Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Pionier i aviacionit luftarak shqiptar

1284
(Në kuadrin e 20 vjetorit të ndarjes nga jeta)
Djaloshi me karakter të “vështirë”
Babaçe Faik Ymeri u lind me 12 mars 1924 në qytetin e Vlorës, në gjirin e një familjeje me ndjenja të theksuar atdhetare. Arsimin fillor e mori në vendlindjen e tij, si dhe përfundoi dy vite të shkollës tregtare. Djaloshi kishte karakter të vështirë, ishte i panënshtruar dhe shpesh bënte sherr. Në janar të vitit 1940, në një grindje deri në vrasje, dënohet me dy vjet burg, ku qëndroi deri në dhjetorin e vitit 1941. Në burg njihet me elementë përparimtarë antifashistë, si Lefter Kasnecin, Filat Muçon, Hajro Çakërin e Fejzo Gjomemën, të cilët ndikuan në edukimin e tij me ndjenja antifashiste. Burgun e kreu në Vlorë, në Trieste të Italisë si rezultat i Luftës Italo-Greke dhe në Tiranë. Me daljen nga burgu, në fundin e vitit 1941, Babaçja, me rekomandim të antifashistëve, lidhet me Arif Haskon, Hito Çakon dhe Vehbi Hoxhën, të cilët kishin të organizuar në njësitin e parë gueril të qytetit të Vlorës. Babaçja mori pjesë në shumë aksione të rëndësishme që kreu njësiti gueril, si: rrëmbim armësh, goditje kundër milicisë fashiste, shpërndarje traktesh, atentate të ndryshme, pjesëmarrje në demonstrata etj.
Partizan në vijën e parë
Në muajin gusht të vitit 1942, doli partizan në zonën e Mesaplikut. Qëndrimi i tij i mëtejshëm në qytet u bë i pamundur, sepse aktiviteti i tij i dendur antifashist ra në sy dhe kërkohej nga milicia fashiste për t’u arrestuar. Me formimin e çetës “Plakë” partizane të Vlorës, më 4 dhjetor 1942, rreshtohet në këtë formacion nga janari vitit 1943 deri në mars të vitit 1943, ku transferohet si përgjegjës në zonën e Treblovës, komisar çete. Në këtë kohë mori pjesë në të gjitha luftimet që kanë zhvilluar formacionet partizane si në Çeprat, Patos, Selenicë, Mallakastër, Gemenicë etj. Në dhjetorin e vitit 1943 plagoset dhe dërgohet në spitalin partizan të Poliçanit dhe pas një muaji kthehet në Gjorm të Vlorës, mandej komisar në krahinë. Në moshën 20 vjeçare, ka qenë sekretar i rinisë komuniste për qarkun e Vlorës dhe anëtar i Komitetit Qarkor të PK për Vlorën. Në gushtin e vitit 1944 ishte delegat në Kongresin e Rinisë në Helmës të Skraparit, ku edhe u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare. Nga konferenca e kuadrove në Berat emërohet përgjegjës rinie brigade dhe në këtë detyrë qëndroi deri pas çlirimit të vendit në qershor 1945.
