Poetit të njohur Arben Duka i jepet titulli “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”

635
Sigal

Ceremonia zhvillohet sot në orën 18:00 në ‘Bar Sofia’ ku bëhet dhe promovimi i librit të ri me lirika “Mona Liza”

 Dita e sotme shënon dy evenimente të reja për poetin Arben Duka. Promovimit të librit të ri me lirika “Si Mona Liza” i shtohet dhe një mirënjohje tjetër, ai i dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”, akorduar nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Gjirokastrës, vendlindjes së tij. Ceremonia e promovimit të librit të ri me lirika dhe njëkohësisht dhënia e titullit bëhen sot, ditën e mërkurrë, ora 16:00 në ‘Bar Sofia’ tek “Komuna e Parisit”. Në këtë ceremoni marrin pjesë krijues, shokë e miq të poetit si dhe drejtues vendor të Gjirokastrës.

Poeti Arben Duka ëshët autor i dhjetëra librave poetikë që janë pëlqyer e vlerësuar nga lexuesi e kritika si dhe autor i teksteve të rreth 3000 këngëve, shumica prej tyre të vlerësuar me çmime në aktivitete të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Njëkohësisht, poeti Duka, me, satirën e sarkazmën e tij, është i përditshëm në media duke fshikulluar ashpër fenomene e persona të ndryshëm të jetës politike e shoqërore në këtë vend që kanë bërë e bëjnë mëkate në kurriz të Shqipërisë e shqiptarëve. Për një kohë të gjatë, Arben Duka ka qenë pjesë e kolektivit të gazetës “Telegraf” duke goditur fenomenet e mësipërme e duke komunikuar me lexuesin e artdashësit me lirikat e tij të mrekullueshme. Redaksia e gazetës “Telegraf” i shpreh Dukës urimet për promovimin e librit të ri dhe marrjen e titullit të mirënjohjes “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”.

Poezi nga Arben Duka

Lamtumirë..
(Lirikë dashurie)

S’kam dashur kurrë të të lëndoj,
se të kam dashur sa s’ka më,
po ti më ikën-më largohesh,
ndaj dhe unë ika-po të lë.

S’besoj se do lëndohesh shumë,
ti ende s’di ç’ është dashuria,
ndaj s’munde ta kuptoje dot,
prushin e ndjenjave të mia.

Veç bukurisë së pakursyer,
natyra gjë s’të ka dhuruar,
ishe një gonxhe që nuk çele,
u vyshke që pa lulëzuar.

Dhe pse e kam kaq të vështirë,
po të përzë nga zemra ime,
më mirë ndriço si yll i largët,
dhe më dil veç në ëndërrime.

Pas meje do të vijnë të tjerë,
dhe do të puthin puthjen time,
e ti ashtu si dhe me mua,
do shkrihesh nëpër përqafime.

E do t’u thuash-hipokrite:
“O sa të dua-s’e them dot!”,
edhe njëlloj si dhe me mua,
fare më kot do derdhësh lot.

Në sa krevate do të shtrihesh,
dhe do të hiqesh virgjëreshë,
kur i mendoj këto të gjitha,
më vjen të qaj edhe të qesh.

Unë gjer tani isha i nxehur,
nuk e mohoj që prapë të dua,
sikur të puthesh me gjithë botën,
askush s’i ndez buzët e tua.

Unë vetë isha i lënduar,
e ndofta të lëndova shumë,
kush vallë di të përkëdhelë,
ashtu siç përkëdhelja unë?!

Megjithatë po të uroj,
u bëfsh prapë yll e lëshofsh nure,
më pas besoj se dhe për mua,
do çelë me gaz një tjetër lule.

Mbi ndjenjën tonë ra dëborë,
gjithçka më tutje është e kotë,
pra lamtumirë-veç lamtumirë,
se mirupafshim s’të them dot

Dyert e jetës..

Në mëngjes sa çelet dera,
çelet lulja urtë e butë,
po vjen nata-si përhera,
edhe lulen e këput!

Jeta jonë ka dy dyer,
të parën e hap agimi,
atë derë të shkëlqyer,
e mbyll nata-perëndimi!

Dhe pas derës-që u mbyll,
s’kam më dhimbje-s’ka më lotë,
s’ka më hënë-e s,ka më yll,
se është ndryshe ajo botë!

S’ka më dhimbje-s’ka më lotë,
atje zëmra kurrë s’heq,
ndaj i fala tek kjo botë,
të gjithë që më bënë keq!

Kënga popullore..

Nuk na lanë të parët,
vepra madhështore,
por Tapi na lanë,
këngën popullore..

Këngën popullore,
e kam me tapi,
dhe veç saj nuk dua,
tjetër pasuri..

Sa erdhën-sa ikën,
këngën dot s’e shkulën,
unë jam Tapia,
kam firmën dhe vulën..

Do këndoj me zërin,
e bilbil argjendit,
këngët popullore,
janë tapitë e vendit!..

Sot në orën 18:00 në ‘Bar Sofia’, në lagjen “Komuna e Parisit” bëhet promovimi i librit të ri me lirika të poetit Arben Duka, “Si Mona Liza”. Njëkohësisht, po në këtë ceremoni, poetit Duka I jepet dhe titulli “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”.

  Besnik KUJTIMI