Prej 93 vitesh, sundimtarët e Shqipërisë me të njëjtin refren: “Në krahasim me ish-pushtetin e….”

577
Përparim HALILI
Qysh prej pushtetit të Zogut, Musolinit, Enverit, Saliut, Nanos e Ramës shqiptarët po dëgjojnë vetëm akuza për njëri-tjetrin
Kryeministri i “rilindjes” ka nisur t’u justifikohet para shqiptarëve, për mos realizimin e premtimeve e detyrimeve qeverisëse, duke bërë krahasime me pushtetin e para 4 viteve, qëndrim të cilin e kanë mbajtur gjithë sundimtarët dhe shtetarët e Shqipërisë qysh prej vitit 1924…
“Rilindja” po zhvillon një tur takimesh elektorale, me ata që votojnë për herë të parë, duke pasur të ulur në rreshtin e parë, ata që votojnë për herë të 10 dhe që janë nga 12-16-20 e 27 vite si deputetë, pra qysh 9 vite para se të lindnin këta 18 vjeçar të cilëve u mbahen fjalime arritjesh evropiane 
Gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013, kupola e “Rilindjes” u foli shqiptarëve me “gjuhën” e faktuar të zullumeve që kishin bërë demokratët në 8 vitet e pushtetit të tyre, të cilin ua marrën socialistëve në vitin 2005, për shkak të zullumeve të bëra, sidomos me korrupsionin dhe nepotizmin në zyrat e shtetit e të pushtetit. Kujtojmë, që PD nuk reagoi fare ndaj akuzave dhe premtimeve të bëra prej “Rilindjes” në fushatën e vitit 2013, jo se nuk dinte të mbante fjalime demagogjike e mashtruese elektorale me premtime të përsëritura në 25 vite, por për shkak se e kishin humbur të drejtën morale për të ribërë premtime, që nuk i mbajtën, për shkak se e dinin që nuk i votonte as 30% e shqiptarëve për një mandat të tretë pushteti, ndaj dhe bëri një fushatë formale e apatike, në pritje për të kaluar në opozitën e merituar! Ndërsa kupola e “Rilindjes”, premtoi se gjatë pushtetit, jo vetëm nuk do të bënte zullumet e PD, por do të çonte zhvillimin e vendit në nivele të larta, duke pastruar korrupsionin, kultivimin e drogës, nepotizmin në administratë, shfuqizimin e koncesioneve, depolitizimin e arsimit, policisë, ushtrisë e diplomacisë, do të pastronte borxhin e huaj dhe borxhin e brendshëm, do të rikthente dinjitetin dhe kushtetueshmërinë e institucioneve, do të përfundonte rrugët e lëna përgjysmë prej ish-pushtetit të PD, do të rilindte kulturën, do shtonte rritjen ekonomike me 30%, do siguronte mbrojtjen e financave kombëtare, do rikthente bizneset e huaja në Shqipëri, do mbyllte plagën e strehimit, do bënte kthimin e pronave, hapjen e 300 mijë vendeve të punës, pastrimin e policisë së shtetit nga krimi dhe integrimin e Shqipërisë në BE! Pas marrjes së pushtetit me 1 milion vota, kryeministri Rama, publikoi gjithë zullumet e bëra në 8 vitet e pushtetit të PD dhe premtoi se do t’i mbyllte gjithë “plagët” e nuk do të fliste më për to! Çfarë ka ndodhur e po ndodh? Këto ditë, kryeministri Rama ka dalë në një tur takimesh elektorale me ata që votojnë për herë të parë, duke pasur në rreshtin e parë ata që votojnë për herë të 10 e që janë nga 12-16-20 e 27 vite si deputetë, pra qysh 9 vite para se të lindnin këta 18 vjeçarë që do votojnë për herë të parë! Në këto takime, kryeministri i “Rilindjes” ka nisur t’u justifikohet shqiptarëve për mos realizimin e premtimeve, duke bërë krahasime me pushtetin e para 4 viteve. U thotë: Në krahasim me vitin 2013, jemi më mirë. Në vitin 2013 e morëm pushtetin me borxhe, me administratë jashtë funksionit, me korrupsion, me nepotizëm, me analfabetizëm, me papunësi… Këtë tha edhe Fatos Nano kundër pushtetit të Sali Berishës kur morri pushtetin në vitin 1997 e në vitin 2001. Këtë tha edhe Sali Berisha kundër pushtetit të Enver Hoxhës në vitin 1992 e po kështu kundër pushtetit të Fatos Nanos, kur u rikthye në pushtet në vitin 2005 e kur rimori pushtetin në vitin 2009. Këtë tha e po vazhdon të thotë Edi Rama që prej vitit 2013, kundër pushtetit të Sali Berishës! Kur kërkojnë dhe marrin pushtetin bëjnë premtime e betime, se do sjellin ndryshime, kur nuk mbajnë premtimet e nuk bëjnë asgjë për popullin nisin justifikimet me refrenin historik e të dalë boje: “Na la shumë halle ish-pushteti… Jemi më mirë dhe kemi bërë me shumë, se ata që ishin në pushtet…!” Kjo histori ka nisur që nga ish-pushteti e parë afatgjatë i Ahmet Zogut, që u vendos në Shqipëri në dhjetor 1924. Mjafton të shfletosh historinë e rotacionit dhe rrëzimit të pushteteve në Shqipëri dhe konstaton, se është i njëjti refren. Që prej pushtetit të Zogut, Musolinit, Enverit, Saliut, Nanos e Ramës shqiptarët po dëgjojnë vetëm akuza për njëri-tjetrin, sa herë që ka ndodhur dhe ata kanë hipur në pushtet. Është bërë normë me politikën në Shqipëri, që pushtetet i marrin me premtime për të ecur para në zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e popullit. Por kur vjen fundi i mandatit, dështimet i krahasojnë me zullumet e pushtetit që kanë zëvendësuar! 
