Prof. Agron Fico: Universi letrar i Ismail Kadaresë

966
“Kalorës i Legjionit të Nderit”, që president i Republikës së Francës Holland, i akordoi shkrimtariti të shquar Ismail Kadare është ne vazhdën e shume titujve, gradave dhe vlerësimeve qe bota akademike e letrare euro-atlanitke i bën veprës së shkrimtarit të madh shqiptar. Po permendin vetëm pak nga këto nderime, që hyne ne kategorinë më të lartë, në atë klasike. Çmimi “The Man Booker International 2005”, në Angli me vlerësime e specialistëve më në zë të kritikës letrare europiane dhe amerikane, për veprën shumëvëllimshe të Ismail Kadaresë. Jehona ishte e madhe dhe Anglia sqimtare e njoftonte këtë lajm në gazetat më autoritare të saj, “The independent”, “The Guardian”, “The Times”, me tituj të bujshëm si: “Shqiptari që mundi gjigantët e letërsisë si Marques, Grass e Roth”, “Djegësi i diktaturës fiton çmimin botëror Booker” -shkruan “The Times”. Në faqet e kësaj gazete shkruhet: “Të lexosh atë të duket sikur sheh pendulin e shekujve të historisë ballkanike dhe të shkuarën dhe të ardhmen e Europës që shkon sa para-mbrapa”; “Ai sfidon katër fitues të çmimit Nobel që të fitojë çmimin e parë ndërkombëtar Man Booker. Konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë europianë dhe është krahasuar me Gogolin, Kafkën dhe Oruellin”. Dhënia e këtij çmimi botëror Kadaresë nga bota anglosaksone e bën veprën e tij mbretëreshë të dy perandorive kulturore-letrare, krahas asaj frakofone. Në tetor 2009, Spanja e Servantesit i dha Kadare, në mes të një ceremonie solemne, çmimin “Princi i Asturias”. Në vendim theksohej se juria kishte vendosur të vlerësonte shkrimtarin shqiptar për “zërin universal kundër totalitarizmit” dhe se shkrimtari e meriton këtë çmim edhe për “bukurinë dhe përkushtimin social të krijimit të tij letrar.” Në proces-verbalin e jurisë shkruhej se “Ismail Kadare tregon me gjuhën e përditshme, por plot lirizëm, për tragjedinë e vendit të tij.” (Cit. “Beautiful America”, A. F. Fico, f. 197). Letërsia shqiptare është krijimtaria artistike e një ndër popujve më të moçëm të Europës. Parailirët dhe ilirët, arbëreshët e deri te shqiptarët e sotëm janë krijuesit e një nga gjuhëve më origjinale, më të admirueshme dhe më të lashta, të gjuhës shqipe. Pas Luftës II Botërore, në yllësinë e letërsisë shqipe u shfaq ylli polar i saj, Ismail Kadareja, i botuar në më shumë se 40 vende të botës. 
Sfiduesi i klisheve
Korpusi letrar i Ismail Kadaresë është pasqyrim i hovshëm artistik i ngjarjve dhe përleshjeve të mëdha botëore, i ballafaqimit të egër midis sistemit demokratik perëndimor me sistemin diktatorial komunist, i shkërmoqjes së këtij të fundit dhe i rritjes dhe zgjerimit të të parit. Letërsia, me specifikën e vet, vë në qendër njeriun, botën e tij emocionale-mendore dhe shoqërinë njerëzore. Këtë aspekt e vë në dukje me mprehtësi kritiku francez Eric Faye në shënimet paraqitëse për vëllimin e shtatë të “Veprave” të Kadaresë, që i referohet romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Ai shkruan: “Suksesi që ky roman pati në Perëndim i dedikohet tablosë së përgjithshme që ai jep nga olimpi i zymtë i botës komuniste, olimp i shpërbërë, që nuk ngurron të derdhë gjak e terror. Suksesi në Shqipëri lidhej me atë që, ndërsa propaganda dhe letërsia e realizmit socialist glorifikonte ndarjen me Perëndimin, Ismail Kadare thuri një këngë të kundërt: ndarjen me Lindjen komuniste.” (I. Kadare, Vepra, vëllimi i VII-të, Fayard 1999, f.20). Te romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” shkrimtari për herë të parë sfidon artistikisht klishetë e ngurosura të metodës dogamtike të quajtur ‘realizmi socialist’. Tek figura e gjeneralit, priftit, kolonelit etj. ka vizatuar njeriun e gjallë dhe jo thjesht skemën idologjike të armikut; etj. Ushtria italiane erdhi si pushtues, por toka e ashpër shqiptare dhe mbi të gjitha populli i saj, e vuri lirinë në ballë dhe ata ose mbetën nëpër varreza ose ikën kokulur. Romani jepte sinjalin artistik se, në këtë cep të ballkanit kishte lindur një shkrimtar i talentuar. Vepra u përkthye dhe u botua në Francë dhe pastaj me radhë në spanisht, italisht, anglisht, gjermanisht etj. etj. 
