Prof. Dr. Agron F. Fico/ Kadare dhe Agolli, kolosët e kulturës kombëtare

709
Viti 2016 është një vit i mbarë dhe i bukur për lexuesin shqiptar, ai është viti jubilar i dy shkrimtarëve më të shquar të letërsisë dhe kulturës shqiptare – i Ismail Kadaresë dhe i Dritëro Agollit. Të dy të lindur si poetë dhe sot shkrimtarë me një aktivitet krijues gati gjysmë-shekullor. Me vlerësime dhe nderime të shumta dhe të ndryshme në Shqipëri dhe në mjaft vende të rruzullit tokësor. Ata janë shkrimtarë të dashur, të nderuar nga vetë shqiptarët. Ata janë atdhetarë, janë luftëtarë dhe kanë një integritet të lartë qytetar, profesional dhe janë bërë Nderi i Kombit. Kanë shumë gjëra të përbashkëta si shkrimtarë, si shqiptarë, po ashtu kanë ndryshime befasuese midis tyre: tipi psikologjik, sjelljet, huqet, por mbi të gjitha nga stili, metoda e krijimtarisë. Ata dallohen nga llojet e veprimtarisë krijuese, rruga që kanë ndjekur e ndjekin, opinionet për veprat e tyre etj. Dritëro dhe Kadare, dikur kanë banuar afër njëri-tjetrit; njëri në katin e pestë dhe tjetri në katin e katërt në të njëjtën ndërtesë, në Rrugën e Dibrës. Të dy kanë ndjekur institucionet e larta sovjetike për letërsinë, Kadare “Institutin Gorki” për shkrimtarë dhe Dritëro Universitetin për Letërsi. Ata kanë qenë anëtarë të së njëjtës Lidhje të Shkrimtarëve, ndërsa çerdhja e tyre e parë letrare ka qenë rrethi letrar i gjimnazit të njohur “Asim Zeneli” të Gjirokastrës. Ismail Kadare në intervistën dhënë te përditshmes shqiptare, 7 maj 2016 thotë: “Ne të dy, Dritero Agolli dhe unë kemi qenë për një kohë tepër të gjatë shokë të ngushtë… Ne kishim mendime pothuajse të njëjta kritike ndaj regjimit komunist, në Shqipëri dhe në botë. Në radhë të parë, kundër stalinizmit dhe gjithçka që lidhej me të…”. Vitet 50 të shekullit të kaluar Gjirokastra e sidomos gjimnazi ziente dhe buçiste nga entuziazmi rinor për të ndërtuar Shqipërinë e re pas pushtimit fashist e nazist. Gjimnazi “Asim Zeneli” ishte edhe qendra mësimore, kulturore dhe letrare e Gjirokastrës. Studentët e viteve të fundit, që kishin ndërprerë studimet, sapo ishin kthyer nga Lufta Antifashiste dhe kishin etje t’i vazhdonin studimet dhe të përfundonin shkollën e mesme. Gjirokastra është e njohur për traditat e pasura arsimore dhe kulturore. Sipas një të dhëne të kohës thuhet se Gjirokastra kishte rreth 427 të rinj me arsim të lartë në mesin e viteve 30 të shekullit XX, edhe mbartte të fuqishme dëshirën rinore për dije dhe kulturë.
