Poeti i mirënjohur Agim Shehu, shpallet “Qytetar Nderi i Tepelenës”

573

Kërkesa për nderimin e tij drejtuar Bashkisë së Tepelenës ka ardhur me motivacionin e mëposhtëm:

 KERKESË!

Bashkisë së qytetit Tepelenë. I nderuar zoti Kryetar, Të nderuar anëtarë të Këshillit të Bashkisë, Tepelenë. Me të drejtën që ju jep detyra si drejtues të pushtetit lokal të Bashkisë Tepelenë po ju drejtohemi juve, të merrni në shqyrtim kërkesën tonë për dhënie titulli Qytetar Nderi, njërit prej bijve më të shquar të vendlindjes sonë, poetit me përmasa kombëtare Agim Shehu, në kuadrin e 80- vjetorit të jetës së tij. Më poshtë po japim motivimin e kësaj kërkese, duke qenë të sigurt se edhe ju e njihni tashmë kontributin e tij të jashtëzakonshëm për kulturën tonë kombëtare. Agim Shehu, poeti ynë i shquar tepelenas, i lindur në Progonat të Kurveleshit më 1934 është një nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe dhe vepra e tij të çmuar është sot një pasuri e madhe e fondit më të vyer të kulturës sonë kombëtare dhe veçanërisht një krenari e madhe për lartësimin e vlerave patriotike e kulturore të vendlindjen tonë, Tepelenës. Me veprën dhe talentin e tij të rrallë, Agim Shehu i ka bërë një nder të madh njohjes së vlerave më të mira patriotike, historike dhe kulturore rrethit tonë dhe krejt kulturës shqiptare. Ai përbën padyshim kreun e listës së bijve më të shquar që ka nxjerrë vendlindja jonë në fushën e letrave shqipe dhe është në nderin tonë (e madje jemi të vonuar) në akordimin e titullit moral, Qytetar Nderi, që më shumë se sa atij, na nderon të gjithëve ne dhe vendlindjen tonë të dashur. Nënshkrues Petrit Ruka, poet, regjisor, Luftar Pajo, aktor, “Artist i Popullit”, Vladimir Prifti, “Artist i Merituar”, regjisor, Roland Roshi -regjisor,  Albert Zholi- gazetar, shkrimtar, Bujar Asqeriu- aktor i Teatrit Kombëtar, Mehdi Malkaj- aktor i Teatrit, Kombëtar, Spartak Pecani-kineast, regjisor, Lulzim Lekdushi, poet, Piro Milkani- regjisor, “Artist i Popullit”, Fatmir Toçi deputet i Parlamentit Shqiptar- botues, deputet , Besnik Bare deputet i Parlamentit Shqiptar, Petro Koçi, politikan, Et’hem Ruka, biolog, deputet i Parlamentit Shqiptar. Certifikatën përkatëse e ka marrë djali i tij Dritan Shehu, i cili ka bërë falënderimet e rastit. Pastaj Petrit Ruka, nismëtari i kësaj veprimtarie, ka lexuar përshëndetjen prekëse të poetit Agim Shehu, drejtuar të pranishmëve që nga Gjeneva, e cila është pritur me duartrokitje të gjata.

 Teksti i përshëndetjes së poetit, drejtuar qytetarëve të tij

 Të dashur e të çmuar bashkëkrahinorë, i nderuar kryetar i Bashkisë-Tepelenë, z. Tërmet Peçi,

