Prof. Dr. Bernard ZOTAJ/ Kontributi i misioni anglez pranë Shtabit të Ushtrisë N-Ç

775
Në fillimet e Luftës së Dytë Botërore, politika e Mbretërisë Britanike ndaj Shqipërisë u shfaq me dy fytyra, qëndrim i ftohtë me rezerva dhe qëndrim i moderuar e miqësor përfaqësuar konkretisht nga Ministria e Jashtme (Foreign Office) e SO2 (Organizatë për kryerjen e operacioeve). Diplomatët anglezë mendonin se Shqipëria nuk mund të ecte me këmbët e saj. Të tjerë e quanin “një faktor të dorës së dytë”. Vëmendja e Britanisë së Madhe ndaj Shqipërisë erdhi duke u rritur në verën e vitit 1943. Në qershor 1943 u duk një mision ushtarak anglez në jug të Shqipërisë, ku takuan Bedri Spahiun, udhëheqësin kryesor i PKSH në qarkun e Gjirokastrës. Ndërsa partizanët kishin më shumë arsye për të qenë dyshues se sa Balli Kombëtar, ishin ata të parët që e kuptuan rëndësinë e këtij kontakti dhe i pranuan britanikët. Pranë Shtabit të Përgjithshëm gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kanë qëndruar e vepruar tre misone britanike: misioni “Konsensus 2” i drejtuar nga Maklini; misioni i Kuartierit i drejtuar nga gjenerali Dejvis që ishte misioni më i madh britanik në Shqipëri, si dhe gjatë periudhës së fundit të luftës, misioni i drejtuar nga koloneli Palmer. Në ZIOp., pranë Shtabit të saj ka vepruar misioni “Skulptori”. Tilman thotë se shtabi ynë ishte caktuar në një fshat të vogël të quajtur Sheper, mes maleve të Zagorisë. Arritëm në Sheper, ku Tilamni kish komandën e tij, thekson një oficer tjetër anglez. Ai ishte rregulluar për bukuri dhe na priti me gjithë të mirat, por na tregoi se marrëdhëniet e tij me partizanët linin shumë për të dëshiruar. Komanda e ZIOp., sipas udhëzimeve të SHP, nuk e lejonte misionin britanik të njhej me planet e luftimit, sikurse nuk lejonte partizanët t’i shoqëronin në veprime luftarake. Porosia ishte se “anglezët në asnjë mënyrë mos i qasni të fusin hundët në punët tona…”. Ndaj kërkohej që karshi tyre “…të mbahej një konspiracion i plotë. Ata, s’duhet në asnjë mënyrë të dinë numërin e ushtarëve tanë”. Kështu misonarët britanik u bënë thjesht oficerë furnizimi apo dhe për t’i istruktuar në përdorimin e armatimit që dërgonin apo të minave e ekspozivave. Në tërësi me ta u shmang konsultimi, ndërsa në disa raste të pakta pati kordinim veprimtarie konkrete luftarake. Në verën dhe vjeshtën e vitit 1944, u ndërmorën pak operacione të kombinuara të karakterit thjeshtë detar, si zbarkimi i një komando angleze në Spile të Himarës, në veprimtarinë për çlirimin e qytetit të Sarandës, ku u bë një bashkëveprim i studiuar ndërmjet forcave zbarkuse angleze dhe forcave partizane të Gr.5P dhe Br. XII, XIV dhe XIX S. Kjo ndikoi që garnizoni gjerman në Korfuz të dorëzohet më 12 tetor 1944, pas tri ditë të çlirimit të Sarandës.

Pak më gjërë për këto dy zbarkime të anglezëve. Zbarkimi i parë u krye nga trupat e Long Range Desert Group (LRDG), në Spile të Himarës, ndërsa i dyti u krye nga trupat e komandove në Sarandë. Por krahas këtyre, u kryen të paktën dhe një zbarkim tjetër me trupat e SBS (Special Boat Service). Komanda e Përgjithshme dhe ajo e ZIOp., duke qenë tepër të vëmendshme ndaj anglezëve, nuk kishin besim në veprimet e tyre luftarake dhe dyshonin në sinqeritetin e tyre. Vetë zbarkimet e vitit 1944 janë shumë më të ndërlikuara nga sa shkruhet rreth tyre, aty këtu në literaturën e derisotme perëndimore. Zbarkimi i parë në Spile, i kryer nga trupat LRDG, duket ka qenë mirëfilli një veprim i përbashkët anglo-shqiptar për të azgjësuar garnizonin nazist-gjerman e që doli me sukses me ndërhyrjen e forcave partizane. Garnizoni nazist-gjerman përbëhej prej 65 veta, të vendosur në pozicione tepër të fortifikuara, bunker, transhe, pjesë të minuar dhe të rrethuar me tela me gjemba. Pikëmbështetje më të afërta naziste-gjermane ishin në Sarandë e në Llogora. Lidhja tokësore midis tyre ishte jashtëzakonisht e vështirë sepse përgjatë rrugës forcat partizane kryenin veprime tepër aktive. Trupat britanike do të zbarkonin aty me luftëanije nga deti në një forcë prej 100 veta. Rreth Spilesë u vendosën në formë patkoi batalioni i 4-t i Br. XII S, forcat territoriale të Kurveleshit të