Prishtina çel sot Panairin e 17-të të Librit, pjesëmarrëse 100 shtëpi botuese

515
Rreth 100 shtëpi botuese do të marrin pjesë në panairin e 17-të të Librit, që do të hapet sot në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Në panairin, i cili do të rri i hapur deri në 7 qeshor, do të organizohen një sërë aktivitetesh, që përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore: 150-vjetori i lindjes së Zef Skiroit, 100-vjetori i lindjes së Roland Barthes, 100-vjetori i lindjes së Arthur Miller, 100-vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, 95-vjetori i lindjes së Mark Krasniqit e 20-vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.
Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit. Nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, Besian Zeneli tha se “gjithçka është gati për 2 qershorin, kur edhe do të jetë hapja e panairit të 17-të me radhë të librit”.
SHBK-ja po ashtu ka parashikuar darkën solemne më 6 qershor në hotel Prishtina, ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në: prozë, poezi, kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, përkthim letrar, projektin kapital si dhe shpallet: Shkrimtari i vitit (letërsi shqipe), shkrimtari i vitit (letërsi e huaj), stenda më e vizituar. Në panair do të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora, numri i titujve të rinj janë rreth 1.100, ndërsa numri i titujve të viteve të fundit, rreth 4.000. Panairin pritet ta vizitojnë rreth 35.000 vizitorë.
Sigal