Prof. Agron Fico: Për mjeshtrin e folklorit Prof. Esat Braha

1659
Sigal

Prof. Dr. Agron F. Fico, HC

Tiranë, 26 tetor 2019

116 radhe

  Profesor Esat Braha, folklorist i përkushtuar

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ishte organizata kryesore që drejtonte gjithë veprimtarinë letrare artistike në Shqipërinë socialiste. Ajo funksiononte në bazë të një statusi që kishte në themel zhvillimin e letërsisë dhe arteve sipas kritereve të estetikës sovjetike, të njohur si “estetika marksiste-leniniste”.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ishte në qendër të vëmendjes së udhëheqjes së Partisë dhe detyra numër një e Ramiz Alisë si Sekretar i ideologjisë, që synonte ta mbante zhvillimin letrar dhe artistik në darën e vijës politike të partisë, në darën e estetikës marksiste-leniniste.

Historia e kësaj organizate është e mbushur me ngjarje të shëmtuara. Shkrimtarë, rastistë, që guxonin të dilnin nga skema e kritereve ideologjike të estetikës marksiste-leniniste, kritikoheshin publikisht, u ndalohej botimi i veprës, ndalohej ekspozimi i pikturave, anuloheshin festivalet e këngëve me ndikim borgjez-revizionist.

Madje në disa raste krijuesit përjashtoheshin nga Lidhja, dërgoheshin në zona të largëta të Shqipërisë, ose burgoseshin, pushkatoheshin apo vareshin si armiq të Partisë komuniste dhe të shtetit të diktaturës së proletariatit.

Shkrimtari Mehmet Myftiu, debatikasi 12-vjeçar, i dënuar me vdekje në kampin nazist në Prishtinë, që shpëtoi rastësisht, u përjashtua nga Lidhja se shkruante jashtë kërkesave të realizmit socialist, madje edhe u internua, se refuzoi të shkonte në Bashkimin Sovjetik për të studiuar estetikën sovjetike.

Në gjirin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve zhvillohej një luftë e ashpër klasash, me përplasje rrymash dhe drejtimesh letrare edhe për faktin se letërsia, arti, janë tepër të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturës politike brenda dhe jashtë vendit.

Shembulli më tipik dhe kulmor ishte Festivali i 11-të në Radio-Televizion,që u cilësua si aktivitet borgjez-revizionist. Mjaft shkrimtarë,artistë u dënuan, u përjashtuan nga Lidhja, disa u burgosën. Fadil Paçrami, Todi Lubonja, si përgjegjës kryesorë të këtij aktiviteti, u përjashtuan nga partia dhe u burgosën.

Ardhja në kryesi të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve e shkrimtarit të shquar dhe njeriut fisnik Dritëro Agolli solli edhe një farë shtendosjeje brenda radhëve të Lidhjes, një frymë më të çiltër e më të hapur komunikimi midis anëtarëve të saj.

Kjo atmosferë publike midis krijuesve ndikoi edhe në krijimin e librave, filmave, pikturave, këngëve, që edhe sot na japin kënaqësi estetike dhe intelektuale.

Pranimi në radhët e kësaj organizate ishte nderim, vlerësim publik, si shkrimtar, artist, piktor, skulptor i shquar etj, por edhe mund të përfitoje leje krijuese të paguar, ose edhe ndonjë dhomë më tepër banimi për veprimtarinë krijuese.

Në vitet 70 të shekullit të kaluar isha pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, që ma rriti nervin e punës krijuese dhe humorin publik. Lidhja kishte shpallur muajin tetor të çdo viti si muajin e letërsisë, që shoqërohej me takime të shkrimtarëve dhe artistëve me lexuesit ose shikuesit e filmave të tyre. Gjatë këtij muaji shkrimtarët shkonin nëpër rrethe të ndryshme të vendit dhe organizonin takime me lexuesit, bëheshin përurime librash ose hapeshin ekspozita nga piktorë etj.