Zemrën e gjimnazit e përbënin nxënësit konviktorë 
Ka qenë një gjë e mirë-menduar, e drejtë dhe njerëzore vendimi që pas Luftës shkatërruese dhe djegies së fshatrave të tërë nga fashistët, edhe të shkollave, në konvikt të sistemoheshin vetëm nxënës nga fshatrat ku shkollat ishin djegur. Kështu që në konviktin e gjimnazit të Gjirokastrës erdhën dhjetëra nxënës nga fshatrat, kryesisht nga Jugu i Shqipërisë, nga Saranda, Përmeti, Berati e gjer nga Devolli i Korçës, si Dritëro Agolli, Gaqo Veshi e ndonjë tjetër… etj. Gjeje aty nga Fterra, e Lukova, nga Frashëri dhe Sheperi i Zagorisë, nga Konispoli dhe Progonati etj. Konvikti u bë një bashkësi e ngrohtë e vëllazërore e këtyre nxënësve që nga fshatrat mbushën shkollat e Gjirokastrës dhe i dhanë qytetit freskinë e moshës dhe vrullin rural. Ndërtesa kryesore e konviktit ishte gati ngjitur me ndërtesën e gjimnazit. Ajo ishte një sallë e gjatë gati njëqind metra dhe e gjerë 20-25 metra. Kishte qenë sallë për shfaqje filmash dhe ishte kthyer për konvikt-mjedis fjetjeje dhe sallë ngrënieje. Gjithçka ishte në çimento dhe kuptohet, tepër e papërshtatshme për të rinjtë-konviktorë. Kishte dhe disa dhoma në sarajet e Angonatëve, të njohura për arkitekturën e tyre karakteristike. Vështirësitë e shumta ekonomike, varfëria ishin të dukshme, por etja për shkollim duket sikur bënte t’i harroje. Konviktorët, të veshur me një farë doku të zi dhe këmisha të bardha, ngjanin si personazhet e filmit “Lulëkuqet mbi mure”. Jeta e përbashkët në konvikt në ato rrethana, e mbi të gjitha fryma e luftëtarëve-studentë, pjesëmarrës në Luftën kundër fashizmit, e bënte këtë bashkësi të rinjsh të gëzuar dhe i jepte ngrohtësi njerëzore. Kjo shpjegon edhe faktin që mjaft prej nesh që kemi jetuar në gjirin e këtij mjedisi shoqëror ruajmë dashuri e nderim për njëri-tjetrin edhe sot, në këtë moshë. Nxënësit-konviktorë jetonin me rregulla të përpikta; që nga ushqimi, koha e studimit e gjer te orari i fjetjes, si dhe pastrimit vetjak. Ditët e shtuna organizoheshin aktivitete argëtuese, mbrëmje vallëzimi dhe më e kërkuara nga nxënësit ishte ora e gazmore. Dritëro Agolli dhe Gaqo Veshi përgatitnin gati çdo të shtunë një program humoristik, që kishte në përmbajtje jetën në shkollë dhe në konvikt, por edhe jashtë shkollës. Ora e së shtunës, ora e humorit pritej me interes nga konviktorët. Gjimnazi “Asim Zeneli” ishte një shkollë me kërkesa të larta, me kërkesa cilësore dhe prandaj nga ai gjimnaz kanë dalë edhe mjaft specialistë të fushave, nga më të ndryshmet, që sollën kontribute dhe bënë emër në jetë dhe i dhanë ekonomisë dhe kulturës vulën e tyre.
Gjimnazistët e “Asim Zenelit’ edhe në universitet shquheshin për vullnetin, për rezultatet e larta
Meritë të veçantë në këto arritje kanë edhe mësuesit, shumica e të cilëve ishin sa të përkushtuar, aq edhe specialistë të aftë të gjuhës shqipe, të matematikës, fizikës, kimisë etj. “Në këtë gjimnaz, në këtë ansambël arsimtarësh të talentuar, kanë pas dhënë mësim personalitete të arsimit shqiptar. Përmend pak prej tyre: Çifti Luigj dhe Arta Gjoni (Franja), Thoma Papapano, Hysen Zavalani, Rustem Buzo, Fejzi Dika, Vehbi Bala, Shaban Demiraj, Mikel Koka, rusja Papkova etj. Të tërë mësuesit e donin shumë Ismailin, jo vetëm se ishte i urtë dhe i sjellshëm, por sepse e dinin që lexonte shumë”, – shkruan studiuesi nga Nju Jorku Illo Foto. Midis mësuesve të ardhur dhe të aftë, kishte disa prej tyre që trajtoheshin keq e me dyshime për “biografinë”, pasojë e zbatimit të kërkesave të politikës së egër të luftës së klasave. Ata jetonin me ankth