Prof. Dr. Agron F. Fico/ Një libër për politikën pa politikë

684
Sigal

(“ËNDRRA DHE ZHGËNJIME” i Agim Meros )

 Ekonomisti i shquar amerikan John Kenneth Galbraith në librin e vet “Anatomia e Pushtetit” shkruan: “Pushteti është dashuria për vetveten”. Libri i Agim Meros “Ëndrra dhe zhgënjime” është një ilustrim shqiptar i individit për të nënshtruar të tjerët për qëllimet e veta. Autori shkruan:” E. Hoxha, si sundimtar bizantin, i zgjuar e dinak… merrte masat e nevojshme parandaluese për rreziqet që mund të kërcënonin pushtetin personal… Ai kishte aftësi të veçanta mbi të cilat ndërtoi karrierën e tij…”.(f.74)

Libri, nëpërmjet ngjarjeve, fakteve të shumta, zbulon dramën e shoqërisë shqiptare nën thundrën e sistemit diktatorial. “Diktatura – shkruan autori në f.140 – si një ingranazh gjigand ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që të fuste, deshe apo nuk deshe, në dhëmbëzimet e tij e të bluante, ashtu siç donte ajo”. Ky “ingranazh gjigand” dhe i egër udhëhoqi dhe frymëzoi një luftë të ashpër klasore që shpuri në krime dhe një rrjet kampesh e internime të tipit fashisto-nazist. Shfaqjet politike që inskenoheshin në pleniume, si ai kundër ushtrisë, ekonomisë, kulturës dhe ideologjisë etj. ishin vepër e “pushtetit absolut të partisë dhe Enver Hoxhës që vepronte kështu si një univers misterioz me ritmet, zellet e zjarrta, zakonet, djajtë, hipokrizitë, sekretet dhe galeritë e nëndheshme të tij. Si një aparat gjigand, ai përthithte, transfiguronte, shpërfytëronte, shpërbënte dhe i flakte individët.” Në libër gjen faqe të tëra të “ëndërrave” të autorit që janë edhe ato të moshatarëve të tij si: gëzimi për hapjen e instituteve të larta mësimore dhe më vonë të Universitetit shtetëror, të jetës nëpër aksione etj. të punës me të rinjtë. Idealizmi i çiltër i autorit i kishte rrënjët tek lufta kundër pushtuesve nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por mbi të gjitha tek familja. I ati, Asim Mero, u bë viktimë e një bande ballistësh brenda mureve të burgut të Gjirokastrës; e ëma, Shahadeti, ose Adeti, kishte aq dashuri sa të ngrohte një mëhallë të tërë; ndërsa vëllezërit ishin ndër partizanët e pare. Në pjesën   , që e quan –“Perëndesha e fundit-shpresa”. Agim Mero dëshmon për lindjen e pluralizmit politik dhe krijimin   e Partisë Demokratike , që sipas tij “Në ato momente  ishte padyshim një ngjarje historike”(f.168). Autori tregon për entusiazmin  popullor dhe aktet e para te Partisë Demokratike si krijimi “i Qeverisë së Stabilitetiti” në të cilën zoti Mero u caktua si  Ministër I Tregëtisë dhe Turizmit , po u ngarkua edhe si Kryetar i Komisionit Shtetëror  të  pritjes, administrimit e shpërndarjes së ndihmave nga shtetet e Komunitetit Europian dhe vendet e tjera.

Ishin vtitet të vështira , por kryesore ishte se  se pluralizmi politik në Shqipëri lindi shtatanik dhe me  “njolla të forta” të mentalitetit komunist, qe u shfaq dukshëm në vitet eqë erdhën dhe që për 23 vjet e mbajtën Shqipërine në një nivel të ulët zhvillimi dhe përparime dhe ende larg Bashkimit Europian.

Në mbyllje të këtij rrëfimi të gjatë e tronditës autori shkruan: “Duke mbyllur këtë rrëfim për jetën, kthej kokën  mbrapa e shoh gjurmët e saj. Ato ngjajnë si një lëndinë herë e  blertë, herë e shkretë, si ëndrra të trazuara, shpresa të thyera që, si një përrallë, shfaqen e zhduken pa fund…Por, jeta është e bukur dhe duhet jetuar..” (f.189)

Libri i Agim Meros lexohet me kënaqësi se në të, edhe pse bëhet fjalë për një dramë të hidhur të jetës shqiptare në një hark kohor disa-dekadash, nuk ka as mallkime, as sharje, as mërira dhe as hatërmbetje, madje as edhe urrejtje. Autori përshkruan e jep fakte reale dhe ia lë lexuesit të mendojë dhe të ndjejë siç do vetë. Një vlerë e shtuar e librit është edhe përdorimi i një gjuhe të rrjedhshme, i fjalive të shkurtëra dhe me një ndërtim të thjeshtë. Shpesh gjejmë edhe një humor të hollë të së folurës së Gjirokastrës.“Ëndrra dhe zhgënjime” i Agim Meros është një libër i vërtetë, një libër me kulturë, një rrëfim i sinqertë për një jetë dramatike.

“Ëndrra dhe zhgënjime” është një libër për politikën pa politikë, prandaj lexohet me interes dhe kënaqësi intelektuale.