Prof. Berndard Zotaj: Për mjeshtrin e fotografisë, Nikolin Pici

702
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Ylli Drishti

Nikolin Pici, pjesë e dinastisë të fotografëve shkodran

Mjeshtri i fotografisë Nikolin Pici, ishte një nga pjesëtarët e dinastisë së fotografëve shkodranë “PICI”. Nikolin Pici ishte pjesë e grupit të fotografëve të Laboratorit Fotografik Qendror të Ushtrisë Shqiptare ku bën pjesë Petrit Ristani, Agron Kruti, Kosta Bej, Bujar dhe Alma Duka, të drejtuar fillimisht nga nxënësi i Gegë Marubit të madh, Rrok Berisha. Detyra e tyre ishte dokumentimi i veprimtarisë (stërvitjeve dhe jetës) së reparteve të Ushtrisë Shqiptare të të gjitha llojeve të armëve. Në një farë mënyre prej këtij stafi fotograf dhe laborant, si pjesë e atij që emërtohej Laboratori Qendror Fotografik i Ushtrisë. Është i plotë “Ditari Fotografik” i ushtrisë shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe Paradat Ushtarake. Nikolini u bë pjesë e këtij stafi në moshën 18-vjeçare dhe pas 11 vjetësh (1959-1970) ai do të kalonte si fotograf i revistës së ilustruar ushtarake “10 Korriku” (1970-1990). Gjatë viteve 1983-1990, Nikolini ishte koleg në të njëjtin laborator fotografik me mjeshtrin tjetër të fotografisë Alqi Golloshi, që mbulonte shërbimin fotografik për gazetën “Luftëtari”. Nikolin Pici shërbeu për 31 vjet në Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Ministria e Mbrojtjes duhet të jetë krenare me emrin e tij dhe brezave të fotografëve që i shërbyen. Me respekt kujtohet emri i tij nga Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë ku Nikolini punoi gjatë viteve 1990-2000. Por emrin e tij e mbajnë tashmë shumë botime të rëndësishme të ushtrisë shqiptare dhe të historisë së arteve pamore në Shqipëri.

 

Në traditën shkodrane u afirmua fotografi i malësisë

Shan Pici në Shkodër është i njohur së bashku me emrave e të njohur fotograf si Marubët, Jakovët e Raboshët. Ai ishte një fotograf profesionist i qytetit të tij, ku ka fiksuar e dokumentuar në studio portrete qytetare, malësorësh, martesash dhe dasmorëve. Shan Pici kishte pasion natyrën, ka lënë një koleksion të pasur të peizazheve verior të Shqipërisë të fiksuar në foto. Nga udhëtimet e shumta ai ka fiksuar pamje të natyrës malore të Malësisë së Madhe, të Tropojës, Kukësit, Pukës, Mirditës etj. Vlera e tij qëndron si artist fotograf se ka fiksuar bukurinë e natyrës duke punuar me mjeshtëri dhe dashuri për zanatin e fotografit. Këto vepra në foto janë realizuar me mjete të thjeshta të kohës, por ato përcjellin emocion dhe komunikim në imazhet e bëra treçerek-shekulli më parë. Shan Pici quhet fotografi i popullit, ka janë me qindra foto që pasqyrojnë jetën popullore, varfërinë, pabarazinë në shoqëri dhe midis burrit dhe gruas etj. Nga aparati i Picit në veprimtarinë gjysmë shekullore nga viti 1924 deri në vitin 1976 ka lënë një arkiv mjaft të pasur me pllaka filmi, negative të ndryshme, si dhe janë çelur ekspozita fotografike, e bërë albume. Shan Pici ishte nxënës i mësuesit Kel Marubi dhe një nga pinjollët e shkollës shkodrane të fotografisë. Me punën e palodhur Shan Pici quhet dhe “Shani i Malësisë”, fotografi ka fiksuar imazhe edhe të Ernest Koliqit, i cili e shoqëronte në udhëtim. Portrete personazhesh dhe peizazhe mahnitëse të zonës së Dukagjinit apo Valbonës janë ato çka sot trashëgojmë ende. Fotografitë origjinale të Shan Picit, ndryshe nga këto, kanë përmasa shumë të vogla, 4 me 6 centimetra. Në moshën 18 vjeçare më 1924, vetë ky autor do të çelte studion e tij fotografike për të vijuar për 70 vjet të jetës, duke ecur në gjurmë të mësuesve të tij. Në ndryshim nga fotografitë e Marubëve, ku dominojnë fotografitë në studio, ai tenton të kapërcejë pragun e studios, dhe ne kemi marrë këtë ndarje të këtyre dy momenteve, siç është momenti i famës së Marubëve dhe për ti dhënë vendin këtyre fotografive të bëra nga Pici, që janë në natyrë, janë jashtë studios. Ai kapërcen studion duke bërë udhëtime të ndryshme kryesisht në Alpe, ndaj dhe e kemi quajtur si Pici i malësive, sepse ai është i njohur për fotografitë e natyrës.

