Poezi/ Vullnet Mato: 39 bijtë e shejtanit

753
Vullnet Mato
39 bijtë e shejtanit
Thuhet, bota ka dyzet Shejtanë,
tridhjetenëntë janë në Shqipëri.
Shejtan-Baba bredh në çdo anë,
këtu ka lënë gjithë bijtë e tij…
Ata i ngarkoi, në krye të herës, 
të zbatojnë kryesisht, një detyrë:
me mallkimin e shpirtrave të skëterrës,
ta kthejnë vendin në shkretëtirë.
Ky vend i shqipove të Ballkanit
të mos quhet më tej Shqipëri,
por “Shkretëtira e bijve të Shejtanit”
ku djallëzia të ketë liri pa kufi.
T’i paguajnë padrejtësi gjyqtarit,
t’i rrëmbejnë pronarit pasurinë,
t’i mohojnë të drejtat qytetarit,
derisa të përshtatet me varfërinë.
Të nxitin birin të vrasë babanë,
të vrasë burri nënën e fëmijëve,
të vriten me thika djemtë tanë,
të shkrumbohen me zjarre pyjet.
Të përhapin kudo gënjeshtra,
me rrumpallë, të prishet rendi,
të sfilitet njeriu, t’i mërzitet jeta,
të vritet shpresa, të braktiset vendi.
Të mbillet me helm droge çdo brazdë,
të mbeten trojet me zhapinj e breshka.
Ndryshe kush qëndron pa ikur jashtë,
të përballet me gjakpirës morra, pleshta…
Ky vend do të shpëtojë nga shkretimi,
po të shporren gjithë bijtë e shejtanit,
dhe të ngulitet në popull mendimi,
vetëm të mençurit i dalin zot vatanit…
Sigal