Gjuha e njëjtë e sundimtarëve të 93 viteve 
Ahmet Zogu (dhjetor 1924-prill 1939): Principata sundimtare e Vidit nuk punoi për shqiptarët, por për oborrin e tij. Pushteti i tij nuk zgjidhi asnjë problem të shqiptarëve e të vendit, duke na lënë në mjerim mesjetar, pa asnjë ndryshim nga ish-sundimi turk! Në krahasim me sundimin e Vidit, ne kemi bërë zhvillim të dukshëm…Mbretëria jonë është e ardhmja e begatë e shqiptarëve dhe nuk do lejomë të rikthehet koha e Vidit…”
Benito Musolini (prill 1939-shtator 1943): Ne nuk jemi pushtues por ndërtues dhe zhvillues të Shqipërisë që u la në mjerim dhe prapambetje prej ish-mbretit injorant që ndërtoi dhe shijoji luksin e familjes së tij me pasuritë dhe gjakun e shqiptarëve. Në krahasim me ish-sundimin e mbretit Zog, ne kemi ecur shumë përpara në ndërtimin e rrugëve, të aeroporteve, punishteve, të naftës, minierave, bujqësisë, shkollave dhe futjes së kulturës italiane… Prapambetja e madhe që la ish-mbretëria ka krijuar vështirësi”.
Enver Hoxha-Ramiz Alia (nëntor 1944-1992): Në krahasim me vitin 1939, Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha në shkolla, rrugë, bujqësi, tregti, tharje kënetash, hekurudha, spitale, dritë elektrike, ujësjellës, pallate për punëtorët, miniera e naftë, arsim, kulturë e shkencës. Mbretëria na një la një Shqipëri të shkretuar dhe në prapambetje të plotë, aq sa na duhen shumë vite për të rindërtuar vendin…”
Sali Berisha (Mars 1992- qershor 1997): Kemi marrë një Shqipëri të shkatërruar prej regjimit komunist. Diktatura la pas një vend dhe një popull të varfër e të masakruar prej stresit dhe dhunës, por ne do ta bëjmë vendin si gjithë Evropa. Në krahasim me vitin 1992, kemi bërë ndryshime të mëdha dhe do vazhdojmë, pavarësisht se regjimi komunist na ka lënë shumë plagë të hapura”.
Fatos Nano (qershor 1997-qershor 2005): Po nisim një rrugë të re për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke ecur mbi një gërmadhë kombëtare që na ka lënë pushteti i Sali Berishës. Sot jemi më keq se në vitin 1945 dhe akoma më keq se në vitin 1939. Në krahasim me vitin 1997, jemi shumë herë më të zhvilluar, kemi fuqizuar institucionet, kemi stabilizuar ekonominë, kemi rritur pagat, kemi garantuar sigurinë publike dhe do bëjmë akoma më tepër, duke riparuar dhe zhdukur plagët që na la pas pushteti i Saliut”. 
Sali Berisha (qershor 2005-qershor 2013): Socialistët na kanë lënë një vend dhe popull në mjerim. Kanë lanë trashëgim plagën e madhe të korrupsionit, administratën nepotike dhe ekonominë e vjedhur nga çdo pasuri kombëtare. Në krahasim me vitin 2005, Shqipëria ka ecur shumë përpara, ka një zhvillim të madh ekonomik në një nivel me Gjermaninë. Por jemi akoma përballë shumë problemeve që trashëguam nga viti 2005”.
Edi Rama (qershor 2013… në vazhdim): Pushteti i Sali Berishës na la një Shqipëri të mbytur në borxhe, një popull në mjerim të plotë, një papunësi ekstreme e masive, një administratë të korruptuar dhe hajdute, një bujqësi të shkatërruar, një fshat që mbjell drogë për krerët e PD, një arsim të degraduar, një shëndetësi jashtë funksionit. Në krahasim me vitin 2013 jemi shumë ndryshe, kemi hedhur hapa të sigurt drejt rritjes ekonomike e shumë sektorëve të tjerë, por kemi ende probleme mbasi ish-pushteti i PD na ka lënë shumë plagë të hapura që nuk shërohen në 4 vite…!”
Sigal