Prof. Dr. Ago Nezha/ 22 vjet, veprimtari e pashtershme e shoqatës “Labëria”

833
Sigal

 Në jetën e një organizmi shoqëror, 22 vjet veprimtari, nuk janë shumë, por nuk janë as pak kur është fjala për të shprehur vlerat dhe kontributin për çështje madhore kombëtare. Në kryeqendrën e vendit, aty ku rreh zemra e Shqipërisë sonë, në Tiranë, 22 vjet më parë, më 12 dhjetor të vitit 1991, lindi shoqata atdhetare kulturore “Labëria”.

Themelimi

Nismëtar për themelimin e shoqatës, ishin një grup intelektualësh lab, të lindur, apo me origjinë nga krahina e Labërisë historike. Të prirur nga klima e nxehtë politike, ku partitë ishin kthyer në një kopsht me gjemba, që shponin dhe helmonin njëra- tjetrën me vrerin e akumuluar të kohës, për të amortizuar këtë situatë të tensionuar shoqërore, në kopshtin e dashurisë njerëzore, mbollën dashurinë e kulluar labe. Ajo e nisi jetën e saj si një kopsht me lule shumëngjyrëshe, për ti bashkuar njerëzit pa dallime politike, në shtratin e saj atdhetar. Por, si shumë shoqata të tjera, edhe Shoqata “Labëria”, nuk i shpëtoi dot hera –herës politizimit dhe atrofizimit të saj. U desh kohë e përvojë dhe një ndërhyrje energjike, që larg frymës politike, dhe me pjesëmarrjen më të gjerë  të disa intelektualëve me personalitet dhe integritet që të forcohej e ringrihesh përsëri Shoqata “Labëria”, në misionin e saj historik. Ajo nisi jetën institucionale, duke krijuar degë në të gjitha trevat e Labërisë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Himarë,  Orikum, si dhe në ato qytete që kishte komunitet lab të shprehur, si në Tiranë, Durrës, Fier e Patos. Më 5 Qershor të vitit 1998, në respekt të simboleve, në kuadrin e përvjetorit të Luftës së Vlorës, ku treva e Labërisë ishte protagonistja kryesore e kësaj ngjarje madhore për kombin, u mbajt në Tiranë Kuvendi i Parë Themelues i shoqatës “Labëria”. Ky Kuvend, ishte guri i themelit që  përcaktoi filozofinë e gjithëpërfshirjes, pa dallime partiake, apo shoqërore. Kuvendi zgjodhi dhe organet drejtuese të shoqatës me Kryetar shkrimtarin e njohur Halil Qëndro. Nisur nga misioni i shoqatës dhe tradita e të parëve të Labërisë për bashkimin e trojeve Shqiptare, Kosovë e Çamëri, në këtë Kuvend, u zgjodh dhe Kryetari i nderit, Akademiku Rexhep Qosja, një personalitet i shquar i çështjes sonë kombëtare. Rrugëtimi i gjatë i Shoqatës, nga njëri Kuvend në tjetrin, ka pasur si motiv, që të gjallëroj veprimtarinë e trevave të Labërisë. Kuvendi i dytë u mbajt në Vlorë, në Maj të 2001, me pjesëmarrjen edhe të kryetarit të nderit Profesor Rexhep Qosja, ku në përshëndetjen e tij përcolli edhe fjalët lapidar: se “Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë”. Ndërsa Kuvendi i tretë u mbajt në Himarë, në Maj të 2004, jo rastësisht, por për të evokuar historinë e harruar, se Himara në lashtësi, ka qenë kryeqendra e Labërisë. Me gjithë përpjekjet e shërbëtorëve të segmenteve Vorio-Epirote, për ta dështuar këtë Kuvend, ai u kurorëzua me sukses falë vullnetit këmbëngulës të Himarjotëve të ndershëm me genin e vetëdijshëm prej labi.  Vend-zhvillimin e Kuvendit të katërt në Nëntor të 2009, në Kuç të Vlorës, na e diktoi një ngjarje madhore, që kishte ndodhur 89 vjet më parë po në këtë fshat, aty ku ishin mbledhur në një kuvend delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova e Çamëria dhe ku diskutuan për gjashtë ditë rresht, për probleme të mprehta sociale dhe plagët e rënda të kohës, si gjakmarrja, emancipimi i gruas dhe problemet e arsimimit. Në këtë kuvend u nisën për të marrë pjesë edhe Kryeministri i kohës Fan Noli dhe Bajram Curri, por për arsye të trazirave politike, nuk arritën dot deri në Kuç. Ky akt, edhe pse i pa realizuar tregon veç të tjerash edhe për simpatinë e veçantë që ka pasur  Noli për Labërinë,  i cili pati thënë fjalët lapidare : “ se kur lëngon Shqipëria zgjohet Labëria” . Vlen të kujtojmë këtu edhe amanetin e lënë prej tij me porosinë e veçantë, që kur të vdes dua të më përcillni me një këngë labe, po të kënduar nga lebër safi. Labëria, në festën e jubileut të 22-të, në nderim të kujtimit e të amanetit të tij, do ta përshëndes me këngë labe. Shoqata “Labëria”, ndodhet para një evenimenti shumë të rëndësishëm të jetës së saj, në mbajtjen e kuvendit të pestë, në muajin Prill të 2014, që do t’i zhvillojë punimet e tij në Gjirokastër, si një qytet me histori dhe kulturë të admirueshme të trevës së Labërisë.

