Polifonia Shqiptare/ Ministria e Kulturës të dëgjojë popullin që thotë Polifonia. Kur flet dija, mënçuria dëgjon. Flasin: Pirro Miso, Moikom Zeqo, Ago Nezha, Bardhosh Gaçe, Kastriot Bezati dhe Zhani Ciko

1018
Sigal

Flasin, Prof. Dr. Pirro Miso, Zhani Ciko, Ago Nezha, Bardhosh Gaçe, Kastriot Bezati, Moikom Zeqo

Simpoziumi Shkencor mbi Polifoninë një risi që duhet mbështetur kudo

Albert Z. ZHOLI

 

Shoqata “Polifonia Shqiptare” dhe Shoqata Labëria “Nderi Kombit”, ditën e shtunë,16 nëntor organizuan promovimin e librit mbi Polifoninë, bazuar në Simpoziumin Shkencor mbi Polifoninë “Bylis 2018” që u botua nën interesimin dhe kujdesin e z. Yzeir Llanaj. Ky libër botohet në një moment kur ndaj Polifonisë, këngës labe, ose këngës vendçe, po ushtrohet presion dhe luftë për tjetërsimin e emrit dhe origjinës. Por, kjo këngë tashmë e ka marrë vulën e popullit dhe të organizmave ndërkombëtarë. Origjinaliteti i polifonisë shqiptare është një dëshmi jo vetëm e hershmërisë së ekzistencës së saj në vijimësinë historike të kësaj popullsie kryesisht labe, por edhe e kultivimit popullor të saj deri në perfeksion, si një trashëgimi reale, e gjallë dhe pjesë e pandarë e botës shpirtërore dhe kulturore të saj. Polifonia shqiptare është trashëguar dhe zhvilluar organikisht në përkim me rrjedhat e kohës dhe të zhvillimit deri në ditët tona. -Polifonia shqiptare mbart vlera etnografike dhe historike. Në vetvete polifonia shqiptare është një trashëgimi e kulturës shpirtërore popullore tepër e kultivuar dhe e zhvilluar dhe vlerat e saj qëndrojnë në harmoninë e pazakontë, pothuaj qiellore të zërave të marrësit, hedhësit, të kthyesit dhe të grupit që mban ison. Por ndërkohë, ajo sjell edhe një dëshmi të pakundërshtueshme etnografike dhe shërben si një burim I konsiderueshëm për dokumentimin e jetës shoqërore, ekonomike e historike të popullsisë që e ka ushtruar këtë këngë. Ajo dëshmon aspekte të kësaj jete, pasi këndohej në mjedise dasme e morti, në lindje, në festat popullore dhe në kuvendet e burrave nën rrapet apo sheshet e fshatrave apo pikëgrumbullimet e krahinave, duke sjellë momente të ritualeve, të zakoneve, të veshjeve, të sjelljes, të momenteve historike, të traditave dhe problematikave të kohës, të luftës dhe të paqes, të marrëdhënieve shoqërore, fisnore e familjare, martesore e miqësore, të dijes dhe urtësisë popullore. Polifonia është arti shpirtëror më i veçantë i kombit tonë dhe si i tillë duhet ngritur, duhet ruajtur si thesar në piedestalin që i takon që koha ta lartësojë edhe më shumë. Ky visar mbetet udhë ndriçues i historisë së një kombi më të vjetër në botë me vlera shpirtërore tepër të rralla. Në këtë promovim diskutimet do jenë jo më shumë se 5 minuta pasi do përmblidhen në libër ndaj sot nuk do mungojë kënga labe. Ka si shprehen profesorët e nderuar dhe specialistët për Polifoninë:

 

