Pranvera Borakaj: Nuk ka rëndësi me kë flini, rëndësi ka të zgjoheni me Pranverën në 7 pa 5

266

Pranvera Borakaj është një ndër moderatoret më të mira të televizionit, e prej 11 vitesh rrjesht e shohim çdo ditë në ekran, një herë si moderatore emisoni të mëgjesit “7 pa 5” në Vizion plus dhe një herë si spikere lajmesh. Por përveçse e talentuar, bukuroshja e ekranit është mjaft e zgjuar, e edukuar, por mbi të gjitha dhe shumë e dashur, por ajo që e dallon Pranveren është natyra e saj e qeshur, që në çdo moment trasmeton vetëm mirësi me buzeqeshjen e saj tepër karizmatike. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Pranvera na tregon rrugëtimin e saj 11-vjeçar në ekranin e vizion plusit, ajo gjithashtu na tregon se çdo të thotë të zgjohesh çdo ditë për të qenë në emision në orën 7 pa 5 minuta.  Pranvera flet dhe për ndjesinë  e të qenit nënë si dhe eksperiencën e saj  prej 11 vitesh si spikere lajmesh.

Pranvera 11 vite në Vizion+, një zgjedhje e juaja kjo apo ende nuk ju ka ardhur ndonjë ofertë që të tundojë?

Në 11 vite në vizion kam pasur shumë oferta, por asnjë nuk më ka tunduar. Jo, se pagesa nuk ka qenë më e lartë se kjo që kam, por sepse në një vend pune unë vleresoj shumë komponentët dhe rroga është një prej tyre, por jo më e rëndësishmja. Vizioni është një familje e madhe, ku ne jemi një staf që kemi shumë vite që punojmë me njëri tjetrin, dhe kush vjen në Vizion thotë që harmonia që gjendet mes stafit tek ne, nuk gjendet në asnje TV tjetër.

Ju kujtohet momenti kur kini dalë për herë të parë në ekran?

Sigurisht që më kujtohet. Hera e parë ka qënë 18 vite më parë dhe regjizori i parë që ka punuar me mua në atë kohë ka qenë Astrit Hasani, që e kisha dhe para pak ditësh të ftuar në studio. Hera e parë ka qenë një emision për fëmijë. Ndërsa, e punësuar në media kam 14 vjet dhe emisioni i parë ka qenë për të rinj.

Tani prej pesë vitesh moderon emisionin e mëngjesit ” 7pa 5″, një emision mjaft i ndjekur. Çdo të thotë të zgjohesh çdo ditë për të qenë e gatshme për “7 pa 5-n” me Pranverën?

Të zgjohesh për “7 pa 5-n” do të thotë të marrësh paraprakisht të gjithë informacionin që të duhet në mëngjes. Mot, horoskop, gazetat, sugjerime si të vishemi, zhvillimet kryesore të ditës, d.m.th.. shumë informacion, të ftuar, por edhe shumë buzëqeshje dhe ritëm.  Nuk ka rëndësi me kë flini , rëndësi ka të zgjoheni me Pranverën .

Sezoni i ri i” 7 pa 5-s” ka ardhur me risi. Çdo t’i thoshit publikut shqiptar që zgjohen herët në mëngjes?

Do t’i thosha të vazhdojnë të zgjohen herët në mëngjes. Ta dashurojnë çdo ditë të re, të japin më të mirën e tyre dhe të përpiqen që ditët mos t’i ngjajnë njëra tjetrës.

 Ju jeni prej më shumë se një dekadë spikere lajmesh në edicionin qëndror të lajmeve, si ndjeheni?

Lajmet janë “shtëpia” ime. Mund të jem në çdo format emisioni, por derisa të kem mundësi do të vazhdoj të jap lajmet. Unë e dua informacionin, është diçka që nuk më lodh kurrë dhe, sapo iki diku me pushime, më merr malli.

 Pranvera është më shumë vetvetja në “7 pa 5” apo në edicionet e lajmeve?

Vetvetja jam në emision. Në lajme jam brenda një kornize që më pëlqen shumë të jem.

Pranvera si mama është strikte?

Nuk di të them, nëse jam strikte apo jo, por jam shumë e vëmendshme dhe e kujdeshme. Përpiqem shumë që vajza të ketë më të mirën, në ushqim, veshje, argëtim etj., dhe mbi të gjitha të jetë e rrethuar me shumë dashuri.

 Cila është përralla që i tregoni vajzës çdo natë kur e vini në gjumë?

Unë nuk i tregoj përralla ende se Anna Siol preferon këngën për të fjetur. Dhe i këndon mami im. Jam me shumë fat që prindërit e mi janë afër dhe janë një ndihmë shumë e madhe për ne. Kemi fatin që vajza jonë ka gjyshër të mrekullueshem si nga mami dhe nga babi.

Vajza është më shumë e dhënë pas mamasë apo babait?

Është e dhënë mbas të dyve shumë. Mund të thotë gjithë ditën baba, por i shkëlqejnë sytë kur unë vij nga puna ose të qajë kur i ati largohet.

Ushtroni sport?

Po do rikthehem shumë shpejt. Gjithsesi unë jam njeri aktiv dhe përpiqem shumë që, nëse nuk shkoj në palestër, të paktën të eci disa km në ditë. Për momentin jo. Jo se nuk dua, por 24 orë më duken shumë pak në ditë dhe nuk më del koha.