Prof. Alfred Uçi/ Fan Noli dhe Shekspiri

860
(Kjo esse botohet me rastin e 400-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit të madh Wiliam Shekspir, ese të cilën autori e ka botuar në librin e fundit “Esse dhe etyde filozofiko- Estetike” , me rastin e 85-vjetorit të lindjes së tij)
Uilljam Shekspiri, shkrimtari i madh i Anglisë së shek. 16-17, për herë të parë mbërriti në Shqipëri në shek. 20, i pajisur me “pasaportën” e lëshuar nga F. Noli. Shekspiri ishte një vizitor i vonuar në Shqipëri. Në vende të tjera kishte shekuj që kishte hyrë, diku duke i mrekulluar lexuesit e tij të rinj, diku pa bujë e në ndonjë rast i vringëllinë armët e kritikës së rreptë. Në vendin tonë Shekspiri hyri vrullshëm në kohë të turbullta, hyri i freskët, befasues e i mirëpritur dhe zuri vend në krye të vatrës të letrave shqiptare, u bë një mysafir i përhershëm e bashkëkohor i historisë sonë kombëtare tejet “shekspiriane” me aspektet tragjike e komike të saj. Shekspiri ishte dashuria intelektuale, shpirtërore e pandarë e F. Nolit, ish bukuria më e përsosur e parapëlqyer e tij. Siç ka rrëfyer vetë, Noli u takua me Shekspirin qysh kur ishte 15 vjeç, kur rasti ia solli që t’i lexonte dramat shekspiriane me cilësinë e suflerit të vëmendshëm teatror. Këtë takim ai e ka quajtur “një nga ngjarjet më të mëdha të jetës sime”. Shekspiri u bë pika kryesore e referimit për gjithë jetën e tij, për të kuptuar veten dhe për të përcaktuar identitetin e personalitetit të tij, idealet që e frymëzuan dhe që iu mbeti besnik përherë, për të kuptuar jo vetëm artin, por edhe historinë e njerëzimit. Aq shumë sa mori e sa përfitoi Noli nga Shekspiri, po aq, guxojmë të themi, edhe i dhuroi gjeniut të Anglisë Ky pohim yni mund të duket një hiperbolë e thjeshtë artistike, por në fakt përbën një të vërtetë të gjallë, të kapshme në shumë anë. Noli ishte një nga ata, që e çmuan më drejt e më plotësisht vendin e rolin e Shekspirit në historinë e letërsisë e të qytetërimit botëror. Mund të mos e quash ndonjë meritë të madhe këtë pohim. Cili do të guxonte të mos e çonte Shekspirin e madh?! Sado paradoksale d të duket, ka pasur personalitete, madje gjeniale që e kanë venë në dyshim madhështinë e pafundme të Shekspirit. Kundër Shekspirit s’është lënë gjë pa u thënë. Forbs, kritik anglez i shek. 17, pat shkruar: “Shekspiri s’ka as talent tragjik, as talent komik. Tragjedia e tij ishte artificiale, kurse komedinë e shkroi instinktivisht”. Duke përsëritur të tilla kritika, Xhonsoni (shek. 17) e akuzoi për “plagjiaturë”. “Shekspiri, -ka shkruar ai, – s’ka lënë autor pa vjedhur”. Një tjetër kritik është tallur me “Otellon”: ”Morali i kësaj prralle,, – pat ironizuar, – është pa dyshim shumë instruktiv. Drama është një paralajmërim për amvisat, që të tregojnë kujdes për t’i ruajtur plaçkat e tyre (shaminë)”. Shefsberi ka thënë: ”Shekspiri ka mendjen e një barbari dhe është vulgar”. Xhonsoni e pat quajtur “Otellon” “një farsë e përgjakur, kurse Jul Cezarin një dramë të ftohtë”. “Vulgare” e quajti Volteri skenën e takimit të Hamletit me varrmihësit, sepse “këta, duke hapur varre, pinë, këndojnë ca këngë banale dhe bëjnë shakara me kafkat, shaka të denja vetëm për profesionin e tyre”. 
