Prof. Dr. Agron F. Fico/ Padrejtësi ndaj Kadaresë, padrejtësi ndaj Kombit Shqiptar

637
Vjeshta e këtij viti hyri me shira të dendura, që i krijojnë njeriut edhe një ndjenjë disi melankolike, që nuk e di pse më sollën ndër mend vargjet e një kënge korçare të krijuara nga shqetësimi qytetar:
Vjeshta erdhi edhe shkoi,
Kadarenë “Nobeli” e harroi..!
Muaji tetor, muaji kur shpallen edhe emrat e fituesve të çmimit “Nobel” për fusha të ndryshme të dijes, madje edhe për letërsinë, na del se qenka një muaj i mbrapshtë për racën shqiptare. Në këtë muaj kanë ardhur në këtë botë udhëheqës të shqiptarëve, të vdekur edhe të gjallë, tani na del se është i mbrapshtë edhe për Kadarenë. Po edhe pse ka një të vërtetë për fatin e këtij muaji, le ta kapërcejmë në rastin e shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare, sepse vendimet e komisionit suedez për çmimin “Nobel” për letërsinë nuk kanë si kriter muajin, kur ka lindur shkrimtari. Ne, shqiptarët e kemi pritur, e presim dhe do ta presim që Kadareja të marrë çmimin “Nobel” ose më saktë që komisioni suedez për këtë çmim t’ia japë Kadaresë këtë çmim, këtë vlerësim. Ne kemi dashur dje, por sot ca më shumë kërkojmë dhe duam që Kadareja ynë të nderohet me këtë kurorë letrare të merituar. I lindur gati 80-vjet më parë, edhe dy muaj, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës në një shtëpi-kështjellë në brinjë të trekëndëshit historik “Sokaku i të Marrëve”, shtëpisë së shtetarit dhe diplomatit të shquar Rauf Fico, pothuajse përballë me shtëpinë-vilë të doktor Vasil Labovitit, kryepersonazhi i romanit “Darka e gabuar”, Kadare krijoi, na ka krijuar një univers letrar të pamasë. Kadare në një hark kohor disa dhjetë-vjeçarësh krijoi vepra të shquara letrare-artistike, të cilat janë vlerësuar nga institucione serioze akademike dhe letrare, janë çmuar nga studiues të shquar të mjaft vendeve, janë shkruar me dhjetëra libra, qindra artikuj dhe kritika në revista nga më autoritaret në shtypin botëror. Çdo muaj tetori ne shqiptarët rrimë më veshë-ngritur e presim të dëgjojmë haberin e gëzuar që më në fund komisioni suedez e ka vendosur për t’i dhënë çmimin “Nobel” Kadaresë. Po kjo gjer sot nuk ka ndodhur. Kjo heshtje, ky qëndrim, sipas mendimit tim demokratik edhe si njohës i kulturës së disa shteteve të mëdha, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinë, deri diku edhe Europë është një padrejtësi, sa ndaj shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, aq edhe ndaj kombit shqiptar, një komb i vogël me kulturë të madhe dhe të pasur, një komb me një gjuhë ndër më të lashtat dhe origjinale të rruzullit tokësor. Pa mundur e padashur të matem me të pamatshmin Komision suedez për këtë çmim dhe as të çkodifikoj kriteret e mistershme dhe magjitë e këtij komisioni gati planetar, shkrimtari shqiptar i shquar e ka merituar plotësisht këtë nderim suedez. Do të ishte naive, jo urtësi, po të mendohej se kjo dëshirë shqiptare është një shfaqje e nacionalizmit primitiv, e krenarisë folklorike ose fantazi adoleshente.
Pyetja e parë do të ishte: Si e njeh dhe e vlerëson bota perëndimore, kryeqendrat e qytetërimit euro-atlantik veprën madhore të Kadaresë?
E dyta: Cilat Akademi, institucione europiane kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur pranë Komisionit suedez që Kadaresë t’i jepet “Nobel”-i për letërsinë?