Dinamika

Shoqata “Labëria” ka pasur një dinamik të admirueshme dhe është rritur nga njëri kuvend në tjetrin, jo thjeshtë në aspektin sasior, por përmes veprimtarive të  saja të shumta e mbresëlënëse, për çështje madhore të kombit. Mjafton të sjellim në kujtesën e lexuesit, disa nga veprimtaritë më përfaqësuese, që kanë pasur ndikim mbarë kombëtar. Në vazhdimësi, ka qenë  Shoqata “Labëria, që ka sensibilizuar mbarë opinionin shoqëror, për fenomenet që janë shfaqur në shkatërrimin e vlerave kombëtare. Ishte ajo iniciatorja, që në Muzeun Historik Kombëtar, mblodhi rreth 70 shoqata mbarëkombëtare, ku denoncoi “Marrëveshjen famëkeqe të shitjes së detit fqinjit tonë Greqisë dhe vuri para përgjegjësisë,   qeverinë dhe politikën, duke sensibilizuar opinionin shoqëror nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj elektronike. Të njëjtin qëndrim aktiv, ka mbajtur edhe për vetëdeklarimin e popullsisë, sipas etnisë dhe fesë, apo për problemin e varrezave greke në Përmet dhe Boboshticë të Korçës, për çështjen e pretendimeve të Vorio- Epirit, në Himarë, për shkollat publike greke në trevat jugore, për shkatërrimin e mjedisit turistik në Vlorë, ku organizuam një tubim me pjesëmarrjen e mbi 60 shoqatave, me moton: “Vlora në rrezik”, e shumë veprimtari të tjera me karakter kombëtar. Ato, janë të shumta e të larmishme, por nuk është vendi ta rëndoj kujtesën e lexuesit me shumë ngjarje të tilla, ndaj përmenda vetëm disa prej tyre, si më përfaqësuese.  Ajo që është më e rëndësishmja në jetën e Shoqatës për periudhën 22 -vjeçare, ka të bëjë me gjallërimin dhe vetëfunksionimin e degëve në rrethe. Ka shumë për të evidentuar, por do veçoja aktivitetet që kulmojnë me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Ato startuan me një sesion shkencor që mbajti Labëria në Tiranë me siglën: “kontributi i Labërisë në 100 vjetorin e Pavarësisë” dhe u shoqëruan me aktivitete të dendura e cilësore  në të gjitha degët. Vlora, krahas shumë aktiviteteve në qytet, e shtriu veprimtarinë e saj edhe në fshatra, me sesione, ndërtime muzesh e lapidarësh. Po kështu, një mori aktivitetesh u organizuan në Sarandë, ku veç të tjerash bëri sesion për betejën e Lëkurësit, të shoqëruar edhe me manifestim kulturor. Aktivitete mbresëlënëse u zhvilluan nga dega e Shoqatës “Labëria” në Patos, për Mustafa Matohitin, në Fier, Gjirokastër e Tepelenë, për figura të shquara të Labërisë, etj.. Në rast se mund ta quajmë vlerë lindjen dhe krijimin e shoqatës, unë do të vlerësoja dhe falënderoja në këtë jubile, të gjithë ata kryetarë dhe veprimtarë të degëve në rrethe, që e kanë mbajtur gjallë frymën e shoqatës dhe kanë rritur veprimtarinë e saj nga viti në vit. Evidentimi, ruajtja, përgjithësimi e transmetimi i vlerave më të spikatura kulturore e atdhetare, morale e shpirtërore, të trevës sonë te brezat ekzistues e te ata që do vijnë, ka përbërë e përbën një nga angazhimet tona kryesore. Vlera të tilla morale, me përmbajtje parimore-juridike, të mbrojtjes së nderit, burrërisë, fisnikërisë, besës, mikpritjes, bujarisë, parimet e barazisë të kujtdo para zakoneve e normave që rregullonin marrëdhëniet shoqërore, apo edhe mbrojtja e dinjitetit, lirisë e mëvetësisë, etj, të cilat në tërësinë e tyre kanë formuar kodin etikë të etnosit lab, kanë bërë , sikurse thekson shkrimtarja Edit Durham, që: “Perandoritë e tjera  erdhën e ikën, por ato kaluan mbi shpinën e shqiptarit, si uji mbi shpinën e rosës dhe populli shqiptar ruajti zakonet dhe identitetin e tij”. Emri i Labërisë, në shekuj i ka trembur pushtuesit dhe fqinjët tanë shovinist. Jo më kot