Prof. Dr. Agron F. Fico/ Romani i dhimbje-dashurisë së madhe

594
Studenti i aktrimit dhe njëherazi edhe i gjuhës dhe letërsisë shqipe të universitetit të Prishtinës, Xhevat Limani, kishte ftuar për një vizitë në familjen e vet, në krye-qendrën arbërore, Strugën, një përfaqësi profesorësh të shquar, që kishin në krye profesorin Eqrem Çabej. Studenti i ri, bashkë më gëzimin e vizitës së miqve të nderuar, merakosej edhe se si i ati, një strugan i regjur në dertet e jetës, do të priste ketë elitë intelektuale. Sapo makina u ndal para portës së shtëpisë së zotit Liman dhe shpura doli nga makina, tek hyrja e shtëpisë u shfaq një burrë shtatlartë, veshur me kostum kombëtar, të cilit i dukej në xhepin e xhamadanit një shami e kuqe me një shqiponjë të zezë. Mirë se vini, o mëmëdhetarë të nderuar! – u tha të sapo ardhurve, – dhe priu i pari në oborrin e shtëpisë plot lule dhe të mbuluar nga një hardhi që po thyhej nga kopanet e rrushit. Nxori shaminë dhe hodhi hapin e parë të valles, një valle trimash. Të ftuarit ngrinë në vend. Profesori, i lindur në qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe i shkolluar në Vjenë, qendrën botërore të muzikës dhe artit klasik, gati ishte ngurtësuar. Befasia ishte tronditëse. Për herë të parë ata priteshin, ose më sakte iu urohej “mirëseardhje”, me një valle hedhur nga i zoti i shtëpisë, që e shoqëronte me këto fjalë:
Ti more Konstandin/ Kontandin i bukur/ Ti more Konstandin/ Gjatë s’na je dukur.
“Kjo këngë-valle ritual – shkruan zoti Limani, – më ktheu në historinë e largët të një kohe të shkuar, kur Konstandini ilir-dardan i lindur në Nishin (Nish, në gegnishte të Kosovës do të thotë Një, I Pari. Pra qyteti i parë ku fillonte Iliria”. (f. 107). Në këtë mjedis, në këtë familje, me këto tradita, lindi dhe u ngjiz edhe talenti, karakteri tribun dhe artistik i aktorit, regjisorit, profesorit të gjuhës së bukur shqipe, Xhevat Limanit. “Ati im – kujton autori – më fliste për Tokën time. Dheun tim. Atdheun” (f. 16). Ishte ati i Xhevatit ai që mbajti emrin Ismail, të atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit. I ati i Xhevatit i kishte lënë amanetin e madh që kur të bëhej Shqipëria të vinte mbi varrin e tij dhe te shkrepte armën tri herë. Gjaku shqiptar, gjaku atdhetar trimëror, rrjedh edhe në zemrën dhe shpirtin e Leonit, nipit të Xhevatit, i cili në një shkollë fillore “Farmington” diku në Nju Jork, ka dialoguar me mësuesen, madje e ka kundërshtuar kur ajo kishte thënë se Xhorxh Uashigtoni është më i forti etj. etj. Leoni si shqiptar gjaknxehtë e kundërshton, e konteston me fjalë mësuesen:
Më fal mësuesja ime!
Kjo që thoni ju s’është e vërtetë… se Gjergj Kastriot Skënderbeu me një dorë e hedh në tokë Xhorxhin tuaj…” (f .186). Romani “Artisti pa atdhe” i Xhevat Limanit është një sfidë origjinale, sa letrare aq edhe publicistike… Romani me një titull provokativ “Artisti pa atdhe” sjell para lexuesve një periudhë-kthesë në historinë mijëravjeçare të etnosit pellazg-ilir-arbëresh-shqiptar. Me guximin krijues, me ndërgjegjen historike atdhetare, autori nuk e njeh, nuk e pranon këtë një farë-atdhe, të shqyer, të copëtuar, të mohuar dhe të tkurrur e të rrudhur sa një grusht fëmije nga fqinjët, me bekimin e Europës shtrigë e besë-shkelur. Historikisht dhe faktikisht artisti e bashkë me të edhe ne lexuesit jemi pa atdhe, sepse jemi të shpërndarë në pesë shtete, jemi të copëtuar e të nënshtruar nga këto shtete. Kemi mbetur vetëm rreth 28 mijë kilometra katrorë nga 74.000 km2 sipas Prof. Ahmet Gashit .