Kastriot Bezati-historian

Kur flet dija, mençuria dëgjon. Kur flet populli, flet dija dhe, populli, thotë Polifoni dhe jo Isopolifoni, ndaj Ministria e Kulturës duhet të dëgjojë popullin, të dëgjojë studiuesit e shumtë
që e quajnë Polifoni apo Shumëzërësh, duhet të flasë jo si foli në vitin 2002 apo në vitin 2005, por të flasë dhe t’i kërkojë UNESCO, – s, që, kryevepra shqiptare e trashëgimisë gojore të njerëzimit të
emërtohet “Polifoni”, ashtu si cilësohet edhe në Enciklopedinë Shqiptare të vitit 2009, katër vjet pas vitit 2005, me emrin “Polifoni”. Heshtja dhe mosveprimi i institucioneve shtetërore shqiptare
bëri që edhe Lahuta, ky instrument muzikor autentik shqiptar, origjina e së cilës, – sipas etnomuzikologut të madh Ramadan Sokoli, – daton në vitin 1335, të grabitet nga Serbia dhe, në nëntor 2018, të njihet si trashëgimi kulturore e Serbisë (!!!). Serbët, na kanë marrë edhe hapësira territoriale, na kanë marrë edhe tokë, dhe tani duan të përvetësojnë, të na marrin edhe “Lahutën”. “Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët kishin kryer ciklin dy mijë vjeçar të qytetërimit të lashtë”, – thotë At Gjergj Fishta, autori i veprës “Lahuta e Malcis”, shkruar me 1902 e botuar në vitin 1905. Shoqata Kulturore Artistike “Polifonia Shqiptare” disa here i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës të veprojë për të ndryshuar emërtimin “Isopolifoni” dhe të rikthehet emërtimi “Polifonia Popullore Shqiptare”.

Prof. Dr. Pirro Miso

Kuptimi përmbajtjesor i termit: Togfjalëshi “Polifonia Jonë Popullore”., i mirëmenduar është
strukturuar në tre këndvështrime themelore përcaktuese të tilla: Së pari, polifoninë, si strukturë me dy e më shumë zëra të individualizuara, me kontraste të theksuara mes tyre. Së dyti, me fjalën Jonë, nënkuptoj polifoninë shqiptare e jo një polifoni të një vendi tjetër, siç e vlerëson dhe përsërit rëndom në botimet e tija akademiku Vasil S. Tole, … Së treti, me fjalën Popullore, autori, përfshiu konceptin e kohës dhe të hapësirës së shtrirjes të këtij zhanri. Themeluesi, në shpjegimet e demonstrimet, të shoqëruar me shembuj e vendosur, përcaktoi për çdo strukturë edhe hapësirat të zhanreve e dialekteve përkatëse. Në këtë kontekst, Prof. Ramadan Sokoli, përfshiu gjithashtu edhe muzikën shumëzërëshe instrumentale, madje edhe vokale instrumentale duke e përcaktuar si: “Polifoni vokale të përcjellë me vegla”, ç’ka nënkuptonte polifoninë të shoqëruar me instrumente tradicionalë. Duhet të rikujtojmë, së pari se, bartësit popullorë përdorin edhe sot për këtë zhanër një mori termash si: “labçe”, “vençe”, “myzeqarçe”,“kolonjarçe”,“gjirokastritçe”, “himarjotçe”, “vlonjatçe”, madje edhe përcaktime të tjera metaforike si : “këngë kokë më kokë”; “fosforina shqiptare” etj., etj. Përdorimi i shumtë i emërtimeve popullore për shumëzërëshin konsiderohet si zhargon, si mënyrë komunikimi për bartësit. Ata dinë se kur dhe ku t’i përdorin edhe termat shkencore. Përse, profesori, themeluesi i termit, e mënjanoi terminologjinë popullore?

 

Zhani Ciko-Mjeshtër i Madh

-Bylis-shoqata jo vetëm duhet të mendojë të mbrojë autoktoninë e shumëzërëshit tonë etnik, por edhe të gjenerojë ardhmërinë e kësaj perle siç na pëlqen ta emërtojmë, vlerësimin e saj ndërkombëtarisht dhe jetëgjatësinë a më mirë pavdekësinë e saj. Por nuk e di pse dhe as dua ta besoj pa e ditur, se me tëarritur pikësynimin dhe vlerësimin e lartë, na hipën gjaku I mohimit dhe përdorimit të asaj që është e thjeshtë dhe e vërtetë e gjithë ditur. Super teoricienët që i ka kapur pseudo-filantropia, nuk duhet të insistojnë më por të vetëkorrigjohen, pasi askund s’kemi parë shkencëtarë të tillë të vetmuar e që i ndjekin pas përfituesit interesaxhinj që kanë mbijetuar më parë dhe sot nga të njëjtat qëndrime ambigue. Por, “Bylis”, rinxori në pah dhe nuk i shpëtoi pa mohuar arritjet evidente një fenomeni që e kemi evidentuar dhe në një zinxhir festivalesh në Shqipëri por dhe në vendet e tjera arbërore të pas kufijve administrativë që na rrethojnë. Është problemi i Bumerangut të përpunimit e krijimit të mirëfilltë autorial që na paraqitet jo pak herë si zëvendësues, i krijimit autentik a burimor. Kjo është dukuri e rrezikshme dhe që me praktikën e saj mpin dellin krijues të bartësve të vërtetë.