 

Tradita tek fotografi i ushtrisë

Nikolin Pici lindi në Shkodër më 24 tetor 1940. Ai i përket brezit të fotografëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shek. XX me traditë familjare. Nikolini si djali i fotografit të njohur shkodran Shan Pici, artin e fotografisë e mësoi prej babait që në moshën 14 vjeç. “Oda e territ” si quhej në dialektin shkodran, dhoma e errët e laboratorit do të bënte pjesë në programin ditor të Nikolinit fëmijë, krahas lodrave të moshës. Leksionet e para të fotografisë bardh e zi, i mori nga babai, krahas kontakteve të përditshme me punën për të fotografuar qytetarët në studio apo dhe gjatë realizimit të peizazheve në natyrë, krijoi pasionin për fotografinë. Këtë pasion Nikolini e ruajti gjithë jetën brenda koshiencës së tij artistike. Gjatë viteve 1959-1962, Pici ushtar-fotograf realizoi fotografitë e para dokumentare në Laboratorin Qendror Fotografik të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa në vitet 1962-1970) ishte pjesë e stafit profesionist të këtij laboratori të rëndësishëm të ushtrisë. Në arkivin e madh të laboratorit emri i Nikolin Picit zë vend të rëndësishëm. Aty gjenden me mijëra fotot (negativa e diapozitiva) të dokumentuar nën syrin e një profesionisti dhe fotografi serioz. Aty gjenden imazhe nga stërvitjet e strukturave të ndryshme të Forcave të Armatosura shqiptare, veprimtaritë kulturore-artistike dhe jeta ushtarake, pothuaj e të gjitha reparteve të ushtrisë. Brenda kuadratit të një dokumentimi dhe orientimeve të sakta ushtarake, artisti Pici ka gjetur gjithmonë hapësira të këndvështrimeve emocionuese e realiste. Në mijëra e mijëra fotografi të këtyre viteve gjenden portrete pilotësh të porsa kthyer nga mijëra metra lartësi, tankist, artiljer, xhenier, vullnetar ushtarak, paradat ushtarake të ushtrisë shqiptare, të cilët pasqyrojnë mjaft bukur në imazhet e tyre energjinë, burrërinë dhe bukurinë njerëzore.

Në vitet 1970-1990 Nikolin Pici ishte fotograf i botimeve të Ministrisë së Mbrojtjes në Revistën “10 Korriku”, por botonte foto dhe në gazetën “Luftëtari”. Fotografitë e tij ishin pjesë e mediave të tjera të kohës, se revista “Ylli”, ”Shqiptarja e re”, “Shqipëria sot” etj.) Në vitin 1982, Pici çel dhe ekspozitën e tij me 130 vepra fotografike me temë nga ushtria shqiptare. Gjatë viteve 1990-2000, Pici ishte fotografi i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë, ku ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e veprimtarive artistike të saj, si dhe në botimet që Galeria ka realizuar, si katalog me titull “Ikona Shqiptare” (2001), Monografi të “Thoma Thomai”, (1997), revista “Pamorart” etj). Pici krahas një krijimtarie të fotografisë dokumentare të lavdërueshme mbi 30 vjet që punoi në Forcat e Armatosura, realizoi gjatë punës në sektorin e botimeve të Ministrisë së Mbrojtjes vepra fotografike në gjininë e peizazhit dhe portretit. Gjatë udhëtimeve të shpeshta dhe në vendet nga më të bukurat e më të largëtat, atje ku ishin vendosur njësitë ushtarake shqiptare, Pici ka fiksuar përveç imazheve të ushtarakëve që ishin të veçanta e me gjetje kompozicionale nga më interesantet edhe magjinë e bukurisë së natyrës shqiptare. Në përgjithësi veprat fotografike të Nikolin Picit kanë brenda tyre qetësi dhe një dritë delikate që evidenton bukur imazhin e fiksuar.

 

Mjeshtri Nikolin Pici, pjesë e historisë ushtarake

 

Mjeshtri Nikolin Pici bën pjesë në grupin e fotografit klasik shqiptar i viteve 1960-1990. Ai u formua në studion e babait dhe ruajti traditën e mjeshtërve të fotografisë shqiptare si Marubi, Radovani, Ristani, Jakova, Nënshati, Golloshi, Kallfa, Veseli. Ai ishte mik dhe koleg me Alqi Golloshin, Petrit Kumin, Refik Veselin, Petrit Kumin, Besim Fushën dhe Leon Çikën.

Nikolin Pici ka qenë prezent me fotografitë e tij në albumet e botuara nga Ministria e Mbrojtjes deri në vitet 1990 dhe më tej në botime të tjera të veçanta për artit ikonografik. Ndër këto botime zënë vend të merituar Albumet: “25 vjet Ushtri Popullore”, “Marshon Shqipëria Socialiste”, “Ushtria Popullore në artet figurative”, “Ikona Shqiptare” në vitin 2001 me autor Ylli Drishti, botim i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë, si dhe “Ikona bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri”në vitin 2007 me autor Ylli Drishti.

Nikolin Pici, tashmë ka zënë vend në pjesën e historisë ushtarake dhe të plejadës së mjeshtërve të fotografisë shqiptare të shek. XX. Mirënjohja shkon e plotë për mjeshtrin Nikolin Pici, si dhe respekti për krijimtarinë e tij dhe figurën shembullore të njeriut të kompletuar.