(Cit. Agron F. Fico: Rilindja e Shqipërisë Etnike” 2009, f.29). Në këndvështrimin tim, ky roman është një dramë e mirëfilltë. Dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe. Xhevat Limani është një aktor, regjisor, që ka vënë në skenë, ka krijuar vetë vepra teatrale, ka interpretuar me dhjetëra figura të dramave të njohura botërore dhe shqiptare. Pra, ky proces i vazhdueshëm dhe frymëzues i ka dhënë zotit Limani dhe aftësinë e natyrshme që marshimin magjepsës të struganëve që kanë marrë nismën të përshkojnë gjithë Shqipërinë për të mbërritur në Vlorë, në festën e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ta paraqesë si një dramë të kalibrit kombëtar. Personazhet kryesore, ose aktorët e mëdhenj do të jenë Krye-heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, interpretuar nga vetë artisti Xhevat Limani, i dyti do të jetë Ismail Qemali, ati i shpalljes së Pavarësisë luajtur nga Ylli Hana dhe i treti Adem Jashari, luajtur nga Pajazit Murtishi. Bashkësia shqiptare e Strugës, me rreth 100 veta, do të përbente shpurën, popullin që do të shoqëronte krye-aktorët e këtij udhëtimi biblik. “…Marshi mori përmasat e Drinit. Karvani kombëtar ecte me krenari dhe me fytyra të buzëqeshura që u lexohej haptazi si abetare. Ishin tepër të lumtur që marshonin për herë të parë lirshëm si shqiptarë”.(f.76)-shkruan autori. Inteligjenca krijuese e profesionale e Xhevat Limanit e frymëzoi që si skenë të zgjidhte qytetet, qytezat dhe vendet historike nga do të rrugëtonin këta aktorë dhe shpura e gjerë drejt Vlorës së Ismail Qemalit. Nisja nga Struga, entusiazmi popullor, udhëtimi nëpër qytetet e Shqipërisë: Librazhd, Elbasan, Fier dhe qëndrimi në Vlorën e 100-vjetorit të Pavarësisë pasqyrohet me tone të larta atdhetare dhe emocionale, që janë mishëruar në fjalimet e zjarrta atdhetare, por edhe me dhimbje për atdheun e mbetur ende në kufijtë e Shqipërisë londineze. Elemente kryesore të dramës, dihet se janë monologët dhe dialogët. Romani “Artisti pa atdhe” është plot monologë, fjalime të zjarrta dhe entuziaste për ngjarjet dhe reflektimet për to, me plot dialogë vëllazërorë dhe miqësorë. I përmenda këto jo se nuk janë të ditura, por për të kuptuar më thellë konceptin dhe perceptimin artistik që autori e artisti Xhevat Limani ka përdorur në romanin “Artisti pa atdhe”.
Ai nuk bën histori. Ai historinë e kthen në art
Edhe pse në qendër të romanit janë struganët e paraprirë nga aktorët e mëdhenj – Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Adem Jashari, që kanë ndërmarrë këtë marshim maratonomak që të shkojnë në Vlorën e 100-vjetorit, autori nuk bën fotografinë dhe biografinë, por jep përjetimet e tyre emocionale dhe estetike. Këtë realitet artistik na thotë qartë autori: “Le t’i kthehemi udhëtimit tonë të projektuar një vit më parë… me miqtë e mi, që më pas do të kthehen në personazhe të rëndësishëm të dramës së definuar me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.” (f.48). Veçoria kryesore dhe befasuese në mënyrën se si Xhevat Limani gatuan brumin jetësor në këtë roman është se ai ka vënë në qendër personalitetin e vet publik, artistik dhe tribun, ai flet në vetën e parë. “I try to write about myself as if I were writing for someone else… All histori is subjective”. Arthur Schlesinger Jr. – mendimtar i shquar amerikan. (Përpiqem të shkruaj për veten time si të shkruaja për dikë tjetër… Çdo histori mbetet subjektive. Cit. Agron Fico: “Profesor në tre kontinente”, Nju Jork 2004, f. 4.). 