Do të duhej më shumë se një libër vetëm që të përmendësh bibliografinë e shkrimeve për krijimtarinë e begatë të Kadaresë nga institucione të specializuara europiane, nga revista shkencore dhe shumë burime të tjera. Madje vepra e Kadaresë është përkthyer në më shumë se 40 vende të ndryshme, në gjuhët kryesore të botës. Në vitin 2014 u botua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës romani i Kadaresë “Muzgu i perëndive të stepës”. Madje gjatë gjithë vitit të kaluar ai u shoqërua me vlerësime, komente dhe kritika në gazetat dhe revistat më autoritare të masmedias amerikane dhe anglo-saksone. Ja kronika e këtyre shkrimeve:
“The National” (31 korrik 2014) nga Malcolm Forbes; “The Times” (2 gusht 2014) nga Oliver Moody; “The Independent” (3 gusht 2014) nga Jonathan Gibbs; “The Spectator” (9 gusht 2014) nga Ranjit Bolt; “New Statesman” (19 gusht 2014) nga Robert Macquarie; “Times Literary Supplement” (12 shtator 2014) nga George Walden; dhe më 30 nëntor 2014 në gazetën më të madhe -“The New York Times”, në shtesën Book Review të saj “NY Times Book Rev.” me një koment brilant nga Christian Lorentzen e plot të tjera.
Mund të shtojmë se këto komente kaq të gjera në shtypin amerikan ua kalojnë edhe atyre të bëra shumë vite më parë për romanin “Dosja H”, që po ashtu u mirëprit dhe u shoqërua me një përurim në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, me rreth 28 ambasadorë të pranishëm në këtë përurim. Kadareja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësohet si një shkrimtar shqiptar i kalibrave europianë. Kam qenë dëshmitar i disa takimeve kulturore-letrare të organizuara në Nju Jork për Kadarenë dhe jam ndjerë mirë për nderin kulturor e letrar që i bëhet Kadaresë. Po përmend vetëm një prej tyre, atë në sallën e Universitetit të njohur “Kolumbia”. Salla ishte plot me një auditor cilësor: akademikë, diplomatë, personalitete të shquara të jetës shkencore e publike amerikane etj.
Do të shtoja, pa e tepruar, se në qoftë se Shqipëria në vitet 70 të shekullit të kaluar njihej nga vëllezërit Belushi, në fund të shekullit XX-të nga Nënë Tereza, sot, në shekullin e XXI njihet nga Ismail Kadare, njohje që kulmoi edhe me ngritjen e flamurit shqiptar në Capitol të Kongresit të Amerikës për nder të Kadaresë. Në Francën e Balzakut dhe Hygoit, Kadare nderohet në mënyrën më sipërore: është pranuar në Akademinë e Shkencave dhe vepra i është botuar e ribotuar disa herë, me hyrje, studime dhe kritika nga studiuesit më të njohur të Francës. Letërsia europiane dhe botërore e ka pranuar Kadarenë si krijuesin e saj, me dhuntinë më të lartë, këtë e dëshmon edhe dhënia e çmimit “Man Book International” në Anglinë e Shekspirit, ku la pas emrat e njohur të letërsisë botërore, si Gabriel Garsia Markez, Gunter Gras, Margaret Atvud, Filip Roth. Para disa vitesh, në tetor 2009, Spanja e Servantesit, autorit të romanit emër-madh “Don Kishoti”, i dha shkrimtarit Ismail Kadare, në mes të një ceremonie solemne, çmimin “Princi i Asturias”. Në vendim theksohej se, juria kishte vendosur të vlerësonte shkrimtarin shqiptar për “zërin universal kundër totalitarizmit” dhe se shkrimtari e meriton këtë çmim edhe për “bukurinë dhe përkushtimin social të krijimit të tij letrar.” Në proces-verbalin e jurisë shkruhej se “Ismail Kadare tregon me gjuhën e përditshme, por plot lirizëm, për tragjedinë e vendit të tij.” (Cit. “Beautiful America”, A. F. Fico, f. 197.) Në Italinë e Dante Aligierit vepra e Kadaresë është përkthyer dhe nderohet, mjafton të përmendim se iu dha titulli “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Palermos, si dhe u shpall fitues i çmimeve të dhëna nga Akademia Kult për kategorinë e librit më të mirë, me romanin “Darka e gabuar”. Një vlerësim dhe nderim i lartë iu bë