimit osman, shqiptarët, edhe përse do të islamizoheshin masivisht, të ruanin identitetin e tyre kombëtar pa dallime fetare. Porosia lapidare e heroit “jo vetëm të duash dhe të kesh gjithmonë para syve atdheun dhe shtetin, ku secili ka lindur dhe është edukuar, por edhe ta mbrosh e ta shpëtosh dhe me gjak”, edhe sot është mesazh e kushtrim për forcimin e unitetit, për modernizimin e fuqizimin e ushtrisë, parakusht për forcimin e vetë kombit shqiptar. Me këtë porosi edhe sot na duket sikur Skënderbeu është ngritur e mbron me krahun e tij kombin e shqiptarëve kudo që janë, u bën apel për të qenë në lartësinë e detyrës për mbrojtjen e pavarësisë e paprekshmërisë së atdheut, të identitetit tonë kombëtar, të trashëgimisë sonë historike e të institucioneve tona demokratike.