Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/ Kapitulli me Ballin Kombëtar është i mbyllur me përfundimin e LANÇ-it

533
Më datë 8 mars 2016, Prof. Uran Butka, një pinjoll i familjes së madhe Butka, e njohur dhe e vlerësuar në historinë kombëtare shqiptare, por dhe me dritë hijet e saj, ka folur në një emision televiziv dhe të publikuar në internet në faqet e gazetës “Tema”, për luftë të pastër civile në Shqipëri në vitet e LANÇ-it. Në lidhje me këtë shkrim kam këto mendime për autorin në fjalë, të cilat mund të ndihmojnë për një reflektim pas një çerekshekulli. Vajtët 25 vjet që flisni dhe nuk dini se ç’flisni për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Kërkoni që Ballin Kombëtar ta ngrini në histori dhe t’i jepni merita, të cilat edhe vet ballistët çuditen kur i dëgjojnë. Të gjithë veteranët e LANÇ-it, familjarët e heronjve dhe të dëshmorëve, simpatizantët, i kanë dëgjuar në vijimësi këto xhevahire të ballistit Uran Butka, i cili dhe ato që kanë thënë aleatët e Luftës së Dytë Botërore, për koalicionin antifashist, anëtare e së cilës ishte dhe Shqipëria, në saj të luftës antifashiste, ai e mohon. Ndërkohë, nga fitimtarët (veteranët e LANÇ-it), u hesht në këtë periudhë 25 vjeçare, për t’u thënë ballistëve se dhe ju jeni shqiptarë dhe me gjakftohtësi të analizoni luftën, të nxirrni të mirat dhe të këqijat e saj, dhe të kërkoni falje publike për bashkëpunimin me pushtuesin, sidomos me nazi-fashistët gjermanë. Dokumentet besoj se i keni parë dhe nuk mund që t’i kundërshtoni, ato janë të shumta, në arkivat shqiptare, por dhe në arkivat e Evropës dhe më tej. Shkruani dhe thoni se janë “20 mijë të vrarë në qindra beteja mes partizaneve dhe forcave nacionaliste e balliste, fshatra të tërë të djegur dhe shkatërruar dhe e gjitha kjo e shoqëruar me akte terroriste si vrasje masive dhe atentate”. Ku i gjeni këto, i dini ju sa beteja ka bërë BK, të cilat janë të deklaruara nga ana balliste, nuk janë qindra, por numërohen me gishtat e dorës. Me thënë të vërtetën, unë jam marrë me një studim për Dëshmorët e Atdheut, i cili është dhe i publikuar nga Ministria e Mbrojtjes në një libër. Studimi i bë në dy vite, dhe nuk e gjejmë këtë shifër, dhe më tej, edhe për partizanët dëshmorë. Ju doni të lozni me shifra, luani, por e vërteta është se në Shqipëri, në sheshet dhe fushëbetejat kundër pushtuesit ranë qindra heronj dhe dëshmorë, për lirinë e Atdheut, të cilët e dëshmojnë këtë histori. Merreni këtë fakt që po ju jap unë dhe flisni sa më shumë, por nuk ka rëndësi numri në luftë, ajo që vlerësohet nga një popull është cilësia, ideali dhe motivi për të cilën luftuan luftëtarët antifashistë, pra partizanët. Këtë, besoj se nuk e mohon dot.