shkrimtarit tonë Ismail Kadare edhe në ceremoninë solemne të mbajtur para disa muajsh në Jerusalem. Këto vlerësime, këto çmime të shumtë, këta tituj dhënë shkrimtarit tonë Ismail Kadare për universin e shquar letrar-artistik nga kryeqendrat e metropoleve euro-atlantike, djepi i qytetërimit të rruzullit tokësor, shkërmoqin dhe pluhurosin kuisjet e atyre individëve ndër ca lexues shqiptarë, që shajnë edhe përçmojnë veprën dhe shkrimtarin e madh. Duket me të vërtetë tepër i habitshëm, keqdashës dhe djallëzor edhe mendimi i shprehur se librat e Kadaresë qenkan përkthyer dhe përkthehen për motive ideologjike dhe fetare. Nuk kërkon ndonjë argument që të besohet se këto kryeqendra botërore të kulturës dhe letërsisë euro-atlantike si Londra, Parisi, Berilin, Roma. Madridi, Nju Jorku, Los Anxhelos etj. të jenë aq të përgjumura ndaj librave të botuara të Kadaresë sa të lejojnë botime jocilësore e ca më pak me viruse ideologjike ose fetare. Pas Luftës së Dytë Botërore shkrimtari Ismail Kadare u shfaq në qiellin letrar shqiptar si një yll që ndriti fort, si shkrimtar vërtet i talentuar. Ai u afirmua me krijimin e një korpusi letrar të pamasë si gjeni i letrave shqipe. Merita themelore është se Kadare krijoi një metodë dhe stil të veçantë, origjinal, që ngërthen magjinë e artit dhe letërsisë klasike antike, realizmin europian dhe befasinë e letërsisë së Amerikës latine, ose siç e quan kritika profesionale europiane, ai krijoi “metodën Kadare”. Gazeta spanjolle “Il Mundo” thekson se Kadareja, qysh në vitet ’60 shënon kthesë në letërsinë shqiptare me romanin “Kronikë në gur”. Shkrimtari, me gjuhën ezopike të letërsisë, ka fshikulluar egërsinë e diktaturës komuniste, ku skenat makbethiane të Shekspirit, duket sikur ringjallen në skenat rrëqethëse, intrigat e stërholluara për të mbuluar krime, si te novela “Përbindëshi”, “Pasardhësi”, apo edhe te poema “Pashallarët e kuq” etj. Kadare ka dëshmuar artistikisht shkërmoqjen e regjimit diktatorial dhe shkërmoqjen e perandorive komuniste sovjetike e kineze. Ka denoncuar rendin e bunkerëve në Shqipëri. Ai është flamurtari i lirisë dhe i demokracisë. Shkrimtari i madh Kadare, me personalitetin e vet kompleks si shkrimtar i shquar, erudit, studiues i pasionuar i kulturës dhe gjuhëtar-krijues, ka hyrë përjetësisht në panteonin e njerëzve të shquar të kombit shqiptar. Universi i tij letrar shumë-vëllimesh është i një standardi klasik, më se i denjë për çmimin “Nobel”. Në një vështrim tërësor domethënia e vlerësimeve dhe nderimeve të pafundme të veprës së Kadaresë, në një hark kohor gati gjysmë-shekullor, ka nxitur dhe frymëzuar mjaft institucione autoritare që t’i kërkojnë dhe propozojnë komisionit të çmimit për letërsinë në Stokholm që Kadaresë t’i jepet çmimi “Nobel”. Propozimet e përsëritura të Akademisë së Shkencave të Francës, kërkesa e shumë institucioneve të tjera, duke përfshirë edhe Akademinë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Nju Jork, madje edhe kërkesa e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bamir Topi, për t’i dhënë Kadaresë çmimin “Nobel”, flasin hapur për nderimin dhe statusin e shkrimtarit të madh të kohës sonë. Nga kalldrëmet e qytetit të Gjirokastrës, me romanin “Kronikë në gur” Kadareja e nisi marshimin maratonomak në pistën e madhe të letërsisë dhe u ngjit mbi Këcullë, “maja Everest” e Gjirokastrës dhe atje bota e sheh, e lexon dhe e nderon. Dhe që kjo frazë të mos tingëllojë si një hartim gjimnazisti, po ia lë gjykimin bashkëqytetarit të shkrimtarit, akademikut të përmasave europiane, Eqrem Çabejit, i cili ka thënë: “Si duket një fat i mirë ia ka falur Shqipërisë që të bëhet Ai shkrimtari, të cilin Shqipëria do t’ia falë një herë botës “. (Cit. “Beautiful America”, 2014, f. 79.)
Tiranë, nëntor 2015
Sigal