Piloti premtues
Në korrik 1945 u dërgua për studime në shkollën ushtarake të aviacionit në Jugosllavi. Në shkollë studioi me këmbëngulje dhe u bë pilot e ushtarak shumë i mirë, ku u bë një prej pilotëve të parë të Aviacionit Luftarak Shqiptar. Studimet në shkollën e aviacionit në Jugosllavi, i përfundoi me rezultate të mira në muajin nëntor të vitit 1947. Nga muaji dhjetor 1947 deri në muajin qershor të vitit 1948 kryen detyrën e komandantit të Katërshes në repartin e aviacionit të Ushtrisë Jugosllave në Shkup. Me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë kthehet në Atdhe dhe në muajin tetor 1948 shkon për studime, në BS, ku qëndroi deri në marsin e vitit 1950. Studimet i përfundoi me rezultate të mira. Ishte një nga organizatorët kryesorë të aviacionit ushtarak. Më 24 prill 1951, ai me shokët e tij bënë fluturime demonstrative. Caktohet shef i Seksionit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa nga muaji shkurt 1951 deri në gusht të vitit 1952 emërohet komandant i skuadriljes së parë autonome të aviacionit shqiptar. Nga gushti i vitit 1952 deri në mars 1954 emërohet zëvendëskomandant për fluturimet luftarake e mësimore po në këtë skuadrilje. Nga korriku i vitit 1954 deri në maj 1955, Babaçe Faiku, nënkolonel i aviacionit luftarak shqiptar, dërgohet për studime specializimi në kursin e lartë pranë Akademisë së Aviacionit në BS. Tashmë ishte krijuar Regjimenti i Aviacionit i Ushtrisë Shqiptare dhe priteshin të vinin aviacionët e parë reaktivë. Studimet i kreu me rezultate të mira dhe pas kthimit në atdhe u emërua zëvendëskomandanti i Regjimentit për punë politike. Më 1.7.1959 për arritjet e shquara në punën, si drejtues i aftë në aviacionin luftarak shqiptar, piloti i shquar Barbaçe Faiku gradohet jashtë radhe kolonel, çka shënonte një kulm në hierarkinë e karrierës ushtarake dhe ishte njëri prej pilotëve shqiptarë që arriti në këtë shkallë.
Krijuan një traditë në aviacion
Në Regjimentin e Aviacionit kolonel Babaçja punoi rreth 7 vjet dhe së bashku me specialistë të tjerë të talentuar të njësive dhe reparteve të aviacionit si: Edip Ohri, Niko Hoxha, Fahri Bubësi, Peço Polena, Vasil Trasha (dëshmor), Thanas Gjiknuri, Masar Aga, Haki Jupasi, Refat Kasimati, Elmaz Hasamataj, Lulo Musai, Koço Andoni (Titani), Vasil Qiraxhiu, Seido Kamberi, Petrit Malindi, Kosta Dede, Zebo Durmishi, Refik Jazoi (dëshmor), Bardhyl Taçi, Anastas Ngjela, Hamit Ulqinaku, Vasil Andoni, Agim Spahiu, Grizdar Velipi, Bajazit Jaho, Mahmut Hysa, Çobo Skënderi, Sali Dibra, Nestor Dhaskali, Bilal Josa, Dhori Zhezha, Mustafa Çiçi, Qirjako Dhima, Bardhosh Hasani, Serafim Shegeni, Azbi Serani (dëshmor), A. Isaku, Koço Biku, Roland Sofroni, Sefedin Tomçini (dëshmor), Klement Aliko, Petrit Bebeçi, Musa Kame, Et’hem Aliaj, Bilal Sina, Luto Sadiku (dëshmor), Petraq Thomai, Muzafer Vaho, Bujar flbllkuçi, Kostandin Sadiku, Viktor Vangjeli, Asim Bine, Asip Budo, Agim Latraku, Petrit Liçaj, Shefqet Lata, Idriz Hoxha (dëshmor), Zylfi Hoxha; inxhinierët: Jorgji Bitri, Stefan Kagjini, Muamer Alite, Qiriako Trebicka, Hyzedin Koçi, Thoma Ngreqi, Hajrulla Jubani. Specialistët Met Farka, Hamdi Mullai, Raqi Sevo, Bashkim Gjoliku, Nazif Shuti, Muhamet Orjeti, si dhe parashutist Shaban Danaj, Edip Ohri, Babaçe Faiku, Niko Hioxha, Fahri Bubësi etj, krijuan një traditë të mrekullueshme të kësaj arme bashkëkohore të Ushtrisë Shqiptare, e cila ka qenë vazhdimisht në gatishmëri luftarake të plotë. Kjo bërthamë me oficerë aviatorë të shkolluar dhe të përgatitur më së miri e vuri aviacionin luftarak shqiptar, ndonëse modest, mbi baza të shëndosha teoriko praktike dhe me krijimin e mundësive dhe situatave të reja politike, ai bëri të mundur hapjen e Akademisë Ushtarake të Aviacionit, e cila përgatiste pilotë dhe specializonte ata që kishin nevojë për kualifikim të mëtejshëm.

