Pranvera e vonuar dhe lulishtari Mustafa

826
Agron MEMA

Në vend të një skice
Ai, Mustafai, jeton në qytetin jugor ku hapësirat e gjelbëruara janë mbuluar me beton dhe mes betonit përpëliten në një përpjekje mbijetuese, tek-tuk disa pemë të rralla dhe lule të pakta që duken sikur mbrohen nga zhdukja nën hijen e këtyre pemëve. Luftojnë për mbijetese për t’i dhënë qytetit pak frymëmarrje qytetit që është sëmurur rëndë nga mushkëritë. Në mes të këtyre hapësirave të cunguara, mes luleve dhe pemëve të pakta, do të gjesh përditë një burrë shtatmesatar në një moshë afër pranë pensionit. Përditë mes luleve dhe pemëve me gërshërën krasitëse në dorë; kujdeset për lulet dhe pemët. Përzier me zhaurimën e valëve të detit vjen në sinkron edhe tingulli i gërshërës së Muços. Krasit këto pemë dhe pastron lulet me një dashuri njerëzore. “Janë mushkëritë e qytetit”,- na thotë Mustafai. Mustafai ka qenë ushtarak dhe është rritur jetim e duket se gjithë atë dashuri të munguar të nënës së tij kërkon ta derdhë me gjithë ‘nokturnet’ e lumturisë dhe dashurisë së zemrës, tek pemët, tek lulet. Fjala e munguar “Nënë”, fjalë që nuk e shqiptoi kurrë, duket se me kujdesin ndaj luleve dhe pemëve i jep një lloj kompensimi shpirtëror. Ditët e jetës në prag-pension i ndan me kujdesin ndaj këtyre pemëve, me gjelbërimin e qytetit për të lënë gjurmën e tij në qytetin që e do shumë. Atë, Mustafain, e gjen përditë mes luleve dhe pemëve duke u shërbyer atyre me dashuri e përkushtim. Kushdo, që e sheh përditë mes lulishteve, kujton se ndofta është punonjës i bashkisë dhe paguhet nga ajo për shërbimin që kryen. Por jo! Është i pa punë dhe pret pensionin kur t’i vijë mosha. Nuk gjendet një vend për Mustafain si mirëmbajtës i pemëve dhe luleve dekorative të qytetit. Dhe kur këtë shërbim e kryen me pasion e dashuri përditë dhe pak më tej punonjës që qeshin e rrinë në hije ata; ata që janë punonjësit e mirëmbajtjes së lulishteve. Dhe Mustafai vazhdon të krasitë me gërshërën e tij e të pastrojë mbeturina nga lulishtet e qytetit. Dhe më tej akoma; mbetesh i befasuar kur shikon se para shtëpisë së tij është një hapësirë rreth 100 metra katror ku kujdesi dhe puna e tij ka krijuar këtë oaz gjelbërimi e bukurie. Ky mjedis është i mbuluar nga pemët dhe lulet e shumta. Një mrekulli që mund të bëjnë duart e njeriut. Dhe pa dashje bie në mendime, “ah, sikur të gjithë ta kishin bërë kështu mjedisin para shtëpive të tyre! Sa i bukur do të qe qyteti!” Nuk i ka vënë gardh rrethues, por pemë frutore e gjithfarë lloje janë aty që të mund të “lagin” gojën kalimtarët, fëmijët e të moshuarit. Një kopësht i vogël, por i bukur. “E ruajta me vështirësi,-thotë Mustafai, sidomos në vitin e mbrapshtë 1997. Dija dhe unë të bëja shtesë pallati, se ngushtë jam. Dija të bëja lokal luksoz, por ç’e do një trup pa mushkëri.” Mustafai i papunë, por me gërshërën e tij i fal qytetit aq shumë dashuri, kënaqësi e lumturi. Dhe çlodhen qytetarët në stolat e lulishteve, nën kurorën e pemëve duke falënderuar edhe lulishtar Muçon, të cilit i japin uratën për bujarinë e tij. Mustafai buzëqesh dhe punon, ndonëse i pa punë. Dhe kur e pyet, të përgjigjet me filozofinë e hebrenjve të vjetër: “Më mirë të punosh kot se sa të rrish kot.” Ky është lulishtari vullnetar i qytetit, Mustafa Shena që bisedën e tij e mbyll duke parë lulëzimin shpërthyes pranveror që pemët janë gati të lëshojnë mbi qytetin jugor: “Sivjet kemi pranverë të vonuar, ashtu si pensioni im, ashtu si shumë betone që duhet të prishen ose mungesa e një vendi pune të thjeshtë për mua. Por sado që të vonojë, lulëzimi pranveror dhe pensioni im do të vijnë. E përsëri këtu do jemi bashkë; unë dhe pemët, unë dhe lulet së bashku me kënaqësinë e qytetarëve”. Këtu ndahemi me Mustafain që buzëqeshjen nuk e ndan nga buza e tij, sikur të ketë mbirë aty, në buzën e tij, në bashkëudhëtimin e përjetshëm e të pandarë me të.
Sigal