Volteri e pëlqente Shekspirin
Volteri e pëlqente Shekspirin, por nuk shihte tek ai “përsosmëri shijeje” dhe prandaj e pat quajtur “barbar”, “të egër”. Edhe pasi romantikët e vunë në një piedestal të lartë e të patundur, Niçja, dhe pastaj gjeniu i Rusisë L. Tolstroi, anglezi B. Shou ia mohuan Shekspirit jo vetëm bukurinë, por edhe moralitetin dhe ngjallën dyshime për gjenialitetin e tij. Fan Noli u çudit me të tilla vlerësime dhe i kundërshtoi qysh në fillim të jetës së tij në artikullin “Shekspiri në rrezik” (1906). Ja si e pat mbrojtur Shekspirin Noli: “As me krishtërimnë e Tolstoit, as me logjikën praktike amerikane të anglezit Shou nuk ka për t’u zbritur Shekspiri që atje tek hipi vetë me mendjen e tij “të egërtë”, të marrë, pa rregull, por të bukur si natyra”. Ky ishte shërbimi i parë, që Fan Noli i ka bërë Shekspirit. 
Shërbimi tjetër i madh
Shërbimi tjetër i madh ishte se e solli në trojet e Ilirisë, aty ku Shekspiri pat vendosur të zhvilloheshin ngjarjet e komedisë “Nata e dymbëdhjetë”, aty ku ndodhej për të “Arkadia e hidhur”. Kush e di se sa do t’ishte vonuar Shekspiri për të ardhur në Shqipëri, sikur të mos kishte qenë Fan Noli. Ky pohim mund të vihet në dyshim:Do të ishte gjendur ndonjë përkthyes tjetër, që do ta kish shqipëruar. Ne mendësojmë ndryshe: Zor se mund të kishte pasur një të dytë, që ta kish bërë këtë punë aq mirë e aq shpejt n’atë kohë që e bëri Fan Noli. Kësaj pune – të fillojnë përkthimin e Shekspirit, – mund t’ia hynte vetëm një njeri, të cilit i ishin dhënë (nga Zoti apo Natyra?!) forca faustiane, siç e pat cilësuar përkthyesi tjetër i Shekspirit S. P. Luarasi në shqipërimin e “Faustit” të Gëtes, të cilin ia përkushtoi Fan Nolit:”I blatohet kujtimit të Fan Nolit, figurës faustiane të popullit shqiptar”. Dihet se pat qenë një shqiptar tjetër i madh, Faik Konica, që i pat sugjeruar Fan Nolit t’i hynin përkthimit të Shekspirit në shqip; bashkërisht ndanë edhe parapëlqimet; Konica kërkoi ta niste punën me “Romeo e Zhulietën” kurse Fanoli me “Otellon” e më tej me “Hamletin”. Por ndërsa Kopnicës i munguan aq forca, vendosmëri e vullnet sa duheshin për të plotësuar angazhimin e tij (ai hoqi dorë nga qëllimi), Noli qysh më 1913 përktheu “Otellon” dhe pas dhjetë vjetësh (“pasi e kisha mësuar atë punë më mirë”, ka rrëfyer vetë, botoi njërën pas tjetrës “Hamletin”, “Jul Cezarin” dhe “Makbethin”. Vështirësitë nuk vinin vetëm nga Shekspiri, që dihet se ç‘kolos është, por edhe nga gjendja e gjuhës shqipe, e cila nuk ishte ndeshur ende me madhështi të tilla, si ato shekspiriane. Përveç aftësive, duhej edhe guxim i madh, i jashtëzakonshëm të hyje në botën e Shekspirit me një gjuhë që për herë të parë aktivizohej në një eksperiment kaq të vështirë kulturo-artistik. Me shqipërimin e tragjedive shekspiriane nuk u provua vetëm potenciali i fuqishëm poetik i shqipes, një zbulim i madh i Nolit për atë kohë, por edhe çudia e zotërimit të kësaj gjuhe nga një shqiptar i diasporës të largët të Ibrik Tepesë, që në SHBA kishte bërë gjuhë të dytë amtare – gjuhën e Shekspirit. Kështu, Noli e vuri Shekspirin të parin në vargun e shkrimtarëve më të shquar botërorë, që zunë të hyjnë njëri pas tjetrit në gjirin e kulturës e të botës shqiptare. 
Sigal