Prof. Dr. Agron F. Fico:Realiteti socio-politik i diasporës shqiptare në SHBA

713
Sigal

“Instituti Folklorik” i Gjergj Dedvukës në Nju Jork. Në 20-vjetorin e “Bashkimit kombëtar”

Diaspora në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë është jo vetëm një realitet politik-ekonomik, për emigrantët shqiptarë, por edhe një sfidë e madhe dhe e fuqishme e përpjekjeve dhe e dëshirave të tyre për ta bërë kulturën kombëtare pjesë aktive të jetës së komunitetit dhe integritetit të tyre etnik.

Ruajtja dhe kultivimi i gjuhës amtare, i gjuhës shqipe si dhe traditave të pasura etnologjike (folklori, tradita, veshje etj.) janë bërë pjesë gjallë e jetës familjare dhe të bashkësisë shqiptare.

Jeta kulturore e shkencore në diasporë është e gjallë, ajo gumëzhin dhe ka një larmi aktivitetesh të përhershme dhe të vazhdueshme. Në disa emisione dhe ndonjë shkrim kushtuar Diasporës, fatkeqësisht vihet re një varfëri dhe një nivel shkollor, një pasqyrim tepër i zbetë i jetës kulturore dhe intelektuale në diasporë.

Krye arsyeja qëndron në përfytyrimin dhe konceptin tradicional të shek.XX që e sheh diasporën thjesht si dukuri ekonomike. Në diasporë ka një shoqatë të shkrimtarëve dhe artistëve, ka një shoqatë të mjekëve dhe me dhjetëra shoqata, që promovojnë jo vetëm atdhetarizëm, por edhe një veprimtari të gjerë për kulturën ruajtjen dhe kultivimit të gjuhës shqipe në gjirin e shoqërisë multietnike të shoqërisë amerikane.

Kthesa historike në Shqipëri (më 1990), çlirimi i Kosovës (1999) nga sundimi serb dhe shpallja e pavarësisë së saj 17 shkurt 2008,  rritja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi, sollën ndryshime cilësore në vetë strukturën shoqërore të diasporës. Emigrantët e ardhur në SHBA pas këtyre ngjarjeve kishin dhe kanë në tërësi, një nivel arsimor-kulturor-profesional mjaft të ndryshëm nga brezi i parë, i dytë dhe pjesërisht i tretë i brezave të mërgimtarëve.

Kjo gjeografi e ndryshimeve shoqërore-kulturore dhe epoka e re historike, shek. XXI, kanë shtruar detyrën e një vlerësimi dhe angazhimi më të madh ndaj fenomeneve të kulturës dhe i shqyrtimit të tyre me përparësi; sot kërkohet që fytyra të kthehet nga kultura dhe gjuha shqipe si përparësi të ruajtjes së identitetit etnik në shoqërinë shumëkombëshe demokratike amerikane.

Në vështrimin historik e aktual është i njohur kontributi i kësaj daspore në fatet e Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Në krye të këtyre përpjekjeve patriotike ka qenë federata panshqiptare “Vatra” me drejtuesit e saj më të shquar Fan Stilian Noli dhe Faik Konica. Patriotët e diasporës, as dje dhe as sot, nuk kanë reshtur së ndihmuari trojet e të parëve me mënyra nga më të ndryshme, që nga format politike e deri në ato ekonomiko-financiare. Ky kontribut është vlerësuar dhe ka nderimin e gjithë kombit shqiptar.

Mendimi i shprehur nga publicisti i njohur Dalip Greca se, patriotizëm është edhe kontributi i dhënë për kulturën dhe veprimtarinë kulturore, meriton një vëmendje dhe vlerësim të veçantë, sepse i bën jehonë një prirjeje të re dhe të shëndoshë në zhvillimin e Diasporës shqiptare.

E kisha njohur Gjergj Dedvukën nga larg, në kohën e një prej festivaleve folklorike në kalanë e qytetit të gurtë të Gjirokastrës, kur mori pjesë me grupin kulturor “Bashkimi kombëtar”, si zëri i shqiptarëve të Amerikës. Më vonë, kur erdha në SHBA dhe hapa katedrën e gjuhës dhe kulturës shqiptare në shtetin e Miçiganit, dëgjoja më shpesh për restorantin emër mirë të Gjergj Dedvukës, në të cilin kishin drekuar presidentët e SHBA Bill Klinton dhe George W. Bush dhe disa senatorë si Hillary, Gilman, guvernatori i shtetit të Nju Jorkut Pataki, kryebashkiaku Rudolph Giuliani, etj.

Gjergj Dedvukaj ka lindur në fshatin Spije të Hotit të Malësisë së Madhe në një familje me tradita atdhetare dhe folklorike. I ati  këndonte bukur dhe luante pothuajse të gjitha instrumentet popullore.  Gjergji erdhi në Amerikë në moshën 15 vjeçare.