Komandant dhe komisar i shkollës së aviacionit
Kolonel Babaçe Faiku, në qershor të vitit 1962, emërohet komandant i Shkollës së Lartë të Aviacionit dhe më vonë komisar i saj. Gjatë drejtimit të Shkollës së Lartë të Aviacionit në Vlorë për rreth 11 vjet si komandant e komisar i saj, kolonel Babaçe Faiku ka shpalosur vetëm aftësitë e tij si një drejtues i aftë e i kujdesshëm, por edhe aftësi pedagogjike. Ai përgatiti breza pilotësh shumë të aftë e të përkushtuar, duke i edukuar ata jo vetëm me dashurinë për armën dhe FA, për popullin e Atdheun, por edhe në shprehitë e shëndosha profesionale dhe njohuritë artit ushtarak modem, duke shmangur me çdo kusht pseudoteoritë e “partizanëve të ajrit” e marrëzi të tjera të propaganduara aq bujshëm nga organet qendrore politike në kohën e monizmit. Barbaçe Faiku ka mbetur në kujtesë si njëri prej pilotëve shqiptarë të aviacionit supersonik që nuk e hoqi kurrë kostumin e fluturimeve të lartësive për vite e vite me radhë, ditën e natën dhe kurdoherë që e kërkoi detyra luftarake dhe e thirri zëri i Atdheut. Barbaçe Faiku, kolonel besnik dhe i përkushtuar për aviacionin luftarak, ka dhënë pa dyshim një ndihmesë kolosale në krijimin dhe rritjen e kësaj arme të efektshme dhe të dashur të FA Shqiptare. Ai ka kryer fluturime të vështira dhe elegante, që shënojnë kulme të modeleve të pilotazhit klasik. Babaçja ishte krijues e novator e nuk binte kurrë rob i shablloneve klasiciste. Ai si oficer pilot madhor, i shkolluar dhe i specializuar, e kuptonte shumë mirë se aviacioni dhe helikopterët kishin nevojë për taktikën dhe artin e tyre të përdorimit luftarak. Me aviacionin luftarak dhe atë civil, theksonte kolonel Barbaçe Faik Ymeraj nuk mund të luhet, nuk mund të bëhet kurrë shaka, ai ka ligjet e tij të rrepta të mirëmbajtjes, të shfrytëzimit dhe të përdorimit luftarak. Kolonel Babaçja tregonte kujdes të veçantë për trajtimin e pilotëve, për anët profesionale, shëndetësore, kulturore, fizike, ushqimore, çlodhëse të tyre. Koloneli pilotët e rinj i trajtonte si vëllezër, si shokë më të rinj, sepse dihet mirë që aviacioni është tepër specifik në pikëpamjen e përgatitjes, të drejtimit dhe të komandimit. Në këtë detyrë ai punoi deri në mars 1973, kur u transferua në Komandën e MKA-së në Tiranë dhe u emërua komandant i Detashmentit Special të aviacionit qeveritar, ku punoi deri në dhjetor 1975, kur mbushi kohën e daljes në pension në moshën 51 vjeçare pas 32 vjet shërbimi në Ushtrinë Popullore e pas 28 vjetësh shërbimi pa shkëputje në aviacionin luftarak shqiptar me elikë dhe reaktiv, si pilot i klasit të parë dhe si komandant po i klasit të lartë. Vdiq në Tiranë, 10 maj 1997. Për merita të veçanta gjatë LANÇ-it dhe për shërbimin e përkushtuar në armën e aviacionit, kolonel Babaçe Faiku është dekoruar nga Presidiumi Kuvendit Popullor me mjaft urdhra e medalje dhe është certifikuar si pilot i klasës së parë.
Sigal