 Ju faleminderit e ju jam mirënjohës për vlerësimin e lartë që më bëni! Të parët tanë thoshin ‘I nderuari të nderon’. Në pamundësi për t’u ndodhur vetë atje, aq më tepër kur ndodhem larg vendlindjes, hartimin e kësaj përshëndetjeje e ndjej si një ndër vështirësitë më të mëdha nga çdo krijim që kam bërë. Fjala posa ulet mbi letër ndjehet e pakënaqur dhe kërkon që ta shuaj, pasi s’e kam gjetur mirë atë që duhet thënë për një krahinë si jona! Aq sa ndjehem i gëzuar e krenar, po aq ndjehem ngushtë të jem i nderuar zyrtarisht i një krahine me aq figura të mëdha e të rënda në histori e në jetën e saj. Figura aq shumë, sa as gurët pa fund të krahinës s’do mjaftonin për t’i ngritur secilit përmendoren që meriton. I përfytyroj shpesh me radhë e më bëhet se, sado tani 80- vjeçar, përballë tyre kam hutimin e fëmijës e si bir i vogël i tyre më ngrihen supet nga madhështia e tyre. Në krijimtarinë time kam thënë aq sa kam mundur, por për një gjë ndjehem gjithashtu krenar e i gëzuar: Tepelena dhe në tërësi Labëria ime janë aty zëri i parë; aq më tepër janë, mendoj unë, dhe kulmet e krijimtarisë sime modeste. Ky fenomen te krijuesi është i pavetëdijshëm. Fëmijëria me kujtimet e vendlindjes janë tingulli i parë i çiltër i çdo krijimi. Ngjarjet që vinë më pas janë ngjyrimet që kësaj skice i bëhen nga përvoja e viteve. Të moshuar, herë -herë vemi të takojmë fëmijërinë, sidomos pas ndonjë lodhjeje shpirti, t’i përulemi asaj duke vënë faqen të malluar mbi të, t’i kërkojmë falje që iu larguam. Por ajo s’mban mëri. Ajo ka mbetur fëmijë tek e kemi lënë, te shtegu i mëhallës e te rendja pas zogjve në Lumaqe, te ledhatimet e qengjit apo te ‘a’-ja e parë e abetares. Gëtja thoshte se “në do që të njohësh saktë një shkrimtar, vizitoi vendlindjen!”. Shpesh te tavolina e lulishtes sonë në Gjenevë vijnë zogj e na ulen afër, te karrigia bosh pranë. Të ngulin sytë e vegjël me dritë qielli, na pyesin për botën e njeriut…Vihem t’u përkthej cicërimën zvicerane, e më bëhet se më bëjnë gjyq: pse në fshatin tim dikur pata vrarë një shokun e tyre të largët e të pafaj tek këndonte mbi qershinë e posaçelur të fqinjit? Të vjen mirë që ty të vranë sa erdhe këtu tek ne me Azil Politik!?…Pastaj fluturojnë tutje, duke më lënë në meditimet e mia me shoqen time, ku malli për vendlindjen trazohet me dhimbjen e natyrshme njerëzore. Te Tepelena stralli, në relievin e vendit është dhe strall në karakterin e njeriut, një harmoni e gjeografisë me psikologjinë e banorëve. Shtrirë e përzier në hapësira të tjera të vendit, këtij stërralli të veçantë tepelenasi mund t’i paguajë dhe borxh, por ai e përballon dhe këtë me gjykimin Sovran të tij se në lumturi shihet virtyti dhe në dhimbje provohet karakteri. Se Tepelena, si tërë Kurveleshi më gjerë, te jeta e njeriut të vet di të harmonizojë vetëtimën me ylberin. Krijuesi Universal, malet e tij i dha si struktura të gjeografisë…Vendasi i ktheu në shtëpi të lirisë. Për këtë krahinë me shtrirjen e gjerë si Labëri të emërtuar dikur ‘Himarë’, kronisti osman gjykoi habitshëm se këtu banorët krenarë zihen dhe me retë që u kalojnë mbi krye. E haraçin për venome të lira, zyrtarëve osmanë ua zgjatnin vënë te maja e shpatës! Nuk është e rastit që Tepelena ‘e vogël’ me densitet aq të madh trimërish e atdhedashurie nxori një vigan të tillë si Ali Pashë Tepelena. Burri që si askush tjetër nga fqinjët guxoi e brenda Perandorisë së madhe e të frikshme Osmane krijoi shtetin e vet me qendër kryeqytetin shqiptar të kohës, Janinën. Me veprën e tij të madhe rilindësve u dha në duar idenë e fjetur se, ‘ne jemi Shqipëri’ më vete e u vlerësua aq lart në botë sa Hygo e quajti “Bonaparti Muhamedan”. Me ardhjen e çdo pushtuesi krahina ime prodhonte trimëri ashtu siç prodhon deti dallgë zemërimi nga erërat që e sulmojnë. S’më harrohet kur të parët në fshat dikur thoshin se, “do kemi luftë pasi gratë po lindin në radhë djem”. Mitologjia dhe historia brenda njeriut ushqenin njëra- tjetrën. Dëgjoj nga larg një fjalë të mirë për vendin tim e më mbulon gëzimi. Dëgjoj një fatkeqësi mbi të, e ma pushton ditën pikëllimi. Është thënë bukur se njeriun mund ta largosh nga Atdheu, por Atdheun s’ia largon dot nga zëmra. Janë këto sadopak arsye, që i përulemi vendlindjes sonë siç i përulemi dhe të thinjur gjirit të nënës. Njeriu në jetë mund të ketë shumë kënaqësi e nderime, ndoshta në hapësira më të gjera. Por vlerësimi që të bën vendlindja jote, cilado qoftë ajo në madhësinë e saj, është nderimi më i çmuar e i pakrahasuar me asgjë tjetër. Edhe njëherë mirënjohje të përzemërt, vendlindja ime e dashur e drejtues të nderuar të saj.

 Agim Shehu, Gjenevë