Napolon Zerva, thoshte: “le të ketë një çik Shqipëri, por të mos ketë Labëri”. Dua të sjellë në vëmendjen e lexuesit, një përshëndetje disi të veçantë, që At’ Shtjefën Gjeçovi, mbasi iku nga Elbasani, ku ishte peshkop dhe shkoi në Vlorë në 1920, për të luftuar kundër pushtuesit italian, nga Vlora i shkruan kryepeshkopit të Shkodrës me këto fjalë: Imzot kur të vij në Shkodër do të bëj të flisni toskërisht, se vlonjati për Shqipërinë shet pasurinë, djeg shtëpinë dhe falë fëmijën. Këto vlerësime të korifenjve të letrave Shqipe, që citova më lartë e kanë vënë “Labërinë” para përgjegjësisë historike, për të sotmen dhe të ardhmen kombëtare. Shoqata “Labëria, gjatë këtyre 22 vjetëve aktivitet, një aspekt të veprimtarisë së saj, ka pasur edhe botimin dhe promovimin e krijimtarisë të autorëve lab. Ato kanë qenë të shumta, por unë desha të veçoj Kanunin e Labërisë të autorit Prof. Dr. Ismet Elezit, që është edhe pasaporta e zakoneve dhe traditave të Labërisë, për të cilin e përgëzoj duke evokuar të kaluarën, në këtë ditë historike  për shoqatën. Jetën dhe aktivitetin e “Labërisë”, e ka përcjellë te komuniteti Lab dhe më gjerë, zëdhënësja e saj e fuqishme, gazeta “Labëria”. Nëpërmjet saj, janë evidentuar e pasqyruar veprimtaritë e Shoqatës në qendër dhe në rrethe dhe janë ofruar eksperienca dhe figura që kanë pasur ndikim në jetën e komunitetit lab. Një punë të lavdërueshme kanë bërë kryeredaktorët dhe redaksinë e kësaj gazete në vite e deri më sot, duke filluar nga Pëllumb Tare, Lirim Deda dhe Albert Zholi.  Mbarëvajtja dhe jeta e shoqatës “Labëria”, është e lidhur ngushtë edhe me kontributin e pa kursyer financiar të nën/kryetarëve në vite, duke filluar nga i ndieri Enver Guga dhe duke u pasuar nga Gafur Duda, Fatmir Toçi dhe Kastriot Zoto, që nuk kanë ndier “lodhje” duke përballuar me sponsorizimet e tyre në vite, veprimtaritë që kanë një kosto financiare. Do uroja që ky  gjest, të jetë një reflektim i thellë edhe i atyre biznesmenëve lab, që u ka zënë frymën pasuria, por ose aspak u intereson Labëria, që shpirtin e saj patriotik e transmeton përmes këtij organizimi, shoqatës sonë “Labëria” Labëria, ka ditur të nderojë dhe vlerësoj jo vetëm bijtë e saj që e kanë për detyrë t’i kontribuojnë trevës së vetë, por edhe ata intelektualë jo lab, të cilët i kanë qëndruar pranë Labërisë dhe i kanë kontribuar çështjes kombëtare. Krahas mbështetjes, që i kemi dhënë çështjes Shqiptare në trevat e Kosovës, Çamërisë, Maqedonisë, e Malit të Zi, në këto 22 vjet të jetës së shoqatës, jemi munduar ta shtrijmë më tej, duke dhënë tituj nderi, për figura të shquara, me kontribute të mëdha mbarëkombëtare, siç është Kryetari i nderit, Akademiku Kosovar Rexhep Qosja. Në këtë rrjedhë, janë vlerësuar personalitete të fushave të ndryshme, si biri i Qytetit të lashtë të beratit, Presidenti Mejdani, që është anëtar nderi i Shoqatës “Labëria” si dhe shkrimtari i shquar, Devolliu  Dritëro Agolli, i cili theksoi se, po të mos kisha studiuar në Labëri nuk do të isha ky poet e shkrimtar që jam sot, se atje jam frymëzuar nga fermenti lab. Por anëtar nderi, kemi pasur edhe dy figura të artit dhe muzikës që nuk jetojnë më, Shkodranët Ramadan Sokolin dhe Tish Dainë. Të më falin, që unë nuk po përmend në këtë shkrim, ato personalitete që janë bijë apo bija të Labërisë, sepse janë të shumtë. Nga ky prezantim i shkurtër që bëra, del që kemi një larmi figurash të shquara të  politikës, të artit, letërsisë dhe shkencës. (se në opinion e gjerë  shoqëror, labët i identifikojnë me pushkën, trimërinë dhe harrojnë që janë edhe të penës e të artit).

