Prof. Agron F. FICO/ Gjirokastra në sytë e Naxhi Kasoruhos

688
Sigal

Të shkruash për Gjirokastrën është sa një sfidë serioze aq edhe një vlerë. Sfidë se Gjirokastra e lashte dhe e re me historinë, kulturën me ngjarjet dhe mbi të gjitha me njerëzit e saj plot virtyte njerëzore dhe intelektuale ka qenë dhe është objekt i shumë e shumë librave, studimeve, përshtypjeve. Po është edhe një vlerë e njohur, se sjell këndvështrime te veçanta të autorëve që ndërmarrin ketë punë. Naxhi Kasoruho, autori i disa botimeve, dhjetëra artikujve dhe mjeshtër i kulturës dhe artit gojor-folklorit na sjell “Gjirokastrën e tij” dhe lexuesit ndjejnë po aq mall dhe kënaqësi sa edhe autori.

Malli, krye emocioni i autorit dhe jo vetëm i tij është si ai prushi i zjarrit me dru lisi qe te ngroh shpirtin dhe lartëson mendjen. Vite të tëra ne Nju Jorkun e largët e magjik e nanurisja veten me këngën gjirokastrite, madje pothuajse çdo mëngjes dëgjoja në magnetofon këngën himn te Petrit Lulos, “Po the Gjirokastra i ke thënë të tëra”. Kjo solli që gruaja korçare një ditë më tha gjysmë me të qeshur e gjysmë si qortim: Agron, himn është kjo këngë qe na e vë çdo ditë!? Librin “Gjirokastra në sytë e mi” e etnomuzikologut dhe publicistiti Naxhi Kasoruho do ta quaj librin e “dashurisë së madhe” ose akoma më sakte “libri i tri dashurive“. Dashuria e parë është dashuria për Gjirokastrën , të cilën e do më përdëllim dhe poetikisht. Ai ia lë Prof. dr. Emin Rizës zbulimin e vlerave origjinale të arkitekturës të qytetit, ndërsa autori, Naxhiu përqendrohet tek vlerat artistike dhe kulturore. Duke iu bashkëngjitur mendimi të një gjirokastrit të shquar, shkrimtarit Ismail Kadare ai citon: ”Gjirokastra duket sikur është ngritur për të zgjuar ide të mëdha. Ky ishte një qytet i çuditshëm që dukej sikur kishte dalë në luginë papritur një natë dimri si një qenie prehistorike, ishte vërtetë një qytet befasues”( N. Kasoruho..: Gjirokastra në sytë e mi” f. 29).  Kalaja krenare në qendër të qytetit të gurtë dhe madhështia e ndërtesave të Zekatëve, të Skëndulajve, të Ficove, të Babametove e shumë e shumë të tjera jo vetëm janë nën mbrojtjen dhe kujdesin e UNESCO-s si edhe gjithë qyteti po janë bërë të njohura ne mjaft botime dhe ilustrime europiane e më gjere. Autori e do në çdo gjymtyrë, në çdo qelizë Gjirokastrën, qytetin e diturisë dhe kulturës, qytetin e gurtë, madje përmend me detaje odat e mëdha, tavanet e skalitura të tyre, kalldrëmet e rrugët e skalitura nga duar mjeshtërish, dritaret me vazo lulesh me manxuranë dhe me borzilok. Lindur në Cfakë, por i dashuruar edhe me Paloroton ku shkonte shpesh te gjyshja, Naxhin e gëzojnë edhe ndërtesat e reja, shkollat që mbajnë emrat e patriotëve të shquar nga Gjirokastra, që i  takojnë gjithë Shqipërisë si Koto Hoxhi, Bajo Topulli, Urani Rumbo etj. Dashuri e dytë është dashuria për banorët e qytetit, për gjirokastritët. Naxhiu, bashkë më krenarinë e natyrshme si bir i këtij qyteti, ka një dashuri, nderim gjer në adhurim për bashkëqytetarët, për gjirokastritët. Kjo duket e shprehet qartë në çdo resht të këtij libri. Ai, kur tregon, shkruan dhe flet aq me zjarr për ta, duket sikur mendimet dhe emocionet rrjedhin si melodi nga gryka e klarinetës si mjeshtri i saj.  