Te figura e Gjergj Dedvukës më ka tërhequr dhe më tërheq përkushtimi atdhetar dhe pasioni i tij i ndezur për kulturën kombëtare, e në veçanti për folklorin, këtë visar të lashtë dhe të larmishëm.

Interesi shkencor e kulturor qëndron në faktin se Gjergj Dedvukaj është jo vetëm themelues i shoqërisë kulturo-artistike “Bashkimi kombëtar”, por edhe “udhëheqësi”, “drejtori i saj shpirtëror”. Tek ai janë rrënjosur që nga fëminia, në ato troje amtare ku lindi, në Mal të Zi, dashuria për këngët dhe vallet shqiptare, shpirti artistik për bukurinë dhe elegancën e kostumeve popullore.

Gjergj Dedvukaj, me punën e gjatë dhe këmbëngulëse, me parimet e mençura në organizimin e grupit folklorik “Bashkimi kombëtar” dhe veprimtarinë e zhvilluar në një hark kohor të gjatë dhe në një cikël të vazhdueshëm, i ka dhënë këtij institucioni tiparet e “Institutit të Folklorit”. Në çdo bisedë, sa herë flitet për këtë organizëm folklorik, Gjergj Dedvukaj thekson idenë e vet themelore: ”Çdo gjë për bashkimin kombëtar”, ndërsa për grupin folklorik të krijuar vite më parë thotë se, “gjithnjë kam synuar dhe synoj të sjellë elementë të rinj, kryesisht të lindur këtu, atyre t’u mësoj vallet, këngët dhe meloditë e instrumenteve popullorë, e jo të ardhurve, që i dinë qysh më parë, se të vinin këtu”. Këto kërkesa estetike për organizimin e grupit, veçanërisht për një specialist, marrin vlera të rëndësishme.

Madje ky “drejtor” i këtij lloji “Instituti të Folklorit” ngul këmbë që motivet, vallet, meloditë e programit të jenë sa më burimore d.m.th. ndër më të lashta dhe autentike iliro-shqiptare. Një kërkesë tjetër e tij është përfaqësimi (me terma profesionale ‘shtrirja gjeografike’) i të gjitha trevave etno-folklorike të kombit shqiptar në festivalet kombëtare. Kujdes i kushton edhe zgjedhjes së anëtarëve të grupit sipas moshave, harmonizim i brezave pjesëmarrës: “fëmijë, të rinj e të moshuar.”

Me intuitën e tij, përvojën shumëvjeçare dhe zjarrin atdhetar, Gjergj Dedvukaj e ka mbështetur dhe e mbështet veprimtarinë kulturore të grupit në dy parime të njohura shkencore të artit folklorik: në parimin historik dhe atë gjeografik.

Ky aktivitet etno-kultuor i shoqatës “Bashkimi kombëtar” në një hark kohor të gjatë, ka frymëzuar dhe nxitur edhe krijimin e mjaft grupeve të shteteve të tjera ku jetojnë shqiptarët si: Boston, Mishigan, Dallas, Çikago, madje vet ne Nju Jork, pranë kishës “Zoja e Shkodrës” është krijuar një ansambël folklorik.

Një meritë tjetër e hershme e Gjergj Dedvukës është puna për shkollimin e fëmijëve shqiptarë. Ai, sapo erdhi nga vendlindja, hapi shkollën “Naim Frashëri” për fëmijët e emigrantëve, ndërsa sot, ai është drejtuesi i bordit për gjuhën shqipe, në Bronks.

Në paradat vjetore, organizuar nga bashkia e Nju Jorkut, për kostumet folklorike të etnive të shumta që jetojnë në metropolin më të madh të rruzullit, shqiptarët me ylberin e veshjeve të tyre popullore, përfaqësohen kryesisht nga grupi i “Bashkimit kombëtar”

Mjediset e restorantit të Gjergj Dedvikës janë të hapura për mjaft aktivitete të ndryshme kulturore.  Aty mbahen tubime, përurime librash, simpoziume dhe konferenca shkencore. Aty zhvillohen mbledhjet e senatit të Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencës dhe Arteve, takime me njerëz të artit dhe kulturës etj.

Ka muaj që shoqata “Bashkimi kombëtar” po punon për një program cilësor me rastin e 20-vjetorit e themelimit te saj, që është menduar të mbahet me 17 shkurt, në 5-vjetorin e ngjarjes së shënuar historike, shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Gazetari njohur dhe njëherazi botues i gazetës “Illyria” ka shkruar: “Nuk njoh ndonjë biznesmen tjetër shqiptar që të jetë aq i pasionuar për kulturën shqiptare si Gjergji. E them këtë jo vetëm se ai është adhurues i muzikës shqiptare, por edhe për kontributin që jep si udhëheqës i shoqërisë kulturo-artistike “Bashkimi kombëtar”. ” (V. Bajrami: Shqiptarët e Amerikës”, f.255)