Prof. Abaz Hoxha/ Të mbrojmë Kinostudion- këtë monument të kulturës

119

 SOS- Edhe i vetmi objekt i mbetur i Kinostudios ka rrezik të zhduket

* film historian

 Që në muajin mars kam hedhur këtë shqetësim në Facebook për fatin e kinostudios, por fatkeqësisht asnjë nga kineastët dhe asnjë shtetar nuk u përgjigj. Tashmë kinostudio është marrë e gjitha dhe po transformohet nuk di për çfarë dhe nuk të thotë njeri se çfarë do bëhet ndërsa Albafilmi është transferuar në një qoshe që dikur ka qenë një magazinë. Të gjitha ato figura të interpretimeve të aktorëve që ishin vënë nëpër mure me tendencën për të bërë një muze kinemaje janë zhdukur fare. Drejtori që ishte emëruar para disa muajve nuk pranoi nënshkrimin e kontratës për ta privatizuar dikush, është pushuar nga puna dhe në vend të tij ka ardhur një grua që e ka nënshkruar atë kontratë dhe e ka spostuar selinë e “Albafilm”-it në një qoshe nga fundi i kopshtit. Shqetësimi i nisur në Mars të këtij viti vazhdon edhe sot, madje, kjo situatë është bërë edhe më alarmante dhe sa vjen dhe përkeqësohet  pasi Kinostudion jo vetëm që duan ta grabisin si pronë, por duan edhe ta shkatërrojnë si objekt kulture dhe historie.

