Politika sot, si koha kur kostumet pastroheshin me benzinë

529
Duke dëgjuar një bisedë në një studio televizive mes dy politikanëve ish-ministra, dikur ish funksionarë të njohur të PPSH, sot të pozicionuar politikisht njeri majtas e tjetri djathtas, në debatin e tyre na bëri përshtypje ky fakt: Filluan të akuzonin njeri-tjetrin për korrupsion, duke i zbritur akuzat edhe personalisht. Drejtuesja e emisionit, duke dëgjuar akuza pa fakte konkrete për vjedhje, pasurim mafioz, korrupsion e trafiqe të bëra kur të dy kishin qenë ministra, u tha: “Nëse keni fakte për vjedhje e trafiqe të njeri-tjetrit, thojani konkretisht, ndryshe mos vazhdoni me akuza boshe!” Çudia ishte, se të dy u përgjigjën njësoj: “Nuk kemi ndërmend të hapim letrat këtu…”! 

Pse nuk japin fakte konkrete në akuzat që i bëjnë njeri-tjetrit. prej 25 vitesh, dëgjojmë në parlament, në studio televizive, në kongrese partie e mitingje elektorale, që shtetarët e politikanë akuzojnë njeri-tjetrin për lloj-lloj krimesh e abuzimesh! Madje disa edhe tundin letra në duar! Por përsëri qëndrojnë e ndajnë pushtetin bashkë, duke hartuar e miratuar edhe ligje kundër krimit e korrupsionit! Dhe pastaj deklarojnë: “Nuk duam të flasim me fakte…” Kjo sjellje 25 vjeçare e politikanëve dhe shtetarëve tanë, na kujton një fakt që brezi i sotëm, mund të mos e besojë e të qeshë. Para viteve ’90, përveç udhëheqësve të lartë të PPSH, gjithë zyrtarët, të zgjedhurit e partisë, të gruas, të rinisë, të bashkimeve profesionale, të ish-kooperativave etj.. Por edhe njerëzit e thjeshtë, që kishin një kostum, ose që merrnin një kostum borxh tek vëllai, komshiu, miku e shoku, përpara se të shkonin në mbledhje, kongrese, takime, konferenca e dasma, i pastronin kostumet me benzinë! Të gjithëve, u vinte kostumi erë benzinë. Të gjithë e ndjenin erën e benzinës tek njeri-tjetri, por askush nuk reagonte! Pse? Sepse ishin të gjithë të lyer me benzinë dhe era e benzinës nuk ishte diçka e veçantë, që e kishte vetëm njeri e ta nxirrnin jashtë mbledhjes, mbrëmjes, dasmës, trenit, autobusit, zyrës e kinemasë. Kjo ndodh edhe në politikën shqiptare sot. Të gjithë vijnë “erë benzinë” (korrupsion), ndaj bëjnë sikur nuk e ndjejnë erën tek njeri-tjetri. Në kohën kur kostumet pastroheshin me benzinë,. mjaftonte t’i vije shkrepësen njërit dhe merrnin zjarr të gjithë! Kështu edhe sot, mjafton të “ndezësh” njërin dhe digjen të gjithë….
Sigal