Personalitetet

Mjafton të përmendim që në majat e letërsisë qëndron shkrimtari i përmasave botërore, Ismail Kadare, për poezinë do veçoja Ali Asllanin, apo në Olimpin e skenës së teatrit, aktori Gjeni i skenës, “Artisti i Popullit”, “Nderi i Kombit” Kadri Roshi, që pasohen me aktorët e njohur Mjeshtrat e Mëdhenj: Robert Ndrenika, Timo Floko, Birçe Hasko, Bujar Asqeriu, e shumë të tjerë. Në kinematografi, Labëria, ka kineastin dhe regjisorin e shumë filmave, Personalitet i “Labërisë”, Himarjotin Dhimitër Anagnosti, etj.. Labëria, nuk mbetet mbrapa edhe në fushën e muzikës. Këtu mund të nisim me Femi Brahimin, Limoz Dizdarin, Shpëtim Kushtën, Kujtim Laron, e shumë të tjerë. Në skulpturë na përfaqëson Personaliteti i Labërisë, “Artisti i Popullit” Muntaz Dhrami, ndërsa në pikturë artistët e popullit Skënder Kamberi dhe Nestor Jonuzi, etj.. Ne jemi treguar të vëmendshëm, që të nderojmë ato figura që kanë merita dhe që i qëndrojnë pranë “Labërisë”.  Me rastin e jubileut të 22- vjetorit të shoqatës “Labëria”, në gjerdanin e figurave të shquara, të anëtarëve të nderit të Shoqatës “Labëria”, i shtohet edhe një personalitet i nderuar i familjes së madhe Kavajase të Moisive, Dr. Alfred Moisiu, Presidenti që tregoi dinjitet, integritet dhe përgjegjësi kombëtare, me një ndjenjë të theksuar atdhetare. Ai, gjatë gjithë jetës së tij ka treguar vlera të larta morale, profesionale dhe shoqërore. Ka startuar në jetë, si një ish- partizan i luftës Nacional-Çlirimtare, kuadër i lartë ushtarak, veprimtar shoqëror dhe një familjar shembullor. Pa mëdyshje, mund ta quajmë “Modeli i Presidentit Moisiu”.

Vlerësimi

Njëkohësisht, në këtë jubile, Labëria nderon me titullin e lartë “Mirënjohje të Labërisë”, në vlerësim të artit, kulturës dhe atdhetarisë, këngëtaren e njohur, Sarandjoten minoritare, “Mjeshtre e Madhe” Irini Qirjako, që e ka ngritur këngën Labe në panteonin e folklorit më popullor.  Me titullin “Mirënjohje e Labërisë”, vlerësojmë një personalitet të artit, “Nderin e Kombit”, “Artistin e Popullit”, “Mjeshtrin e Madh”, tiranasin Reshat Arbana, që ka qenë gjithmonë pranë Labërisë me recitimet e tij mbresëlënëse e të fuqishme, që është vështirë të shlyhen nga kujtesa e shqiptarëve. Perlat e poezisë të vlonjatit Ali Asllanit, në gojën e të madhit Reshat Arbana, na bien si kambana për realitetin e sotëm politik dhe shoqëror.  Një tjetër artist i skenës, që ka ndjekur veprimtaritë e Labërisë, jo vetëm në qytete, por edhe në fshatra, duke filluar nga Kuçi, Drashovica e deri në Buzë të Tepelenës, duke recituar poezi nga poetët lab, është artisti i mirënjohur “Mjeshtër i Madh”, Gjakovari Mirush Kabashi, që sot Labëria e nderon me titullin e lartë “Mirënjohje e Labërisë”. Në sfondin e prezantimit të Personaliteteve të Labërisë, shohim se, janë vlerësuar njerëz të politikës, të artit e letërsisë, duke prekur gjithë krahinat nga Kosova, Shqipëria veriore, Shqipëria e Mesme dhe  ajo Jugore. Sigurisht që, ky është një proces që ka dinamikën e vet, edhe për të ardhmen, sepse nuk mungojnë figurat e shquara, jo vetëm të Labërisë, por edhe ato kombëtare.

  (Autori, është Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”)