dhe frikë të përhershme. Sjellje të keqe dhe arrogante në trajtimin e tyre kishte drejtori injorant e primitiv i gjimnazit, Eqrem K. Gjimnazi kishte arsimtarë të përkushtuar dhe të dashur me nxënësit. Mjafton të përmend njërin prej tyre – Thoma Papapnon, një personalitet i gjuhës shqipe, pjesëmarrës bashkë me Rauf Ficon si përfaqësues i Gjirokastrës në Kongresin historik të Alfabetit (Manastir 1908). Profesor Papapanua, ose siç thuhej në intimitet “Basho Thomai”, ishte shëmbëlltyra e arsimtarit ideal: i veshur me kujdes, i matur në të ecur, i qetë në bisedë dhe i urtë në mësimdhënie, kudo e gjithmonë buzagaz; në gjurmët e Rilindësve tanë, gjuhën shqipe e kishte altar. Në klasë krijonte një mjedis adhurimi për gjuhën shqipe me fjalën e ngrohtë dhe taktin e përshtatshëm ndaj nxënësve. Rregullat abstrakte të morfologjisë ose sintaksës i paraqiste fare thjesht. Thoma Papapnua na theksonte se “Gjuha shqipe fjalëve të huaja u vë qeleshen shqiptare”, dhe që, “rregullat e gjuhës shqipe t’i mësojmë edhe t’i tretim”.
Ishte mjeshtër i shkrimit të bukur dhe kërkonte që edhe nxënësit të shkruanin bukur dhe saktë
Aty nga vitet 50 të shekullit të kaluar erdhi si profesor i letërsisë në gjimnazin e Gjirokastrës, Vehbi Bala, që kishte mbaruar universitetin në Bukuresht për letërsi. Profesor Bala gjeti në gjimnaz të rinj dhe të reja entuziastë, të etur për dije dhe kulturë, që me punë këmbëngulëse thithnin nektarin e dijes dhe të kulturës dhe ishin të interesuar për letërsinë. Disa prej tyre edhe kishin filluar të botonin në shtypin letrar të Tiranës. Vehbi Bala ishte vetë poet dhe i hyri një pune fisnike me nxënësit më të aftë e krijoi një rreth letrar, që u bë vatra e bukur e kultivimit të talenteve letrare në gjimnaz dhe shpejt doli edhe jashtë mureve të shkollës dhe këta të rinj filluan të botojnë edhe në shtypin e Tiranës. Në këtë rreth letrar, që tashmë njihet me emrin “rrethi letrar i gjimnazit “Asim Zeneli’” bënin pjesë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Agim Shehu, Gaqo Veshi, Bekim Harxhi etj. Rrethi letrar i gjimnazit mblidhej rregullisht dhe diskutonte për krijimet e anëtarëve, nxirrte edhe një gazetë muri – “Gazeta letrare e Gjimnazit”. Profesor Vehbi Bala, me përvojën dhe me dashurinë që kishte për nxënësit, letrarë të rinj, ndikoi në kulturën dhe aftësitë e tyre. Gjuha, si elementi-bazë kryesor i krijimtarisë letrare në gjimnaz, zinte një vend parësor. Ardhja në gjimnaz si mësues gjuhe i Shaban Demirajt, bashkë me Thoma Papapanon, e vuri gjuhën shqipe në një status të lartë cilësor dhe krijoi një mundësi reale që nxënësit të mësonin mirë. Ky mjedis letrar e gjuhësor kuptohet se u bë nxitës dhe frymëzues për të rinjtë letrarë. Emri i Dritëroit dhe Kadaresë, me botimet e para në gazetat e njohura në Tiranë, i bëri edhe më të njohur brenda gjimnazit, në Gjirokastër dhe në gjithë Shqipërinë. “…Kur erdhi në klasën e parë të gjimnazit, djali bukurosh me syze, u homogjenizua shpejt dhe natyrshëm me mjedisin e ri shkollor, klasën e 1-B. Ismaili ishte bërë i njohur si autor poezish dhe prozash të shkruara jo vetëm në shtypin e fëmijëve “Pionieri”, por në të tëra gazetat qendrore letrare…”, – kujton bashkëshoku i klasës me Kadarenë në periudhën 1950-1954, studiuesi nga Nju Jorku Illo Foto. Një ndër anëtarët më të talentuar të rrethit letrar të gjimnazit “Asim Zeneli”, Ismail Kadare, 18-vjeçar, botoi vëllimin poetik “Frymëzime djaloshare” (1954) në format të vogël, që ka 56 faqe. Poezia e parë e vëllimit është ajo “Atdhe”. “Poeti i ri” shkruante thjesht dhe bukur:
Atdhe!
