Prej 2 vitesh, 6600 invalidë edhe pa gjymtyrë, detyrohen të paraqiten në KEMP-in e Tiranës, për t’i… verifikuar!

634
Përparim HALILI
VKM-ja Nr. 102, datë 19 qershor 2015 përveç torturës fizike, përbën edhe shkatërrim financiar mbasi ata detyrohen të udhëtojnë drejt Tiranës, me makina e shoqërues në dispozicion 
Përse invalidët Paraplegjikë e Tetraplegjikë, që fatkeqësisht janë me gjymtyrë të munguara e që jetojnë në Dibër, Vlorë, Sarandë, Korçë, Malësi e Madhe, Tropojë, Tepelenë, Ersekë, Konispol, Kukës, Has etj., duhet të udhëtojnë çdo vit drejt zyrës së KEMP-it që ndodhet vetëm në Tiranë për verifikim, apo mos vallë, për t’i parë se mos u kanë “rilindur” këmbët dhe duart e humbura në aksidente e fatkeqësi të tjera?! 
Invalidët Tetraplegjikë e Paraplegjikë, pra të paaftët më të rënduar fizikë, prej afro 2 vitesh po përballen me një hall që ua ka krijuar “Rilindja”, shtuar mbi hallet e tjera sociale që kanë. Siç dihet, ky grup invalidësh, kanë kërkuar të zgjidhen problemet e tyre në lidhje me masën e ulët të pensionit mujor, të pagesës së kujdestarisë, të mosdhënies së rimbursimit të energjisë elektrike, ujit, të mosdhënies së naftës falas, të vonesës së dhënies së pensioneve me 3-4 muaj, të mos plotësimit të detyrimit me strehim, të mos rimbursimit të plotë të ilaçeve. Kanë kërkuar t’u garantohet e drejta për punësim, për mjekësi, shkollim e udhëtim falas në autobusët e shërbimit urban dhe në transportin ndërqytetës. Është kërkuar t’i jepet fund shpërfilljes në spitale, në zyrat administratës publike, denigrimit që u bëhet kërkesave e ankesave të tyre social-ekonomike, të drejta që u takojnë me ligj, por që nuk u plotësohen nga shteti. Dhe sikur të mos mjaftojnë gjithë shqetësime të krijuara e të ofruara nga shteti, prej afro 2 vitesh, me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, invalidët Tetraplegjikë e Paraplegjikë, duhet të përballojnë edhe një “torturë” tjetër sociale-shoqërore, që rëndon gjendjen fizike, shpirtërore, psikologjike e financiare të tyre. Është fjala për një vendim qeverie, miratuar e futur në fuqi në “vapën” e qershorit të vitit 2015, lidhur me komisionet e vlerësimit të invaliditetit të personave me aftësi të kufizuara të lindura, ose të shkaktuara gjatë jetës. Më qartë, në “Fletore Zyrtare” Nr. 102, datë 19 qershor 2015 është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 10 qershor 2015, me objekt: “Për organizimin, funksionimin dhe shpërblimin e komisioneve eprore, të caktimit të aftësisë për punë”. Sipas këtij vendimi, komisionet e invaliditetit në qarqe e rrethe, kanë të drejtën të akordojnë vendime invaliditeti, por pas dhënies së këtyre vendimeve, këto duhen kontrolluar me prezencë fizike të invalidëve Tetraplegjikë e Paraplegjikë, në një komision epror që është ngritur vetëm në Tiranë dhe që ka fuqi të plotë e përfundimtare, për të quajtur të vlefshëm ose të pavlefshëm një vendim të komisionit zonal! Sipas këtij vendimi, çdo person invalid Tetraplegjikë e Paraplegjikë qoftë edhe pa këmbë apo pa duar, detyrohet të paraqitet çdo vit tek komisioni epror në Tiranë, për t’u verifikuar për ndryshimet fizike të invaliditetit që ka. Me këtë VKM, po veprohet kështu: Jo vetëm invalidët “zakonshëm” që ecin me këmbët e veta, por edhe invalidët Paraplegjikë e Tetraplegjikë me gjymtyrë të munguara që jetojnë në p.sh., në Dibër, Vlorë, Sarandë, Korçë, Malësi e Madhe, Tropojë, Tepelenë, Ersekë, Konispol, Kukës e Has, duhet të udhëtojnë çdo vit drejt zyrës së KEMP-it që ndodhet vetëm në Tiranë për verifikim! Përse? Mos vallë, për t’i parë se mos u kanë “rilindur” këmbët dhe duart e humbura në aksidente e fatkeqësi të tjera?! Absurdi dhe normaliteti logjik i këtij vendimi që tall e torturon invalidët Tetraplegjikë e Paraplegjikë, qëndron në faktin, se përse ky komision nuk ngrihet apo nuk shkon në qendrat e prefekturave?! Ky vendim përveç torturës fizike, përbën edhe një shkatërrim financiar për invalidët, të cilët detyrohen të udhëtojnë drejt Tiranës duke shpenzuar mijëra lekë për udhëtim me makina e njerëz shoqërues në dispozicion! Sipas kësaj logjike qeveritare, janë 3600 invalidë Para e Tetraplegjikë nga qytetet dhe 3000 nga fshatrat, ose më saktë 6600 të tillë nga të gjithë rrethet e vendit, që me vendime qeverie detyrohen të “marshojnë” drejt Tiranës me shpenzimet e tyre, për t’i verifikuar “ndryshimi për të dhënat fizike” nga KEMP Epror! 
Sigal