Pozita e gruas në Iliri dhe në Botën Antike

9285
Rajna Kovaçi

Studimi i jetës së përditshme dhe roleve të grave në botën e lashtë të Ilirisë, Greqisë, Romës dhe Egjiptit janë magjepsëse dhe të ndryshme, shpesh duke shkuar përtej traditës, pamjes dhe “vendit që kishte një grua”. Jam përpjekur të studjoj gruan shqiptare në tërësi, që në lashtësi e deri në ditët tona, pozitën e saj në shoqëri, në familje, barazinë me burrin, sjelljen, veshjen, evoluimin e saj nëpërmjet modës, mënyrës së të menduarit, të drejtat e saj, zakonet, integrimin në jetën e përditshme, etj. Gjatë periudhave të zhvillimit njerëzor, edhe pozita e saj ka pësuar ndryshime, herë në ngritje dhe herë herë në ulje. Ndër të tjera u ndesha me një thënie të Aristotelit që është shumë domethënëse për pozitën e gruas gjatë gjithë ekzistencës njerëzore: “Gruaja është një vegël me shpirt”. Pas këtyre fjalëve, dola në përfundimin se shumë sjellje dhe qëndrime ndaj gruas dhe vajzës e kanë një traditë, të trashëguara historikisht. Këto qëndrime të pasqyruara në të gjitha fushat e jetës kanë lënë gjurmë deri në ditët tona dhe fatkeqësisht transmetohen brez pas brezi.

Gruaja ilire 
Një nga studiuesit që i ka kushtuar studime të veçanta botës ilire ishte francezi Pierre Cabanez. Nga dëshmitë epigrafike të Dodonës së Butrintit, që i përkasin shekujve VI-I para erës sonë në Iliri, gruaja kishte të drejta të barabarta me burrin, e në disa raste gëzonte më shumë të drejta se ai. Kështu ato kishin status të lartë, shpesh bëheshin udhëheqëse të grupeve fisnore. Përsa i përket bindjeve fetare kuptohet ilirët ishin paganë dhe i besonin jetës së përtejme. Nga zbulimet arkeologjike që janë bërë nëpër varreza të ndryshme rezulton se ilirët varroseshin bashkë me armët, dhe sendet personale më të përdorshme. Nga dokumentet e ndryshëm del në dritë se statusi i gruas në Iliri ishte krejt tjetër nga ai i gruas greke, e cila duhej t’i nënshtrohej gjatë gjithë jetës autoritetit të padiskutueshëm të burrit. Studiuesi Vatin na bën të ditur se “në pjesën më të madhe të botës helenike, çdo grua i nënshtrohej gjatë gjithë jetës së saj autoritetit të padiskutueshëm të burrit. Ajo nuk mund të shkonte as në gjyq, as të blinte apo edhe as të shiste, nuk mund të shkonte as tek të afërmit e vet, po të mos ishte e shoqëruar nga tutori i saj ose nga ‘Kyriosi’”. Me zbulimin e shkrimit, ngjarjet hyjnë në një fazë të re, nga rrëfimet në histori. Në shkrimet e ndryshme që janë gjetur në Butrint, ato japin informacion të drejtpërdrejtë për jetën shoqërore, institucionale, juridike, kulturore, ekonomike të asaj kohe. Studiuesi francez Pierre Cabanez shkruante në studimet e tij: “Është veçanërisht interesante të vihet re vendi që zë gruaja në renditjen e grupit familjar! Roli i saj i vërtetë kuptohet qartë nga vendimmarrja që ajo ushtronte, si p.sh. në lirimin e skllevërve, si dhe në drejtimin e tyre. Në shumë raste gruaja ishte në krye të grupit familjar”. Por studiuesi Cabanez vazhdoi edhe më tej me zbulimet e tij në murin perëndimor të teatrit të Butrintit. Mbishkrimet e zbuluara japin 18 raste dhënie lirie skllevërve nga një grua fisnike. Bëhej fjalë për lirimin e 40 skllevërve nga një zonjë. Nga rastet e zbuluara dhe nga fjalët e studiuesit jemi në gjendje të përcaktojmë pozitën e lartë të gruas ilire në Ilirinë e lashtë. Arkeologu italian Ugolini, jep 2 akte të plota, të lirimeve të kryera nga një grua. “Në Dodonë një grua liroi dy skllevër. Kjo zonjë i mbajti ata në shërbim pranë familjes deri në fund të jetës”. Në një rast tjetër, një grua liroi 4 skllevër, ku 3 ishin gra dhe 1 burrë. Nga mbishkrimet e zbuluara që i përkasin shekullit II dhe I p.e.s. aktet e lirimit dhe shumica të kryera nga një grua fisnike. Të gjitha këto mbishkrime dhe të tjera dëshmojnë një unitet të gjerë kulturor dhe të drejtash. Madje forcojnë më shumë idenë, se niveli i përparimit të një shoqërie varret nga niveli i përparimit të gruas. Pra, ato nuk ishin vetëm “vegla me shpirt”, por qytetare të denja me autoritetin, të drejtat, me pushtetin e vendimmarrjes, dhe shumë më përpara nga fqinjët kufitar. Pra më të përparuara dhe më të emancipuara për kohën që jetonin. Me lirinë në barazi duke pasur parasysh nivelin kulturor, ekonomik, tregtar, politik të Ilirisë. Ka shkrime të lashta që përshkruajnë gratë në Iliri, duke shoqëruar njerëzit e tyre në bankete dhe duke pirë me ta. Praktika të tilla u konsideruan si të papranueshme në Romën e lashtë dhe në Greqi. Shumat e mëdha parash që përmenden në tableta tregojnë se huadhënësi ishte përgjegjës për financat e saj, duke zbuluar se sa të rëndësishme ishin gratë në shoqërinë ilire. Të dhënat historike përshkruajnë gratë ilire që angazhoheshin nëpër beteja luftarake, ishin të afta të mbanin pushtetin politik dhe ushtarak dhe merrnin pozita udhëheqëse. Ato gjithashtu pinin me njerëz në bankete dhe madje ngrinin dolli dhe urime, që ishte diçka e padëgjuar për Greqinë e lashtë apo për Romën. Pesë tableta të fildishtë 1800-vjeçare të gjetura në qytetin shqiptar të Durrësit sapo janë deshifruar duke hedhur dritë të re mbi rolin që gratë kanë luajtur në kulturën e lashtë ilire. Mbishkrimet në pllakat e dyllit tregojnë se gratë angazhoheshin në transaksione të rëndësishme financiare të niveleve të lartë, duke shtuar peshën në pikëpamjen se gratë kanë pasur status të barabartë me burrat në Ilirinë e lashtë. 

