Prof. Dr. Agron F. Fico: As makaronat e fashizmit, as barin e marksizmit

649
Shkrimtari Mehmet Myftiu – përballë dy diktaturave
Populli shqiptar në luftën e Dytë Botërore doli para historisë së popujve të rruzullit tokësor me një status të nderuar dhe të respektuar. Kjo vulosi vendimin e drejtë të Shqipërisë, që u radhit në anën e drejtë të historisë, u bashkua me koalicionin e madh antifashist, SHBA, BS dhe Britani e Madhe.

Shqipëria ishte një ndër viktimat e para të agresionit ushtarak fashist italian, i cili e pushtoi më 7 prill 1939. Fashistët ishin të egër. Vranë, internuan, burgosën, dogjën dhe shkatërruan fshatra e qytete të tëra. Fashizmi, me gjithë format dhe mjetet që përdori, nuk u pranua, nuk hodhi dot rrënjë te shqiptarët, u luftua me ashpërsi dhe heroizëm të madh. Shqiptarët e kundërshtuan pushtimin fashist italian me demonstrata, me protesta e, kryesorja, me armë, sapo shkeli tokën shqiptare. Shqiptarët, një popull liridashës dhe krenarë, nuk pranuan të “hanin makaronat e fashizmit”, ashtu si bënë edhe gjysmë shekulli më vonë, që nuk pranuan të hanin as “barin e marksizmit.

Shqiptarët, me një ADN shekullore të luftërave për liri dhe pavarësi, dëgjuan thirrjen e Atdheut dhe u ngritën në luftë kundër “bajlozit të zi” që kishte dale nga deti. Në këtë luftë plot sakrifica u përfshinë edhe fëmijët. Në Tiranë u krijua organizata e pionierëve “DEBATIK”, që kryente aksione kundër fashistëve, që nga shpërndarja e trakteve dhe komunikatave me thirrje për qëndresë dhe luftë e gjer te veprime sabotuese, si shpime gomash të makinave fashiste, shkrim parullash antifashiste nëpër rrugicat e Tiranës, shpënie postash nga një bazë tek tjetra. Midis këtyre fëmijëve trima të Tiranës shquhej edhe Mehmet Myftiu, një fëmijë energjik, i shpejtë si era dhe trim si rrufeja.
Meti, siç thirrej zakonisht, shquhej për pjesëmarrje të përditshme në veprimtaritë anti-naziste. Madje shpejt u bë edhe “komandanti” i debatikasve tiranas.
Në një nga këto aksione e ndoqën dhe e kapën ushtarët gjermanë. E rrahën, e torturuan egërsisht, të bindur se si fëmijë do të thyhej, do të nënshtrohej dhe do të tregonte bazat e rezistencës, njerëzit që drejtonin luftën dhe gjithçka që kërkonte komanda gjermane.
Meti i vogël, me qëndresën befasuese para xhelatëve gjermanë, dëshmoi se ishte biri i një populli që jetën edhe mund ta jepte, por lirinë e atdheut kurrë.

Pas disa ditëve në qelinë naziste, torturave dhe mundimeve fizike, Mehmet Myftiun, bashkë me dhjetëra luftëtarë të lirisë, i internuan në kampin nazist të Prishtinës. Ishte në listën e 104 të atyre që do të pushkatoheshin, por shpëtoi vetëm rastësisht.
Pas shkatërrimit të kampit nazist, u kthye në atdhe, në vjeshtën e vitit 1944. Me ëndrrat e lirisë në mendje, Mehmet Myftiu nisi udhën e bukur e të vështirë të shkrimit. Botoi disa tregime, që tërhoqën vëmendjen e lexuesve. Madje, një tregim fitoi edhe çmimin e parë kur autori ishte tepër i ri. Më vonë këto tregime i mblodhi në librin me titull “Njerëzit e fabrikës”. (1951) . Kritika letrare e kohës dalloi te shkrimtari i ri talentin, por mbi të gjitha një metodë realiste, vazhdim i letërsisë realiste shqiptare e evropiane të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Mënyra dhe stili i shkrimtarit Mehmet Myftiu nuk u pëlqeu zyrtarëve komunistë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe autori iu nënshtrua një sulmi dhe ndjekjeje e vazhdueshme, me shpifje për gjoja organizata antiparti dhe veprimtari armiqësore.

Në vitin 1954, ndërsa ishte student i vitit të dytë, e arrestuan dhe e internuan në një kamp përqendrimi në Myzeqe, pse kritikoi letërsinë ruse të kohës, tiparet skematike të realizmit socialist dhe denoncoi në KQ të PPSH si të turpshëm arrestimin e shkrimtarit Kasëm Trebeshina.

Mehmet Myftiu qëndroi i pathyeshëm. Mbajti lart dinjitetin atdhetar dhe qytetar. Po saga e vuajtjeve ndaj tij nuk kishte mbarim. Ai kërkoi që, pas mbarimit të fakultetit të shkonte në një shkollë të mesme të një kooperative bujqësore që të shkruante për jetën e fshatit, por me intriga dhe shpifje e larguan dhe i ndaluan të drejtën e shkrimit dhe botimit. Kjo ishte një goditje fatale, antinjerëzore. Po Mehmet Myftiu e përballoi edhe këtë goditje të re me një moral të lartë. “Ishte në stilin e tij të mos mposhtej” – shkruan Kadareja. Në këto ditë të vështira kam qenë krah tij, siç e pohon vetë në dedikimin që më bën në librin “Shkrimtari”, (botimi i parë, 1991), ku shkruan: “Mikut tim, Agron Fico, që në vitet e vuajtjeve dhe zhgënjimeve… më qëndroi shok dhe mik i vërtetë.”

Romani i ri “Tronditjet e një njeriu” (2016), që u përurua këto ditë, është drama e dhimbshme e vetë autorit, që pas internimit komunist i kishin hequr të drejtën e botimit dhe së fundi e kishin flakur edhe nga arsimi. E kishin caktuar bojaxhi në një ndërmarrje dekoresh dhe e kishin shpallur të çmendur. Romani “Tronditjet e një njeriu” është njëherazi dosja e gjallë, konkrete, tronditëse e debatikasit, të burgosurit dhe të internuarit nga nazizmi dhe komunizmi, e të përndjekurit politik, shkrimtarit-legjendë Mehmet Myftiu. “Ishte i furishëm, rrezikshmërisht i sinqertë, i zjarrtë për gjithçka… Ai si përherë e mbante veten, nuk ankohej kurrë për asgjë”, shkruan Kadareja. Te personaliteti i shkrimtarit, atdhetarit të madh dhe njeriut fisnik shqiptarët shohin historinë e tyre të ndritur, prandaj nderimi dhe vlerësimi publik i sakrificave dhe kontributeve të pazakonta të shkrimtarit Mehmet Myftiu kërkojnë që ne të gjithë dhe institucionet e larta ta shpallin edhe “Nderi i kombit”, edhe me urdhrin e “Flamurit të kuq”, që është titull më i lartë.
Sigal