Këtë autori na e thotë hapur dhe shkoqur: “Shpalla veten publikisht institucion i pavarur shqiptar “Xhevat Limani”…Shpalla projektin definitiv të pavarur. M’u kthe një energji hyjnore e çuditshme. Më dukej sikur po fluturoja shpirtërisht.” (f. 44). Libri “Artisti pa Atdhe” është libri i dhimbjes së madhe, është libri i dashurisë së madhe. Madje nuk ka dashuri të vërtetë njerëzore pa përvojën e dhimbjes njerëzore. Autori-njeri, Xhevat Limani, dhe jo vetëm ai, ndjen dhimbje, një therje në zemër dhe plagë në shpirt sa herë kalon trarin e ndalim-kalimit në Qafë-Thanë, që i kujton se ai, ata jetojnë me statusin e qytetarit të dytë në një shtet joshqiptar. Kjo nuk ndodh vetëm si pasojë e copëtimit të Shqipërisë nga vendimet e mbrapshta të Konferencës së Ambasadorëve më 1913 në Londër, por ndodh edhe nga politikat putha-dore dhe antishqiptare e atyre drejtuesve shqiptarë që në ato parti, ose më saktë pazare-parti, përkrahin sundimtarët maqedonas. “Në Shqipërizën tonë përsëri ndjeheshim të huaj – shkruan Xhevat Limani -Edhe sot po ashtu. Ja, po kalojmë doganë e kufij. Çdo njeri normal kur kalon kufi e doganë e di që shkon e hyn në një vend të huaj. Ne po hyjmë në atdheun tonë të ndaluar… (115). Kjo nuk është e vetmja dhimbje ulëritëse e tribunit shqiptar, zotit Limani, ai rebelohet, bën thirrje, krijon një film epope për luftën legjendare të shqiptarëve të Kosovës, i njohur me titullin “Ata nuk ishin vetëm”. Por dhimbjen më e madhe e ndjen nga fakti se Kosova ende jeton me një status të trefishtë, që është vulosur me shënimin, footnote, në fund të çdo dokumenti zyrtar që del nga Brukseli, dokumente që janë:
• “me statusin e autonomisë nën Serbinë;
• me statusin e protektoratit me vendimin një-dy katër-katër të OKB-së dhe me siglën e UNMIK-ut, EULEK-it;
• Dhe e treta: me statusin e Pavarësisë, në aktin e 17 shkurtit 2008”.
Në tokën mëmë ai dhe shpura e tij i gëzohen lirisë politike, njerëzve që punojnë në vendin e tyre pa të huaj, por hidhërohen kur shikojnë e prekin ende varfërinë, nuhasin erën e keqe të korrupsionit dhe të liderëve bajraktarë. Në Elbasan ardhja e kryeministrit të asokohe gëzimin e të ardhurve entuziastë nga Struga bujare e ktheu në një makth burokratik. 
Risia e autorit në romanin “Artisti pa Atdhe” është se autori shfaqet kundër rutinës, ngushtësisë mendore intelektuale dhe kundër çdo kufizimi etnik, gjeografik, fetar, shoqëror, madje edhe akademik. Në të gjithë veprimtarinë e pamasë krijuese artistike-kulturore-letrare Xhevat Limani shfaqet si mjeshtër në të dy kahet – horizontale dhe vertikale. Një vlerë tjetër në romanin “Artisti pa Atdhe” është fjalori i pasur gjuhësor-poetik. Autori sjell dhe krijon mjaft fjalë-formime të tipave dhe mënyrave të ndryshme: kompozita përcaktore, këpujore, përngjitje, të përziera etj. (Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë – “Gramatika e Gjuhës shqipe”, Tiranë 1995, f. 70-79). Ja pak shembuj: vetë-çarmatosje, krye-ditë, krye-dollibashi, fytyrë-menduar etj. etj. Libri “Artisti pa Atdhe” është Meshari i shqiptarizmit në epokën dixhitale. Autori i këtij libri është artisti dhe tribuni Xhevat Limani, që ka përqafuar programin madhor të bashkimit të shenjtë kombëtar, që do të kurorëzohet me formimin e Shteteve të Bashkuara të Shqipërisë, të Shqipërisë Etnike.
NJË GJUHË, NJË KOMB, NJË SHTET DHE NJË FLAMUR! 
“Shqipëria etnike -thotë Profesor Ahmet Gashi- shprehja më lakonike dhe më e bukur e idealit më ta lartë të çdo shqiptari të denjë për këtë emër fisnik, është Shqipëria e vërtetë me kufijtë saj të drejtë, e cila përmbledh në gjirin e saj të gjithë shqiptarët..( Agron F. Fico “Rilindja e Shqipërisë Etnike” 209, f.29 ). Këtë strategji mbarë-kombëtare Xhevat Limani e shpall pikërisht nga ai ballkon, ku 100 vjet me parë Ismail Qemali shpalli “Mëvetësinë e Shqipërisë”.
“Po vëllezër! Ne të gjithë jemi, por duam veç një Shqipëri Etnike.” (f. 155)
Po. Do të mblidhemi! Do të mblidhemi përsëri, po jo këtu, në këtë sallë, por në sheshin e madh në krye-qendrën arbërore, Strugë, për të përuruar librin e ri të Xhevat Limanit, që tashmë është i njohur shqiptarisht si Xhevat Shqiptari, librin me titull “Artisti me një Atdhe dhe me një komb”. 
Këtë ëndërr-dëshirë uron Xhevat Limani dhe e shpreh poetikisht edhe te poema e vet epike për Luftën e Kosovës:
Mos harroni viset e tjera,
Treg-Luginë e Malësi.
Mos u zëntë Pranvera
Pa Iliridë e Çamëri!
Sigal