Marrëveshja e 2 gushtit në Mukje

Fole gjatë dhe për marrëveshjen e 2 gushtit të Mukjes të vitit 1943. E drejta jote të flasësh, por ajo nuk mund të ishte e gjatë, se ballistët kërkonin pushtet dhe jo luftë. Krahasoni numrin e partizanëve dhe ballistëve në këtë luftë, pjesëmarrjen e grave, partizane dhe balliste, që historiani i njohur Prof. Pëllumb Xhufi, e ka cilësuar shpesh, pa folur për shtrirjen dhe shpërndarjen e formacioneve luftarake balliste të përqendruar vetëm në qarqet Vlorë, Berat dhe Korçë. Sipas jush, gjithçka që ka ndodhur në Shqipëri (shtator 1943-nëntor1944) ishte një luftë e ashpër civile, e drejtuar dhe urdhëruar nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, nën drejtimin e jugosllavëve. Fillimisht e kini nisur historinë për luftën, kur nisën proceset demokratike, se në Shqipëri ka pasur përplasje sporadike, pastaj thatë që ka pasur elemente të luftës civile, më tej luftë civile dhe tani së fundi në luftë të pastër civile. Po luftë civile me pushtues nëpër këmbë nuk besoj se gjen rast në historinë e njerëzimit. Këtë ju e dini shumë mirë nga historia, se ndryshe nuk do të quhej lufta civile në SHBA, lufta civile në Spanjë, si dhe lufta civile në Greqi. Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, fatmirësisht i ka ruajtur të gjitha dokumentet të cilat janë të publikuara, publikoni dhe ju tuajat (BK) dhe të gjejmë se këto krimet i ka bërë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, duke arritur deri aty sa thoni me urdhrin e jugosllavëve. Shqiptarët gjithmonë janë mbështetur në koalicione, kanë pritur miq dhe më pas armiq, si dhe sot. Lexoje mirë historinë që kanë shkruar akademikët dhe profesorët e nderuar, Kristo Frashëri, Paskal Milo, Xhelal Gjeçovi dhe mjaft të tjerë, të cilët ju nuk doni të dëgjoni, se kini mendjen tuaj si ballist, por që kini mësuar prej tyre, këtë nuk e mohon dot. Ju i nderuar Prof. Butka, flisni për masakra çnjerëzore të bëra nga udhëheqja e luftës dhe partizanët, dhe harroni se shumë nga heronjtë dhe dëshmorët e luftës u vranë, u dogjën, u masakruan dhe u torturua nga ju (BK), lexoni mirë dokumentet, dhe ato që thonë vet pushtuesit, por dhe prefektët dhe komandantët e komandaturave shqiptare, të cilët ishin anëtarë të BK. Më tej për t’ju kujtuar shikoni dhe dokumentet që flasin për pagesat që merrnin luftëtarët e ballit, e di vet. Gjatë kësaj kohe, pra 25 vjeçare, komandantë dhe komisarë, kuadro dhe luftëtarë të UNÇSH-së u treguan të rezervuar dhe nuk e mbrojtën me fanatizëm këtë luftë, komandantin e tyre të Përgjithshëm, heronjtë dhe dëshmorët, sa që dhe disa media të shkruara dhe televizive, u vërsulën kundër tyre, në mënyrë më të egër. Trimat partizanë duruan dhe, kur Komandantin e Përgjithshëm të kësaj lufte, e trajtuat, dhe vazhdoni ta trajtoni si kriminel. Bukur! Po të jap një mendim, si nxënësi, para profesorit, respektoni veten dhe familjen e mirë Butka. Po kanë bërë masakra dhe krime dërgojeni në Hagë, Enver Hoxhën dhe partizanët, për t’u gjykuar. Evropa dhe aleatët e kanë mbyllur këtë punë, ju e dini mirë. I fundit që e mbylli këtë problem ishte dhe Sali Berisha, i cili para se të iki nga kjo jetë, siç thoni ju “deklaroi se vlerësonte rolin e Enver Hoxhës gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Pra, ju dhe Sali Berishën doni që ta mësoni, se çfarë të thotë e të flasë…
Iniciativa