Magjia e Gjirokastrës në një libër
Ndërsa në romanin “Kronikë në gur”, Ismail Kadare, si rrallëkush ka skalitur në libër magjinë e qytetit të lindjes, Gjirokastrës. “Ky ishte një qytet i çuditshëm- shkruan ai- që dukej sikur kishte dalë në luginë papritur në një natë dimri si një qënie parahistorike dhe, duke u kacavjerrë me mundime të mëdha, i ishte qepur faqes së malit. Gjithçka në këtë qytet ishte e vjetër dhe e gurtë, duke nisur nga rrugët dhe krojet e gjer te pullazet e shtëpive të mëdha, shekullore, që ishin të mbuluara me pllaka guri ngjyrë hiri, të ngjashme me ca luspa gjigande. Ishte vështirë të besoje se, nën ato koraca të forta gjallonte dhe përtërihej mishi butë i jetës.” (I. Kadare, Vepra, vëllimi i pestë, Fayard 1997, f.21-22). Në galerinë e pafund të personazheve, të motiveve dhe temave, vendin themelor e zë atdheu, Shqipëria, me historinë dhe kulturën e lashtë, fytyra europiane e saj, sfidat e mëdha dhe qëndresa e saj përballë valëve e valëve të pafund të pushtuesve të shumtë dhe të ndryshëm që kishin emrat, romakë, bizantë, sllavë, otomanë, grekë, italianë, gjermanë, etj. Kudo që shkon, kudo që ecën, sado larg qoftë, i ftuar në njërin ose tjetrin kontinent, Kadarenë e djeg malli, krenaria për Atdheun e tij të shenjtë, për Shqipërinë dhe shqiptarët:
Më ka marrë malli për Shqipërinë tone/Për atë qiell të madh, të gjerë e të thellë/Për vrapin e kaltërt të dallgëve adriatike/Për retë që në muzg si kështjella digjen/Për alpet mjekërbardha e mjekërgjelbëra…/Për lokomotivat e kuajt/Që të djersitur avullojnë e hungërojnë/Për qiparisat, kopetë, e varret/Malli më ka marrë, malli më ka marrë/Për shqiptarët.
Sfida me diktaturën
Sfida letrare e Kadaresë me diktaturën totalitariste komuniste është tepër komplekse dhe e guximshme. Ishte vetëm 26-vjeç kur shkroi romanin “Përbindëshi”, dhe inkuzicioni komunist skërmiti dhëmbët e përgjakura dhe kërkoi ndalimin e qarkullimit të tij në mënyrë kategorike. “Ky libër, me titullin ‘Përbindëshi’ -konkludojnë në unanimitet krerët e Komitetit Qëndror – është i dëmshmë dhe mund të krijojë një realitet fals në mendjen e popullit”. Dhe kështu ndodhi me një sërë veprash të tij si, me romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me poezinë “Një mesditë Byroja Politike u mblodh”, me “Pallati i ëndrrave”, që Kadareja e vlerëson si romanin e tij më të guximshëm, e që iu bllokua botimi. Në këtë skicë të shkurtër për korpusin letrar të Kadaresë, një kopsht më vete përbëjnë esetë. Tek “Autobiografia e popullit në vargje” zbërthen magjishëm vlerat dhe esencën artistike të kulturës së pasur e të larmishme gojore shqiptare. Studimi për ciklin e kreshnikëve, që përfshihet në këtë botim, ka një ekran të madh shkencor. Në të dëshmohet talenti dhe mprehtësia vëzhguese e Kadaresë në evidencimin e origjinalitetit, specifikës dhe lashtësisë së një prej krijimeve më të mëdha dhe më enigmatike për t’u zbërthyer. Eposi heroik shqiptar qëndron plot dinjitet krahas eposeve të botës si, eposi “Chanson de Rolandë” i Francës, “Nibelungët” i gjermanëve, Digenis Akritis i bizantëve, bilinave ruse, epika heroike serbokroate, etj. Ndërsa tek “Eskili ky humbës i madh” trajton mjeshtërisht jo vetëm shtratin ballkanik të disa ritualeve iliro-arbëreshe-shqiptare, por edhe lashtësinë primare të ritualeve shqiptare.