Teuta – Mbretëresha e Shtetit Ilir
Si vazhdimësi dhe si rezultat përparimit dhe emancipimit ishte edhe marrja e fronit e Mbretëreshës Teuta. Flitet për vitin 230 p.e.s. pas vdekjes së Mbretit Agron. Fronin Mbretëror e trashëgoi e veja e tij që u quajt “Mbretëresha e Deteve”. Ajo u vu në krye të shtetit dhe të ushtrisë Ilire duke e drejtuar Ilirinë nga vitet 230-228 p.e.s. Megjithëse nuk janë shumë vite sundimi por vepra dhe lavdia e saj janë transmetuar deri në ditët tona. Ajo është gruaja e famshme Mbretëreshë e lashtësisë që ka hyrë si e tillë në historinë e grave më të famshme të gjitha kohërave, si Mbretëreshë me tiparet e veçanta të një komandante dhe stratege shumë e zonja, mendjehollë, novatore dhe trime. Teuta e mori drejtimin e shtetit në një periudhë të lulëzuar. Teuta u bazua në planet e hartuara prej Mbretit Agron dhe u mundua t’i realizoj ato deri në fund. Së pari, forcoi rendin shtetëror e i dha përparësi pushtetit qendror. I dha impulse zhvillimit ekonomiko-kulturor të qyteteve, fuqizoi shumë fushën ushtarake, u kujdes të mos cenoheshin kufijtë e Mbretërisë. Vëmendjen kryesore ia kushtoi flotës detare. Ajo është ideatorja dhe realizuesja e disa anijeve unikale luftarake të quajtura LIBURNE. Teuta mbetet një personalitet i botës antike, që e udhëhoqi shtetin e fuqishëm ilir dhe i rezistoi me trimëri fuqisë më të madhe e të pandalshme romake.
Sigal