Sigal

Agron MEMA

Fundjavat e fundvitit në skenën e Sarandës për artdashësit sarandjotë do të shfaqet premiera “Hesht, mos fol!”, vënë në skenë nga aktori i mirënjohur Karafil Shena, i cili ka interpretuar mbi 30 role në teatër dhe estradë dhe dhjetëra role në kinematografi, si në atë shqiptare edhe atë greke. E shtuna që përkon edhe me fillimin e muajit të fundit të 2018-ës do të ngrejë siparin e shfaqjes së parë të premierës, e cila do të sjellë nëpërmjet recituesve të rinj si Tereza Spata, Nadia Çapari, Drita Baho, Esmeralda Gjinika, Skalia Beqo dhe vetë aktorit Karafil Shena, pjesë nga krijimtaria e shkrimtarëve të njohur si Ismail Kadare, Azis Nesin, Zhorzh Okvell e Vasil Çuklla ilustruar nga shoqërimet e interpretuesve të kuintetit muzikor të Dasho Mamuçi; Fredi Camandjoti, Genti Xuxi, Ismail Murtaj, Renato Zhuga e Evi Mano dhe me skenografi të Lefter Çekos. Skena e Sarandës për artdashësit e saj do të zbukurojë jetën artistike nëpërmjet kësaj premiere me krijimtarinë e kolosëve të letërsisë shqipe dhe të huaj. Po pse ky titull i premierës “Hesht, mos Fol !”? Për këtë ne takuam regjisorin dhe libretistin e premierës, aktorin e mirënjohur Karafil Shena, i cili dha këtë prononcim për lexuesit e gazetës “TELEGRAF”: “Në radhë të parë falënderime gazetës “Telegraf” që në faqet e sajë i kushton si askush tjetër vend të gjerë promovimit të vlerave të kulturës, jo vetëm asaj të Tiranës si metropol, por edhe asaj të rretheve. Kjo është një vlerë që i shërben artit dhe historisë.

Më pyetët pse ky titull i premierës? Nxitjen apo shkakun e kam marrë nga një poezi e shkrimtarit të madh humorist turk Azis Nesin, poezi e cila titullohet po kështu dhe poezia është brenda shfaqjes në interpretim. Vet shkrimtari i madh Azis Nesin ka thënë për këtë poezi se kjo do të thotë: “Hesht! Qaja, qeshja, lozja, më thoshin hesht! Nëse fjala është argjend, flori është heshtja”. Fjalë lapidare të një shkrimtari të madh. Këto vargje të kësaj poezie ka kohë që më intrigojnë dhe doja të realizoja një shfaqje me këtë temë. Dhe them se kam bërë diçka që publiku do të thotë fjalën e tij. Nëpërmjet kësaj shfaqjeje dhe materialit letrar e muzikor që paraqitet shpaloset raporti i shoqërisë me heshtjen, raporti i familjes me heshtjen, raporti i politikës me heshtjen dhe raporti i politikës me heshtjen. Kur u qartësova vet me këtë raport, atëherë nisa të rrëmoj për të kërkuar materialin letrar që do të më shërbente për të realizuar këtë qëllim, apo thënë popullorçe që më çonte ujë tek ky burim. Shfaqja nis që me kohën e Luftës së Trojës që tek monologu “Laokoondi” të Ismail Kadaresë ku pasqyrohet qartë raporti i pushtetit me të vërtetën dhe me heshtjen. Pra Laokoonti thotë një të vërtetë të madhe se nuk do të hynte Kali i Trojës, por duke qenë në krahun e kundërt Laokoonti, nëpërmjet heshtjes e vrasin vetë pushtetarët (fitimtarët), duke mbuluar krimin në ngjarje me pretekstin hyjnor se vetë hyjnitë dërguan gjarpërinjtë si ndëshkim. Nëpërmjet kësaj premiere shpërndahen mesazhet, se heshtja nuk duhet të vazhdojë më, qoftë në problematikat sociale, qofshin ato edhe politike, sepse nuk bie gjë heshtja veçse qëndrimin në vend.

Heshtja nuk bie emancipim, qytetërim dhe kulturë, por nënshtrim, skllavëri dhe varfëri. Heshtja është varri i një vendi apo kombi. Për sa i përket pyetjes suaj, se pse me aktorë amatorë dhe të rinj do të thosha se, së pari, nuk ka aq shumë profesionistë dhe ata që janë, janë në moshë të madhe dhe kjo i bën të papërshtatshëm për idenë që kam dhe mesazhet që dua të transmetoj nëpërmjet premierës. E ardhmja i takon brezit të ri, ndaj dhe premiera fillon me interpretimin e një gjashtëvjeçareje, sepse ndërgjegjësimi fillon që aty, në atë moshë dhe që aty duhet të mos heshtin. Duhet të rritet një brez i edukuar që të flasë!”