Prelud në çifteli: Vjen jehona e historisë, në dy telat e çiftelisë

1292
30 vjet nga vdekja e rapsodes, Fatime Sokoli
Historia në këngët epike të rapsodes tropojane, Fatime Sokoli-Mjeshtre e Madhe e Punës- “Këngët tona janë shumë të nevojshme e të vlefshme për kombin tonë, se ndër to shikojmë të ngjarat e çdo kohe, që ka shkuar si valët e detit dhe prej tyre mund të dalë një histori e plotë”. SPIRO DINE *** Dragobia, njëra prej 7 grykave, përveç bukurisë së saj magjepsëse, ngjarjet dhe eposet i përcjell me jehonën e grykës…E sa herë kujtojmë Dragobinë gjithmonë kujtojmë edhe Çikën e Dragobisë, “Mjeshtren e Madhe” Fatime Sokoli. Ajo lindi këtu në qershor 1948. Pa mbushur akoma një vit mbetet jetime pa nënë. Babai i saj Man Dula u kujdes, i rriti dhe i shkolloi tre fëmijët, Shabanin, Fatimen e Ruken. Fatimja qysh e vogël u shqua për talentin e saj, me zërin piskamë e duke e shoqëruar këngën vet me çifteli, ndaj dhe e mbaroi Liceun Artistik në Tiranë dhe më pas punoi si mësuese e muzikës në disa fshatra duke qenë pjesëmarrëse me ansamblin “Valbona”, e më pas “Dardania”. Fatime Sokoli është pjesëmarrëse në të gjitha festivalet folklorike, fituese e disa çmimeve, por vlen të veçohet pjesëmarrja e saj me ansamblin e Tropojës në Festivalin Ballkanik të Ohrit 1974, dhe pjesëmarrëse me Ansamblin Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore në Dizhon të Francës. Fatime Sokoli ndahet nga jeta nga një sëmundje e pashërueshme me 8 qershor 1987 duke lënë pas një pasuri të çmuar folklorike. *** Si gjithë kultura shqiptare, edhe folklori karakterizohet nga një frymë e lartë patriotike e veçanërisht epika historike, në të cilën janë pasqyruar me vërtetësi dhe me ngjyra të forta artistike aspiratat e popullit shqiptar për liri, pavarësi e drejtësi shoqërore, qëndresa e tij heroike dhe e pareshtur kundër sunduesve të huaj e qarqeve shoviniste të shteteve fqinje e Fuqive te Mëdha. Nuk ka ngjarje të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare e figura të njohura të saj që të mos kenë lënë gjurmë në ndërgjegjen e popullit, dhe të mos jetë përjetësuar në këngët historike të Mjeshtres së Madhe të Punës, rapsodes tropojane Fatime Sokoli. E lindur dhe rritur në Dragobi, në një mjedis aq sa epik dhe lirik, dhe duke pasur si pikë referimi rapsodët e njohur të vendlindjes Riza Zymeri e Syl Shabani, e duke kënduar që kur ishte fëmijë tek shpella e Dragobisë për Heroin e Popullit Bajram Curri e aty ku ra Heroi i Popullit Ram Sadria, Fatime Sokoli bëhet një nga protagonistet, që nëpërmes kulturës të gdhendet identiteti kombëtar dhe një enciklopedi e gjallë e historisë sonë kombëtare. Ajo ishte besnike e këngës popullore, sidomos e asaj epike, e cila “I rrinte mirë” qoftë për karakteristikat e veçanta të vokalit dhe shoqërimit që i bënte vetë me instrumentin e çiftelisë. Me dhjetëra janë medaljet, çmimet e mirënjohjet që i janë akorduar asaj në veprimtaritë koncertale folklorike si ato në shkallë kombëtare, lokale e zonale e jashtë shtetit. Tekstet e skalitura prej penave te njohura tropojane si Hamit Aliaj, Skënder Buçpapaj, Hysni Prengzi, Marash Mëhilli etj, dhe të muzikuara prej autorëve Bashkim Gjyriqi, Skënder Dozhlani, Martin Progni dhe të interpretuara me mjeshtëri prej Fatime Sokolit, sjellin para nesh histori të gjallë që të bën që të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë. Tropoja –vendlindja e rapsodes është shumë e dashur për të, jo vetëm për bukuritë e saj natyrore, por më shumë për historinë e saj të lavdishme. Në këngën “Pushkë e mbushur në tufane” sjell atmosferën e qëndresës së malësorëve kundër përpjekjeve të Portës së Lartë për të mbledhur taksa e rekrutë, dhe figurat e njohura të prijësve popullorë, Binak Alia, Shaqir Curri e Sokol Rama: 

“Pushkë e mbushur në tufane 
Moj Tropoja iliriane 
Për asqerë thërret Rumelia 
Ballë për ballë Binak Alia…” 

Betejat e përgjakshme në Moraçë 1871-1876 ku malësoret tanë luftuan përkrah shqiptarëve të Plavës e Gucisë, kundër pushtuesve, duke mbetur dhjetëra dëshmorë, përjetësohen: 
“Në Moraçë, n’at fushë mejdani
Pushka jonë dy krisma bani 
Pat malësorë e kosovarë 
Fyt për fyt me pashallarë…” 