Në tetor të vitit 1970 Lidhja më dërgoi për muajin e letërsisë në rrethin e Kukësit. Seksioni i kulturës i rrethit më caktoi takim me lexuesit në Bicaj, në shkollën tetëvjeçare, në të cilën mësues i gjuhës dhe leximit letrar ishte Esat Braha.

Ishte befasues takimi dhe biseda me nxënësit e kësaj shkolle. Ata shprehën mendime për librat e shkrimtarëve, bënë pyetje të zgjuara dhe recituan pjesë nga poezitë e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, por edhe nga Agim Spahiu, një poet i ri i Kukësit.

Dukej qartë se përgatitja e këtyre nxënësve ishte pasqyrë e punës dhe përkushtimit të mësuesit të tyre, Esat Braha.

Esat Braha ishte një mësues i ri, që kishte mbaruar me diplomën shkëlqyer degën Gjuhë-Letërsi të Universitetit të Tiranës.

Mbas takimit plot ngazëllim me nxënësit, shkuam me Esatin për të pirë kafe në kafenenë e Bicajt. Me Esatin folëm për letërsinë dhe gjuhën, për përparimin e dukshëm të nxënësve, por veçanërisht për punën që kishte bërë vetë mësuesi me nxënësit për folklorin.

Esat Braha ishte si një lis i alpeve, plot shëndet. Ishte njeri që fliste pak, por dëgjonte shumë. Ai dukej që ishte rritur nën etikën e kuvendit të burrave, ku secili dëgjon dhe shpreh mendimin e vet nëpërmjet fjalëve të urta e të mençura popullore.

Mbresë të veçantë më la puna me nxënësit jashtë orëve të mësimit. Mësues Esati kishte organizuar rrethin letrar “folkloristët e rinj”. Nxënësit në fletore të veçanta shënonin këngë trimash, këngë të Mujit dhe Halilit, fjalë të urta, shprehje popullore etj., që ua tregonin gjyshërit, prindërit.

Në një dollap të posaçëm ishte Arkivi i folklorit të shkollës. Vetë mësues Esati, me dashurinë për folklorin, kishte grumbulluar mjaft këngë historike, këngë lirike e sidomos këngë heroike shqiptare, me të cilat është aq e pasur ajo krahinë.

Është interesante të shënoj se në mars të vitit 1996, kur isha në Harvard dhe zbulova fondin shqiptar të Eposit shqiptar, mbledhur nga profesori i Harvardit Albert B. Lord, një nga fletoret (nga 12 fletore) ishte me këngë të Mujit dhe Halilit të regjistruara në Bicaj në shtator 1937 dhe dërguar më vonë nga një mësues i Bicajt në adresë të Lordit.

Ky arsimtar kishte qenë ati i epikologut të shquar dhe mikut tim, Prof. Shefqet Hoxha.

Pas disa muajve të takimit me Esat Brahën në muajin e letërsisë në Bicaj, Esati u transferua në Institutin e Folklorit, në sektorin letrar. Puna, përkushtimi për folklorin, pra meritat, ose siç quhet sot meritokracia, e sollën Esat Brahën si punonjës të ri shkencor në Tiranë, në Institutin e Folklorit.

Ruaj në kujtesë me dashuri të veçantë ato vite të punës së përbashkët me Esat Brahën. Ai u përshtat e u mësua shpejt me punën kërkimore dhe me punonjësit e Institutit. Ishte i përpiktë në orarin e punës, i rregullt në përmbushjen e kërkesave shkencore. Esat Braha shquhej për integritetin njerëzor, ishte fisnik dhe parimor, kjo dukej edhe në opinionet për studimet e kolegëve, kur ai haptazi shprehte edhe mendimin e vet kritik.

Me Esatin shpesh pinim edhe kafe në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe u gëzova pamasë kur më tha se i kishte lindur një djalë, të cilit i kishte vënë emrin e rrallë dhe plot kuptim, Bestar.