Ti qesh e lulëzon,
Sa bukur të stolisi,
Parëvera!
“…Është provë e pakundërshtueshme e gjenisë letrare e Kadaresë që arriti që ta shkruante një libër të tillë në moshën tetëmbëdhjetë vjeç”, – thotë studiuesi Ndriçim Kulla (“Ylli i shkrimtarit”, Ndriçim Kulla, 2013, f. 89). Gjirokastra për fatin e saj të bardhë ishte dhe u bë djepi, lulishtja e bukur ku lindën filizat e parë dhe më të fuqishëm të letërsisë kombëtare shqipe: Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Një poet, shkrimtar tjetër i njohur, që doli nga rrethi letrar i gjimnazit të Gjirokastrës ishte Agim Shehu, i cili kur erdhi mësues letërsie në këtë gjimnaz organizoi edhe një rreth letrar, që ndihmoi lindjen e talenteve të reja letrare. (Agim Sheu: “Argjendi i Guri”, 2012, f. 443). Sado e pangjarë dhe absurd të tingëllojë, por edhe këta kolosë të letërsisë shqipe patën pararendës, ashtu si në letërsinë klasike greke, një poet të verbër, xha Vehipin, që ne gjimnazistët e quanim “Homeri i qytetit”. Xha Vehipi me bastunin e vet trokiste në kalldrëmet e rrugëve të qytetit dhe thurte vargje për qytetarët. Ai banonte tek kasollja afër sarajeve të Dino Çiços. Xha Vehipi, në mjedisin e tij tepër të thjeshtë, gjendej i rrethuar nga njerëz kureshtarë e sidomos nga nxënësit e gjimnazit. Gjimnazistët edhe ndonjë shaka bënin me poetin e mençur. Një ditë e takova dhe, për të hapur bisedën, i thashë se djali i Halit Kadaresë, d.m.th. Ismaili, po i merrte zanatin, hartonte vjersha dhe i botonte. Ai më njohu nga zëri dhe përgjigjen, sipas zakonit, ma dha në vargje:

Ismaili djal’i mbarë,
Vjershëtar i kllasit të parë,
Djali i Halititi me siza,(1)
Mendja e tij plot alitrika.(2)
1. Siza-syza
2. Alitrika, elektrik, këtu ndriçim
Vjershëtori i verbër, përpara mjaft të ashtuquajturve kritikë dhe studiues, ndjeu me shqisën e veçantë të poetit talentin, xixat poetike të Kadaresë. Dritëro Agolli u bë edhe gazetar e publicist i njohur dhe solli një kontribut të veçantë në këtë fushë. Ai sa herë shkonte me detyrë, me shërbim në Gjirokastër, pritej dhe rrethohej me dashuri si “djali i qytetit”, madje brezi i ri e njeh edhe si gjirokastrit. I qeshur si pranvera, i gjallë si kaproll mali, i urtë si orakull shekullor, Dritëro Agolli gëzon nderim të veçantë. Gjirokastritët, të ndjeshëm ndaj kulturës dhe letërsisë, i rrethuan Kadarenë dhe Agollin me nderim dhe dashuri të pamasë kur ata u bënë të njohur, me vepra të botuara, me tituj e vlerësime brenda edhe jashtë Shqipërisë dhe u dhanë titullin e lartë “Qytetarë Nderi të Gjirokastrës”.
Sigal