Prof. Dr Ago Nezha

Zërat e bukur të Labërisë, pëlqehen jo vetëm nga komuniteti vendas, por edhe nga të huajt. Nuk është rastësi, që kënga e Lapardhasë “Janinës ç’i panë sytë”, fitoi çmimin e Parë në
festivalin Ballkanik të Ohrit, apo treshja e Dukatit, fitoi medalje Ari në festivalin e Kanës në Francë. E shembuj të tillë ka plot,që tregojnë për magjinë e polifonisë labe. Kënga labe, është një
pasuri e çmuar në fondin e polifonisë Shqiptare. Polifonia labe, ka bërë jehonë në shumë vende të zhvilluara të qytetërimit botëror, për origjinalitetin, muzikalitetin natyror dhe veçoritë dalluese. Afirmimi i këtyre vlerave të pazëvendësueshme, mori jetë me festivalet legjendë, gjigante të Gjirokastrës, që prezantoi dhuntitë e polifonisë, nga Jugu në Veri. Ky festival unikal, ka qenë një akademi e shpalosjes së vlerave të këngëtarëve virtuoz dhe grupeve madhështore me një kolorit gjithëpërfshirës, duke filluar nga zërat e magjishëm te instrumentet popullor, si fyejt e
krahinave të Jugut, çiftelia e trevave të Veriut, sazet e Përmetit, etj.

Dr. Moikom Zeqo

Polifonia është një këngë burrash. Duke iu referuar një dijetari gjerman, Çabej thotë, se polifonia ekziston në jug sepse karakteri i shtëpive të jugut është më afër njëri-tjetrit, ndërsa
kënga e lahutës është me shtëpi më larg dhe përshkruan diçka nga relievi. Polifonia nuk ka hierarki në fise, para saj të gjithë janë të barabartë. Por ky studim për rëndësinë, historinë e lavdishme nuk është bërë asnjëherë. Kjo muzikë pati disa ndikime të mëdha në krishterimin e hershëm. Kemi historikun se Fyelli, Jarja janë instrumente shumë të vjetër, pra është kënduar me fyell si dhe organo hidraulike e kemi që nga shekulli i dytë. I kemi njohur këto instrumente. Por nuk kemi hyrë thellë në zemrën e Polifonisë, të historisë së saj të brishtë. Polifonia ka ndryshuar. Po të dëgjosh polifoninë në Gjirokastër është e përshpejtuar dhe nuk ka atë rëndesën e madhe. Ata që lëvrojnë këngë, krijojnë këngë për kryetarin e bashkisë, për Edi Ramën, etj, tregon se ky denigrim është diçka e neveritshme se polifonia nuk, e ka këtë traditë, këtë mision.

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

Karakterin e lashtë dhe autokton të polifonisë shqiptare e vërtetojnë katërçipërisht praktikat ende të gjalla të polifonisë në të gjithë hapësirën ilire të Epirit, Bosnjës, Hercegovinës, Kroacisë, e cila mbështetet edhe nga studiues të huaj dhe të këtyre vendeve siç janë studiuesit e njohur Rihtman, Kaufman, muzikologë të huaj dhe interpret të besueshëm të polifonisë në të gjithë format e shfaqjes së saj. Në trajtesën e tij studiuesi i njohur i polifonisë shqiptare Beniamin Kruta merret dhe me ndarjen e dukshme të polifonisë shqiptare në atë të Labërisë dhe të Toskërisë dhe shtegtimet e saj që kanë ardhur kryesisht përmes shtegtimeve nga stanet e Gramozit, Korçës, Përmetit, Myzeqesë (Beratit, Fierit e Lushnjës), të cilat i gjejmë te popullsia arumune e Kosturit, arumunët e Bullgarisë, në Rumani e ndonjë vend tjetër. Fenomeni shtegtues është i njohur dhe interesant lidhur me shtrirjen e polifonisë shqiptare.