Të gjithë i do, por mbi te gjitha shpreh nderim të lartë për Anete dhe Nanatë, që i quan “Ikona” te qytetit , të cilat mishërojnë fisnikëri pa bujë, mirësi, mençuri, mikpritje, pastërti dhe një kod të tërë moral si tërësi e vlerave të qytetërimit të lashtë e bashkëkohor gjirokastritë. Naxhi Kasoruho , e di mirë se nga Gjirokastra ka dalë një elitë e shquar në gjithë kombin shqiptar, se ajo ka nxjerrë gjuhëtarë, shkrimtarë, politikanë, diplomatë, skulptorë e piktorë etj të njohur gjerësisht, por ai e ka drejtuar kamerën e vet mbi të gjithë gjirokastritët, me tiparet e tyre të veçanta, si atdhetarë, arsimdashës, të kulturuar, mëndje hapur, ekonomiqarë. metodikë në punë, me dashuri dhe respekt për të tjerët, “solidaritet dhe sidomos qëndrim human ndaj më të varfrit, të vobektit, ndaj të ardhurve”- shton autori. Në librin “Gjirokastra në sytë e mi”, Naxhi Kasoruho ka folur dhe shkruar edhe për dhjetëra gjirokastrit ë qe banojnë në Tiranë, si plotësim i galerisë së përgjithshme të gjirokastriteve, por tanimë ata jetojnë me familjet e tyre ne kryeqytet. Dashuria e tretë, ajo që zë vendin më të gjere në libër, është dashuria, pasioni i prushte, kontributi i Naxhiut për kulturën e mbi të gjitha për këngën e dëgjuar shumë zërash gjirokastrite. Në qoftë se libri i Naxhi Kasoruhos, “Gjirokastra në sytë e mi”, do të krahasohej me një simfoni kulturore, pjesa kulminante e kësaj simfonie është ajo kushtuar këngës, magjisë të shpirtit artistik të gjirokastritëve. Kur flet e shkruan për këngën e qytetit të vet, për këngëtarët e talentuar, për vallet dhe harmoninë e melodive etj, duket sikur skalit një qytet të tëre si çka bërë ne kopertinën e këtij libri, që me një togfjalësh metaforik e ka quajtur “Gjirokastra-kronikë në këngë“. Ai është njohës dhe specialist i veçorive etno-muzikore të polifonisë gjirokastrite, që e ka pasqyruar në artikuj dhe studime të shumta. Eseja e gjatë për “Këngët e Kafeneve” është një kontribut origjinal i Naxhiut. Ai shkruan: ”Kafenetë janë ambient i dytë kryesor pas shtëpisë. Aty këndohen këngë polifonike tradicionale gjirokastrite, që konstatojnë me ato të ambienteve të shtëpisë si për tematikën-strukturës tonalo modale deri tek ndërtimi dhe përbërja e grupeve që i ekspozojnë..” (Po aty, f.51). Tek eseja studimore, “Një jetë mes këngëtarëve popullorë’, autori skalit veçoritë  individuale të këngëtarëve, se ai i njeh mirë aftësitë artistike të secilit prej tyre. Grupi i pleqve që përbehet nga Lavo Erindi-xha Lavua, Skënder Tushja, Demo Cenkua e të tjerë janë një gurrë e pasur e këngës polifonike të qytetit, që në festivale kombëtare ka merituar vlerësime të larta. Profesor Albert B. Lord i Universitetit te famshëm të Harvardit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeveprën e vet shkencore e quan “The Singer of Tales”. Sipas teorisë së Lordit, “Singeri, ‘këngëtari është jo vetëm mbartësi i traditës, po gjatë ekzekutimit të këngës ai e rikrijoi atë”. Më duket një vlerë e shtuar e librit fakti që Kasoruho ka trajtuar dhe dalluar disa nga këngëtarët më të spikatur të këngës polifonike, si Xhevat Avdalli, Jonuz Shehu, Arjan Shehut, Demir Zyko, Laver Bariu, Lefter Çipa, princi i polifonisë etj. Në këtë mozaik letrare-kulturore, autori saj, Naxhi Kasoruho, jep një dëshmi sa historike edhe kulturore kur parashtron dhe analizon veprimtarinë e institucioneve të qytetit që nga krijimi i bandës muzikore e gjer tek teatri dhe orkestra simfonike. Autori, edhe pse shkruan në standartin letrar të shqipes, e zbukuron disa herë frazën edhe me fjalë nga e “Folura e Gjirokastrës për ta shtuar ngjyrimin e ngjarjeve që tregon, si mëhallat, sadaka, monopate, sufra për sebepe, ziafete etj. Të tria këto dashuri, që janë vetëm një ndarje metodike, janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën dhe janë vetëm e vetëm një dashuri, krenari dhe nderim për qytetin e gurtë, qytetin e argjend, një përmendore kulturore, që do t’ i shkonte mbishkrimi: Gjirokastra hane-hane,

E mençur dhe atdhetare

Bëre histori të madhe…

Kur mbaron së lexuari librin e ri të Naxhi Kasoruhos “Gjirokastra në sytë e mi” përjeton kënaqësi intelektuale, edhe krahas mallit të shtohet edhe më shumë dashuria, krenaria që je gjirokastrit.

Faleminderit i nderuari Naxhi Kasoruho!

 Nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencës dhe Arteve