Një vend të gjerë dhe të veçantë zënë edhe shkrimet publicistike të Kadaresë. Po përmendim vetëm një nga këto botime, “Ra ky mort dhe u pamë”, në të cilën vendin kryesor e zë fati tragjik i Kosovës, ballafaqimi heroik i shqiptarëve të Kosovës me maqinën ushtarake policore serbe, etj. Gjuha, si elementi bazë në krijimet letrare, në penën magjike të Kadaresë ndrit dhe vezullon me përdorimin origjinal, me matoforën dhe alegorinë. Shkrimtari, në vazhdën e poetëve më të mirë të letërsisë shqiptare, si Naim Frashëri, Fishta, Shiroka, etj. etj. gjuhën shqipe e vlerëson si element kryesor të identitetit kombëtar. Te poezia “Gjuha shqipe”, ai do shkruajë:
Kur në sulm hodhën turqit/Hordhitë e pambaruara,/Kështjellat e sintaksës/S’i muar, që s’i muar…/Të të bënin ty, donin/Shqipëri memece,/Po ja erdhi Naimi,/Si yll mbi ty ecte…/Kjo gjuhë martire,/Lehonë e përjetshme/Që lindi mes dhimbjesh/Art të pavdekshëm.
Pasuria gjuhësore
Lexuesi shikon se si shkrimtari artist, nga një vepër te tjetra, sjell një mori fjalësh, shprehjesh të reja nga pasuria gjuhësore shqiptare. Ismail Kadareja, me personalitetin e tij të nderuar nëpër botë, i ka shërbyer vendit, kombit të vet, si dekani i diplomatëve më të shquar që ka nxjerrë raca shqiptare në gjithë historinë e vet. Vepra letrare e Ismail Kadaresë, parë në një vështrim tepër tërësor, e ka vënë letërsinë shqiptare, kulturën shqiptare dhe lexuesin e pasionuar të kësaj krijimtarie në një vend nderi në sofrën e madhe të letërsisë dhe artit botëror. Shqetësimi ose diskutimi jo i frytshëm për lidhjen midis jetës (biografisë) dhe veprës së Kadaresë disa herë duket edhe në masmedian shqiptare. Ky lidhje do të kuptohej më mirë e më drejt po të mbaheshin parasysh disa ligje universal të artiti dhe letrësisë:
Së pari: Nga një vëzhgim i historisë dhe kritikës së e specializuar akademike botërore, arrij në përfundimin se, jeta e artistëve, shkrimtarëve të mëdhenj dhe veprat e tyre janë si dy rrathë që nuk përputhen plotësisht ose që, më saktë, priten pjesërisht.
Së dyti: Jo e gjithë krijimtaria artistike dhe letrare e artistit ose shkrimtarit është e një cilësie, as e një lartësie; ashtu si pishat e mëdha të pylli, që kanë dimensione të ndryshme, po asnjherë të njëjta. Disa kanë cilësi të dobët, disa janë larg kohës, kështu që harrohen, skartohen dhe nuk i takojnë pjesës më të zgjedhur të krijuesit. Do të doja ta mbyll këtë shkrim me ndonjë citim vlerësimesh të spikatura: Bruce Bawer, i gazetës “Wall Street Journal”, e quan, “Një nga romancierët më të shquar të kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjitha gjuhët”.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 28.01.2016
Sigal