Idetë e mëdha të Rilindjes Sonë Kombëtare tingëllojnë me forcë të veçantë në këngët epike kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, betejave dhe figurave historike që treguan qëndresën e pashembullt të popullit shqiptar për mbrojtjen e tokave shqiptare. Tipike është kënga “Dasma e Zmajl Hysenit” që sjell atmosferën e luftërave në Shtimje e Slivovë në prill 1881, ku ranë Zmajl Mehmeti, Mic Sokoli, Zmajl Hyseni etj, ku thotë:
“N’at Kosovë ai përjete 
N’roje të trollit paska mbetë… 
Zmajl Hyseni mbas ditës sodit 
Krushk i dasmave të gjithë Kombit…”

Kryengritja e Kosovës e vitit 1910, betejat e lavdishme të saj në grykën e Cerralevës e drejtuar nga Isa Boletini dhe në grykën e Kaçanikut e drejtuar nga Idriz Seferi rapsodia me nota të forta epike këndon:
“Ne kët tokë përjetë se lëshojmë
Kroje-gjaku t’gurgullojnë 
N’Kaçanik Idriz Seferi 
Tym e flakë vendin e ndezi…” 

Po kështu kryengritja e prag-pavarësisë e vitit 1912 që e tronditi nga themelet sundimin osman, drejtuesit e saj Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini etj, ishin një frymëzim i madh dhe u kënduan me pasion nga artistja: 
“Si barot që ndez vetima 
Po na vjen Hasan Prishtina 
N’tirq galena, n’kapuç t’bardhë 
Boletini kosovar…” 

Heroina Shote Galica, luftërat e saj në çetë me Azem Galicën dhe trima të tjerë kosovarë, ka qenë një nga figurat më te dashura për Fatime Sokolin, pasi edhe vetë ajo ishte një “Shotë” e këngës. Ashtu si Shota në çetë me luftëtare, edhe Fatimja me çifteli këndonte në oda burrash duke sfiduar fanatizmin e dikurshëm për femrat malësore. 
“. . Shota veshi tirq galena 
Nuse malesh n’luftë me krajla 
Syte e saj për dritë lirie 
Pushka i këndonte këngë trimërie. ” 

Heroi i Popullit Bajram Curri, ka qenë një figure frymëzuese për shumë këngëtarë të njohur, ndoshta Fatimja aty tek shpella e Dragobisë është prezantuar që fëmijë si një artiste me të ardhme, ndaj dhe Bace Bajramit i këndon: 
“Shkrep nagantin me trimni 
Dymbëdhjetëmijë marshojnë mbas tij 
Pushka e Plakut, ’maje t’thepit 
Fort ja dridh kunorën mbretit. . ” 

Luftërat e Nikaj-Mërturit kundër pushtuesve serbo-malazezë, dhe në periudhat e tjera historike, dhe luftërat e njohura të kësaj zone, këngëtarja i pasqyron në këngën “Ç’po luftojnë djelt e Mërturit” dhe në këngë të tjera: 
“N’Curraj të Epër zonë e thellë 
Mil Bogiçi s’mund pat shkelë 
N’kodra t’Palçit me Prel Tulin 
Mil Bogiçit ja ndalën turrin…”

Figura e luftëtarit popullor si përgjithësim artistik i cili duke rënë në fushën e luftës, u lë armët si dhe amanetin për të luftuar deri në çlirimin e plotë të atdheut, shprehet në këngën, “Zani im në gjemim t’armëve”:
“Nanë e babë, vëlla e motër 
Mbani armët e mia n’votër 
Për liri kur t’ngjiti n’male 
Zani im asht n’gjemim t’armëve…”

Kosova martire-dhembja e madhe shqiptare për afro një shekull, luftërat dhe përpjekjet dhe figurat e saj historike ka qenë një nga temat më të lëvruara në këngët e saj. Pothuajse të gjitha ngjarjet që lidhen me Kosovën, dhe duke apeluar figurat më të lavdishme të historisë kosovare, ajo i sintetizon në këngët “Moj Kosovë kështjellë burrnie” dhe “Ty Kosovë këtë këngë ta këndova” që dolën në atmosferën e ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë, më të kërkuarat në radion për bashkatdhetarët: 
“Me krahë shqipesh nga Tropoja 
Ty Kosovë kët këngë ta këndova. . 
Moj Kosovë, moj lulekuqe 
Po i rrit fëmijtë me krisma pushke… 
Moj Kosovë me djepa e varre 
Kurrë se le besën shqiptare…” 

Po kështu me nota të forta epike këndoi këngën për “Pesë kufitarët” që ranë në krye të detyrës për të zënë qafën e Dobërdolit: 
“N’Dobërdol ka mrri furtuna 
Seç na i mori këta pesë burra 
S’ishin burra, po djelm të ri 
Ka 20 vjeç, kurrnja për mbi 
Nëntogeri njëzet e dy…” 

Si dhe kënga për birin e Dragobisë, Heroin e Popullit Ram Sadria: 
“…Sa të jetë gjallë Shqiptaria 
Nuk harrohet Ram Sadria 
N’Dragobi e rriti shtatin 
Për Atdhe e derdhi gjakun…” 

Ja pra, dëgjo një kasetë a disk me këngët historike të legjendës së këngës tropojane, rapsodes Fatime Sokoli dhe para nesh shfaqet histori e gjallë e Kombit, ajo përbën një thesar me vlerë të veçantë në trashëgiminë kulturore të kombit shqiptar. Ajo megjithëse e nda nga jeta në 8 qershor 1987 , në kulmin e karrierës, gjithmonë na evokon histori, dhe siç shkruan për të Marash Mëhilli “…ishte me këngën në zemër, e zemrën në çifteli”. 

GEZIM PRENGZI
Sigal