Poshtëm dhe të krahinës së Himarës, që zunë prita të forta në grykat midis Himarës e Vunoit dhe Himarës e Borshit. Më 28 korrik 1944, në mesnatë, pas një rrahje të fortë të pozicioneve gjermane me artileri nga luftanijet, trupat britanike zbarkuan në Spile. Por gjermanët i mbrojtën me këmbëngulje pozicionet e tyre. Ndërhyri Br. XII S e cila sulmoi, shpartalloi garnizonin gjerman, çliroi Himarën dhe liroi dhe robërit anglez që kishin zënë gjermanët. Komandoja angleze nën presionin e gjermanëve ua hipi varkave e u largua për në vendin nga ishin nisur. Zbarkimi i dytë, u krye në Sarandë, nga fundi i shtatorit, dhe që është shumë më i dyshimtë. Ajo ç’ka dëshmojnë dokumentat ekzistuese vërtetojnë katërcipërisht dyshimet e Komandës së Përgjithshme dhe të ZIOp. Zbarkimi i Sarandës për herë të parë ndeshet në arkivat në një telegram disi të shqetësuar që Forin Ofisi i dërgon Barit më 29 shtator 1944, i cili thotë: “Lutemi njoftoni në lidhje në se anglezët kanë zbarkuar në Shqipëri”. Po atë ditë, Bari kthente përgjigje: “Operacioni në fjalë filloi si një sulm i rregullt më 22 shtator… Synimi ishte t’i krijoheshin shqetësime armikut në zonën përreth Sarandës…”. Por, vijonte telegrami, meqënse dukej sikur garnizoni gjerman në Korfuz mund të arrihej të izolohej, më 24 shtator anglezët dërguan përforcime në armë e forca, “…dhe plani është që të vazhdohet operacioni deri sa të shtihet në dorë Saranda”. Më tej vazhdonte. “…në qoftë se çdo gjë do të shkojë mirë, ne mund të jemi në gjendje të mbajmë një bazë të përhershme në tokën shqiptare, ashtu si edhe në Korfuz”.
Në lidhje me misonin ushtarak pranë kësaj komande, faktori ushtarak pati dhe tregoi vlera. Që në raportet e para, misionarët britanik kanë theksuar: “nga sa e njoh unë LANÇ-in, ata janë plotësisht në gjendje të qeverisin Shqipërinë…”. Ndërsa Çurçilli, kryeministër më 4 nëntor 1943 do të deklaronte: Mijëra partizanë shqiptarë po luftojnë në malet e tyre për pavarësinë e vendit të vet…Oficerët britanik të ndërlidhjes janë pranë këtyre partizanëve dhe i kanë çmuar cilësitë e tyre luftarake. Ne shohim që shqiptarët po luajnë rolin e vet në përputhje me traditat e tyre të vjetra luftarake. Drejtimi më kryesor mund të themi se ngeli bashkëveprimi i Komandës së ZIOp., me misionin ushtarak për dhënien e ndihmave materiale. Pas ardhjes së misionit të parë britanik Shqipëria përfitoi nga planet për furnizim me anë të aviacionit, deri diku dhe nga deti. U krijuan disa baza hedhje si në Sheper, Kurvelesh, mali i Tragjasit, Karaburun, të cilat ishin një mbështetje për furnizimin e formacioneve partizane me armatim dhe veshmbathje, deri dhe në të holla, në stërlina. Sipas Reginald Hibert, Fildi në jug mori disa hedhje në Tragjas në shtator 1943, jo larg bregdetit në jug të Vlorës; në shtator Tilmani mori dy hedhje në Zagori, duke nisur kështu një proces të vazhdushëm furnizimi me forcat partizane në një nga zonat e pakta të Shqipërisë, ku LANÇ-i kishte arritur përfundimisht mbizotërimin prej kohësh. Një dokument i përgatitur për Komitetin Operacional në Kajro për armët e hedhura në Shqipëri deri më 24 dhjetor 1943 theksonte: Pushkë antitank-150, mortaja-40, automatik-300, pushkëgjysëm automatike 400, pushkë-350, granata-4500, mina antitank-1000 dhe ekspliziv 6000 paund (rreth 3 ton). Po kështu u raportua se u ishin dhënë grupeve guerilje një shumë prej 4.823 florinj (deri në dhjetor 1943). Sipas autorit, pjesa më e madhe duhet t’u ketë shkuar partizanëve (armët dhe paratë). Në se partizanët morën furnizime, kjo ndodhi sepse ata ishin aktiv. Është i pabazuar argumenti se ata u bënë aktiv qoftë kundra gjermanëve, ose Ballit Kombëtar për shkak se morën furnizime. Sasitë e përfshira ishin tepër të vogla që të ishte e vërtetë kjo.
Ndihmesë misionet angleze kanë dhënë në stërvitjet luftarake të disa batalioneve dhe Grupeve Partizane. Stërvitje janë bërë për mësimin dhe përdorimin e armëve me të cilat po pajiseshin formacionet partizane si automatik, mitralozë 20 e 47 mm, mortaja 81 mm, si dhe për armët kundra tanke. Edhe grupe luftëtarësh ne formacione janë stërvitur për përdorimin e minave në shkatërrimin e rrugëve, urave e të ndërtesave etj.
Sigal