Ju duhej Juve që në vitin 1991, të kishit marrë iniciativën për ta ndrequr këtë problem, si njerëz me kulturë dhe fisnikë të familjeve të nderuara fisnike shqiptare, por u vërsulët, mbi të vdekurit e të gjallët, me një urrejtje të paparë. Por ta dini se Enver Hoxha, pra dhe populli shqiptar, kapitullin me BK e ka mbyllur me përfundimin e LANÇ-it, duke gjykuar kriminelët e luftës në bashkëpunim me ndërkombëtarët dhe aleatët, siç bëhet dhe sot me të inkriminuarit. Kështu që kot lodheni. Të dish dhe një gjë tjetër, si letërsia e kinematografi janë treguar shumë të kursyer me ballistët, sepse në fund të fundit dhe ata, shqiptarë ishin e trimërinë nuk jua heq kush. Përsëri dhe këtë nuk e bëtë dhe s’u treguat në nivelin e duhur, fakti është ky, që flet për luftë civile, ku do të dalësh dhe çfarë do të përmirësojë tani? Nuk e bëtë mirë misionin historik që ju ngarkua me ardhjen e demokracisë, dhe përsëri si BK dje në luftë mbajtët po një qëndrim, sepse nuk ishit të zot të luftonit, por e donit pushtetin të shtruar, gjë të cilën historia ju ka dënuar. Por kush nuk ju dëgjon, dhe ballistët i kini futur në një qorr sokak që nuk dalin dot…Sa për dokumentet që përcjell, në libër dhe në TV, mirë bën se duhet dhe historia e BK, me të mirat, mangësitë dhe bashkëpunimin me pushtuesin, pohojeni pa frikë që të mësojmë dhe të nxjerrim mësime nga historia, të bëjmë analiza dhe të arrihen përfundime për cilat populli shqiptar është shumë i dëshiruar. Po ju jap një fakt se nga Akademia e Mbrojtjes dekada më parë është bërë një studim me formacionet ushtarake të BK, por nga ana juaj dhe e forcave balliste, nuk është treguar edhe sot asnjë interes për të…Ajo periudhë për të cilën flisni ju është më e monitoruar nga shtabet aleate, të cilët ishin pranë forcave politike dhe shtabeve të tyre luftarake, për kujtesë të PKSH, të BK, të Legalitetit etj. Është një periudhë e vrullshme dhe një vjeçare e pak muaj, ishte luftë, ndërsa sot për një reformë në drejtësi, kemi gati dy vjet, brenda vendit dhe me Evropën e SHBA-në, e s’po merremi vesh. Kështu i nderuari fisnik, me mëndje të kthjellët, me vullnetin e mirë, kontribuo, që të ecet përpara, se më duket se ju ka ngelur ora në 1944.
Ligji për Statusin e Dëshmorit
Propozoni dhe bëni edhe ju heronj dhe dëshmorë, siç e ka ligji për Statusin e Dëshmorit, por nuk gjejmë një dokument serioz edhe në kohën e demokracisë prej kësaj force politike, pra të BK-së. Sa për kujtesë, kini ngritur në Grehot të Gjirokastrës një përmendore, që në qoftë se e ke parë, nuk është e tillë. Pushteti ishte në anën tuaj prej vitit 1992, po kështu në Lushnje, a në Vlorë, disa ballistë i quani dëshmorë ju, por jo të mbështetur në ligj, nuk ka sa dhe letra të shkruara e dy fjalë për biografinë dhe rënien e tyre në luftë. Ndaj dhe numri i dëshmorëve të Atdheut, që kini kohë që flisni se 28.000 mijë nuk janë, ka ngelur për faj të atyre që ishin në pushtet dje dhe nuk bënë dokumentet në bazë të ligjeve të kohës. Ndaj duhet të flisni në bazë të një etike ligjore, dhe jo fjalë të përgjithshme e pa vlera, duke numëruar numra, që jo ka, po aq. Nuk e di sa është e vërtetë, por kur bëhej Konferenca e Paqes në Paris në vitin 1946, dhe kuptohet, sapo të dalë nga lufta, nuk gjendeshin dot të gjallët dhe jo të numëroheshin të rënët për Atdhe, u dha kjo shifër, ashtu siç bënë dhe vendet aleate të koalicionit antifashist. Do të bëj dhe unë si ju, se diku kam dëgjuar se kur u komunikua, apo do të paraqitej kjo shifër për dëshmorët në Paris, kryetari i BK, Abaz Ermenji, ka theksuar se Shqipëria ka 30.000 mijë dëshmorë. Ju lutem na ndihmoni ta gjejmë këtë fakt…
Sigal