SOS- Edhe i vetmi objekt i mbetur i Kinostudios ka rrezik të zhduket
            Nga burime të ndryshme merret vesh se objekti i mbetur i Kinostudios, sot “Albafilm” po bëhen përpjekje për ta privatizuar dhe për ta përdorur për qëllime të tjera abuzive jashtë destinacionit. Një veprim i tillë do të ishte një goditje e rëndë për kulturën kombëtare, do të ishte një përçmim dhe mohim i veprës madhështore të disa brezave të kineastëve, regjisorëve, aktorëve, kompozitorëve të filmave piktorëve, operatorëve, inxhinierëve të profileve të ndryshme etj., të cilët kanë krijuar nga e para një kulturë të re nga fillimi, duke bërë sakrifica të pa numërta në kushtet e një sistemi diktatorial dhe të një vendi të vogël me mundësi minimale ekonomike duke xhiruar qindra filma kronikalë, dokumentarë, artistikë e vizatimorë që nuk janë vetëm vlera për kinematografinë, por bëjnë pjesë ne historinë e kombit përgjithësisht.
Si një nga themeluesit e kinematografisë, si një studiues dhe historian i kinemasë. Pedagog i disa brezave, si kuadri i parë me arsim të lartë i saj, si kryeinxhinieri i parë që jam marrë me ngritjen e të gjitha objekteve te kinematografisë që nga fillimi, si të prodhimit ashtu edhe të rrjetit të gjerë të kinemave që u ngritën në Shqipëri, dhe sidomos si themelues, organizator dhe drejtues i Arkivit Qendror të Filmit, ku ruhet një pasuri e jashtëzakonshme që ka të bëjë përgjithësisht me historinë e vendit , ndihem i indinjuar në rast se do viheshin në zbatim përpjekje të tilla për zhdukjen edhe te vetmit objekt që ende sot ekziston në fushën e kulturës. Them të vetmit mbasi janë zhdukur dhe po zhduken gradualisht të gjitha objektet që kanë të bëjnë me kinematografinë dhe historinë e saj duke krijuar idenë e një vendi anti-kulturë dhe pa asnjë traditë.
Një krim i shëmtuar ishte prishja e kinemasë së parë të ndërtuar në Shqipëri që ne vitin 1925-26 siç ishte kinema “Theatër Nacional”/ më vonë 17 Nëntori-/ kur vende të zhvilluara si Austria ruajnë si muze në qendër të Vjenës kinemanë e parë të ndërtuar atje. Po kështu u prish kinema Partizani, kinemaja e parë e ndërtuar pas çlirimit/1955/, nuk u duken as gjurmët kinemave të ndërtuara në qytete të ndryshme të Shqipërisë në Tiranë, Elbasan, Fier, Lushnjë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Krujë, Lezhë, Skrapar Shkodër, Pukë, Librazhd, Sarandë, Delvinë,Bilisht e shumë të tjerave. U shkatërruan dhe u përdorën për skrap disa dhjetëra aparatura lëvizëse dhe autokinema që jepnin shfaqje filmash në të gjitha skajet e vendit. Rrjeti kinematografik në Shqipëri u shpërbë plotësisht, kinematë u kthyen në qendra bixhozi, bingo, dhe biznese të tjera , por jo për shfaqje filmash. Është një fatkeqësi e madhe dhe një revansh anti-kulturë kur çdo gjë po shpërbëhet kur figura tona të shquara të gazetarisë, letërsisë dhe shtypit që në fillim të shekullit të kaluar bënin thirrje që çdo Bashki e madhe ose e vogël, sipas mundësive ekonomike të ngrinte një kinema për ta tërhequr brezin e ri nga mjediset e korrupsionit, mejhanetë e kumarhanetë dhe ta drejtonin drejt kulturës dhe progresit. Është paradoksale që vetëm Shqipëria ndër vendet ish socialiste nuk ka një rrjet kinemash kur shtete e tjera jo vetëm që nuk e kanë shpërbërë por e kanë fuqizuar dhe modernizuar rrjetin kinematografik. Bullgaria jo vetëm që nuk e shkatërroi por e fuqizoi qendrën e prodhimit të filmave duke vendosur teknikën e re dhe sot përdoret jo vetëm për prodhimin e filmave vetjake, por edhe si një servis për shoqëri të ndryshme kinematografike evropiane e më gjerë duke sjellë të ardhura të mëdha që subvencionojnë prodhimin e filmave. Çfarë ndodhi tek ne. Kinostudio Shqipëria e re u shkatërrua plotësisht dhe nuk i duken as gjurmët dhe mbasi u shkatërrua ju dha bizneseve private për një copë bukë ndërsa kineastët shqiptarë që janë ende në aktivitet qëndrojnë pas arkave të bananeve duke pritur që të marrin ndonjë subvencionim që të bëjnë ndonjë film . Vetë territori dhe objektet e kinostudios në një sipërfaqe të madhe do të ishin një burim i madh të ardhurash që prodhimit kinematografik në vend të mos i jepeshin nga shteti subvencione qesharake/ rreth 500.000 euro në vit që nuk mjaftojnë për xhirimin e vetëm një apo dy filmave, kur komshinjtë tanë të Maqedonisë subvencionojnë me rreth 1000.000 euro në vit vetëm për Arkivin e Filmit. Kinematë janë një shërbim publik për kulturën dhe në vende të zhvilluara si Norvegjia janë rreth 50-60% pronë e bashkive, janë kinematë më të mira dhe me të ardhurat e tyre subvencionojnë edhe prodhimin e rreth 12-14 filmave për fëmijë që është një traditë e tyre për edukimin e fëmijëve me historinë, traditat, legjendat, përrallat dhe virtytet kombëtare. Po përgatiten studentë në fushën e teatrit, kinematografisë, muzikës etj. Kush do ti ndihmojë këtë brez të ri për xhirimin e filmave. Edhe pot ë xhirohen filmat përse do ti xhirojmë kur ata shfaqen vetëm ne veprimtaritë ndërkombëtare se rrjeti i kinemave tona është inekzistent.
Por le të hidhemi tek problemi që u ngrit në fillim. Përse kjo kinostudio të mos shpallet një monument kulture, të shndërrohet në një muze të kinemasë shqiptare/ që është shumë e përshtatshme për një objekt të tillë/. Përse të mos shndërrohet ajo në një përmendore, ku të përjetësohet vepra e disa breza regjisorësh, aktorësh, operatoresh, piktorësh e kompozitorësh tanë të shquar që krijuan një traditë të re në kulturën tonë kombëtare që lanë vepra që do tu flasin brezave të ardhshëm për historinë e artit, për figurat e saj të shquara që e krijuan këtë art të ri nga e para, që ka të bëjë jo vetëm me historinë e artit, por me historinë e vendit në përgjithësi mbasi aty ruhen thesare që kanë regjistruar hap pas hapi historinë e vendit, kanë evidentuar vlerat artistike, kulturore dhe traditat e përpjekjet e popullit tonë për të ecur përpara. Mos harrojmë se ndër filmat dokumentarë të xhiruara nga kineastët shqiptarë ka mbi 400-500 filma që kanë të bëjnë me traditat kulturore të popullit në folklor, etnografi, për banesat popullore, objektet e ndryshme të kultit, traditat në lundrim, kostume dhe valle popullore, instrumentet popullorë, florën dhe faunën shqiptare, figura të shquara kombëtare, mëmëdhetarë dhe patriotë të shquar misionarë që kanë shkrirë gjithë energjitë dhe pasurinë e tyre në shërbim të kombit, piktorë e skulptorë, shkrimtarë e poetë që kanë ndriçuar vendin, aktorë, muzikantë, balerinë, këngëtarë të shquar etj Mos harrojmë aktorët tanë të shquar për të cilët ai objekt do të ishte një përmendore e veprës së tyre krijuese. I them këto se edhe Arkivi sot është i pambrojtur dhe në mëshirën e fatit pa roje e sistem sinjalizimi që ishin planifikuar që në ndërtimin e tij. Do përgjigjemi para historisë në rast se do të na ndodhë ndonjë fatkeqësi që do të ishte e pa riparueshme.
Po na ikin gradualisht shumë figura të shquara të kinemasë, regjisore aktorë e kompozitorë që kanë lënë vepra dinjitoze në fushën e kinematografisë a nuk është vonë të kujtohemi për ta për të grumbulluar objekte të xhirimit, kostume, kujtime etj për të ja u bërë të njohur brezave të ardhshëm, të cilët duhet të krenohen me veprën e tyre. Në të gjitha vendet ka një muze të kinemasë dhe ne edhe atë që e kemi duam ta shkatërrojmë, çështje kjo urrejtje dhe injorim i veprës së shquar të kineastëve tanë, ku po shkojmë, ku po shkon kultura shqiptare?
I bëj thirrje Ministres së Kulturës që jo vetëm të ndalojë privatizimin për qëllime abuzive të objektit të kinostudios, por të ndërhyjë që edhe pjesa prapa kinostudios/ ish studio e zërit/ ti rikthehet asaj dhe të ngrihet një muze I kinematografisë shqiptare. Përveç kësaj Ministria e Kulturë duhet të ndihmojë me fonde për ngritjen e këtij muzeu. U drejtohem gjithë kineastëve shqiptarë, regjisorëve, operatorëve, piktorëve, kompozitorëve dhe aktorëve tanë të shquar dhe dashamirësve të këtij arti magjepsës që të ndërhyjnë për të mos lejuar që edhe ky objekt i vetëm që tashmë ka mbetur për kinematografinë të mos zhduket. I bëj thirrje Bashkisë së Tiranës që edhe ajo të vërë dorë për të mos e zhbërë këtë monument kulture. ……….
Abaz T. Hoxha
Studiues dhe historian i kinemasë