Përparimi shkencor i Esat Brahës ishte i shpejtë; atij i ishte miratuar tema për gradën e kandidatit të shkencave me temë për veçoritë e eposi heroik shqiptar në krahinën e Lumës.

Isha larguar nga Instituti i Folklorit dhe me Esatin takoheshim rrallë. U trondita kur mësova se punonjësi shkencor Esat Braha ishte përjashtuar nga institucioni dhe e kishin caktuar në një zonë të largët. Ajo që mësova më vonë ishte zemërimi i drejtorit Zihni S., hakmarrja e tij e verbër. Esat Braha i paskësh shkruar një letër diktatorit Enver Hoxha, në të cilën parashtronte disa mendime për punën në Institutin e Folklorit. Vetë Enver Hoxha në ditarët e vet shkruante: “Kam folur edhe një herë tjetër mbi shfrytëzimin e arkivit të Institutit të Folklorit… Për të mos folur për Zihni Sakon, se ato që shkruan ky nuk kanë vlerë… Neve nuk na duhen parulla, slogane ose mbledhje pa bukë…” (Enver Hoxha: Ditar… 24 mars 1971.)

Sivjet, më 4 nëntor shkova në Institutin e Antropologjisë dhe Studimit të Artit, në Arkivin e Folklorit, për të hulumtuar fondin e materialeve të Prof. Esat Brahës. Punonjësja e këtij arkivi, zonja Arjana Seiti, punonjëse e sjellshme dhe e kualifikuar, më vuri në dispozicion punimet e Esat Brahës. Nga shqyrtimi i fletoreve, ku ishte shënuar me një shkrim të kujdesshëm një pasuri e larmishme folklorike, po përmend fare pak, si: fletorja nr. 1, f.11, 36 fjalë të urta, mbledhur në Lumë, Has-Kukës, 1968; fletorja nr. 2, 14 këngë, 231 vargje, Bicaj-Kukës, 1968;… fletorja nr. 9, f.160, 48 këngë, mbledhur në rrethet Pukë-Kukës; fletorja nr. 10, 48 copë frazeologji, Pukë-Kukës; fletorja nr.11, 39 këngë, 400 vargje, Pukë, 1981… Dhe kështu 20 fletore me madhësi të ndryshme.

Nga një vështrim i përgjithshëm i këtij fondi të Esat Brahës duket qartë kualifikimi profesional, si folklorist dhe gjuhëtar. Pra, si usta, si mjeshtër i një pune që bëhet me dashuri dhe përkushtim.

 

EPILOG

Jeta e qytetarit, studiuesit të njohur Esat Braha nga Kukësi është dëshmi e egërsisë së regjimit diktatorial. Pas disa viteve që e kishin detyruar të largohej nga Tirana, e takova Est Brahën në Pukë. Ishte plakur, thinjur e mpakur.

U ndjemë mirë si kolegë dhe miq. Esati vazhdonte punën me folklorin, edhe pse nën një stres të përhershëm, se inati i ish-drejtorit të Institutit të Folklorit nuk ishte qetësuar, ai ngulte këmbë që Esati të shkonte si mësues në fshatin më largët të Pukës.

Koha, si thonë, fluturon shpejt. Jeta na ndau fizikisht me Esatin, por jo shpirtërisht. Befasia më e bukur është fakti se me të birin e Esatit, Bestar Braha, doktor në Londër, shkëmbejmë mesazhe. Dalloj që është bërë xhentëlmen shqiptar në Londër. Ai si i ati, është miqësor, i kulturuar dhe bashkëpunëtor intelektual. Më dërgon literaturë bashkëkohore mjekësore.

Doktor Bestari është bërë njëherazi “botues”, shpërndarës në rrjetet sociale, i eseve e shkrimeve të mia, botuar tek gazeta e njohur “Telegraf”.